nga Eda Derhemi
Hyrje
Dy gjuhë me të cilat shqipja e sheh veten shumë afër dhe që janë ende gjallë, sido që jo me vitalitetin e para 50 apo 100 vjetëve, janë arbërishtja dhe arvanitishtja, folur sot përkatësisht në Italinë e Jugut, e para, dhe në plot ngulime të rralluara, në Greqinë kontinentale dhe ishullore, e dyta. Ka edhe të tjera variante të afërta me ato që tradicionalisht i quajmë ‘shqipe’, por që nuk e kanë forcën dhe numrat e folësve si dhe sa arbërishtja dhe arvanitishtja.
Ndryshe prej arbërishtes së cilës historia i solli për mbarë një elitë komunitare të sigurt, të rafinuar dhe largpamëse –klerikale dhe jo – për t’u pasur zili nga çdo pakicë gjuhësore europiane, arvanitishtja mbeti në memorien kolektive greke një gjuhë e bujkut dhe hyzmeqarit të greqishtfolësit, me fare pak shkëndija elitare vetëpromovuese që e mbështetën kauzën e përdorimit të saj, vlerat e saj, dhe bukurinë e shkollimit në të. Komb-shtet-bërja e Greqisë së këtyre dy qindvjeçarëve, është gjithashtu e ndryshme nga ajo italiane: mospranimi i pakicave me gjuhë, fe dhe etnicitet tjetër u ka rënduar arvanitëve dhe pakicave të tjera në Greqinë e re me një peshë stigmatizuese fort të rëndë. Me të drejtën e Zotit, plot arvanitë që lëvizën drejt qyteteve në procesin e gjatë të modernizimit urban dhe industrializimit grek, u ndienë më mirë të harronin (pa thonjëza) se ishin tjetërsoj dikur. Ata që s’e harruan, ose bëjnë sikur nuk e dinë, ose thonë sot me një distancim të ndërgjegjshëm prej çdo gjurme etniciteti, se të parët e tyre ndodhi që qenë arvanitë. Është një situatë e hasur shpesh kjo për mua kur punoj në terren nëpër katundet e arvanitëve dhe i pyes për origjinën: njerëz nën të dyzetat që jetojnë në po atë fshat ku kanë jetuar të parët e vet, më përgjigjen: “Gjyshërit e mi ishin arvanitë; por unë nuk jam.” Dhe grekët në këtë pikë janë të afërt me shqiptarët dhe jo me amerikanët: edhe kur lindin në Athinë, ata i referohen me qejf origjinës familjare – fshat, krahinë a zonë dialektore, si origjina e vet. Arvanitët e rinj, e mohojnë atë lehtësisht, si t’i tradhtonte, sikur shenja e “jo-grekut” apo e “më-pak-se-grekut”, të ishte shenjë e qoftëlargut. Vetëstigmatizimi nuk ka dyshim që është i dukshëm këtu. Për më tepër, analiza diskursive e kallëzimeve arvanite, që kryesisht do t’i trajtoj në pjesën e dytë, sjell të dhëna jo vetëm për një stigmë të interiorizuar ndër ta (stigmë marrë prej grupit dominant grek, gjuha dhe etniciteti i të cilit përkonin si donte perëndia, dhe që gëzonin kujdesin dhe venerimin institucional grek), por edhe për një kundërvënie të qartë grupore mes “nesh”-arvanitëve dhe “atyre”-grekëve, shumë afër me një diferencë etnike. Tsitsipis në disertacionin e vet të vitit 1981 nënvizon që në të gjitha ambientet institucionale shtetërore si shkolla, ushtri, spitale, diskriminimi i arvanitëve prej grekëve qe i dukshëm dhe raportohet prej folësve që ai apo studiues të tjerë para tij kanë intervistuar. Siç e dëshmojnë edhe Trudgill dhe Tzavaras më 1977 (f. 174-175), “shumë arvanitë e vuanin kur trajtoheshin si të huaj, sidomos kur i turpëronin dhe përbuznin para joarvanitëve në shkollat e përziera.” Edhe pse rregullisht bëheshin të ndiheshin shtetas të dorës së dytë, madje jo-grekë, arvanitët tipikisht e shprehën frustrimin e vet si përbuzje ndaj vetes dhe adhurim të gjithkaje greke, siç shprehet me çmeritje Eric Hamp “folësit e arvanitishtes pa iu dridhur syri dhe me gëzim pranonin si të dhëna faktet që ajo greke është kultura më e lashtë, letërsia greke, e para fare, dhe gjuha greke, më e vjetra dhe më e pasura… e vetmja me një gramatikë të vërtetë.” Edhe ky recitim është pasojë e interiorizimit nga ana e arvanitëve të pozicionit “rigjid” të shtetit grek pas vitit 1881 (Tsitsipis. 1981: 83) lidhur me gjuhën, fenë dhe etnicitetin e atyre që u ra koka nën shtetin grek. Hampi më parë (1978), përdor po këto terma dhe ia vë fajin ideologjisë së “përjashtueshmërisë kulturore[i]” që u shfaq si pjesë e ideologjive të ngurta nacionaliste pas krijimit të shtetit grek. Pre e këtyre ideologjive ranë jo vetëm arvanitë të pashkollë, por edhe studiues e historianë grekë. Tsitsipis (po aty, f. 87) sjell shembullin e studiuesit Bires (Mpires) dhe paraqet konceptin e tij folklorik gjuhësor se “ishte superioriteti dhe kompleksiteti gramatikor i greqishtes arsyeja pse arvanitët ishin aq mbrapa me përvetësimin e gjuhës greke”. Bires u shpreh kështu në vitet ’60, por unë has edhe sot ndër studiuesit e stërvitur në të menduarit kritik e të përgatitur në shkolla serioze, edhe kur të rinj e pa frikëra prej syrit të Vëllait të Madh, zgjidhje disa herë sipërfaqësore që dëshmojnë ndikim prej po atyre besimeve që i behen pjesë e vetja shkencëtarit; në fund të fundit, njeri edhe ky që ka kaluar në po ato sisteme shkollore, propagandë administrative, ka zbatuar po ato politika gjuhësore e kulturore si kushdo tjetër.
Arvaniti – hero apo gdhë?
Gjatë një pasdrekeje përvëluese të verës së 2022-shit, brenda një supermarketi në Paloukia të Salaminës, flisja me një grup shitësish – të gjithë salaminas, të gjithë nën 30 vjeç – për arvanjitët dhe prezencën (ose jo) të tyren në Salaminë, për të cilën ata thanë që konsiston në fare pak pleq mbetur në një cep të një lagjeje lart. U thashë se është e dokumentuar se Salamina për shumë kohë është quajtur Koulouri dhe banohej prej një mase të madhe arvanitësh. U thashë edhe se vija bast që ndonjëri prej tyre ishte arvanjit. Qeshi me të madhe një djalë, më aktivi dhe i zëshmi i grupit. Salamina s’ka lidhje me arvanitët; është greke, tha, sikur duke thënë se ka pasur arvanitë, unë kisha mëtuar heshturazi ishullin dhe e kisha quajtur jogrek (në kokë thua t’i kish veguar një mendimth që arvanitët nuk janë tamam grekë?) Njihet që nga lashtësia, dhe s’ka pasur kurrë emër tjetër, përfundoi djaloshi duke më dhënë me krenari edhe një mësim historie. U ndamë duke bërë shaka me të gjithë në grup. Unë bleva frutat që kishin qenë sebepi pse hyra në supermarket, pyeta ku kish aty afër një bankomat, i përshëndeta, dhe dola. Pas meje erdhi me vrap njëra nga vajzat punonjëse të grupit. Tha se doli të më shoqëronte për tek bankomati që po kërkoja, se mos ngatërroja rrugën. Sapo bëmë ca hapa, shtoi me turp: “doja të të thoja se gjyshët e mi në fakt janë arvanitë[ii], dhe më parë këndeja vërtet kishte shumë arvanitë, por nuk desha ta tregoja këtë atje para të tjerëve.” Është një pasiguri dhe frikë që më trishton kjo e tyrja; e kam hasur disa herë këtë reagim ndaj pyetjes, dhe përgjigja të thuhet vetëm në vesh. Arvanjitët ndihen disi më të sigurt të pranojnë përkatësinë e vet, kur janë të thyer në moshë, dhe sidomos kur bisedon me ta në grup brenda zonës e katundeve të veta.
Në periudhën e revolucionit grek, arvanitët morën pjesë masivisht dhe heroikisht, jo si forcë intelektuale (sido që ishin udhëheqës dhe një shtyllë e fuqishme e revolucionit), por si muskul i painjorueshëm i tij. Me kalimin e viteve u rrit distanca mes imazhit ekzotik të arvanitit me fustanellë, antiosman dhe, pandashëm, luftëtar të Greqisë së re, dhe arvanitit real, me zakone të veçanta, me fshatra e shtëpi tipike, me gjuhë të vetën ndryshe nga ajo grekja, që fshehurazi madje përdorej edhe në kishë[iii] gjersa shumica e fshatarëve nuk dinin një fjalë në greqisht, grup që grekët tradicionalisht e kanë përqeshur dhe përbuzur. Një ndarje skizofrenike kjo, që u përvetësua prej arvanitëve dhe që psikologjikisht i ka dëmtuar dhe persekutuar, deri së fundmi. Greku tipik (edhe ai me gjyshër arvanitë) ta tund fort kartën e heroizmit arvanit në Luftën e Pavarësisë, por sapo gjen një hapësirë intime, derdh klishe dhe racizëm për natyrën e arvanitëve. Unë jam krejt e bindur që problematika e marrëdhënieve mes shqiptarëve të sotëm në Greqi, me grekët dhe arvanitët, ashtu si edhe nevoja e tyre për të ndërruar emrat si vetëlinçim fyes por i domosdoshëm, i kanë rrënjët në ideologjitë ksenofobe dhe magalomane që u zhvilluan në Greqi që prej Luftës për Pavarësi, e që u përforcuan gjatë një historie të veçantë të formimit të shtetit-komb të ri grek. Ideja që arvanitët u turrën në revolucion sepse ishin grekë të çartur, s’ka bazë. Arvanitët, sidomos detarët dhe pronarët e anijeve, u turrën sepse ishin anti-turq. Si të mos ishin?! Mendoni që aravniti Georgios Kountouriotis, kryeministër i Greqisë për ca kohë, mezi fliste e mezi shkruante greqisht. Por, si pronar i madh, dhe hidriot, ishte futur thellë në xhepat politikë që mbanin anë të ndryshme të forcave europiane, pa të cilat revolucioni grek nuk do kish ndodhur. Greqia e re i kish borxhe të mëdha Kunduriotit, ashtu si edhe ai kish interesa të mëdha personale për të mbrojtur në shtetin e ri. Por të mos harrojmë që në muzeun historik të Hidrës, i vetmi muze që ekzistonte gjatë vizitës sime në 2012, nuk dilte as edhe një herë gjëkundi fjala “arvanit”. Ndoshta fshirë edhe prej vetë arvanitëve[iv].
Edhe arvanitët vetëperceptojnë një identitet pasqyrë me po këtë thyerje dyfytyrëshe: krenarë për bëmat revolucionare të një periudhe të shkurtër të së shkuarës, dhe me turp e vetëpërçmim[v] për gjithçka tjetër që i bën një grup të veçantë. Sa më gjatë të rrish e të flasësh, si me pjesëtarë të njërit grup, si me të tjetrit, aq më e qartë bëhet kjo ndarje historike mes “nesh” dhe “atyre”, dhe aq më e trishtuar. Të moshuarit kanë histori prekëse, të mbushura me pezmatim për si i kanë trajtuar. Bisedat normalisht përfundojnë me “Por tani jemi njësoj”. Pastaj arvanitët shtojnë; “Nani, ata, na i duan djemtë për dhëndurë, se janë të pashëm e punëtorë… “dërtojën shtëpi të mira. Më para nuk na qasnin.” ‘Më para’, nuk është kohë e largët: është vetëm pak dekada të shkuara. Pastaj shtojnë se ende ‘ata’ i dallojnë kur flasin ‘lënika’, “e marrjën vesh na gluha që jemi arvanjitë”; “Jo djelmët e vashëzat, ma na që jemi pljaka.” Se djemtë, në fakt, në shumicën e rasteve, s’kanë folur kurrë ‘arvanjitika’ e nuk ka si të ndikohen në aksent prej saj.
Një etnicitet sui generis
Në terma weberianë, arvanjitëve si grup u ka munguar në traditë besimi subjektiv e homogjen i të përkiturit në një grup etnik, si besim në një lidhje vijimësore të dëshiruar me një vend a grup origjine të imagjinuar apo provuar[vi], u ka munguar kohezioni politik mes katundeve, (mungesa që lidhen pikërisht me mungesën e statusit dhe elitës), çka për Max Weber-in do përbënin tiparet që karakterizojnë një grup etnik[vii]. Kam shkruar edhe më parë që shumë folës të arvanitishtes, gjatë intervistave, përpiqen me sa munden të distancohen nga Shqipëria dhe shqiptarët, ndonjëherë edhe ta shpjegojnë faktin që flasin shqip me teori absurde (si p.sh. “nismë të fljasëm në arvanjitika që të mos na katallavnjën ç’thoshim gjermanët”), vetëm e vetëm që të mohojnë çfarëdo lidhje etnike me shqiptarët. Sidoqoftë, Stuart Hall[viii] (1991) dhe shumë sociologë, antropologë e gjuhëtarë të sotëm, theksojnë lëvizshmërinë dhe joesencializmin e identitetit, dhe ekzistencën e tij në ndryshim të vazhdueshëm. Besoj se duhet të gjithë të jemi dakord, se, mes natyrës subjektive të identitetit etnik (Weber) dhe natyrës gjithnjë në ndryshim të tij (Hall), nuk është çudi që ajo çka konsiderohet sot si identitet grek i arvanitëve, të mos ketë qenë kështu dje dhe pardje. Kjo, edhe fare pa kërkuar ndihmën e Joshua Fishmanit dhe rolit parësor që ai i jepte gjuhës në përkatësinë etnike të një grupi.
Por vetëm të kemi kujdes dhe të dallojmë mungesën e një etniciteti, nga ngulmimi për të mos e pasur atë etnicitet. Në këtë kuptim, unë e konsideroj një gjetje të saktë atë të shumë studiuesve bashkëkohorë grekë që pohojnë se “arvanitët kanë zgjedhur të jenë grekë” (Simeon Magliveras. 2009. Dissertation abstract[ix]), sepse ajo në fakt presupozon që ata nuk janë tamam grekë. Së paku, tradicionalisht, jo. Do t’i referohem disa herë punës së S. Magliveras që mendoj se është ndër më të thelluarat studime të etnicitetit arvanit dhe pozitave të studiuesve për të, në raport me punë të tjera me fokus etnicitetin e këtij grupi. Por megjithë sensin e hollë kritik të këtij studiuesi, shumë prej përcaktimeve autoriale për karakteristikat e këtij grupi, merren më lehtësisht se sa na kallëzon realiteti diskursiv i komuniteteve Arvanite. Qëllimi i Magliveras-it më lart është t’u japë arvanitëve agjenci zgjedhjeje: ata nuk janë kthyer pasivisht në grekë, por e ‘kanë zgjedhur’ këtë. Magliveras si studiuesit e njohur para tij që u intriguan prej etnicitetit të arvanitëve rihedh në diskutim këtë pyetje: si t’ia vëmë emrin kësaj kafshëze të rrallë. Ai thotë që arvanitët zgjodhën etnicitetin grek, pra sikur të kishin dy mundësi para tyre, dhe të linin njërin e të merrnin tjetrin. Para tij, Bintliff[x] (2003) e quan atë të arvanitëve një “etnicitet pasiv” – pra, shpjeguar më thjeshtë, për ta pasur e kanë etnicitetin, por si të përgjumur. Magliveras (f. 58) sjell rastin e një tjetër studiuesi që e quan etnicitetin arvanit “të boshatisur/të zgavruar”[xi]. Por të boshatisur prej cilit etnicitet që paskësh qenë aty më parë? Vetë Magliveras parapëlqen një epitet më neutral e objektiv: “etnicitet jozyrtar”. Pra, ata e kanë etnicitetin e vet, por nuk ua njohin zyrtarisht.
Kur flas me folës të vjetër arvanjitë, edhe sot, ende dalloj qartë mos-përkitjen në grupimin etnik grek në jetëgjalljen e tyre, pra edhe në vitet e këtij mijëvjeçari. Vura buzën në gaz kur lexova prej studiuesit Dhori Qirjazi, që kjo pyetje lidhur me përkatësinë në dy apo të njëjtin grup etnik shtrohej që kur s’mbahej mend[xii], dhe përgjigja e dhënë për të, edhe në 1840-ën, ishte identike si sot: “ndoshta dikur arvanitët nuk kanë qenë njësoj si grekët, por sot janë”:
“Por ky filiacion i shqiptarëve dhe referimet e tyre në rrënjët e përbashkëta me grekët helenë krijonin kushte asimilimi gradual prej simotrës së madhe e të lavdishme pellazgjike dhe prej “Megali Idhesë” së saj, që -çfarë rastësie!- qe shfaqur thuajse në të njëjtën kohë (1844) me teorinë pellazgjike.
Le të shtojmë se edhe në radhët e savantëve grekë, gjatë po kësaj periudhe, për arsye që u shtjelluan më sipër, përshfaqet një klimë e ngjashme, por me pikënisje tjetër. Shqiptarët qenë për grekët njerëz “të shtëpisë”. Nuk ka gjasa të jetë “lajthitje e çastit” apo “thjesht rastësi”, fakti që një figurë qendrore e historiografisë greke të shek. XIX, ati i saj, Konstantinos Paparigopulos, shumë herët, qysh në korrik 1850, shkruante se
“Dy raca banojnë në Greqi, grekja dhe shqiptarja. Por a përbën raca shqiptare një komb më vete? Ka ndjenja të vetat, interesa të vetat, që bien ndesh apo janë thjesht të ndryshme nga ato greke?Dikur, sigurisht, ka patur; por sot nuk ka (…). Këtë gjë e quaj shkrirje të racës shqiptare në gji të racës greke, mbizotërim të frymës greke, njëherazi fuqizim të kombit grek përmes atyre forcave materiale që ajo racë [shqiptarja] barti me vete.”
Lexuesit mund t’i lindë pyetja përse i duhet me patjetër kjo “shkrirje” historianit grek dhe cili është kuadri historik i krijimit të kësaj teorie. Mund të përgjigjemi shkurt se aty kemi një përpjekje konkrete për të hedhur poshtë teorinë e njohur të Fallmerayer-it, që shkaktoi “tërmet” në botën e atëhershme greke.”
Jo çdo situatë shumëgjuhëshe çon në vdekjen e një gjuhe, dhe roli i shtetit në të
Kalimi i një gjuhe me përdorim të kufizuar në një komunitet, në gjuhë dominante, lind në kushte kontakti gjuhësor në terren mes dy (a më shumë) gjuhëve. Por kontakti gjuhësor është rrethana, dhe jo shkaku për dominim gjuhësor. Janë faktorët jashtë-gjuhësorë, ndër to edhe politikat gjuhësore institucionale dhe ideologjitë dhe sjelljet gjuhësore që lindin prej tyre, ato që bëjnë një gjuhë të dominojë, ose që, në krahun tjetër, çojnë në vdekjen e gjuhëve identitare të komuniteteve folëse minoritare. Shumica e popullsive afrikane kanë ruajtur përjetë disa gjuhë folur nga gjithë komuniteti, duke pasur edhe lingua franca-t e veta, ndonjëherë edhe më shumë se një. Kiswahili, hausa, lingala janë disa gjuhë të tilla, shpesh të largëta me gjuhët etnike të vogla të disa grupeve folëse; e, shpesh, të gjitha bashkëjetojnë për bukuri[xiii] (Mufwene). Më pas këtyre gjuhëve tradicionale të komunikimit ndëretnik u janë shtuar edhe gjuhët e kolonizatorëve, që gjithashtu funksionuan si një shtresim i ri lingua franca-sh, mbi një model tashmë të vjetër e të natyrshëm komunikimi ndërgjuhësor. Lingua franca-t e reja marrin rregullisht një funksion diglosik (diglossia), në raport me gjuhët që kanë qenë tradicionalisht lingua franca-t e zonës, duke funksionuar në një repertor funksional shumëgjuhësor (multilingual). Kam vënë re p.sh. sa i kufizuar ishte përdorimi i frëngjishtes në qytetet e Marokut, ose sa i ndryshëm është niveli i anglishtes folur nga shtresa shoqërore të ndryshme në Indi.
Tjetër shembull është përdorimi liturgjik i sanskritishtes ndër shumëgjuhësitë e Indisë, që jo vetëm s’u bë kurrë shkak për zëvendësimin e këtyre gjuhëve, edhe më të largëtave tipologjikisht, por edhe tërthorazi ndihmoi t’i forcojë ato duke i shtyrë drejt kodifikimit dhe stilizimit. Kuptohet që ekologjitë gjuhësore ndryshojnë prej njëra-tjetërës, dhe politikat gjuhësore në çdo rast ndërveprojnë me të tjerë faktorë, si numri i folësve në një komunitet, të qenët grup i njësuar apo i copëzuar i komunitetit, integrimi social dhe aktivitetet tipike të grupit etj. Sidoqoftë, shembuj nga gjithë kontinentet do tregonin të njëjtën histori: shumëgjuhësia dhe lingua franca-t nuk rrezikojnë përdorimin e gjuhëve të vogla kur nuk ka politika që të ndihmojnë në eliminimin e gjuhëve të vogla ose që i neglizhojnë ato deri në eliminim; dhe kur, sidomos në rastin e gjuhëve të vogla, nuk ka politika që ndihmojnë në ruajtjen e tyre. Në të gjitha këto raste (e plot të tjera) komunitetet shumëgjuhëshe në kontakt, janë përdorues të disa gjuhëve, një a më shumë prej të cilave luajnë funksionin e lingua franca-ve (tashmë, kryesisht të shkruara, por edhe jo). Gjuhët minoritare përqark botës gjenden sot të gjitha në shkallë të ndryshme rreziku: veç injorimit prej institucioneve pa përjashtuar raste kur grupet folëse edhe janë luftuar prej tyre, urbanizimi i shpejtë, shkatërrimi i ekonomive tradicionale, forcat shungulluese të globalizimit actual. Ndër ndryshimet pësuar ndër gjuhët eminorancave gjuhësore, shpejtësia dhe kushtet historike dhe ideologjike të rënies pingul të arvanitishtes janë veçanërisht interesante për t’u studiuar.
Rasti i Greqisë dhe i luftës intensive bërë aty zyrtarisht dhe shpërndarë kulturalisht në masën e popullsisë nëpërmjet, ligjit, shtetit, administratës publike, ushtrisë, dhe sidomos shkollave dhe mediave, që prej gjysmës së dytë të shek. 19-të, nëpërmjet ideologjive institucionale dhe dominante kundër veçorive të gjithë minorancave, tipari themelor veçues i të cilave është pikërisht gjuha, është ndër më të njohurit në Evropë. Ashtu si pak vende të tjera, instrumentet hegjemonike institucionale greke, as që pranojnë fare ekzistencën e minoriteteve në territorin e vet, veç rastit të turkofonëve muslimanë të Thrakës, njohja e të cilëve Greqisë i erdhi si detyrim “nga lart”, dhe jo si njohje vullnetare dhe prej përbrenda. Ky qëndrim radikal institucional i Greqisë që prodhoi ideologji të shumta mbi Greqinë homogjenisht greqisht-folëse dhe ortodokse gjatë periudhës së formimit të shtetit-komb, solli shkatërrimin e shpejtë dhe të sukseshëm të Greqisë shumë-gjuhëshe, shumë-besimëshe e shumë-kulturëshe që gjallonte në 1830-at. Një humbje e madhe dhe e pakthyeshme kjo, për popullsinë dhe kulturën e këtij vendi sot.
Shumë studiues grekë, sidomos historianët e dekadave të fundit, i kanë shqyrtuar sipas teorive kritike bashkëkohore perëndimore rrënjët ideologjike dhe pasojat e procesit të ashpër e të përshpejtuar kombëtarizues të Greqisë. Situata e gjendjes së arvanitëve dhe gjuhës së tyre në Greqi, do shpjegohej shumë kollaj teorikisht edhe vetëm bazuar në ato punime. Ndaj më vjen çudi që aq e aq studiues grekë, gra e burra të mençur e të kultivuar, ende sot në ditët moderne, ngulmojnë që zhdukja graduale e arvanitishtes erdhi kryesisht se grupi folës nuk kish veçanti fetare ndaj shumicës greke. Dhe që gjithashtu, nënvizojnë mungesën e vetidentifikimit të arvanitëve si grup me mëvetësi etnike, si një tjetër arsye për humbjen e gjuhës. E shpjegojnë mbrapsht këtë lidhje kauzale, apo të themi çapraz apo anapo[dh]a. Por nuk di si nuk priren edhe të pyesin veten si studiues kritikë e të paanshëm, përse këto komunitete arvanite që “natyrshëm” u greqizuan për hir të njësisë liturgjike, dhe që “e kanë parë veten përherë si grekë”, si pra ndodhi që këto komunitete zhvilluan edhe një vetë-urrejtje dhe vetë-stigmë të dëshmuar nga gjithë gjuhëtarët, grekë dhe ndërkombëtarë, që janë marrë me arvanitishten. Thua se fakti që arvanitët sot vetënjihen si grekë që çuditërisht flasin edhe një gjuhë që kushedi si u pikoi nga çatitë e prishura një natë me shi kur frynte vorea, ka qenë i tillë përjetësisht?! Assimilimi i arvanitëve dhe gjuhës së tyre, nuk ishte një proces në kërkim të një komunikimi më optimal gjuhësor në bashkësi plurilingue, por një proces subordinimi (varësimi/ shtypjeje/ nënvlerësimi/ nënrenditjeje) të vazhdueshëm dhe të forcuar nga trysnia ideologjike e panhelenizmit që u kthye në një proces në modë helenizimi të gjithë hapësirës shumë identitare e shumëgjuhëshe të Greqisë. Shtoj se nuk ka gjuhë që vdes nën ndikimin e një faktori të vetëm, por kjo që përmenda ishte kryesorja që gradualisht i dha dërmën arvanitishtes. Hamilakis[xiv] (2007) e konsideron këtë proces përndjekjeje kulturore institucionale të pakicave, si të drejtuar prej “mendësisë së sanitizimit dhe purifikimit” (f. 198) që ishte baza e narrativës heleno-kristiane në qendër të diskursit kombëtar grek. Më tej (f. 292) thotë se “qëllimi i kësaj narrative që prej shekullit XIX e deri sot… ishte të vendoste një diskurs vazhdimësie kulturore greke të pandërprerë prej antikitetit klasik deri sot.” Arvanitët dhe pakica të tjera ishin ndërprerje të padëshiruara të kësaj vazhdimësie, ndaj u injoruan ose përbuzën, derisa u bënë pjesë e padukshme e vetë vazhdimësisë.
Lidhur me ndryshimet e mëdha të faktorëve që mbajnë gjallë pakicat gjuhësore në shekujt e fundit, Sue Wright[xv] (2004: 99) shkruan: “Deri në fund të shekullit XX, e drejta për të përdorur gjuhën e vet në hapësirën publike varej thuajse krejt prej muskulit politik të komunitetit gjuhësor të cilit i takoje, ose tolerancës së grupeve dominante mes të cilëve jetoje. … Vetëm në shekullin e XX lëvizja për të drejtat e njeriut erdhi në një konsensus se gjuhët e pakicave duhet të promovohen dhe mbrohen, si edhe të tolerohen.” Arvanitishtja nuk e pati fatin të ishte rast pjesëtar i këtij përgjithësimi. Arbërishtes nga ana tjetër, po, si për shekullin e XIX, si për të XX-in “i ka prirë fati”. Duhet theksuar se në të dy rastet, izolimi në disa nivele i ka mbrojtur disi gjuhët. Ndryshimi në nivelin e rrezikimit apo në vitalitet mes dy gjuhëve, arbërishtes dhe arvanitishtes, edhe pse u folën në kushte shumë të ndryshme, është i dukshëm, por jo aq i madh sa pritej: të dy gjuhët rrezikohen seriozisht prej zhdukjes. Ajo çka ndryshon dukshëm mes tyre dhe që i detyrohet pikërisht kushteve aq të ndryshme ku dy gjuhët kanë jetuar në shekujt e fundit, është respekti vs. stigma që pakicat kanë ndaj vetes, gjuhës, dhe kulturës së vet. Ky ndryshim është me pasoja qendrore për psikologjinë e individëve dhe grupit, për kulturën dhe tolerancën aq të nevojshme në kohën tonë, për cilësinë e jetesës së individit dhe komunitetit.
Kombi-shtet në dorë të studiuesve
Ndër të ashtuquajturat vende perëndimore, ndoshta veç Franca ia merr Greqisë për “finesën institucionale” me të cilën i ka shkatërruar gjuhët e tjera folur në hapësirën e vet politike, në emër të fshehjes pas gishtit – ndonjë neni kushtetues që nuk i lejon apo një situate që para 200 vjetësh ish ndryshe, ndaj sot ne bëjmë sikur jemi rob të saj. Ia merr Franca e centralizuar edhe në kohë, sepse ajo ishte shumë shumë më e hershme se Greqia në misionin e vet linguicid. Sido qoftë, të dy vendet kanë përdorur “mençurisht” nene legjitimuese të kushtetutave përkatëse (të cilat gjithashtu u kanë pikuar rastësisht nga çatitë), dhe po ashtu të dy nuk njohin Kartën Europiane të gjuhëve Krahinore ose Minoritare (ECRML) të Këshillit të Europës (CoE) – Greqia as e ka firmosur kurrë, ndërsa Franca nuk e ka ratifikuar ende që nga diskutimet e viteve 1990 – sido që institucioni i CoE dhe zyrat e ECRML në dokumentet e tyre zyrtare, vazhdimisht i sigurojnë vendet që vetë-perceptohen si kështjella mesjetare të mbrojtjes së homogjenitetit të vet kulturor e gjuhësor, se qëllimi i Kartës nuk është mbrojtja dhe as mbështetja e minoriteteve si grupime njerëzore, por vetëm e gjuhëve dhe kulturave si pjesë e pasurisë së përbotshme. Sidoqoftë, siç thashë më lart, historiografia dhe gjuhësia e dekadave të fundit për Greqinë (nisur kryesisht me studiues grekë ose jo, edukuar me metodologji bashkëkohore gjatë studimeve pasuniversitare sidomos në MB dhe USA), ka një vështrim shumë më kritik e të nuancuar në studimin e këtyre temave.
Arvanitët, për rrethanat historike të territorit ku u ndodhën, nuk ndërtuan një elitë të unifikuar që të artikulonte ndonjëherë një qenësi homogjene etnike e politike të tyre. Kur elita arbëreshe, edhe ajo e armatosur me ideologjitë po aq nacionaliste të kohës, mori një drejtim tjetër duke u lidhur dhe shpesh përkujdesur për gjendjen e shqiptarëve, grupit që e kish njohur si origjinën e vet etnike, ngulimet arvanite për arsye diskutuar më lart, pësonin dhe reagonin ngadalë dhe kryesisht kundër krenarisë së të qenit ndryshe. Por arvanitishtja dhe folësit e saj patën një fat të mirë më vonë: etniciteti dhe gjuha e tyre si dukuri sociale e gërshetuar me ideologji gjuhësore komplekse, është studiuar nga gjuhëtarë dhe antropologë ndër më të mirët që mund të gjendeshin në botë. Përmend Hamp, Trudgill, Tsistsipis, e Jochalas, si kryesorë mes tyre. Brezi i studiuesve grekë më të rinj pas 2000-ës është po ashtu i admirueshëm për sensin e vet kritik dhe gjerësinë e hulumtimit.
Ka shumë studiues shqiptarë, grekë e ndërkombëtarë që janë marrë me arvanitët, por pak syresh janë marrë vetëm me aspektet realiste të ekzistencës së tyre gjuhësore materiale, pa faktorizuar ndër këto elemente trysni nacionaliste dhe heroiko-romantike, madje edhe sentimentale. Kam një respekt të veçantë për të ndjerin Lukas Tsistsipis që na la pas veç disertacionin (1981) e vet të vyer dhe disa studime gjuhësore kthyer në librin pa çmim “A linguistic anthropology of Praxis and Language Shift – Arvanitika (Albanian) and Greek in contact” (1998). Ka dy gjuhëtarë të tjerë po ashtu me integritet shkencor sipëror, që kanë trajtuar nga afër dhe kanë shkelur pëllëmbë për pëllëmbë zonat arvanitfolëse të Greqisë: Eric Hamp dhe Titos Jochalas. Jochalas i rri larg sociologjisë së gjuhës, por ky është gjuhëtari më i rëndësishëm sot në fushë të arvanitishtes. Hamp, nga ana tjetër, ka punuar gjithnjë sipas metodologjisë së filologut klasik me prirje nga gjuhësia historike, e duhet t’ia qëmtosh tekstet nga pak e me bisturi, veç atyre të pakëtave që japin disa paraqitje më tërësore të gjendjeve sociolinguistike të komuniteteve në shqyrtim.
Pjesën e parë të këtij punimi dua ta mbyll me një titull nga më intriguesit të njërit prej artikujve të Trudgill[xvi] për arvanitët dhe gjuhën e tyre: “Pse shqiptaro-grekët nuk janë shqiptarë”. Nuk mund të formulohej më bukur dilema për një realitet etnik e sociolinguistik si ky që kemi diskutuar më sipër. Kemi rishtas po atë pyetje së cilës i referohet me një formulim disi të ndryshëm dijetari i 1850-ës në shkrimin e Dhori Qirjazit më lart, por tashmë me një përgjigje të pjesëshme. Të vërehet se Trudgill pohon që arvanitët nuk janë shqiptarë, por ama nuk dëshmon në formë eksplicite dhe as implicite që ata të jenë grekë. Por këtë, sot, mund ta dëshmoj unë: arvanitët sot janë grekë. Por, edhe pse mendoj kështu, kjo nuk është pjesa që më intereson fort të zbuloj, pra nëse janë shqiptarë apo grekë. Ajo që është e rëndësishme për mua është rruga – si e kanë jetuar etnicitetin e vet, si e kanë ndërtuar atë në mënyrë diskursive, dhe çfarë pasojash konkrete ka sot të jetuarit si “tjetri”, i padëshiruar e i përbuzur për kaq kohë. Në pjesën e dytë do të diskutoj këtë zhvillim diskursiv me pole kundërshtare si një negociim jo esencialist i identitetit etnik arvanitas. Shpresoj që askush të mos vërë në dyshim që sot ata janë grekë. Por duhet të analizohet me sy kritik si erdhën këtu. Ishin vërtet ata që “zgjodhën” të ishin grekë në një klimë kur mund edhe të mos e zgjidhnin këtë? Është vërtet një etnicitet i boshatisur apo janë ata “një grup me gjuhë por pa etnicitet”? Më duket mision i vështirë përcaktimi i periudhës: mirë që arvanitët u bënë grekë, por kur tamam ndodhi kjo, që padyshim nuk është as një shndërrim kudo i njëtrajtshëm. Si kontribuon në këtë diskutim përdorimi diskursiv opozitar që është tipik në elementët anaforikë, sidomos “ne” dhe “ata”, si edhe në kuptimin dhe rikuptimësimin e të shumëdiskutuarës, fjalës “shkljerishtë”?
(vijon)
© 2023 Eda Derhemi. Të gjitha të drejtat janë të autores.
[i] “cultural exclusionism” – ideologji dhe praktikë e përjashtimit të dikujt apo një grupi prej një komuniteti, sidomos për arsye etniciteti, race etj.
[ii] Ka një ndryshim mes fjalës së qiellëzorizuar “arvanjit” përdorur prej folësve të gjuhës dhe disi më të vjetër në moshë, dhe asaj jodialektore “arvanit” përdorur prej më të rinjve që gjuhën s’e kanë folur.
[iii] Shih Qirjazi, Dhori. Peizazhe të fjalës.
[iv] Për hollësi, lexoni shkrimin tim në Peizazhe të Fjalës: https://peizazhe.com/2012/09/10/hydra-arvanitet-dhe-doktorimi-i-historise/
[v] Term i përdorur së pari lidhur me arvanitët prej Eric Hamp, 1978: 161-162, në artikullin “Problems of multilingualism in small linguistic minorities”
[vi] Pa dyshim, shfaqen si thyerje të kësaj qasjeje episode kur ushtarë arvanjitë e shqiptarë komunikonin si “tanët” dhe ndihmonin njëri-tjetrin ve në luftën italo-greke; si edhe episode të një lidhjeje afërsie, sido që të sikletshme mes imigrantëve shqiptarë dhe arvanjitëve nëpër katundet e tyre sot.
[vii] Weber [1922] 1978, pp. 389 – as analyzed in 2020 by Elke Winter in Winter E. (2020) On Max Weber and Ethnicity in Times of Intellectual Decolonization, in «Cambio. Rivista sulle trasformazioni sociali», Vol. 10, n. 20: 41-52.
[viii] In “Old and new identities, old and new ethnicities”
[ix] Magliveras, Simeon. 2009. “The ontology of difference: nationalism, localism and ethnicity in a Greek Arvanite village”. Durham University.
[x] Bintliff, John. 2003. “The ethnoarchaeology of a ‘passive’ ethnicity: The Arvanites of Central Greece.” In Brown and Hamilakis (Eds.). The usable past. Greek Metahistories. Lanham-Boulder: Lexington Books.
[xi] “hollow” është termi i përdorur prej Theodossopoulos (2007).
[xii] Qirjazi, Dhori. 2023. “Përimtime dhe saktësime të teorisë pellazgjike” Peizazhe të fjalës. https://peizazhe.com/2023/08/14/dege-elinesh-me-rrenje-pellazgesh/
[xiii] Salikoko Mufwene në shkrimet e veta që prej 2001, mbron tezën se disa lloj kolonizimesh (si p.sh., kolonizimi me synim tregtar) nuk çojnë në rrezikim gjuhësor. Ai gjithashtu mbron tezën se ekologjitë gjuhësore janë ato që vendosin drejtimin e ruajtjes së vitalitetit ose jo, dhe se interesat ekonomike të folësve janë ata që duhet të udhëheqin qasjet e gjuhëtarëve (ide të cilat unë i ndaj me të vetëm pjesërisht).
[xiv] Hamilakis, Yannis. 2007. The nation and its ruins: antiquity, archeology, and national imagination in Greece. Oxford University Press.
[xv] Wright, Sue. 2004. “What is a language? Some difficulties inherent in language rights” (FEL, Barcelona).
[xvi] Trudgill, Peter, George A. Tzavaras (1977): “Why Albanian-Greeks are not Albanians: Language shift in Attika and Biotia.” In: H. Giles (ed.), Language, ethnicity and intergroup relations. London: Academic Press. 171–184.
Mos ndoshta arvanitasit u ndikuan nga paftesia e shqiptareve, ne kater vilajetet e atehereshme, qe te shkeputeshin nga Turqia dhe konvertimi i tyre ne fene islame? Nese kjo ka qene arsye/ja, pas pavaresise se Greqise kjo arsy ka ardhur vetem duke u forcuar.
Eshte veshtire te shpjegohen ne nje koment te shkurter por dinamikat e shkeputjes se shqiptareve nga Turqia nuk jane ashtu si shojegohen nga historia zyrtare apo e pranuar mainstream si i thone kauret .Po ashtu Greqia ironikisht ndihmoi ne formimin e ndergjegjes kombetare te shqiptareve nepermjet gjimnazit Zosimeai cili shkolloi figurat kryesore te Rilindjes.Shqiptaret deri ne oret e fundit perpara se te nisej I Qemali per ne Vjene nuk e kishin ndare mendjen se donin autonomi apo shkeputje nga Turqia .Ky muhabeti i identiteteve eshte i nderlikuar pasi nje grup etnik pasi ka jetuar per nje kohe te gjate mes nje grupi tjeter etnik ,nuk e dine se c’jane me pas disa brezave .per te kuptuar historine ndoshta do behet mire te studiohet emigracioni i sotem shqiptar ne greqi .femijet e tyre te lindur e rritur ne Greqi cfare jane?
Një krahasim mund të bëhet me vllehët (arumunët), një popullsi e shpërndarë në Ballkan. Janë të afërt me rumunët, por JO i njëjti popull me ta. Shumë prej nesh bëjnë një gabim esencialist – nuk e pranojnë dot se një etni, një popullsi, mund të ndërrojë natyrë në rrjedhë të kohës. Për ta, që dikush ka qenë A, është provë më se e mjaftueshme që ka mbetur A edhe sot.
Pikerisht! Shkrimi ndertohet mbi kete ide si baze: “etniciteti” i arvaniteve as ka qene dhe as eshte nje kompleks statik.
Dhori Qiriazi ka nje njohje te mire te rolit te Zosimeas dhe veshtiresive per te studiuar arkivin e shkolles dhe nxenesve ne te. U perpoqa te kerkoja ne Janine para dy vjetesh, por pa shume sukses. Nje shkolle me nje rol te madh per rilindjen e shqiptareve.
Ne menyren se si perpiqem te ndertoj arsyet historike te levizjeve gjuhesore dhe ideologjive gjuhesore nder arvanite, me ndihmon shume krahasimi i gjendjeve nder ta dhe atyre te arberesheve. Kane ndryshime keto grupe, pa dyshim, por paralelizmat e ngritura mes tyre per arsye studimi, jane fort ndihmese.
Arvanitet mbeten shqiptare, por si ortodokse paten fatin t’i neshtroheshin Patriarkanes se Stambollit, e cila ishte zedhenese e helenizimit ne kuptimin kulturor.
Ne periudhen e nacionalizmit ata u ngriten kunder sundimit osman dhe tiranise otomane te Ali Pashes.
Nderkohe qe kishte bashkepunim nder arvanitas pavaresisht nga feja, mijera myslimane dhe katolike shqiptare i luftuan ne vatrat e tyre ne emer te turqizmit, duke i shtyre drejt bashkimit me greket.
Per fat te keq, as Ali Pasha nuk kishte deshire te perfshihej ne levizjen nacionaliste.
Nderkohe qe Aliu luftonte per ruajtjen e zoterimeve e te pasurise se tij, arvaitasit iu bashkuan projektit kombetar filohelen qe çoj ne pavaresine e Greqise.
Per te kuptuar fajet historike te arvanitasve, duhen marrë në konsiderate edhe fajet historike te Ali Pashes dhe Bushtllinjeve qe i luftuan arvanitasit ne emer te sulltanit.
Edhe faj i te gjithe krereve shqiptare te te tre besimeve qe nuk u ngriten ne lartesine e misionit historik te tyre.
Edhe austriaket flasin gjermanisht, por nuk jane gjermane.
E ca jane, kineze ? Sigurisht qe jane gjermane, jane bavareze me saktesi, e per shekuj kane qene ne krye te gjithe gjermaneve. Thjesht kane humbur ca luftera.
Si arvanitet jane shqiotare toske, ne asimilim e siper se fituan luften per te tjeret dhe e humben per veten.
Kur hiqesh kompetent si puna jote ben edhe keshtu gafash. Shko thuaje ne Vjene kete qe shkruajte ketu dhe pastaj ik me vrap se do te te vesulen me kopaçe dhe do te mbetesh pa krye fare, pa le qe te gjate s’ke per ta pasur.
Dhe ate punen e te qenit ne krye te gjermaneve e ke krejt gabim. Kane qene ne krye te hungarezeve, serbeve, slloveneve, kroateve e bosnjakeve, edhe çekeve, pyet Shvejkun per keta te fundit. Sa per gjermanet, ata kane qene te organizuar ne feude te vecanta deri sa u bashkuan ne Mbreterine e Prusise, pra or zoteri gjermanet nuk kane qene qeverisur ndonje here prej austriakeve.
Bavarezeve te vjenes mund tu duket vetja kongoleze e te mbrojne bindjen me kopace, por une s’merrem me hunj. Se edhe atij i dukej vetja kokerr misri, pasi e binden qe nuk ishte kokerr misri, tha mire une qe e kuptova qe s’jam kokerr misri, po kokoshi a e di.
Nuk po flasim ketu per probleme te psiqikes kolektive, nqs vjenezet jane te bindur se jane kokrra misri ashtu le te rrine, se mu prish gjiza mua.
Ketu flasim per te verteten, qe ne teme ka lidhje me tosket arberore apo arvanit ne Greqi. Ata mund te behen greke, kongoleze dhe kokrra misri, por kjo nuk e zhben faktin qe jane toske, flasin nje variant te qarte te toskerishtes, veshje, tradita, zakone, kenge e valle si tosket e tjere dhe si te tille jane shqiptare.
Me fal zoteri, tashti qe e kuptova qe ju keni monopolin e te vertetes universale, terhiqem me pervuajtje dhe nuk do te mar guximin t’ju kundeshtoj edhe sikur te thoni qe toka eshte e sheshte, sepse sapo ta thoni ju toka do te behet petull.
austriaket dhe arvanitet do i konsideroja dy grupe me histori zhvillimi aq te ndryshme mes tyre, sa zor t’i bashkoja per ndonje krahasim.
Komplimente zj.Eda, nje analize pak e dhimbshme, por shume e munguar. “Arvanitizmi” si “kosovarizmi” apo “arnautistanizmi” jane fenomene “autoktone” te manipuluara nga te gjitha anet, sepse askush nuk do ti shohe akoma ato objektivisht, por kjo eshte e verteta. Shqiptaret (si grupim “etno-identitar”) jane keshtu sepse ata ne shekuj as nuk kane dashur, as nuk kane ditur, as nuk kane dashur te dine se pse jane shqiptare dhe pse eshte mire me qene shqiptare, deri kur pane Rita Oren dhe Dua Lipen te bejne shqiponjen, Edi Ramen te beje imazhe instagrami dhe kombetaren te beje gola. Per kete se ka fajin as “serbi” as “greku” dhe as Zoti (mbase?). Shqiptaria mbeti e shtrember si bishti i qenit, se bashku me krenarine tone boshe. Deri kur eshte pyetja !?
Vasko Basha, eshte gjendja natyrore e cdo etnie qe te vijoje jeten apolitikisht dhe qe cdo zgjerim te jete produkt i nje pakice sunduese. Nuk mund te akuzosh shqiptaret pse kane vijuar jeten per mijera vjet ne menyre natyrore e rrjedhimisht apolitike, kjo eshte ne natyren e etnise. Politizimi i etnise vjen nga nevojat e pakicave sunduese. Shqiptari eshte shqiptar pavaresisht cdo entiteti shteteror. Se e njejta gje nuk mund te thuhet per shume popuj te tjere, nuk do te thote qe shqiptaret jane ne gabim. Diamanti eshte i tille edhe nqs gelltitet nga derri.