KUR TË MBËRRIN ROMANI I REDAKTUAR

 Dhjetë gjëra absolutisht për të mos u bërë kur të mbërrin nga shtëpia botuese romani i redaktuar

nga Giulio Mozzi (“Editing, teoria e pratica”, më 4 nëntor 2020)

përktheu Arben Dedja

[Këtu nuk flitet, natyrisht, për atë që quhet editing i përgjithshëm, ajo që bëhet muaj përpara botimit dhe që realizohet sidomos duke folur për romanin, për strukturën e tij, montazhin e historisë që po rrëfehet, etjera; këtu flitet për editing të imët mbi tekstin, i quajtur edhe editing linear ose punë redaktuese. Ka ca kufinj të vështirë për t’u përcaktuar nganjëherë midis editing-ut linear dhe punës së mirë redaktuese.]
  1. Mos e shty për më vonë. Sa kohë të kanë dhënë? Një javë, dy, një muaj? S’ka problem. Mos e shty kurrë për më vonë. Kur zhytesh korrigjimeve, dalin gjithmonë gjëra të reja: ngatërresa, natyrisht, por edhe mundësi. Dhe, sa më me qetësi të punosh, aq më kollaj do të mund t’i eliminosh ngatërresat dhe aq më lumturisht do t’i shfrytëzosh mundësitë.
  2. Për të njëjtat arsye: mos u nxito. Ose: nxitohu për të filluar, mos ki ngut të mbarosh. Në qoftë se dorëzimi është parashikuar për ditën x ora y, ke kohë deri në orën y-1 minutë të ditës x.
  3. Përpara se të fillosh ta shohësh tekstin pikë më pikë, hidhi një sy të përgjithshëm. Do të të shërbejë për të krijuar një ide rreth sasisë së punës që të pret, por, sidomos, për të krijuar një ide si është punuar me tekstin. Profesioni i redaktorit është një profesion rigoroz, por çdo redaktor ka – në fund të fundit – stilin e vet; dhe një redaktor i zoti di t’i përshtatet tekstit që editon.
  4. Mos iu dorëzo tundimit për të ndërhyrë herë këtu e herë aty. Fillo nga e para dhe ec përpara (qetësisht, pa ngut, et.). Puna jote duhet të ripërshkojë atë të redaktorit, që ka filluar pikërisht nga fillimi. (Kjo vlen edhe nëse romanin e ke montuar e çmontuar me dhjetra herë, me rezultatin që – ndodh – faqet e para janë ato që janë shkruar të fundit, etjera: madje, vlen sidomos në një rast të tillë).
  5. Mos e urre redaktorin. Nëse je në përvojën tënde të parë (të priftë, pra, e mbara!) do të zbulosh që redaktori është pamatësisht pedant, pafundësisht i duruar, strategjikisht i padurueshëm. Natyrisht, s’do ta durosh. Por ai duhet të bëjë kështu. Duhet të ngrerë edhe problemin më të vogël. Mund të ndodhë që të të propozojë alternativa që ti i kishe përjashtuar (por ai s’ka nga ta dijë që ti i ke marrë në konsideratë), që të të sugjerojë zgjidhje që i rrafshojnë fluturimet e tua shprehëse (por nëse detyra jote prej shkrimtari është t’i ketë kryet në re, detyra e tij prej redaktori është t’i ketë këmbët në tokë), e me radhë. E gjitha është pjesë e dialektikës normale. Duhet ta dashurosh pedanterinë e redaktorit.
  6. Mos i zër besë redaktorit. Njeri është: gabon edhe ai. Mbi pedanterinë e tij duhet të ushtrosh pedanterinë tënde.
  7. Mos thuaj vetëm “po” ose “jo”. Mund të thuash edhe: “e diskutojmë”. Do të ketë edhe një xhiro të dytë bocash, apo një muhabet të gjatë në telefon. Sidomos, po s’i kuptove arsyet e disa prej propozimeve për ndërhyrje, kërko sqarim.
  8. Mundet edhe që redaktori nuk ta kupton veprën. Por mundet edhe që vepra jote nuk e shpjegon sa duhet veten, që nuk është mjaftueshëm e qartë, që mbart ende ndonjë mbetje të pasigurive të tua. Se pasiguri ke pasur, apo jo? Mos e harro.
  9. Ti e do veprën tënde me një dashuri prej të dashuruari, redaktori e do letërsinë me një dashuri bashkëshortore. Merr në konsideratë vlerën e kësaj dashurie.
  10. Falendero. Teksa ti jep e merr me tekstin tënd të redaktuar, redaktori po i dedikohet, me të njëjtin pasion dhe të njëjtën pedanteri, një tjetër vepre; pastaj do të kalojë te një tjetër e prapë te një tjetër… Ti i do librat e bukur, librat e bërë mirë. Mendo sa rob punojnë në shtëpitë botuese, heshtazi, errëtazi, që librat të dalin të bukur dhe të bërë mirë. Natyrisht: edhe në botën e botimeve, si kudo, ekzistojnë bjerraditët. Je edhe ti, sapo të të vrojtojnë një çikë më nga afër (sa ke pa e pastruar furrën? sa u bë që duhet ta zëvendësosh atë prizën që varet me zorrët përjashta? po në Zoom, vetëm me brekë, sa herë je lidhur?).

 

© për përkthimin, Arben Dedja. Teksti botohet me lejen e autorit origjinal. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI (Flux).

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin