Pas një mbërritjeje vonë – tepër vonë – në Rinas, duke parë radhën e taksive që prisnin, por edhe duke përfytyruar muhabetet e rastit (“erdhi austriaku”, “erdhi polaku”), jo vetëm të taksistëve por edhe të atyre të tjerëve që rrinë te sheshi para aeroportit, pavarësisht pse, më ndizet projektori i kujtesës.
Herët, në vitet 1960 por edhe 1970, diçka e ngjashme ndodhte mbrëmjeve në Tiranë, me gjithfarë të ngeshmish që prisnin të mbaronte shfaqja zakonisht e fundit e filmit në kinema. Shprehja që përdorej: “DOLI KINEMAJA”. Kjo bëhej për kinematë “17 nëntori”, “Republika” dhe “Partizani”, që ishin edhe në lagje më afër të qendrës.
Në ato orë të natës njerëzit në rrugë sa vinin e rralloheshin, por kur mbaronte filmi, befas shfaqej në rrugën e errët një masë e zhurmshme dhe e gëzuar, që flisnin e bënin gjeste me njëri-tjetrin: çifte të rinj, vajza të bukura, njerëz të veshur mirë; dhe kjo shfaqje meritonte publikun e vet. Po të rrije afër kinemasë, bashkë me shikuesit dhe hijen e dritës, do të vërshonte edhe era e rëndë e ajrit brenda – si nga një arkë a kuti që kish ndenjur mbyllur për shumë kohë.
Jeta në ato vite kish ritme dhe argëtime të tjera. Kinemanë e prisnin të dilte tipat që rrinin në cepa rrugësh ose te bordurat e dyqaneve – për ta flet I. Kadareja, te “Dimri i madh”. Dhe meqë dihej pak a shumë se kur do të mbaronte filmi i fundit, kjo do të vlente edhe si shenjë pikësimi për mbrëmjen: presim deri sa të dalë kinemaja dhe pastaj ikim. Soditja e njerëzve me filmin akoma në sy, që papritur mbushnin rrugën ishte një formë e artit të “sehirit” – në anglisht: just looking at people.
Veç vërshimit, spektatorët e filmit atëherë i bashkon edhe diçka tjetër me pasagjerët e avionit tani në Rinas: fakti që edhe ata të parët, edhe këta të dytët vinin dhe vijnë nga botë të tjera, të ndryshme nga e këtushmja. Filmi, me ekranin e madh, pamjet e çuditshme, aktorët tërheqës dhe aventurat e rrëfyera, i zhyste spektatorët në një atmosferë magjike, ku edhe thjesht dallimi me botën reale i shërbente përjetimit artistik dhe dëfrimit. Udhëtarët e avionëve të linjave, gjithnjë pak të hutuar për shkak të eksperiencës së fluturimit, jet lag-ut, ndryshimit të temperaturës dhe të lagështisë, vijnë edhe ata nga një realitet tjetër.
Në të dy herët, efekti i këtij transicioni në pamje, bashkë me JETËRSINË që sjellin me vete të ardhurit rishtas, përbën arsye për interes dhe kuriozitet.
Më ka qëlluar, kur kam qenë duke pritur ndonjëherë në transit të një aeroporti diku, të më kalojnë përpara të sapo-mbërriturit nga një fluturim skiç, që nxitojnë drejt daljes – dhe kam pikasur në shprehjet e fytyrës, zërat, gjestet dhe deri edhe “qenien” e tyre diçka që nuk ka përkuar tërësisht me botën time; një distancë të vogël, një shmangie, një dalje nga faza, një përmasë e paftuar, që zvarritin pas. Duhet një lloj negociate, mes segmenteve të realitetit, që të ndodhë ri-sinkronizimi.
E kujtoj me mall kohën kur dilte kinemaja dhe ne rrinim bënim sehir edhe te rruga e Kavajës, sidomos ata që dilnin nga shfaqja e fundit në kinemanë verore te “Republika”; tek-tuk do të shihnim ndonjë të njohur, mes atyre që kalonin, të cilin do ta pyesnim pastaj, të nesërmen ose më pas, si i ishte dukur filmi. Atëbotë hendeku mes atyre që e kishin parë një film dhe atyre të tjerëve, që nuk e kishin parë, ishte goxha më i thellë se sot. Dhe gjithsesi, vetë kapërcimi i atij hendeku ishte eksperiencë e vyer.
Nuk di ç’të them për taksistët e Rinasit, që presin sot të dalë “polaku”, “turku”, “austriaku”… Kohët kanë ndryshuar dhe bashkë me to edhe përjetimet që ia bëjmë botës. Duke përsëritur veten, po them sërish se, edhe në këtë rast, njohja e diferencës mes së djeshmes dhe të sotmes është një lloj përjetimi i de-sinkronizimit, që mund gjithashtu të shijohet në heshtje.
© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ilustrimi realizuar me Leonardo.Ai.
“Akoma s’ka dale kinemaja?” – e kisha harruar shprehjen. Me erdhi ne zemer me hare, sic me vjen ndonjehere nga ndonje dritare pallati duke ecur neper Tirane, nje duhi jenicere arome specash te ferguar apo groshesh qe ziejne ne tenxhere.