Mësohet se më 1 nëntor 2024 Butrinti i paska kaluar formalisht nën administrim të ashtuquajturit Fondacion të posaçëm për Menaxhimin e Butrintit [FMB].
Harta më poshtë paraqet sipërfaqen e konsiderueshme që i kalon “FMB”-së, dhe që vetëm në letër i mbetet shtetit shqiptar. Duke u nisur nga përmbajtja e ligjit 50/2022 dhe akteve përkatëse për Butrintin, mund të thuhet se statusi aktual në Butrint është ai i “shtetit brenda shtetit”.[1]
Akti i Dorëzimit, ngjarje kjo e pashembullt në rruzullin tokësor, ende nuk është bërë publik, me sa duket për të shmangur reagimet e përligjura të mbarë opinonit.
Njoftimet deri vonë ishin sporadike: një lajm i AADF-së i 12 dhjetorit 2024 për projektin inorganik të Qendrës së Vizitorëve, si dhe një videoklip komercial i shpëlarë, me logon e FMB-së, ku disa “vizitorë” uronin Vitin e Ri 2025 nga Butrinti.
Lajmi duket se mori konfirmim zyrtar në fjalën e Kryeministrit të Shqipërisë më 11 janar 2025 në Elbasan, ku ai përmendi edhe Butrintin, dhe ku me ton qartas sarkastik tha: “Mbasi AADF-ja ka grabitur me sukses Butrintin dhe ia ka dalë që të vihet në zotërim të një pasurie kombëtare duke shkelur sovranitetin territorial të Republikës së Shqipërisë, tani na është bashkuar për të grabitur edhe Kalanë e Elbasanit…[minuta rreth 30’00” nga 48’53” e video regjistrimit][2]
Lidhur me Butrintin, ka zëra se është larguar nga detyra edhe Drejtori Ekzekutiv i pajtuar në v. 2022. Ndërkohë faqja zyrtare e FMB-së në internet nuk jep informacion. Faqja është e papërditësuar prej kohësh, dhe madje ndër anëtarët e Bordit të Drejtorëve gjejmë ende znj. F. T., e zëvendësuar qysh në tetor 2023, ndërkohë që vendi i ish Kryetares së Bordit, E. Margariti, ka mbetur bosh .
Pavarësisht nga këto “ngërçe kibernetike”, si dhe nga toni tallës i z. Rama, duket se shteti shqiptar tashmë është zhveshur nga posedimi, kontrolli, menaxhimi dhe nga detyra e konservimit të Butrintit, çka parashihet në Marrëveshjen midis Ministrisë së Kulturës dhe FMB-së, të miratuar me Ligjin famëkeq 50/2022 të goditur në Gjykatën Kushtetuese.
Shumica në Shqipëri kundërshton transferimin e Butrintit
Mirëpo duket se në Shqipëri ekziston një shumicë – e heshtur dhe e zëshme – që nuk pajtohet me hapat e qeverisë në Butrint dhe tjetërkund.
Edhe vetë Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në çështjen e Butrintit ishte në kufirin minimal të miratimit, 5-4. Kujtojmë se vota që e anoi vendimin në kahjen e kundërt, e deklaruar proceduralisht në fund, ishte ajo e kryetares së përkohëshme të Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj.
Beteja, po e quajmë epike, në Gjykatën Kushtetuese, ishte materializim i përpjekjeve dhe shqetësimeve mëse katër vjeçare të mbarë shoqërisë shqiptare për pengimin e idesë absurde të R. Hoxhesit[3].
Kazusi i sjellë në Gjykatë ishte mesazh i qartë se opozita në Shqipëri, dhe mund të themi edhe shumica e opinionit publik, ishin kundër përpjekjeve – ende të pashpjegueshme – të AADF-së për të vënë dorë mbi trashëgiminë kulturore shqiptare.
Me sa duket, AADF-ja dhe promotorët e kësaj ideje absurde e fituan një betejë. Por lufta vazhdon, edhe për disa arsye që do t’i shtjellojmë më poshtë.
Së pari, vendimi 4-5 i Gjykatës Kushtetuese për Butrintin nuk do të thotë aspak se Ligji 50/2022 e kaloi “testin e kushtetueshmërisë”, dhe pra qeveria dhe MEKI paskan pasur detyrimin për ta zbatuar.
Ai Vendim anashkaloi thelbin e çështjes, dhe pikërisht rekomandimet e UNESCO-s që:
- Shetti përmes MEKI-t të ketë mbikqyrjen “e të gjithë pasurisë” së Parkut Kombëtar;
- Butrinti të menaxhohet në mënyrë të bashkërenduar dhe “si një i tërë” [as a whole];
- Zona buferike të mbetet pjesë integrale e pasurisë me vlera të jashtëzakonshme universale, dhe
- Shteti të zbatojë të gjitha rekomandimet e ICOMOS-it lidhur me Qendrën e Vizitorëve të Butrintit.[4]
Transferimi mund t’i ekspozojë aktorët me përgjegjësi penale
Së dyti, sikurse e kemi shprehur më herët në faqet e kësaj reviste,[5] për mendimin tonë, kalimi i Butrintit nën kontrollin, menaxhimin, shfrytëzimin dhe posedimin e FMB-së është akt i jashtëligjshëm.
Kjo për faktin se Marrëveshja e miratuar me Ligjin 50/2022 që rregullonte transferimin e Butrintit [qëllimisht përdoret koha e pakryer foljore], ka rënë ipso jure nga fuqia qysh më 15 shkurt 2024 për shkak të institutit juridik të dekadencës [prekluzivitetit].[6]
Kësisoj, akti i transferimit i Butrintit, i kryer në kushtet e paligjshmërisë, mund të ekspozojë me përgjegjësi penale qoftë “dhënësin”, qoftë “marrësin”.
Këtu na duhet të sjellim në vëmendje rolin – deri tash të munguar – të Kontrollit të Lartë të Shtetit [KLSH].
Organizmi i respektuar kushtetues ka të gjitha tagret të auditojë në themel dhe imtësi gjithçka që lidhet me pasurinë publike në Butrint, përfshirë fondet e gjeneruara nga biletat. Madje, në kuadrin e INTOSAI-t, KLSH-ja mund të bashkëpunojë edhe me simotrën e vet në SHBA, General Accounting Office ose GAO, e cila me ligj të miratuar nga Kongresi Amerikan[7] është tërësisht e autorizuar të auditojë të themel dhe imtësi të gjitha Fondet Amerikane të Ndërmarrjeve, si dhe fondacionet legatare, siç është AADF-ja.
Pra, në rastin tonë, GAO do të auditonte 5 milionët e dollarëve të Qendrës së Vizitorëve, kurse KLSH-ja gjithçka tjetër.
Cili do të jetë qëndrimi i administratës së re amerikane ndaj AADF-së?
Statusi i Butrintit me gjasë do të vijojë të kundërshtohet në juridiksionin e brendshëm shqiptar, administrativisht dhe/ose penalisht.
Sidoqoftë, mbetet për t’u parë reagimi i administratës së re në Washington ndaj veprimeve të pashembullta dhe ultra vires [jashtë shinave] të AADF-së në Shqipëri.
Shënojmë se asnjë fondacioni legatar i ngjashëm me AADF-në në Evropën Lindore, si për shembull, në Poloni[8], Hungari[9] apo Bullgari[10], nuk ka vënë dorë mbi pasuritë publike të trashëgimisë botërore në ato vende. Ndaj edhe obsesioni i AADF-së për trashëgiminë kulturore shqiptare mbetet mister.
Mbetet për t’u parë gjithashtu se si do të trajtohet nga administrata e re amerikane edhe devijimi i pashembullt i AADF-së nga modeli amerikan i menaxhimit të parqeve kombëtare ekskluzivisht nga shteti.
Dihet se në SHBA Parqet Kombëtare që janë pasuri publike menaxhohen ekskluzivisht nga Shërbimi Kombëtar i Parqeve [National Park Service], agjenci shtetërore. Atëhere, si ka mundësi që USAID- ia lejon AADF-së të eksperimentojë në Shqipëri një model që nuk zbatohet kurrkund në Amerikë!?
Po ashtu, mbetet për t’u parë se si do të reagojë administrata e re edhe ndaj përfshirjes së AADF-së në pasuritë publike në Butrint, në Liqenin e Ohrit, Berat, Gjirokastër, Durrës, etj., ndërkohë që AADF-ja është autorizuar me ligj të Kongresit Amerikan për t’u angazhuar vetëm në “zhvillimin e sektorit privat”.
Dhe së fundmi, angazhimi publik i AADF-së në projekte zhvillimore në prag zgjedhjesh politike në Shqipëri – si për shembull në Elbasan në janar 2025, apo në Durrës e Tiranë në maj 2023 -, ngre pikëpyetje të ligjshme lidhur me perceptimin e njëanshmërisë në veprimtarinë e AADF-së në vend.
Fitore si e Pirros
Parë në këtë optikë, “triumfi” i vijës Hoxhes/Granoff/Mata/Carapuli në Butrint i ngjan më shumë një fitoreje si të Pirros.
Ndaj, Beteja e Butrinti nuk mund të quhet aspak e humbur. Kundërshtimet qytetare – që për hir të së vërtetës kanë qenë të hershme në Sarandë, Butrint e Tiranë [11]– pritet të gjallërohen e të zgjerohen më tej.
Duket se çështja e Butrintit tashmë ka marrë edhe dimensionin e vet europian.
Shoqëria civile, ku spikat Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Butrintit, është angazhuar në një lëvizje të përqendruar për denoncimin e shkeljes nga qeveria të nenit 101 të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit [MSA]. Argumenti është se modeli i pashembullt i administrimit “indirekt”, i imponuar në Butrint, ka shkelur kuadrin e bashkëpunimit dypalësh kulturor, të paraparë nga MSA-ja.
Madje edhe procedurat parlamentare për miratimin e dispozitave radikale në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë [27/2018] dhe në Ligjin për Transferimin e Butrintit/A3 [55/2022] ishin, në thelb, “përlarguese” dhe jo “përafruese” me legjislacionin evropian, pasi shmangën këshillimin me Komisionin për Integrimin Europian të Kuvendit si dhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Butrinti nën lupën e UNESCO-s
Natyrisht Butrinti pritet të jetë në qendër të vëmendjes edhe në Sesionin e 47-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore [KTB], që sivjet do të mbahet në Sofje të Bullgarisë.
Më 1 shkurt 2025 qeveria do të dorëzojë tek KTB-ja në Paris Raportin për përmbushjen e rekomandimeve dhe detyrave të Vendimit për Butrintin të KTB-së, të miratuar qershorin e v. 2024 në New Dehli, Indi.
Pyetjet që shtrohen janë: a i ka përmbushur qeveria rekomandimet e UNESCO-s që:
- MEKI – d,m.th. Shteti Shqiptar – të mbikqyrë të gjithë pasurinë e Trashëgimisë Botërore;
- Parku Kombëtar i Butrintit, përfshirë zonën buferike, të menaxhohen si një e tërë, dhe jo copa-copa [pika 8];
- Qendra futuristike e Vizitorëve – e trumbetuar me të madhe nga AADF-ja – të MOS cenojë vlerat e jashtëzakonshme universale të Butrintit [pika 10]?
Ndaj Sesioni i 47–të i korrikut 2025 në Sofje merr rëndësi të jashtëzakonshme për vetë statusin e ardhshëm të Butrintit.
Shpërfillja kronike e rekomandimeve të UNESCO-s – sikurse ka ndodhur me Liqenin e Ohrit[12] – dhe cenimi i mundshëm i vlerave të jashtëzakonshme universale të Butrintit si pasojë e veprimeve kryeneçe të AADF-së mund të sjellin riklasifikimin e Butrintit dhe inskriptimin e tij në Listën e Pasurive të Trashëgimisë Botërore në Rrezik.
Plani B i autoriteteve shqiptare
Never say never, thotë një shprehje e njohur në gjuhën angleze. Për gjithë sa më sipër, do të ishte e udhës që autoritetet shqiptare të gatiten edhe për Planin B: d.m.th. tërheqjen e mundshme të AADF-së nga Butrinti – si dhe nga të gjitha pasuritë e trashëgimisë kulturore në Shqipëri, ku AADF-ja ka vënë dorë duke vepruar jashtë shinave të ligjit amerikan. [Kjo, pasi ndërhyrja e AADF-së në trashëgiminë kulturore pasuri publike të Shqipërisë nuk përbën “zhvillim të sektorit privat”, siç është mandati i miratuar nga Kongresi Amerikan].
Ironikisht, këto ditë u shpall njoftimi se Shqipëria tashmë mund të përfitojë fonde edhe nga Millennium Challenge Corporation [MCC]. Ky përbën një hop cilësor në marrëdhëniet dypalëshe, që mund të ngrejë pikëpyetje për rolin, fushëveprimin dhe kohëzgjatjen e mëtejshme të AADF-së në Shqipëri. E thënë figurshëm, kur në Shqipëri të vjen një lojtar me PhD – siç është MCC-ja, pse do të nevojitej një tjetër dukshëm nën atë nivel?
Plani B në Butrint do të lypte përgatitjen e strukturave shtetërore të plota, drejtuese, menaxhuese, hulumtuese e konservuese, si në Butrint ashtu edhe gjetkë, ku specialistët vendas, të brezit të Apollon Baçes, Neritan Cekës, etj., por edhe të brezit të drejtorëve të përparshëm të Parkut Kombëtar të Butrintit, si dhe të brezit të studiuesve të rinj të dalë nga Shkolla Shqiptare e Arkeologjisë, do të mund të luajnë rol kryesor e parësor në Butrint, në përputhje me dispozitat, parimet, frymën dhe praktikën e Konventës së Parisit të v. 1972.
Këto struktura, brenda dhe jashtë sistemit të Akademisë së Shkencave, por në bashkëpunim edhe me pushtetin vendor, do të duhet të ishin menjëherë të gatshme të rimerrnin në posedim, kontroll, menaxhim e përdorim Butrintin, sikurse kanë bërë me sukses edhe më parë, mjaft të kujtojmë nxjerrjen më 2005 nga Lista e Pasurive të Trashëgimisë Botërore në Rrezik.
© 2025 Agron Alibali. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është përpunuar me Midjourney.
[1] “Butrinti në Gjykatën Kushtetuese”, Peizazhe të Fjalës, 5 janar 2023.
[2] Në fjalën e vet në Elbasan më 11 janar 2025 Kryeministri i Shqipërisë iu referua gabimisht disa herë AADF-së si “Fondi Shqiptar i Zhvillimit”. Mirëpo Fondi Shqiptar i Zhvillimit është konglomerat donatorësh që vepron si organizëm më vete, dhe nuk ka lidhje me AADF-në. AADF-ja nga ana e vet, është shkurtesa në anglisht e Fondacionit Amerikan Shqiptar të Zhvillimit. AADF-ja është legatarja e AAEF-së, dhe u themelua administrativisht në vitin 2009 përmes një granti të AAEF-së [shkurtesa në anglisht e Fondit Amerikan Shqiptar të Ndërmarrjeve, themeluar në v. 1995 bazuar në një ligj të Kongresit Amerikan [SEED Act i v. 1989]]. Pra, AAEF dhe AADF s’kanë asnjë lidhje ligjore, organike apo tjetër me Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Nuk mund të themi nëse lapsusi i folësit në Elbasan ishte si pasojë e shkujdesjes apo jo.
[3] Shënime rreth një libri për Butrintin [III), Peizazhe të Fjalës, 18 tetor 2022. Pjesa I më 14 korrik 2022, Pjesa II më 11 shtator 2022.
[4] Vendimi 46 COM 7B.1 Butrint (Albania) C 570ter, tej https://whc.unesco.org/en/decisions/8527/
[5] Për Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Butrintin, Peizazhe të Fjalës, 17 qershor 2024.
[6] “Është më se e qartë se afati i vetëm gjashtëmujor i shtyrë nga data 14 gusht 2023 për transferimin e Butrintit te FMB-ja është data 14 shkurt 2024, datë e cila përbën afat zgjidhës. Palët nuk mund ta zgjasin Marrëveshjen ad infinitum, ose përtej Datës së Re të Afatit Përfundimtar të Transferimit.” Po aty.
[7] SEED ACT, Section 5421 (n).
(n) GAO audits
The financial transactions undertaken pursuant to this section by each Enterprise Fund may be audited by the Government Accountability Office in accordance with such principles and procedures and under such rules and regulations as may be prescribed by the Comptroller General of the United States, so long as the Enterprise Fund is in receipt of United States Government grants.
[8] Polish-American Freedom Foundation, tek https://en.pafw.pl/about-us/
[9] Hungarian-American Enterprise Scholarship Fund (HAEWF), tek https://haesf.org/about-us/
[10] America for Bulgaria Foundation, tek https://us4bg.org/about-abf/
[11] Protesta pati edhe para zyrave të AADF-së në Tiranë, tek https://politiko.al/english/e-tjera/marreveshja-per-butrintin-aktivistet-protestojne-para-aadf-se-i463605
[12] The World Heritage Committee … Also reiterates its request to the State Party of Albania to formally remove:
-
- From the provisions of the Pogradec General Local Plan, the possibility of urban development in the areas along the lakeshore between Pogradec and Tushemisht and in Lin via an amendment of the GLP,
- From the Master Plan of the Drilon Spring Waterscape Park, the provision for the construction of a building on top of the hill near Drilon and of any infrastructure above and around it,
- The possibility of urban development in the rural area between Tushemisht and Drilon Area;
Pse të mos tallet Rama, popullin e ka me vete, pas vete e nën vete. Nuk e beson? Prit sa të dal nesër apo nga java një sondazh që e nxjerr shumicën pro Butrintit amerikan. Ose, po nuk bindesh nga demokracia e sondazheve, prit deri në Maj se ta tregon Rama demokracinë e votës, ashtu si herën e fundit (biznesmenët hapin thesin – 50 Euro një votë – policia shpërndan thesin, ca miliona për pensionet, ca mijëra nëpunës provizor, një ndryshim kushtetute tak-fuck para zgjedhjeve, e gjitha sigurisht me bekimin nga “Rruga e Elbasanit”, dhe voila: populli votoi, Partia fitoi, Shqipëria shpëtoi …nga Berisha, përsëri).
Po prit edhe ortekun e merobazëve dhe fevzo-opinioneve: “Çfarë ke ti me amerikanët, që nuk do tu japësh Butrintin? A nuk jemi populli më pro-amerikan në Evropë? Në botë, madje!”
Trampi, që po vjen me oreks për territore të reja – Groenland, Panama, Kanada – të mos harrojë t’i hedh sytë edhe nga ne. Na merr xhaba: Shqipëria për 1 Euro. A për 1 dollar. Do të na bënte të lumtur!
[Butrinti, Sazani, qytet-shteti i Bektashinjëve, qendrat e refugjatëve nën juridiksionin italian… Sovraniteti është përgjegjësi e madhe dhe, siç duket, për ndonjë popull, edhe barrë e madhe.]