Kur një libër i kapërcen kufijtë gjuhësorë, titulli i tij bëhet pragu i parë i dialogut midis autorit dhe lexuesit të ri. Për këtë arsye, përkthimi i titujve nuk është thjesht një ushtrim teknik, por një vepër krijuese që pajton besnikërinë ndaj tekstit origjinal me përshtatjen kulturore. Ky mendim më erdhi kur më ra në dorë një libër shumë i bukur, romani “Mujeres de alma mía” i Isabel Allendes, përkthyer në shqip si “Gratë e shpirtit tim” (Dudaj, Tiranë, 2023). Duket që përkthyesi Adrian Beshaj ka kryer një përkthim po aq të bukur sa ç’është edhe teksti origjinal.
Sidoqoftë, titulli, përtej një metafore që mund të sugjeronte pozicioni sintaksor i fjalës “shpirt” dhe trajtës së shquar të emrit “gra”, zgjedhje gramatikore e miratueshme, më krijon personalisht një ndjesi përkthimi mekanik, ose siç thuhet “fjalë për fjalë”, veçori e gjuhëve me skema sintaksore të përafërta, sikundër janë spanjishtja dhe shqipja. Nuk jam i sigurt nëse gjatë një dekodifikimi semantik lexuesi shqiptar reagon emocionalisht me të njëjtën mënyrë si lexuesi hispanofon, siç do të reagonte fjala vjen një francez, një portugez apo italian, gjuhë në të cilat përkthyesit kanë ndjekur të njëjtën rrugë si përkthyesi shqiptar: frëngjisht titulli i romanit është përkthyer si “Femmes de mon âme”, portugalisht “Mulheres da minha alma” dhe italisht “Donne dell’anima mia”. Përkundrazi, në anglisht përkthyesi ka parapëlqyer ta përkthejë titullin si “The Soul of a Woman” ndërsa në gjermanisht “Was wir Frauen wollen”.
Rasti i këtyre përkthimeve shndërrohet në një dilemë përkthimore evropiane: përkthimi fjalë për fjalë apo përkthim kontekstual? Krahasimi me përkthimin e titullit në gjuhët e tjera evropiane dëshmon një ndarje kulturore midis gjuhëve romake dhe gjermanike:
Gjuhët romake (frëngjisht, portugalisht dhe italisht) ruajnë strukturën origjinale. Kjo nuk është rastësi: gjuhët romanike kanë një afërsi strukturore me spanjishten, jo vetëm në sintaksë, por edhe në semantikën e fjalëve si “alma” ‘shpirt’. Megjithatë, edhe këtu, metafora mund të ketë ndikim të ndryshëm. Në frëngjisht, për shembull,“âme” ‘shpirt’ ka një tingëllim më filozofik, ndërsa në portugalisht “alma” ka një tingëllim më romantik.
Anglishtja (“The Soul of a Woman” ‘Shpirti i një gruaje’) dhe gjermanishtja (“Was wir Frauen wollen” ‘Çfarë duam ne gratë’) zgjedhin një qasje dinamike, duke e zhvendosur theksin nga shpirti i subjektit përkah koncepti universal i femrës (anglishtja) ose përkah një deklarate mbi dëshirat e grave (gjermanishtja). Kjo tregon një përparësi të ndryshme: anglishtja kërkon të kapë thelbin metafizik të romanit, ndërsa gjermanishtja fokusohet në një mesazh më të drejtpërdrejtë dhe provokues. Përkthyesit anglishtfolës dhe gjermanishtfolës kanë refuzuar metaforën e drejtpërdrejtë për të kërkuar një të kuptuar më intuitiv të temës së librit. Kjo nuk përbën ndonjë gabim, por një zgjedhje të vetëdijshme që ruan drejtpeshimin midis besnikërisë ndaj autorit dhe komunikimit të frytshëm me lexuesin. Këto zgjedhje ilustrojnë teorinë e Eugene Nida-s për “njëvlershmërinë dinamike”: përkthimi duhet të rikrijojë efektin e tekstit origjinal, jo vetëm formën e tij.
Shihet, pra, edhe nga rasti i përkthimit të një titulli, që kjo nuk është thjesht një çështje e ngushtë gjuhësore, por, në një kontekst më të gjerë, është edhe çështje kulturore. Nëse do të përkthehej në një gjuhë si japonishtja, ku koncepti i “shpirtit” (tamashii) lidhet me forcën vitale dhe jo me emocionet romantike, mund të ishte e nevojshme të ribëhej metafora. A. Beshaj mund të ketë zgjedhur përkthimin fjalë për fjalë për të ruajtur autenticitetin e zërit të Allendes, duke ndjekur edhe kolegët e tij në Itali, Francë e Portugali, por kjo sjell një rrezik: lexuesi shqiptar mund ta lexojë titullin si një shprehje të ftohtë, ndërsa hispanofoni e percepton atë përmes përfytyrimesh poetike.
Për të kapur nuancën emocionale, një titull alternativ mund të ishte “Gratë që i kam shpirt”, duke shmangur pronorim “tim” aq të mospëlqyeshëm për shqipen (shmangur gjithashtu edhe në botimet anglisht e gjermanisht) dhe duke përdorur një metaforë gjuhësore mjaft të përhapur ndër shqipfolësit. Kjo do ta zhvendoste theksin nga subjekti (autori) tek vetë gratë, duke rritur aftësinë identifikuese të lexuesit. Kjo zgjedhje nuk do ta cenonte lidhjen autobiografike që Allende krijon në librin e saj (ku ajo flet për gratë që kanë ndikuar në jetën e saj). Në dilemën e besnikërisë ndaj gramatikës apo besnikërisë ndaj gjuhës ne zgjedhim besnikërinë ndaj gjuhës. Në këtë mënyrë do të jemi besnikë si ndaj autorit por edhe të sinqertë dhe të qartë edhe ndaj lexuesit.
Çfarë na mëson ky rast?
Titujt janë “portretet” e librave: Ata duhet të jenë tërheqës, të fuqishëm e kumbues, jo thjesht të saktë.
Në këtë vështrim, konteksti kulturor është i domosdoshëm: Një përkthim i mirë kërkon dije antropologjike për ngjyresat e fjalëve. Afërsia gramatikore jo gjithmonë nënkupton njëvlershmëri kulturore.
Përkthyesi është autor i dyfishtë: Ai pajton rolin e përcjellësit të saktë dhe krijuesit të kuptimit.
Rasti i botimit shqip të romanit “Gratë e shpirtit tim” na kujton se përkthimi i titujve është një art më vete. Titulli vetë është një njësi përkthimore e rëndësisë së veçantë. Zgjedhja e A. Beshajt është e respektueshme për besnikërinë ndaj tekstit, dhe mund të interpretohet si një dëshirë për të ruajtur metaforën origjinale, por mund të justifikohet njëkohësisht si një akt respekti ndaj autores dhe si një mënyrë për të zgjeruar horizontet semantike të gjuhës shqipe.
Megjithatë, në një botë ku përkthimi është një negociim midis identiteteve, një titull më i përshtatur (si në anglishte apo gjermanishte) do të kishte krijuar një lidhje më të menjëhershme me lexuesin shqiptar. Siç shkruan Umberto Eco në veprën e tij të njohur “Të thuash gati të njëjtën gjë – Përvoja përkthimi”: “Përkthimi është arti i humbjes… por dhe arti i fitimit të diçkaje të re”.
Ndonjëherë një metaforë e përkthyer fjalë për fjalë mund të jetë si veshje të bukur në një manekin të vendosur pas një qelqi: e saktë, por e papërvojtur nga jeta, ende e papërshtatur mirë në trupin e kolmë gjuhësor të kulturës shqiptare.
(c) 2025 Aristotel Spiro. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.
Nga ato pak gjëra që kam mësuar mbi botën e botimeve këtu në Itali është rëndësia e titullit për shtëpitë botuese. Për çdo titull vendos një staf i tërë. Shpesh përkthyesit (ose autorit) nuk ia dëgjojnë fjalën, se titulli hyn një çikë te parateksti, është pjesë e kopertinës. Nuk e di nga është përkthyer në shqip “Dhe yjet rrinë e vështrojnë” i Kroninit, por të paktën titullin ia kanë përkthyer nga italishtja “E le stelle stanno a guardare” – në origjinal: “The Stars Look Down”. Titulli italisht (dhe shqip) është thjesht i mrekullueshëm, më mirë se origjinali, do të thosha. Dhe nuk kanë të paguar ato dy faqe në fund të “Il giovane Holden” të JD Salinger-it, ku shtëpia botuese Einaudi (ishte viti 1961) sqaron në detaj se pse i ka vënë këtë titull italisht, duke injoruar krejt origjinalin: “The Catcher in the Rye”. Në këtë pikë të karrierës time si përkthyes kam arritur deri aty sa një vepre ia vlerësoj cilësinë e përkthimit (shpesh duke i hequr vizë) thjesht duke parë si kanë përkthyer titullin. Nganjëherë edhe titujt e thjeshtë, mbajnë vështirësi brenda. Kur Jonila Godole u shpreh se po përkthente “Der Mann ohne Eigenschaften” të Musilit i shkrova për ta pyetur, se isha kureshtar nëse shqip do ta jepte “Njeriu pa cilësi” apo “Burri pa cilësi”, meqë shqipja, ndryshe nga gjuhë të tjera, e kishte këtë luks në zgjedhje. “Nuk e kam vendosur akoma, Beni”, më tha. Dhe me të drejtë: vendim i vështirë. Kur doli, mora vesh që titulli shqip ishte: “Njeriu pa cilësi”. Unë vetë do ta kisha dhënë “Burri…”, në mos tjetër për të nxjerrë në pah bash epërsinë e shqipes në këtë rast. Pastaj më thanë që në kopertinë është “Njeriu…”, kurse në faqet e brendshme “Burri…”. Po të jetë e vërtetë, kjo cek absurdin. Një rast vetjak: kur përktheva “La sinagoga degli iconoclasti” të Wilcock-ut u mëdysha mjaft: “Sinagoga e ikonoklastëve”, apo “…e ikonathyesve”. Në shtëpinë botuese votat u ndanë. Mbaj mend që pyeta edhe Gëzim Gurgën në Palermo, por nuk se u arrit në një gjykim ekuivok. Si përfundim e lashë “…e ikonathyesve”, thjesht se titulli tjetër më dukej sikur nuk kisha përkthyer “asigjo”. Nganjëherë titujt e përkthyer të habisin: “Sono una creatura” është titulli i një poezie të famshme të Ungaretti-t që Patrick Creagh e ka dhënë: “Alive”. Po kjo është fantastike! Po kjo është tejet e guximshme. Ka vite që e kam lexuar këtë përkthim dhe akoma më gërryen përbrenda dilema, a ta bëj edhe unë shqip titullin e kësaj poezie (që, sigurisht, e kam pasë përkthyer e ndoshta edhe botuar): “Gjallë”.