Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art

POLITIKA DHE NACIONALIZMI

Bashkëbisedim me veprën e Artan Hajrullahut

Në shumëçka që kam hasur të shkruar për veprat e Artan Hajrullahut shoh një lloj qasje tërësisht sipërfaqësore të kritikës ndaj punimeve të tij të thella dhe kuptimplota. Këto qëndrime sipërfaqësore ndaj veprave të Harjullahut do i ndaja në tre grupe. Në njërën anë janë njerëzit e vlerave tradicionale, që tërbohen kur shikojnë personazhe, që shpesh në punimet e tij, shfaqen të zhveshur. Në grupin e dytë do fusja njerëzit me pikëpamje liberale, që janë të etur për çdo gjë epshndjellëse dhe janë pafundësisht ëndjeplotë vetëm për faktin se ka kaq shumë personazhe të zhveshur në punimet e Hajrullahut. Në grupin e tretë do fusja njerëzit që thjesht përqendrohen krejtësisht tek thjeshtësia fëminore në veprat e Hajrullahut dhe, si pasojë, i shikojnë punimet e tij thjesht si një nostalgji të gjërave të kaluara. Arsyeja përse këto tre qasje janë të gabuara është jo sepse ato nuk cekin diçka të njëmendtë, por sepse ato nuk rrokin plotësisht njëmendësinë e veprave të tij. Ato lundrojnë veç në sipërfaqe duke harruar se një oqean i tërë kuptimesh dhe nënkuptimesh shtrihen poshtë. Sipërfaqja nuk është e rreme, pasi nuk ka piktura pa sipërfaqe. Por sipërfaqja është veç fillimi, është veç ngasja fillestare, shtysa për t’u zhytur brenda kuptimit simbolik të veprës.

Është e pamohueshme se diçka joshëse mbizotëron në stilin e punimeve të Artan Hajrullahut: formati, vetë materiali punues, liria shprehëse e ngjyrave, dëshira për ta rikrijuar realitetin në një botë të ndërlidhur me ligjet e imagjinatës. Por diçka edhe më joshëse na shfaqet në veprat e tij: një lloj kuptimi i fshehur simbolik, një përpjekje për ta shprehur thelbin e botës së sotme nëpërmjet simboleve. Para së gjithash na shfaqet në veprat e Hajrullahut një kritikë e thellë filozofike e shoqërisë së sotme nëpërmjet ngjyrave. Ky është paradoksi i mrekullueshëm që të magjeps në veprat e Artan Hajrullahut: ndërthurja e një thjeshtësie fëminore në sipërfaqe me një thellësi filozofiko-simbolike nën sipërfaqe. E them këtë pa teprim: një piktor i mahnitshëm po jeton mes nesh.

I mëshova më sipër kësaj qasjeje paradoksale, si një ndërthurje e thjeshtësisë dhe thellësisë, ndaj veprave të Artan Hajrullahut pasi vetëm kështu do mund t’i kuptojmë dy veprat e më poshtme të tij, në të cilat dua të përqëndrohem në këtë shkrim. Pavarësisht se duken si dy vepra që nuk kanë lidhje me njëra tjetrën, do mundohem të tregoj se ka një lidhje shpirtërore mes tyre, pavarësisht se janë tërësisht të ndara fizikisht.

Vepra e parë është shfaqja e një parlamenti ku tërë politikanët paraqiten të zhveshur.

Asnjë pikturë tjetër, të paktën në dijeninë time, nuk e rrëfen politikën e sotme në Evropën Juglindore në mënyrë kaq të njëmendtë. Lakuriqësia e politikanëve nuk duhet të kuptohet këtu si ndonjë veprim i kotë, sipërfaqësor, një dëshirë për t’i shfaqur politikanët të zhveshur për hir të ndonjë manie erotike apo ndonjë dëshire për të skandalizuar tradicionalët, por pikësëpari si një shfaqje simbolike dhe e njëmendtë e vetë realitetit politik ku jetojmë. 

Ka një besim të gjithëpranuar se politikanët janë të mbuluar fizikisht dhe shpirtërisht me kostumet e tyre hijerënda, se ata janë të stërveshur me ligjet burokratike dhe lidhjet e tyre shoqërore, se ata qëndrojnë larg dhe mbi njeriun e zakonshëm, se ata janë aq të stërholluar në fjalët dhe veprimet e tyre saqë asnjëherë nuk mund t’i kuptosh se ç’duan të thonë me njëmend, se shtirja e tyre është aq e zhdërvjellët saqë fytyra e tyre e vërtetë është e padukshme. Dhe ky besim nuk është i gabuar. Por, pavarësisht se si shtiren lojtarët në skutat e tyre më të fshehta të ndërgjegjes, loja në vetvete është e hapur para nesh si një ndeshje futbolli. Mbase nuk mund ta kuptojmë çdo lojtar, por loja është më se e qartë. Se unë nuk njoh edhe një njeri të vetëm në Kosovë apo Shqipëri, të edukuar apo të paedukuar, që thellë-thellë nuk e di se loja politike është një lojë e ndyrë. Sepse politika është një lojë e pisët që të ndyn trupin dhe shpirtin, një lojë ku, sado i pastër të futesh, do dalësh i nxirë në thashetheme, poshtërime, luftëra fjalësh të kota, vjedhje ose bërja e një syri qorr kur vjedh dikush tjetër.

A duhet të jetë politika se s’bën kështu? Jo. A mund të ndryshojë në të ardhmen? Mbase. Pavarësisht se shumë shpresë nuk kam. Por vlera e këtij punimi të Artan Hajrullahut është se politika shfaqet ashtu siç është: e zhveshur, saqë duken hapur gënjeshtrat, banale dhe të zakonshme. Është politika siç na shfaqet në jetën tonë të përditshme: sepse pikërisht kështu, të zhveshur, duken kur i shikon në televizor, pavarësisht shtirjeve të pafundme.

Politikëbërja në kuptimin praktik të saj është e njëjtë. Shumë vite kanë kaluar e prapë loja politike brenda parlamentit ka ngelur e njëjtë: një lloj zhveshje e njeriut nga vetvetja. Është një lojë ku të gjithë shfaqen të barabartë në zhveshjen e tyre e kjo shprehet qartësisht në veprën e Hajrullahut. Por pavarësisht se në një rrafsh të gjithë janë të barabartë, nuk duhet të anashkalohet larmia kaotike e karaktereve. Të gjithë duken të ndryshëm, të gjithë po bëjnë diçka dhe asnjëri nuk duket i përqendruar tek tjetri. Është si një shfaqje pa thelb, pa asnjë trajtë lidhëse, ku çdokush thotë e bën ç‘t’i vijë ndërmend.

Nëse përqendrohemi në cepin e sipërm të majtë shohim folësin. Sipër tij një grua po i pëshpërit diçka në vesh kryetarit të parlamentit. Një tjetër krahëhapur anash saj po hiqet sikur po dëgjon me ëndje. Mbi të, dy njerëz duken sikur po shqyrtojnë një problem personal mes tyre.

Në cepin e sipërm, të djathtë shohim krekosjen e një të fuqishmi dhe dy gra ulur me përunjësi në një tavolinë si nxënëse të shkollës fillore. 

Ndërkohë në mes të veprës shikojmë ballafaqimin e ndezur e një gruaje dhe një burri që i kanë ngritur gishtat njëri-tjetrit. Mes tyre duket një burrë i ulur e i heshtur e, mbrapa tij, një tjetër që e ka zënë gjumi.

Për çdo njeri që e ka parë ndonjëherë parlamentin në Kosovë apo Shqipëri, e kupton menjëherë se pikërisht kështu e shikojmë edhe parlamentin në televizor. Një rrëmujë e tmerrshme, një zhangëllimë e padurueshme thirrjesh e britmash mbretëron aty si askund tjetër. Rrëmuja në parlament është edhe më çoroditëse se në çdo klub nate, pasi, të paktën, në klub nate ka përherë një këngë që e lidh atë pështjellim njerëzish. Ndërsa në parlament ka vetëm një zhurmë të paqëndrueshme çirrjesh si nga mikrofoni i folësit kryesor, ashtu edhe nga deputetët e tjerë të hapërdarë sa majtas e sa djathtas.

Nuk dua të lë pa përmendur edhe një detaj shumë të rëndësishëm, pavarësisht se deputetët janë të zhveshur, të gjithë duken se kanë veshur këpucë. Shumëkush mund të thotë se është një detaj i parëndësishëm dhe as nuk do ta vinte në dukje. Por unë kam mendim krejtësisht tjetër: për një shqyrtues veprash arti, asgjë në vepër nuk është e rastësishme, dhe çdo detaj është thelbësor për të kuptuar veprën në plotësinë e saj. Fakti është se Artan Hajrullahu mund t’i kishte lënë shumë mirë pa këpucë, ose disa me këpucë e disa pa këpucë. Por jo: ai ka vendosur që, çdo njeriu që i duken këmbët, t’i mbathë këpucë. Prandaj dhe detyra ime si vëzhgues i kësaj vepre është të pyes: pse duhet të shfaqen deputetët e zhveshur me këpucë? Ç‘është kuptimi simbolik i këtyre këpucëve? Përgjigja e këtyre pyetjeve dhe simbolika e këpucëve, kam përshtypjen se mund të zbulohet vetëm nëse ne kuptojmë arsyen se përse në radhë të parë njerëzit veshin këpucë në jetën e përditshme. Pavarësisht se këpucët shpesh janë kthyer në modë e shumë i blejnë sa për dukje e jo për ndonjë arsye funksionale, gjithsesi kjo nuk mund të mohohet: arsyeja thelbësore përse njerëzit veshin këpucët është sepse i ndihmon ata të ecin më shpejt e me më pak dëmtime. Dhe pikërisht kështu duhet të kuptohen edhe këpucët e deputetëve të zhveshur: këpucët janë shenjë e përfitimeve që ata marrin si rrjedhojë e punës që kryejnë. Deputetët mund të jenë kthyer në gazin e botës, por “këpucët” i kanë lejuar ata të ecin më lehtësisht në karrierë, e kanë pasur më të lehtë të gjejnë punë, e për të udhëtuar më lehtësisht në realitetin e ashpër të vendit. Për ato këpucë, shumë nga ata deputetë, janë zhveshur krejtësisht e janë kthyer pjesë e atij teatri komik, brenda parlamentit.

Le të shohim tani një punim tjetër të Artan Hajrullahut ku na shfaqet një flamur, vendosur për t’u tharë.

Nuk mund të rri dot pa bërë pyetjen: ç’është ky flamur, vendosur për t’u tharë? A mos është pikërisht veshja e vetme e aktorëve qesharakë në parlament? Pasi duket sikur është gjëja e vetme që mund t’ja mbulojë lakuriqësinë. Teza ime është se këto dy punime, pavarësisht se janë të ndara, janë të lidhura me vetë thelbin e asaj që shfaqin.

Dua të vë në pah që e gjithë tharësja e rrobave mban vetëm një gjë: një flamur. Kjo nuk është aspak rastësi, pasi Artani mund të vinte aty edhe një palë çorape, nëse do deshte. Por jo: ai ka lënë tek tharësja vetëm një flamur. Pasi për nacionalistët nuk ekziston asgjë tjetër përveç flamurit. Por flamuri do lahet e do thahet shumë herë, pasi në parlament ka shumë të zhveshur.

Nacionalistët e çmendur nuk shikojnë asgjë tjetër përveç përfaqësimit simbolik të shtetit: për ata shteti ekziston vetëm si një simbol i varur mbi çdo gjë tjetër, veshja e vetme që ja vlen të vishet. Shteti, për nacionalistët, është një entitet i përhumbur, pa kontekst: një flamur që valëvitet në përjetësi. Një flamur i vetëm që fluturon për të gjithë e për askënd. Kështu na shfaqet edhe në veprën e Hajrullahut flamuri: ai me zor po pret të merret e të vishet nga një nga ata politikanët e zhveshur në parlament. Në fund të fundit, aty nuk ka asnjë veshje tjetër për të zgjedhur: ata do marrin ç’të kenë mundësi. Por a nuk ndodh pikërisht kështu edhe në realitetin tonë politik: se për të mbuluar shfaqjen e tyre të rëndomtë teatrale, politikanët i vërsulen nacionalizmit skizofrenik? Politikanët janë gati ta marrin atë flamur e ta kthejnë edhe në veshmbathje, brekë e kanatjere. Sepse për ata dashuria për atdheun nuk është asgjë më shumë se sa mbulimi i marrëzisë politike.  

Shpesh kur shikoj punimin e mësipërm më duket se tharësja është një përfaqësim simbolik i vetë popullit: i braktisur, pa shpresë, një tharëse mes asgjësë që mban përsipër një flamur të lagur. Larg, larg, por ajo aq larg: vazhdon shfaqja teatrale e radhës në parlament. Kur të lodhen nga zbavitja, ata do vinë tek tharësja e, mbase, mund ta përdorin flamurin edhe si peshqir. Flamuri edhe mund të rrëshqasë një ditë e do bëhet pis. Apo edhe më keq: flamuri edhe mund të mos thahet asnjëherë. Dhe shfaqja do vazhdojë prapë ashtu siç edhe është: tërësisht e pambuluar, banale dhe qesharake.

Por prapëseprapë ka diçka të pafajshme tek tharësja: ajo duket e re dhe e bardhë.

© 2024 Erlind Sulko. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Shënim i autorit: Artan Hajrullahu ( 1979 Gjilan, Kosovë), ka studiuar në Akademinë e Arteve, Universiteti i Prishtinës. Hajrullahu ligjëron pikturën në Shkollën e Mesme të Arteve Pamore në Gjilan. Ekspozitat e tij te fundit personale përfshijnë: Silence Took a Hold of the Rooms, kuruar nga Sislej Xhafa, Instituti i Artit Bashkëkohor, ARKIV – Pejë, Kosovë (2022); Një shtëpi pa mure, Sarieva/Galeria, Plovdiv, Bullgari (2023). Artisti ka marrë pjesë në Trienalen e 8-të të Yokohama, të kuruar nga Liu Ding dhe Carol Yinghua Lu (2024); Bienalja Nomadike Evropiane, Manifesta 14, kuruar nga Catherine Nichols (2022). Është shpërblyer me çmimi Artistët e së nesërmes, Kosovë në vitin 2013 dhe Hajrullahut i dha mundësinë të marrë pjesë në Programin Ndërkombëtar të Studio dhe Kuratorit – ISCP në Nju Jork. Në vitin 2018 është nderuar me Çmimin Muslim Mulliqi – NGK. Puna e tij është pjesë e koleksioneve private dhe shtetërore si ato të Fondit Shtetëror të Muzeut të Artit Bashkëkohor të Kosovës, Muzeut Kombëtar të Artit Bashkëkohor Athinë, EMST.

1 Koment

Shkruani një Koment

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin