Brezit tim do t’i kujtohet finalja e kupës së botës në 1974, kur Gjermania Perëndimore – atëherë kish dy Gjermani – mundi Holandën 2:1, edhe pse skuadra holandeze deri atëherë i kish habitur të gjithë me futbollin e mrekullueshëm që luante.
Kjo që do të rrëfej më poshtë, megjithatë, është një histori që do të ketë kuptim edhe për lexues të tjerë, që në atë kohë nuk kishin lindur, a që për futbollin nuk pyesin shumë.
Holanda kish një lojtar, Willem van Hanegem, që vinte nga Feyenoord-i i Rotterdamit; dhe që mua më kujtohet shumë turbullt, më shumë prej fytyrës pak të egër dhe një përshtypjeje, që kisha krijuar atëherë, se luante shumë rëndë.
Këto ditë, më qëlloi të ndiqja një podkast për atë finale, dhe aty dëgjova se pjesa më e madhe e familjes së Van Hanegem-it paskësh mbetur e vrarë, në 11 shtator 1944, gjatë një bombardimi të fshatit të tyre Breskens: dhe pikërisht babai, vëllai i madh dhe një motër.
Willem-i kish qenë foshnjë pak-muajshe, kur këta u vranë dhe nuk e përjetoi drejtpërdrejt traumën e humbjes. Megjithatë, e gjithë fëmijëria dhe rinia do t’i kalonin në përpjekje për të kuptuar pse-në e kësaj humbjeje tragjike.
Familja e tij nuk po merrte pjesë drejtpërdrejt në luftë; vrasja e tyre nuk i shërbeu askujt për asgjë. Por produkt i kësaj asgjë-je, ishte tani një djalë jetim, që filloi ta mbushë zgavrën brenda vetes me urrejtje.
Urrejtje për nazistët, që ia kishin gjymtuar familjen; dhe gradualisht urrejtje për gjermanët si komb, të cilët ai filloi t’i barazojë me nazistët.
Me kohë, Van Hanegem-i u përfshi në futbollin e niveleve të larta dhe një ditë e ftuan të luante për një nga ekip që do të linte gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit: Holanda e vitit 1974, bashkë me Crujff-in, Neskens-in, Haan-in, Krol-in, Rep-in, Rensenbrink-un dhe të tjerë emra të paharruar.
Dhe, siç erdhën punët, kjo Holandë shkëlqeu gjatë ndeshjeve të kupës së botës dhe doli pa shumë vështirësi në finale, ku do të përballej me gjermanët e Beckenbauer-it, Breitner-it, Overath-it, Hoeneß-it dhe Müller-it.
Van Hanegem-i do të futej atë ditë në fushë i elektrifikuar me urrejtje. Urrejtje për kundërshtarët, të cilët i dukeshin “nazistë”; dhe që pastaj i shprehej në dëshirën për t’i parë gjermanët jo thjesht të humbur, por edhe “të poshtëruar”.
“Ata më vranë babanë, motrën dhe dy vëllezërit. Po më mbyt ankthi. I urrej,” u pat deklaruar gazetarëve.
Katërmbëdhjetë vjet më vonë, Ronald Koeman, një tjetër futbollist i kombëtares holandeze, fill pas një ndeshjeje ku ekipi i tij mundi Gjermaninë Perëndimore në gjysmëfinalet e kampionatit europian të vitit 1988, do ta përdorte fanelën e kolegut të vet gjerman Olaf Thon për të fshirë simbolikisht bøthën.
Është thënë se holandezët nuk ua falën kurrë gjermanëve pushtimin gjatë Luftës II Botërore (ushtrisë naziste iu deshën vetëm pesë ditë për ta pushtuar vendin fqinjë, çfarë në vetvete përbënte poshtërim); dhe se kjo mëri gjeti shprehje, më fort se kudo tjetër, në rivalitetin futbollistik mes dy kombeve.
Pas humbjes në finalen e 1974-ës, Willem-i e braktisi fushën me lot në sy dhe refuzoi të marrë pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të kampionëve.
Disa burime biografike për Van Hanegem-in, online, qarkullojnë versionin se familjen ia masakruan nazistët. Në të vërtetë, në 11 shtator 1944, Breskens-in e patën bombarduar nga ajri britanikët e RAF-it, në përpjekje për të penguar tërheqjen e trupave gjermane përmes estuarit të Scheldt-it; duke goditur mbase gabimisht jo vetëm portin, por edhe pjesë të qytezës; dhe duke lënë 184 të vrarë.
Nazistët vërtet e patën nisur këtë katrahurë, duke pushtuar Holandën dhe Europën mbarë; por familjarët e Willem-it i vranë britanikët. Në përpjekje për të penguar një manovër të ushtrisë gjermane që, në vetvete, nuk do ta kish ndryshuar dot rrjedhën e Luftës II Botërore.
Me siguri Willem-i e dinte mirë se kush bombarduar atë ditë; por urrejtja e tij e deklaruar për nazistët, të cilët i fajësonte si vrasës (edhe të familjes së tij), nuk pajtohej aq lehtë me faktin tjetër, që atë vrasje e kishin kryer britanikët.
Nazistët kishin hyrë në Holandë me dhunë, dhe kishin shfarosur 75% të hebrenjve që jetonin aty – rreth 100,000 vetë; pa folur për konfiskimet dhe vjedhjet e pasurive të tyre.
Për këtë krim të pashembullt, edhe popullsia vendëse mban një farë përgjegjësie; paçka se ende diskutohet sa ishin qytetarët e zakonshëm të vetëdijshëm, për këtë persekutim dhe shfarosje.
Holanda numëroi rreth 200,000 viktima, gjatë Luftës II Botërore, prej të cilëve gjysma ishin hebrenj.
Urrejtja e Van Hanegem-it për nazistët përligjet më mirë në rrafshin abstrakt, se në atë konkret; me gjasë, ai bënte me faj pushtuesit gjermanë për çfarë ndodhi gjatë bombardimit, edhe pse bombat i hodhën anglezët e RAF-it.
Më e komplikuar për t’u shpjeguar është gatishmëria me të cilën ai barazoi nazistët e Luftës II Botërore, me gjermanët e vitit 1974; lojtarët në fushë mund të kenë qenë vërtet pasardhësit e nazistëve, por asnjë prej tyre nuk mund të konsiderohet, me logjikë, fajtor për krimet e prindërve të tyre.
Vetëm se urrejtja, në raste të tilla, nuk ka të bëjë me logjikën.
Ata që e shihnin ndeshjen Gjermani-Holandë, të vitit 1974, si një psikodramë që rimerrte konflikte – ende të pazgjidhura – të tridhjetë vjetëve më parë, po e përfytyronin edhe Luftën II Botërore si një përplasje mes popujsh: gjermanët andej, holandezët këndej. Në kuptimin që edhe vetë historia e Luftës II mund të rishkruhej si të ishte kronika e një ndeshjeje futbolli.
Tek e fundit, ndeshjet sportive shpesh luhen dhe përjetohen si alegori konfliktesh reale – dhe aq më mirë, për spektaklin, nëse ato i ushqen edhe emocioni i lënë pas, prej atyre konflikteve.
Nëse pastaj mund të hakmerret vërtet njeriu për një krim të dhimbshëm me rrugë simbolike, ose duke fituar në sport kompetitiv, kjo gjithnjë do të diskutohet. Por po aq gjithnjë do të diskutohet edhe vetë mundësia e hakmarrjes, sado efektivisht të motivojë për veprim kjo e fundit.
Mbase Holanda kish të drejtë jo vetëm “futbollistike”, por edhe morale që ta fitonte atë finale, kundër Gjermanisë Perëndimore. Por nuk fitoi – dhe humbja e saj nuk e bëri gjë të padenjë fitoren e skuadrës tjetër. Nëse një fitore e supozuar e holandezëve do të përjetohej nga disa edhe si shpagim ndaj “nazistëve” të përtejkufirit, triumfi i gjermanëve nuk pati arsye të interpretohej si konfirmim i supremacisë naziste.
Tek e fundit, eventi rezultoi jo shumë më tepër, se një ndeshje sporti – dhe mëritë, mllefet dhe urrejtjet e lanë fushën siç kishin hyrë.
Ndoshta bashkë me dyshimin e ankthshëm, se një padrejtësi nuk mund të vihet kurrë në vend; dhe aq më tepër një krim nuk mund të shpaguhet kurrë.
© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.
Nuk ndryshon konkluzionin tend, por e ti e komplikon kot kete teme.
Sportistet e nivelit te larte perdorin te tilla skema politike, konspiracionesh apo konfliktesh gjasme personale te pompojne gjak ne tru e adrelanine per te ekuilibruar sistemin e tyre psikologjik nen trysni dhe te shkaterrojne sistemin emocional e psikologjik te kundershtarit.
Shih c’behet ne UFC apo cdo MMA, sporti me i bukur ne bote sepse primordial, ku sportistet e perceptojne veten si gladiatore apo vrases qe “vrasin” ose do te “vriten”. Fillojne e shpikin narrativa e gjithefare konspiracionesh per te pompuar veten dhe c’orientuar kundershtarin. Audienca kuptohet qe i fryn me shume kesaj duke marre ane.
A.V. nuk e ka ndërlikuar temën aspak. Madje, për shijen time, problemi vetëm ceket lehtas, si qëndrim privat i një lojtari, dhe vetëm në kontekstin historik të një ndeshjeje futbolli. Gjithsesi, shkrimi hap shtigje ku tematika dhe debati mund të kanalizohen dhe të aktualizohen më tej.
Marrëdhëniet gjermano-holandeze të pas L2B kanë qënë vazhdimisht të tendosura, me ulje-ngritje të vazhdueshme deri në mes të viteve ’90, kur arritën një pikë goxha të ulët me publikimin e raportit “Clingendael”, më 1993. Sipas këtij sondazhi, shumica e të rinjëve holandezë ende i mbanin gjermanët si arrogantë, nacionalistë dhe të etur për luftë. Shtypi gjerman i asaj kohe shkruajti për një frymë agresive anti-gjermane në Holandë. Futbolli ishte një nga fushat ku manifestohej kjo frymë. P.sh. një koment i Deutsche Welle i disa viteve më pas:
Dhe, sipas raportimeve nga ai kampionat (që u bë në RFGJ!), festimet që pasuan fitoren e 1988-ës ishin shumë më tepër se sa vetëm entuziazëm për revanshin e “merituar” pas “poshtërimit” të humbjes në finalen e 1974-ës: mediat e përshkruan si shovinizëm të shfrenuar dhe si euforia më e madhe kombëtare që prej çlirimit në 1945-ën!
Shembull tjetër: në kampionatin botëror 1990, Frank Rijkaard e pështyu dy herë Rudi Völler gjatë ndeshjes – për këtë gjen edhe foto online.
Jo çdo gjë është (apo mos duhet thënë: ka qenë?) vetëm aktrim dhe show, siç na sugjeron sporti dhe media sportive sot…
Sportet kolektive mbartin, manifestojne (re)sentimente apo perfaqesojne interesa e rrefime kolektive por synimi final eshte fitorja sportive e jo zgjidhja e konflikteve apo kompensimi. Sesi shfaqen ne rrefime, si ai filmi Fushe e Bardhe, Fushe e Kuqe, jane pjese e justifikimit ekonomik apo spektaklit politik.
Besoj se aspekti performativ vjen nga profesionalizimi i sportit. Edhe ne perendim sportistet kane pasur nje profesion te rregullt deri nga vitet 80 – kepucare paradite e futboll pasdite. Por edhe atehere ne fushe vleresohej teknika e estetika besoj, e ne tribune ulerima e tifozeria. Ndoshta vlejne po aq aspekte e.motive sa edhe lojtare e tifoze.