nga Spiro Duka
Mbaj mend në sallën e madhe të rektoratit, në ndërtesën qendrore tani Universiteti Politeknik, ishte ftuar Kadareja për t’u folur studentëve mbi veprën e tij Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Në atë kohë, fillimi i viteve 80-të, po xhirohej si film nga kineastë franko- italianë. Midis të tjerash Kadareja përmendi diçka që më ka mbetur në mend: po të kalohen në sitë veprat e letërsisë botërore, do të vërejmë se nuk gjen më shumë se 100 subjekte apo skema bazë! Mendoj se ai e kishte fjalën edhe për veprën e tij të “Gjeneralit”, që me të vërtetë është një skemë e re pashoqe në historinë e letërsisë botërore!
Ngjashmërisht më shkon në mendje se edhe lirikat e këngëve të panumërta rrotullohen përreth një numri të kufizuar skemash. Mendoj se një nga skemat më të përsëritura mund të quhej “Dy vajza për një burrë”.
Ndër këngët që më pëlqejnë më shumë dhe që pasi i kam dëgjuar më mbeten gjatë në mendje apo në periferi të vetëdijes, janë dy melodi mjaft të njohura, një amerikane e një shqiptare, lirikat e te cilave i lidh e përpjekja për të fituar burrin kundrejt sfidueses. Ajo që më bën përshtypje është se zgjidhjet janë thuajse diametralisht të kundërta, dhe mundohem ta marr me mend përse ndodh kështu. Ftoj lexuesin e vëmendshëm të gjejë një zgjidhje shteruese më të pranueshme!
Këto dy këngë mjaft të njohura, një arsye më tepër për t’i analizuar, janë “Jolene” dhe “Rrushi i kuq i bukur”, ndonjëherë kjo e dyta nën titullin më të gjetur “Dy lule pas malit”.
JOLENE (Xholinë)
Dolly Parton është një nga kantautoret më të mëdha të muzikës popullore (country) amerikane. Ka krijuar dhe kënduar mbi 3000 këngë të suksesshme që e bëjnë atë një legjendë të muzikës country me vlerësime të jashtëzakonshme në artin dhe muzikën amerikane. Kujtojmë vetëm një rast. Duhej një këngë për të mbyllur filmin e famshëm “The Bodyguard”. Kevin Costner sugjeron një nga këngët e Dolly Parton që i kishte ngelur në mendje: “I will always love you”. Kënga këndohet në mënyrë mjaft mbresëlënëse në mbyllje nga Whitney Houston duke u bërë simbol i filmit të një suksesi të jashtëzakonshëm.
Le të kthehemi te kënga “Jolene” e Dolly Parton. Jemi në vitet 1970 kur Dolly ishte martuar me bashkëshortin e saj të vetëm të jetës së saj, Carl Thomas Dean, që, siç thotë ajo, “është i pari, dhe i fundit” për të! Atë kohë ajo kishte vënë re se Karli vizitonte si shpesh bankën lokale… Shkon në bankë dhe ndeshet me një nëpunëse mjaft tërheqëse! Natyrisht bëhet xheloze dhe për të çliruar dufin e shpirtit fillon të rrotullojë nëpër mend një melodi. Në një koncert të sajin ndesh një vajzë mjaft të bukur që quhej “Jolene”. Kështu Dolly përfundon këngën e saj të famshme “Jolene”.
Si do ta shprehte ajo atë vrull ndjenjash që i pushtoi gjithë qenien?! Le të përkthejmë lirshëm të bashkuar disa nga vargjet më shprehëse të gjendjes së saj shpirtërore:
Xholinë, je bukuri e paarritshme / cullufe shndritëse flokësh të arta/ lëkure fildishi e sy jeshil smeraldi/ buzëqeshje si një fllad pranvere/ zëri yt i butë si shiu i verës/ E ti lehtësisht mund të kesh këdo,/
por unë nuk mundem të dua tjetër/ Veç atij që është dashuria ime…/Dije që fati im është në dorën tënde, Xholinë!
Asnjë urrejtje, asnjë mallkim apo kërcënim! Nuk mund të shprehej ndryshe një artiste që ndër dekada ka prekur dhe shprehur zemrën e popullit me fjalë e melodi të paharrueshme! I thotë Xholinës se, ai që mund të ishte për të një flirt i zakonshëm, për Dolly ishte shkatërrim i dashurisë së saj vetme dhe ai burrë ishte fati i vetëm i saj!
Është interesant fakti që pas gjysmë shekulli që vazhdimisht rikëndohet nga mbi 80 këngëtarë të ndryshëm kjo këngë e paharrueshme (por asnjëherë më nga vetë Dolly Parton!), një tjetër artiste e famshme, Beyoncé, e rikëndon më 2023 me po atë titull e melodi, por … duke i ndryshuar fjalët, si për ta prurë në kohët e reja dhe në humorin e saj! Kjo vjen edhe nga pozicioni i Beyoncé, që tashmë është e martuar prej dy dekadash dhe ka dy fëmijë. Beyoncé e egërson sjelljen e saj ndaj një femre, që e quan prapë Jolene, e cila tenton të lidhet me burrin e saj duke rrezikuar t’i shkatërrojë dashurinë dhe familjen. Dolly lutet, Beyoncé kërcënon. Por shprehja më e bukur dhe përfaqësuese është vargu:
“Your peace depends on how you move, Jolene”, “Paqja jote varet nga si do sillesh ti, Jolene”.
Kështu ajo shpreh shpirtin e përbashkët me Dollin: shih punën tënde dhe më lerë mua në hallet e mia! Agresiviteti i Beyoncé-së është thjesht një farë korace mbrojtëse dhe jo një sfidë për duel, ashtu si edhe irritimi i Dolly-t që i kërkon Xholinës të mos prishë dashurinë e saj.
Si Dolly Parton e Beyoncé, Taylor Swift bie nën të njëjtën skemë, të shprehur në këngën e saj gjithashtu të famshme “You Belong With Me”, që mund të përkthehet, jo “ti je për mua (to me)”, por “ne jemi për njëri-tjetrin (with me)”. Që në titull shihet raporti i protagonistes në këtë dyshe të dy vajzave që duan të njëjtin djalë. Në këngë Swift-i mundohet t’i tregoj djalit që do se ajo është më e mirë se tjetra për të, pa fyer a sharë! Thjesht, “unë që të dua jam më e mirë se ajo tjetra për ty”, prandaj NE me të vërtetë jemi për njëri-tjetrin.
Me fjalë më të thjeshta, në skemën e këtyre këngëve te famshme amerikane protagonistet mundohen të tregojnë se meritojnë më shumë dashnorin apo burrin të rrezikuar nga një vajzë tjetër, pa denigruar sfiduesen; shumë shumë në variantin e saj Beyoncé e kërcënon për aq sa ajo i kërcënon familjen, por prapë në formën: “shih punët e tua dhe mos hyr midis meje dhe burrit tim!”
“Rrushi i kuq i bukur-o” (Dy lule mbas malit)
Duke shfletuar librin redaktuar nga DH.S. Shuteriqi “Kënga e popullit”, Tiranë 1955, në kërkim të temës së përpjekjes së disa vajzave për një djalë , në këngën e 53-te thuhet se disa shoqe lidhën besën “molla t’ambla mos me ngranë,/ djalë të ri-o mos me xanë./ Por ma e vogla-o ndër to,/ çarti besën shoqeve…/ Djal të ri na kishte xanë…”
Në këtë përmbledhje mjaft të bukur të këngëve popullore të Dh. Shuteriqit kjo është e vetmja këngë rreth përpjekjes së vajzave për një djalë. Por duhet theksuar se ky djalë nuk i përkiste ndonjërës nga shoqet, ndaj ky rasti del nga skema “dy vajza për një djalë”. Madje kënga ka nuanca rinore që vënë në lojë besën “djalë të ri-o mos me xanë”, gjendje që nuk mund të zgjasë shumë dhe do shpërbëhet. Në një nga vargjet e këngës përmendet “molla t’ambla mos me ngranë”. Është interesante se si populli intuitivisht ripërsërit përfytyrimin biblik që molla e ndaluar është simboli i dashurisë erotike trup-e-shpirt!
Jashtë kësaj antologjie ndeshim një këngë që jep mjaft qartë përpjekjen e dy vajzave për një djalë. Kjo është një këngë fare e thjeshtë e ndërtuar mbi një frazë melodike që përsëritet monotonisht në pesë vargjet e këngës:
rrush i kuq o i bukur o (x2), dil se po te presin o (x2),
thuaj le te presin o (x2), sa ta hedh un vellën o (x2),
vellën e qënisun o (x2), për fytyrë t’hujdisun o (x2), x2
dy lule mas malit o (x2), ç’i thot njona shoqes o (x2),
ta mora beqarin o (x2), beqarin të mbarin o (x2),
Kjo këngë “e kapshme,” e një melodie sa të thjeshtë dhe të bukur, pak e trishtueshme edhe pse është këngë dasme, është kënduar nga këngëtaret më të mira të muzikës sonë popullore, si Sh. Berisha, F. Rexha, M. Halili, F. Zyberi, A. Gaçe, e shumë e shumë te tjera. Në disertacionin e tij “Kënga popullore qytetare e Elbasanit…” Z. Kastriot Tusha përmend se në dasmë, në “momentin që vjen nusja këndohet kënga “Rrush i kuq i bukur-o”, e cila është e pranishme edhe sot në dasmat e Elbasanit, Shqipërisë së Mesme, e më gjerë.” Është një këngë që ka zënë vend në fondin e kulturës sonë popullore.
Por këtu dua të tërheq vëmendjen mbi mënyrën si zhvillohet skema “dy vajza për një djalë”, që duket edhe nga titulli i përdorur nga disa këngëtare: “Dy lule mbas malit”; bëhet fjalë për një dasmë të një vajze dhe s’kishte përse të përmendeshin dy lule! Është interesant fakti që kënga është kryesisht në vetën e parë dhe nusja e mbyll këngën duke iu mburrur shoqes se po martohet me atë djalë që ka arritur t’ia marrë asaj! Kënga nuk thotë çfarë ka bërë dhe mendon rivalja që po i marrin djalin. Nusja i mburret shoqes se djali mund të ishte bërë edhe dhëndri yt, por unë meritoj më shumë se ty, ndaj ”ta mora beqarin-o!”. Mund të pranohej edhe thjesht si krenari që nusja po martohet me një djalë të ëndrrës së shumë vajzave të atij fshati “mbrapa malit”. Por nuk është kështu; thjesht nusja ka një shoqe që ka qenë e lidhur me dhëndrin, por ai përfundon me një tjetër, me nusen e dasmës. Në këngë theksohet qartë se kemi një histori midis dy vajzave, të dyja si “rrush i kuq”, të cilat jetojnë diku në një fshat që është mbas malit (?). Kënga kapërcen ndjenjat dhe bëhet një mburrje për forcën e më të zonjës! Unë mendoj se kjo këngë është jo e rastit por shprehëse e një prej arketipave shqiptare: “le të marrë kush është më e zonja (apo më zoti)”!
© 2024 Spiro Duka. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është përpunuar me Midjourney.
Shkruan:
Mua më duket sikur skema narrative e Gjeneralit rimerr, në formë pak a shumë transparente, skemën e Don Kishotit të Cervantesit.