Vizitova sot një ekspozitë të Koleksioneve veneciane në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, të kuratuar nga Elisabetta Sciarra, Drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare Qendrore të Firenze-s.
Një sallë me ekzemplarë të paçmuar librash të rrallë të një kulture që ka qenë kaq gjatë në kontakt me tonën, në fqinjësi të ngushtë, dhe që njëherazi tani duket kaq e çuditshme.
Edhe pse nuk mungojnë Buzuku (në një kopje që ka dhuruar Papa në 2014-ën), dhe as Bogdani, ekspozita të mahnit me pasurinë që ka ardhur misteriozisht prej Venedikut – libra të historisë, të filozofisë, të letërsisë antike; traktate të gjeografisë dhe shënime udhëtimi, biografi dhe libra të gjeometrisë; kushedi ç’tjetër.
Vizitori nuk shkon atje që të lexojë, por t’i përjetojë librat si sende magjike. Kushedi edhe të meditojë për fjalët që mbajnë brenda dhe që tani u lexohen gjithnjë e më pak. Të admirojë tipografinë, artin e imazheve dhe të hartave. Të kuptojë se libri dhe Arbëria, më pas Shqipëria, kanë pasur mes tyre një marrëdhënie të ndryshme nga ajo e librit me shqipen.
Drejtori i Bibliotekës, Piro Misha, më tha se disa prej librave, sipas vlerësimit të kuratores Sciarra, janë kopje unike, gjenden vetëm në Bibliotekën Kombëtare; siç më tha edhe se kureshtje të madhe ngjallin, në studiuesit, shënimet brenda librave.
Kur i sheh njeriu këto volume, të madhësive të ndryshme, vë re se disa prej tyre që në krye janë destinuar për të qarkulluar brenda bibliotekave: të mëdhenj, të rëndë – edhe nga hija. Të tjerë libra janë të vegjël, gati sa libra xhepi. Titujt e tyre habitin më pak se prania e tyre në Tiranë. Si kanë ardhur këtu? Si e kanë kapërcyer detin? Kush i ka sjellë dhe pse?
Prapa çdo libri të tillë, është pasioni i dikujt që librave mund edhe t’u ketë kushtuar jetën.
Në sallë është e pranishme, si një fill kohor i logjikshëm, edhe historia e marrëdhënieve të Venedikut më parë me Albania-n, pastaj me Arbërinë e Skënderbeut e më pas me Perandorinë Osmane. Interesi i Serenissima-s për superfuqinë e Lindjes nuk ka qenë vetëm ushtarak, por edhe filozofik dhe politik. Gjetiu një seksion i kushtohet Bizantit, me të cilin Venediku takohej jo vetëm në Mesdhe e në dete të tjera, por edhe në Arbëri.
Si edhe herë të tjera, territori ynë ka qenë njëherazi pikë takimi dhe pikë përjashtimi mes botëve të ndryshme; vend ku kalonte kufiri; ndoshta vetë kufiri.
Syri m’u ndal shpesh edhe te hartat; të cilat i shoh më shumë si vepra arti, se si produkte të dijes kartografike. Hartat u kanë shërbyer gjeneralëve, për të projektuar betejat dhe manovrat, në ujë dhe në steré. Pashë një hartë ku autori kish vendosur, me durim prej qëndistari, “të gjitha” anijet e flotës venedikase. Pashë edhe një libër për fortifikimet dhe kështjellat.
Trojet e Shqipërisë së sotme i gjej të mbushur me emra të ndryshëm, disa për mua të panjohur. Më tregojnë edhe për një qytet, të quajtur Margarit, ku është zhvilluar dikur në shek. XVI një betejë e madhe mes venedikasve, të ndihmuar nga vendësit e krishterë, kundër osmanëve.
Është i shënuar në hartë, por jo në truall. Dhe nuk është i vetmi që e ka pësuar kështu.
Libri i ekspozuar në xham projekton jo vetëm autoritet dhe brishtësi, por edhe mister. Ndërkohë ti, si vizitor, je i ftuar t’i gjesh librit vendin në imagjinatën tënde dhe të përfytyrosh hapësirat që do të të zbulonte – po ta lexoje.
Dhe siç e dinë koleksionistët, libri sa më i vjetër të jetë, aq edhe më i bukur bëhet.
E rekomandoj fort një vizitë te kjo ekspozitë, që do të rrijë hapur edhe për pak ditë akoma.
© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.