Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji

BARDHYL DEMIRAJ ETIMOLOG

Etimologjitë e fjalëve shqipe gjithnjë kanë tërhequr vëmendjen e historianëve të gjuhës dhe indoeuropianistëve, për shkak edhe të pozicionit të izoluar që ka shqipja brenda familjes indoeuropiane. I pari që hartoi dhe botoi një fjalor etimologjik të shqipes ishte Gustav Meyer-i, në 1891; por shumë studiues të tjerë, para dhe sidomos pas tij, janë marrë me etimologjizime fjalësh shqip. Gjatë shekullit XX, Norbert Jokl-i dhe nxënësi i tij Çabej, u morën seriozisht me etimologji të shqipes, duke çuar përpara çfarë kish filluar Meyer-i dhe duke hedhur kështu bazat për njohjen shkencore të leksikut të shqipes dhe të evoluimit të sistemit fonetik të kësaj gjuhe.

Edhe pse nuk hartoi ndonjë fjalor etimologjik të plotë, Çabej shqyrtoi – për dekada me radhë – fjalët më problematike të shqipes; rezultatet e punës së tij u konkretizuan në shtatë vëllimet e Studimeve etimologjike në fushë të shqipes të botuara nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, prej të cilave ai arriti të marrë në dorë, për së gjalli, vetëm vëllimin e dytë.

Punën e Meyer-it, Jokl-it dhe të Çabejt, por edhe të së tjerëve, e sintetizoi dhe e konkretizoi në formë edhe më praktike Kolec Topalli, i cili në 2017 botoi një Fjalor etimologjik të mirëfilltë të shqipes – ndryshe nga pararendësi i tij i shquar, që u mjaftua vetëm me analiza fjalësh specifike. I shkruar shqip, Fjalori i Topallit i drejtohej një publiku shqipfolës që kish interes për historinë e fjalëve dhe prejardhjen e tyre.

Një tjetër qasje ndaj etimologjisë shqipe ndoqi ruso-hebreu Vladimir Orel, i specializuar si indoeuropianist, i cili botoi një Fjalor etimologjik të shqipes (Albanian Etymological Dictionary) në 1998. Oreli e vështroi historinë e shqipes në kontekstin e historisë së saj si gjuhë indoeuropiane dhe ballkanike dhe, ndryshe nga Çabej, nuk u fokusua në historinë e brendshme të fjalëve shqipe.

Edhe Çabej, edhe Oreli, edhe Topalli sollën kontribute që, në masë të madhe, plotësojnë njëra-tjetrën, në një fushë si historia e leksikut shqip, ku gjuhëtari e ka të vështirë të bëjë përpara, për shkak të mungesës së dokumentimit me shkrim.

Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX pati edhe autorë të tjerë, zakonisht indoeuropianistë, që i kushtuan vëmendje etimologjisë shqipe, edhe pse jo deri në atë shkallë sa të planëzonin dhe të botonin fjalorë etimologjikë – përmend këtu poliedrikun Eric P. Hamp, një nga më të shquarit indoeuropianistë të shekullit të shkuar; dhe indoeuropianistin tjetër amerikan Martin E. Huld, autor i një Basic Albanian Etymologies (1984); krahas këtyre, mbase duhet të përmend edhe arbëreshin Marco la Piana, dhe Martin Camajn.

Kushdo që kërkon të krahasojë arritjet e etimologëve të shqipes, do të dallojë menjëherë dy grupe të mëdha fjalësh – fjalë me etimologji të sigurt (të përcaktuar mirë), dhe fjalë me etimologji të diskutuar; vetëkuptohet që të dytat i tërheqin më shumë hulumtuesit.

Por synimet e atyre historianëve të gjuhës, që merren me etimologji, nuk është e thënë të përkojnë mes tyre: njërit i duhen etimologjitë për të saktësuar e konfirmuar një rregullsi të fonetikës historike; një tjetri për të kuptuar më mirë kontaktet e shqipes, të themi, me latinishten; dhe një të treti për të ndriçuar kulturën materiale të hershme të shqipfolësve. Indoeuropianistit i vlejnë etimologjitë shqipe për të gjetur dhe konfirmuar vendin e shqipes, brenda familjes indoeuropiane, gjuhët e afërta me të dhe historinë e degëzimit të shqipes në krahasim me gjuhë të tjera (p.sh. greqishten dhe armenishten); latinistit për të kuptuar më mirë transformimet e latinishtes vulgare në Ballkan; albanologut, përkundrazi, etimologjitë i duhen për të hartuar historinë e brendshme të shqipes dhe marrëdhëniet e saj me gjuhë të tjera.

Qarkullon një rrenë – poshtë e lart në opinionin publik shqiptar – se albanologjia në trojet ka mbetur e përqafuar pas Çabejt dhe arritjeve të këtij dijetari, prandaj edhe është vjetruar. Këta që i ushqejnë dhe i përhapin gjepura të tilla, nuk marrin në konsideratë Kolec Topallin, të cilin edhe kur nuk e damkosin si tradhtar, e sulmojnë si epigon të Çabeut.

Por – dhe nuk besoj me qëllim – lënë pa përmendur një vepër për mua të rëndësishme, për rrugën që do të ndiqte etimologjia shqipe pas Çabeut – dhe pikërisht Albanische Etymologien, të Bardhyl Demirajt, të botuar në 1997, në kolanën prestigjioze Leiden Studies in Into-European, dhe ku lexuesi do të gjejë tranzicionin nga faza “klasike” e Çabeut, te faza më moderne që në forma të ndryshme vazhdon edhe sot.

Kjo vepër krahasohet më mirë me studimet e Huld-it dhe, deri-diku, me ato të Çabejt. Meritë e veçantë e autorit është se niset nga arritjet solide të paraprijësve të tij, për të kërkuar shtigje të reja dhe problematizime të disa prej etimologjive kyçe të shqipes, nën dritën edhe të njohjes më të mirë të gjuhëve indoeuropiane në fund të shekullit XX dhe të risive metodologjike në gjuhësinë historike-krahasuese. Vijueshmëria që garanton ai, ka të bëjë edhe me atë që etimologjitë e Çabejt nuk kanë qenë lehtësisht në dispozicion të studiuesve indoeuropianistë anembanë botës, të pafamiljarizuar me shqipen.

Kohët e fundit në botën kulturore shqiptare bëri bujë një artikull i botuar në revistën “Science” në 28 korrik të vitit 2023 (Language trees with sampled ancestors support a hybrid model for the origin of Indo-European languages); i cili përdorte një metodë relativisht të re për të analizuar para-historinë e gjuhëve indoeuropiane dhe për të datuar ngjarjet kyçe të shkëputjes së degëve të veçanta, nga trungu i familjes.

Në të vërtetë, artikulli në “Science” e rindërton historinë e përftimit të gjuhëve indoeuropiane dhe shkëputjes së tyre nga trungu familjar duke u nisur nga një krahasim i leksikut themelor të këtyre gjuhëve – krahasim i cili pastaj i nënshtrohet një modelimi statistikor, që ndihmon në datimin e shkëputjeve vetë. Për secilën gjuhë, u hartua paraprakisht një listë fjalësh e hartëzuar mbi një skemë kuptimesh të njëjta.

Që të kryhet analiza e referuar në artikull, fjalët e listës themelore, për çdo gjuhë, duhen hartëzuar me një farë sigurie. Për shembull, për shqipen, është dashur të përcaktohet se cilat fjalë janë të fondit indoeuropian dhe cilat huazime. Këtë gjenealogji të fjalëve shqipe nuk e kanë zbuluar dhe as hartuar autorët e artikullit, por e kanë marrë nga studimet dhe fjalorët etimologjikë.

Dhe në këtë pikë, asnjë etimolog tjetër i shekullit XX nuk mund të krahasohet me Çabejn – për metodën e tij etimologjike, njohjen e thellë të shqipes dhe nuhatjen gjuhësore. Atje ku Oreli dhe indoeuropianistë të tjerë, kujdesen kryesisht të hartëzojnë fjalët shqipe te një rrënjë indoeuropiane specifike, të shtyrë nga një interes, si të thuash, indoeuropianistik teorik, Çabej i trajton fjalët shqipe si produkte shndërrimesh të jashtme dhe të brendshme dhe, para së gjithash, si elemente të një gjuhe dhe të një kulture të gjallë.

Për fat të mirë të studimit të botuar në “Science”, hulumtues bashëkohorë si Martin E. Huld, Stefan Schumacher, Joachim Matzinger, Michiel de Vaan dhe veçanërisht Bardhyl Demiraj – me Albanische Etymologien (1997), i kanë njohur mirë dhe i kanë mbajtur rregullisht parasysh kontributet e Çabejt në lëmin e etimologjive të shqipes, pavarësisht vështirësive në integrimin e punës aq të përimtuar të këtij dijetari, në një përpjekje relativisht thjeshtuese, si kjo e artikullit në “Science”; pjesërisht edhe me atë që vepra etimologjike e Çabejt ende nuk njihet kënaqshëm nga indoeuropianistika bashkëkohore; dhe më në fund, me atë që “diskursi” (për të mos thënë “zhargoni”) etimologjik i Çabejt mund t’u tingëllojë i vjetruar studiuesve të sotëm. Vetë Çabej e ka pranuar haptazi, më shumë se një herë, se nuk i pëlqente të punonte me rrënjë (abstrakte), por parapëlqente krahasimin me fjalë reale gjuhësh të tjera, çfarë nuk integrohet lehtë me metodat që parapëlqehen sot.

Në çdo rast, vepra etimologjike e Çabejt jeton intertekstualisht në punën e etimologëve dhe të historianëve të shqipes që erdhën më pas; dhe më shqetësues duket thjeshtimi që ia bën leksikut të shqipes metoda e krahasimit mekanik të fjalëve – e cila detyrohet të shpërfillë mijëra vjet histori të shqipes në trajtën e saj të folur. Distanca mes dy pikave orientuese – ajo kur shqipja u nda nga familja indoeuropiane dhe shqipja moderne, është tepër e madhe, për t’i trajtuar fjalët shqipe si aktualizime formulash të rrënjëve indoeuropiane. Këtë mangësi Çabej e pat kuptuar ndoshta më mirë se të tjerë, dhe ashtu edhe u pat përpjekur për ta zbutur disi me metodën e vet etimologjike.

Le të mos harrojmë, pra, se autorët e artikullit të “Science” u mbështetën edhe në një listë etimologjish shqipe prej indoeuropianistëve dhe historianëve të gjuhës shqipe, mes të cilëve edhe B. Demiraj; aq sa vepra e këtij, Albanische Etymologien, mund të shihet edhe si një nga shtyllat themelore, mbi të cilat ngrihet edhe dataseti i shqipes në artikull dhe, për rrjedhojë, edhe përfundimet e artikullit vetë.

Pse e lënë jashtë, atëherë, këtë studim monografik detraktorët e albanologjisë shqiptare? Tek e fundit, B. Demiraj vërtet i kompletoi studimet e veta në Perëndim, por në thelb i përket një brezi studiuesish të rinj nga Shqipëria, që u formuan si gjuhëtarë me veprën e Çabejt e të Sh. Demirajt.

Prandaj arsyet që kjo vepër vazhdon të shpërfillet nga disa qarqe llafazanësh gojëshpatë janë (1) sepse këta as dinë gjermanisht dhe as mund ta kuptojnë se çfarë thotë atje autori; dhe (2) sepse këtyre u intereson që të gjejnë patjetër një boshllëk në albanologjinë shqipe pas Çabeut, edhe kur ky boshllëk nuk ekziston. Idealisht, libri i B. Demirajt tashmë duhej të ishte përkthyer në shqip – edhe pse i drejtohet një lexuesi të specializuar, që e ka gjermanishten pothuajse vegël të profesionit; sikur të mos orientoheshin financuesit e përkthimeve dhe shtëpitë botuese nga shifrat e shitjeve dhe nevoja për t’iu përgjigjur vulgaritetit të një shtrese lexuesish.

B. Demirajt i duhet njohur, veç të tjerash, merita jo vetëm për diskutimin e disa etimologjive ekzistuese të fjalëve bazë të shqipes, por edhe përpjekja për të sjellë etimologji të reja, në një fushë jo rrallë të karakterizuar nga vështirësi të pakapërcyeshme për gjuhëtarin serioz. Një shekull e gjysmë etimologji shqipe sipas metodës historike-krahasuese kanë ndihmuar që të akumulohet një pasuri etimologjike që tani vërtet mund të zgjerohet tek-tuk, të rafinohet dhe të sistemohet, por që vështirë se do të mund të ndryshojë në mënyrë dramatike – pa dalë në dritë ndonjë dokument themelor nga lashtësia, p.sh. ndonjë tekst i shkruar në shqipen kohës së Romës. Megjithatë, zbulime të reja që bëhen në tekste të shkruara në gjuhët “motra” të shqipes, si gjuhët indoeuropiane anatolike (hetitishtja, etj.), ose deshifrime mbishkrimesh të reja e të vjetra, dhe sidomos metoda të reja të rindërtimit të rrënjëve dhe të modelimit të indoeuropianishtes bazë, kanë ndikimin e tyre në rishkimin e etimologjive të shqipes.

Shumë etimologji fjalësh shqipe nga indoeuropianistët nuk i shmangen dot një lloj qasjeje “algjebrike”, ku fjalët shqipe shkëputen nga konteksti i tyre edhe brenda-, edhe jashtëgjuhësor, për t’u vënë në lidhje të drejtpërdrejta me fjalë gjuhësh të tjera ose, edhe më keq, me rrënjë abstrakte të rindërtuara. Që gjysmë shekulli më parë, Çabej pat sqaruar se një qasje e tillë duhej plotësuar nga hulumtime të imta të rrethanave të fjalëve, gjë që ai dijetar edhe e demonstroi në praktikën e vet shumëvjeçare dhe shumëvëllimshe të analizave etimologjike, duke arritur rezultate që nuk e ekzagjeroj po t’i quaj të pashoqe. Meritë e kontributit etimologjik të B. Demirajt, brenda qerthullit të një diskursi indoeuropianist për historinë e shqipes, është se ai e ka njohur në majë të gishtave veprën etimologjike të Çabejt dhe ka arritur – si askush tjetër – ta mbajë parasysh, edhe kur detyrohet të “flasë” zhargonin tjetërlloj, të indoeuropianistikës bashkëkohore.

© 2024 Ardian Vehbiu & Peizazhe të fjalës™. Imazhi ilustrues është trajtuar me Midjourney AI.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin