PËR T’I LEXUAR ME KUJDES LIBRAT E KËQINJ

Titulli i plotë: Dhjetë arsye të vlefshme për t’i lexuar me kujdes librat e këqinj

nga Giulio Mozzi (“Teoria e pratica”, më 17 mars 2021)

 përktheu Arben Dedja

 

  1. Së pari: cilët janë librat e këqinj? Po i bie shkurt: librat e këqinj janë ata libra që mua më duken të tillë. Kësisoj, librat e mi të këqinj nuk janë librat e këqinj të dikujt tjetër. Çështja është që cilido prej nesh ka libra që i konsideron, pak a shumë, pandreqshmërisht të këqinj. Dhe, është prirje, cilido prej nesh përpiqet të mos i lexojë librat (që i konsideron) të këqinj ose, nëse i ndodh rastësisht të lexojë ndonjërin, me gjasë e braktis pas disa ose shumë faqesh dhe, sidoqoftë, në të ardhmen do ta konsiderojë atë përvojë pak a shumë si një incident, humbje kohe, diç për t’u harruar. Çështja është edhe se cilido prej nesh shpesh vendos që një libër “është i keq” – ose, për të qenë zemërgjerë, “është me shumë gjasë i keq” – nuk po them pasi e ka lexuar, nuk po them pasi e ka shfletuar, po thjesht pasi i ka hedhur një sy ballinës, titullit dhe – e vëmë këtë në dukje – emrit të botuesit. Dhe çështja është, së fundi, (tri çështje, pra, që janë një e vetme) që secili prej nesh ka libra të këqinj që i konsideron të këqinj sepse në mjedisin e tij ato libra konsiderohen të këqinj, të këqinj pa apel, të këqinj pa pasur nevojë të shkosh t’i kontrollosh a janë ashtu vërtet; ose, bile, sepse në mjedisin tënd ato libra duhet të konsiderohen të këqinj.
  2. Librat e këqinj, gjithashtu, mund t’i ndajmë në të paktën dy kategori: libra të këqinj të shkruar mirë dhe libra të këqinj të shkruar keq. Ka, në fakt, libra që teknikisht janë realizuar mirë, disa, bile, shumë mirë, dhe prapë janë të këqinj (sepse, bie fjala, zbatimi metikuloz i teknikës bie në sy; apo sepse një teknikë e mirë shoqërohet me një imagjinatë të amullt, që përsëritet, konvencionale, etjera) dhe libra të këqinj që edhe teknikisht janë shkruar keq. Nuk mungojnë, natyrisht, edhe librat e bukur – ose, së paku: potencialisht të bukur – që janë shkruar keq; por kjo, siç mund ta kuptoni, është muhabet tjetër. Përsa i përket të bërit editing, bie fjala, librave të këqinj s’ke ç’u bën; kurse me librat “potencialisht të bukur” diçka mund të bëhet, nganjëherë shumëçka.
  1. Librat e këqinj, pastaj, mund t’i ndajmë në dy kategori të tjera, që nuk përputhen me të mëparshmet: libra të këqinj me pretendime dhe libra të këqinj pa kërkesa ose, më shpesh, me kërkesa adekuate. Është e thjeshtë të vëmë re, bie fjala, që gati gjithmonë librat rozë, që shiten nëpër qoshka gazetash, janë të këqinj: prapëseprapë është më se e qartë që kemi të bëjmë me libra të këqinj me kërkesa, zakonisht, plotësisht adekuate. Nuk mëtojnë të jenë të bukur, nuk mëtojnë të lexohen nga të gjithë, nuk mëtojnë të kenë recensione nëpër faqet kulturore të gazetave më të njohura, nuk mëtojnë as të shiten nëpër librari. Mëtojnë shpesh, këtë po, të shesin një numër të mirë kopjesh: dhe zakonisht ia dalin – pra, pretendimi i tyre është më se i motivuar. Kurse librat e këqinj me pretendime shpesh mëtojnë, pikërisht, të jenë të bukur, të lexohen nga të gjithë, të kenë recensione, etjera, të korrin sukses nëpër librari: dhe, përgjithësisht, dështojnë. Nganjëherë, madje, heqin dorë që kryeherazi p. sh. të dalin në librari – rasti i shumë vetëbotimeve në rrjet –, por e maskojnë këtë duke e shitur, në të kundërt, si snobizëm: “Kam shkruar një kryevepër, por bota e letërsisë – me bandat e veta, petullat me gjalpë, interesat e kryqëzuara, etjera – nuk do ta kuptojë dot kurrë; ndaj dal në treg i vetëm e lakuriq, duke ua ofruar veten përulësisht juve, o lexues të mirë, të zot t’i njihni aftësitë e mia”. E me radhë.
  1. Natyrisht këto kategorizime të thukëta kanë përjashtimet e tyre, mbase numerikisht jo të papërfillshme. Merrini (kategorizimet, jo përjashtimet) për çka janë: goditje me hanxhar për të hapur pak shtegun rrotull, për të përcaktuar një këndvështrim, për të përudhur një ligjëratë.
  1. Dhe ligjërata është, siç edhe e shpalla, pikërisht kjo: që të lexosh libra të këqinj mund të jetë, për kë kërkon të shkruajë libra të bukur, interesante dhe edukative. Argëtuese jo, kjo jo: shpesh është tejet e mërzitshme. Sigurisht – po tregohem prapë i matur, edhe pse kam mbërritur ndërkohë te gjysma e tekstit – leximi i librave të këqinj nuk mund të zëvendësojë atë të librave të bukur. Të lexosh libra të bukur apo, bile-bile, shumë të bukur, mund të jetë diçka tejet formuese për kë do të shkruajë libra të tjerë të bukur (për shembull, mund të çojë në heqje dorë nga të shkruarit: gjë që, le ta themi, nuk është aspak e turpshme); mund të rrisë pritshmëritë ndaj vetes (mund të na bëjë të mos kënaqemi me pak në punën tonë, gjë aspak e keqe); mund të na ofrojë gjedhe sipërane për të shkërbyer, e me radhë. Po ka ca gjëra, dhe mbërritëm më në fund te pika vendimtare, që mësohen më mirë duke lexuar libra të këqinj.
  1. Në librat e këqinj – apo, më mirë, në librat që na duken të këqinj: shih pikën 1 – do të gjejmë ato gjëra që nuk do të donim kurrë që të tjerët t’i gjenin te librat tanë. Librat e këqij i nxjerrin në dritë të diellit të metat dhe gabimet e tyre: nuk bëjnë asgjë për t’i fshehur, apo thjesht nuk ia dalin – siç ndodh me plot libra të bukur – t’i kamuflojnë. Nuk ka dyshim, për shembull, që romanet e Dostojevskit janë shumë të gjatë: por janë aq të bukur sa lexuesi nuk e vret mendjen, ose as nuk e vë re fare, ose ia fal me gjithë shpirt. Në një libër të keq, edhe një fjalë e vetme tepër është vërtet tepër. Të lexuarit e librave të këqinj, pra, na mëson nevojën e masës: jo shumë, por as shumë pak (në tregimet më të bukur të Hemingueit, bie fjala, ka gjithmonë shumë pak: por ne as që e vëmë re, madje tërhiqemi nga ky sens misteri që përftohet pikërisht nga mungesa e diçkaje: po sa të këqinj janë ato romane ku vërejmë që autori harron të na kumtojë informacionet më thelbësore?).
  1. Në librat e këqinj ka shpesh faqe e faqe të tëra në të cilat – e vëmë re menjëherë, ngaqë gogësijmë apo shpërqendrohemi – nuk ndodh gjë prej gjëje. Ose ndodhin gjëra koti, gjëra që nuk e çojnë përpara ngjarjen. Ca skena, për shembull, ku ai dhe ajo (apo ajo dhe ajo, apo ai dhe ai) në fillim zihen, pastaj pushojnë së zëni dhe, madje, mallëngjehen, por në realitet (gjithmonë qesharake të thuash “në realitet” kur flitet për roman) nuk ka ndonjë arsye të veçantë përse të plasë zënka, ose përse të pushojë, ose përse të kalohet nga zënka te mallëngjimi. Apo dedektivi (ta zëmë se kemi të bëjmë me një policesk të keq) shqyrton skenën e krimit, apo një seri faktesh të rindërtuara nga hetimet e marrjet në pyetje nga ai dhe/ose bashkëpunëtorët e tij, dhe nga shqyrtimi nuk zbulon asgjë që të çojë përpara hetimet: në një policesk për së mbari do të mund të nxirrej në pah më e pakta ndjesia e një mungese, një boshllëku për t’u mbushur, një informacioni të mangët, e diçkaje që nuk shkon; në një policesk të keq (ose, të paktën, në një policesk shkruar goxha keq) kemi vetëm amullinë, ngurosjen e historisë.
  1. Në librat e këqinj personazhet janë, përgjithësisht, ata që janë; veçse kur befasisht bëhen, pas një takimi, një traume, një rasti, krejt tjetër nga ç’ishin. Kështu, ne fillimisht mërzitemi kur hyjnë e dalin në skenë këta personazhe gjithmonë të njëllojtë me veten, pastaj bezdisemi kur, papritur, i shohim të kthyer anapulla, krejtësisht të shndërruar. Ja, pra: të lexosh libra të këqinj na mëson të kujdesemi për së mbari për personazhet, t’i pajisim me një histori prej vërteti, domethënë me një histori që të jetë historia e shndërrimit të tyre, përtej do aventurash pak a shumë të nyjëtuara ku hidhen a ngecin. Se një roman, tekefundit, s’është tjetër, nuk po them gjithmonë e gjithmonë, por thuajse gjithmonë, pos rrëfimi sesi një personazh (personazhe) që ishte (ishin) kështu e bëhet (bëhen) ashtu.
  1. Librat e këqinj kanë gjithmonë një mesazh. E pamundur të mos e gjesh: libri i keq, në fakt, bëhet copash për të na e nxjerrë para sysh, për të na e kallur në veshë, për të na e përbiruar nëpër hundë, për të na e mbushur gojën. E vetmja shpresë shpëtimi për një libër të keq, në fakt, – mendojnë autorët e librave të këqinj, të paktën ata më të regjurit – është të ketë një mesazh të rëndësishëm, të thellë, të drejtë, aktual dhe, në qoftë e mundur, politikisht korrekt ose, në të kundërt, me ato përmbysjet e qëllimshme që janë shpesh sinjale të qarta hutese dhe të një ndjenje faji, pafytyrësisht politikisht jokorrekt. Dhe, për shkak të leximit të librave të këqinj citë me mesazhe (mesazhe morale, mesazhe gjeneracionale, mesazhe politike, mesazhe fetare, apo madje – tmerr! – edhe mesazhe letrare) do të mësohemi edhe ne, që kemi si të vetmen aspiratë të mos shkruarit e librave të këqinj ose, të paktën, të shkruarit e librave jo të këqinj, t’i qëndrojmë larg dëshirës për mesazh: sepse – këtë, pra, do të mësojmë – një histori është një histori; nuk ka rëndësi mesazhi, por historia në vetvete dhe, sidomos, rrëfimi që i bëjmë asaj.
  1. Dhe së fundi, në librat e këqinj personazhet flasin gjithmonë me vete. Në realitet asnjëri prej nesh nuk flet me vete: flet, po, por me dikë tjetër (me të birin, me prindin, me mikun, partnerin/en, analistin, mentorin/en, kolegun/en, banakierin/en, qenin, macen, mbajtësen e çelsave, imazhin e vet në pasqyrë). Një personazh që flet me vete është një personazh i mangët qysh në zanafillë, është për t’iu kthyer mbrapsht dërguesit. Tetëqinda – shekulli kur personazhet flisnin vazhdimisht me vete, nganjëherë edhe me zë të lartë – ka njëqind e njëzet vjet që ka mbaruar dhe, sot, personazhet vetëfolës tingëllojnë keq edhe në rrëfimin konsumist më banal. Të lexosh libra të këqinj është si të vaksinohesh: pasi ke lexuar për të kushedisatën herë gjëra si «“Djalli ta marrë”, tha me vete Xhovani», do të na teret krejt dëshira për të shkruar; jo: do të bëhemi tërësisht të pazotët për të shkruar.

© Copyright-i për përkthimin është i Arben Dedes. Imazhi është realizuar me Midjourney.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin