Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

TË DYZETAT E GJERGJIT

Pashë që këto ditë u përkujtua 557-vjetori i “ndarjes nga jeta” të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, madje edhe me aktivitete e ceremoni, dhe m’u duk pa kuptim kjo shifër, 557, siç m’u duk pa kuptim që të përkujtohet një vdekje jo heroike, si ajo e Gjergjit, pesë shekuj e gjysmë pasi ka ndodhur.

Vdekja përkujtohet vërtet; populli e ka traditën të përkujtojë “të tretat” e dikujt, ose “javën”; ndonjëherë edhe “të dyzetat”, si pjesë e procesit të mbajtjes zi; pse sa kohë që tronditja pas vdekjes së një njeriu të dashur a të afërm duhet të kalojë edhe ajo nëpër faza të ndryshme përjetimi, derisa të normalizohet.

Por ne nuk është se po mbajmë ende zi për Gjergj Kastriotin! (Apo të ketë vërtet ndonjë që ende e qan?)

Ka pastaj edhe kultura që kanë vendosur të përkujtojnë, ritualisht, edhe ditëvdekjet e atyre që i gjykojnë si themelues të tyre; më vjen në mendje Ataturku, të cilit Turqia ia kremton vdekjen çdo vit – meqë shteti i sotëm turk e sheh veten si pjesë e të njëjtit entitet që pat themeluar ai burrë shteti.

Gjergj Kastrioti vdiq i sëmurë, në krevat. Nëse jeta dhe bëmat e tij ishin heroike, vdekja e tij heroike nuk ishte.

Që nga Rilindja, ne si kulturë kemi zgjedhur, me mençuri, ta kujtojmë publikisht si figurë kyç në historinë e Arbrit në Mesjetë; madje edhe në historinë e Europës, nëse duam. Por vdekja nuk bën pjesë në meritat e tij, as në çfarë duam vërtet ta kujtojmë.

Nëse bullgarët kujtojnë vdekjen e heroit të tyre kombëtar, Vasil Levskit; kubanët vdekjen e José Marti-t; filipinasit vdekjen e José Rizalit; dhe gjeorgjianët vekjen e Zhiuli Shartava-s, të gjithë këta kanë vdekur si heronj, në fushë të betejës apo të ekzekutuar nga xhelati. Nuk kujtohen si të vdekur, por si të rënë.

Rituali i kujtimit të martirëve, shpesh i përkthyer në ceremoni për të rënët e një kombi, luan rol të rëndësishëm në riprodhimin e shteteve moderne dhe të vetëdijes kombëtare. Këtij i shërbejnë edhe varrezat e dëshmorëve, përmendoret, pllakat përkujtimore, siç i shërben edhe një datë në kalendar – ajo e 5 majit.

Është data që duhet të na bëjë të mendojmë për virtytin e tyre dhe gatishmërinë për sakrificë; dhe, nëse duam, edhe që vdekja e tyre i shërbeu së sotmes sonë.

Por nuk është ky rasti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Vdekja e tij, ashtu siç ndodhi, erdhi si epilog i një rrugëtimi edhe heroik edhe tragjik, duke shënjuar edhe fundin e projektit të tij – dhe të fuqive të mëdha të kohës që e mbështetnin – për t’i ndalur osmanët në Ballkan, para se këta të arrinin Adriatikun.

Nga kjo pikëpamje, vdekja e papës Piu II (Enea Silvio Bartolomeo Piccolomini, më 14 gusht 1464), fort i angazhuar me organizimin e një kryqëzate madhështore kundër osmanëve me pjesëmarrjen e krejt aristokracisë europiane së krishterë, që do të marshonte drejt Kostandinopojës e prirë nga Gjergj Kastrioti vetë; ajo vdekje, pra, siç e ka rrëfyer edhe Noli, u tregua më fatale për kauzën arbërore dhe europiane, se ajo e Gjergjit vetë katër vjet më pas.

Pse ngulim pra këmbë, për të kremtuar përvjetorin e vdekjes së heroit tonë?

Mbaj mend kremtimet madhështore të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, në vitin 1968, pjesë e së cilave ishte edhe përurimi i statujës në sheshin në qendër të Tiranës. Atëbotë regjimit i interesonte edhe politikisht që t’ia devijonte shtratin lëvizjes revolucionarizuese të deriatëhershme, duke e ri-orientuar drejt vlerave kombëtare. Akti simbolik i kësaj kthese ishte edhe zhvendosja e statujës së Stalinit, dhe zëvendësimi i saj me monumentin kushtuar një lideri mesjetar.

Edhe atëherë u zgjodh vdekja si arsye për të kremtuar; paçka se askush nuk po mbante zi për një event që kish ndodhur gjysmë mijëvjeçari më parë. Ndoshta numri “500” luajti një rol, duke shënjuar vjetërsi dhe soliditet; ndoshta ndikoi edhe pasiguria për datën e lindjes së Skënderbeut.

Natyrisht, datëlindja do të ishte më e përshtatshmja edhe sot, për ta kujtuar Skënderbeun (Stalinit ia kujtojmë sot e kësaj dite, sa herë që përmendim e përdorim toponimin “21 dhjetori” në Tiranë): figurave me përmasa historike duhet t’u kujtohet momenti kur kanë ardhur në këtë botë. Përndryshe, mund të zgjidheshin për t’u kujtuar dhe kremtuar – edhe zyrtarisht – datat e fitoreve të mëdha ushtarake, të cilat në jetën e atij burri dhe luftëtari nuk kanë munguar.

Përkundrazi, datëvdekja gjithnjë i lidhet një kulti të së vdekjes, një nekrofilie të cilën e ndesh jo rrallë në kulturat e parealizuara; për të mos folur për kultin e humbjes dhe të disfatës, që themelon mani persekutimi dhe paranoja nacionaliste.

Për Gjergjin mbajtën zi kur vdiq, madje – po t’u besojmë kronikave të kohës – bashkëluftëtarët e tij, edhe ata që i kishin kthyer më parë shpinën, e qanë “me gjamë”, të bindur se nuk do ta zëvendësonin dot.

Dhe me të drejtë: edhe pak vjet dhe Arbëria si tokë e lirë dhe projekt fitoreje nuk do të ekzistonte më. Me gjasë kjo katastrofë do të ndodhte, pavarësisht nga vdekja e atij që më shumë se kushdo tjetër e kish penguar – sërish me gjasë, për fuqitë e mëdha në Europë, që Kastriotin e mbështetnin ushtarakisht, misioni i tij kish qenë që të vononte sa më shumë përparimin osman.

Për këto kanë folur historianët dhe do të flasin. Veçse për ne të sotmit Gjergj Kastrioti shkëlqen, si personazh kryesor i narrativës kombëtare, ngaqë rreth tij u themelua dhe mbi të u ngrit e gjithë ngrehina e shqiptarisë dhe e Shqipërisë moderne.

Dhe pikërisht brenda kësaj narrative vdekja e tij mbetet e parëndësishme; meqë kjo Shqipëri moderne nuk u ndërtua mbi ndonjë varr, qoftë ky edhe më i lavdishmi i varreve.

Vetëm një javë më parë, në 11 janar, ishte Festa e Republikës – data kur u formalizua ajo formë shteti, e cila mbetet e pandryshuar edhe sot, sa kohë që shteti i sotëm i Shqipërisë është vazhdim, edhe juridik, i shtetit të themeluar në atë datë.

Autoritetet aktuale, si edhe herë të tjera, kanë vazhduar ta shpërfillin përvjetorin e Republikës, kushedi duke e lidhur me legjitimitetin e regjimit të Hoxhës, që e shpalli. Nëse është kështu, atëherë asgjë nuk i pengon parlamentarët që të mblidhen dhe të shpallin një “republikë të dytë”, ose “të tretë”, duke e shkëputur – juridikisht – shtetin e tanishëm nga ai që doli prej Kongresit të Përmetit.

Çfarë nuk shkon, është që të shpërfillet “datëlindja” e shtetit të sotëm, dhe të përkujtohet datëvdekja e një heroi nga Mesjeta; sepse kjo mospërputhje tradhton cektësi institucionale dhe improvizim prej amatorësh, edhe kur nuk tradhton hipokrizi.

Kalendari është vërtet vegël e dobishme për riprodhimin e institucioneve, duke e mbajtur të gjallë idenë – në mos shpresën – e kthimit, si formë e përjetësisë; por vetëm me kusht që të administrohet me përpjesëtim dhe arsye.

© 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.

2 Komente

  1. Nuk ka Anne dyshim qe pa sigurija jone rreth datlindjes se Gjergj Kastriotit eshte arsyeja qe i jemi ngjitur dites se vdekjes qe eshte nje date e dokumentuar. Ka njerez qe akoma e shohim Gjergjin si nje perralle andaj edhe nje date e sigurte gjithsesi mer kuptim.Cdo gje e tij eshte e vyer.Gjergji eshte me i madh se kombi vet.

  2. Datelindja e shtetit te sotem nuk shperfillet, eshte 28 Nentori, kurse te festosh formen e shtetit si republike eshte si te festosh farsen, se Enveri ishte me mbret se Zogu. Pak vite me pare dikush propozoi Ramen per mbret ( me mandatin e katert ia fut edhe Berishes edhe Zogut me vite ne pushtet).
    M’ane tjeter terminologjia Republike nuk i rri aq mire sa i rri Tirania ne kuptimin e Greqise se lashte. Nuk e perdor njeri republike per ate periudhe e ato qytet-shtete, thjesht tirani. Vjen dikush me arme a me protesta, a me mbeshtetje te huaj, me blerje personash e forma dhune te hapur a te fshehur, merrte pushtetin e rrinte derisa ta rrezonin. Klistheni psh qe themeloi demokracine ishte tiran i ardhur ne pushtet me ndihmen spartane.

    Historia e republikave neper bote keto 250 vjet, eshte me shume histori e tiranive ne kuptimin grek e shpesh grek e modern bashke. E ç’ti festosh tiranise ?

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin

Pajtomë