Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Narratologji

ATA QË KTHEHEN (I)

“Feakasit besojnë se çdo njeri e jeton jetën e vet si
personazh në një histori të rrëfyer prej një tjetri.”

Dimë që Odiseu mori gati 20 vjet për t’u kthyer në Itakë – mes kohës që kaloi në Trojë dhe peripecive të udhëtimit në det. E kish lënë vendlindjen ende i ri, por tani i ri nuk ish më; madje do ta quanim burrë në moshë, të paktën për kohën. E dimë edhe se iu deshën ca përpjekje për ta provuar se cili ishte, madje edhe me njerëzit e rrethit të vet të afërt. Zgavra që kish lënë pas, në ishullin e vet, ish tkurrur aq sa pothuajse të mos kish më vend për të. Nëse do ta njihnin nëpërmjet kujtimeve, mbase edhe kishin pritur – natyrshëm – që të shihnin sërish Odiseun ashtu siç i kishte lënë.

Pyes: sa ishte i njëjtë ky njeri, me atë që ish nisur për Trojë? I kthyeri sillte me vete përvojën e viteve në luftë dhe pastaj të aventurave në Mesdhe: nga Kali i drunjtë që u kish dhënë akejve fitoren, te Polifemi te Skila dhe Kharibdi, te sirenat dhe kënga e tyre dhe Circja dhe romanca e gjatë me nimfën Kalipso: vetëm me Kalipson Odiseu ndau shtrat për shtatë vjet! Nga njëra anë, emri dhe kujtimet e vendlindjes, malli dhe vullneti për t’u kthyer te Penelopa dhe Telemaku dhe pjergullat e Itakës; nga ana tjetër kujtimet e jetës së jetuar tutje, në një botë përtej horizontit, mes njerëzish, Perëndish dhe krijesash të tjera. Nga do të rëndonte peshorja?

Aq i ndryshëm ishte ky Uliks, produkt i njëzet vjetëve që kish qenë larg Itakës, sa veç vendosmëria e Penelopës, për ta pasur sërish në shtrat, ia garantoi nëjtësinë me të ikurin e dikurshëm. Njëjtësí që doemos sillte me vete edhe njohjen e titujve, privilegjeve, pronave dhe – mbase më e rëndësishme – pozicionit në familje. Mbase edhe masakra e mëtonjësve shërbeu si një lloj kushti absurd, për ta pranuar të vjetrin si vazhdim të së riut, dhe për të mbuluar pamundësinë e restaurimit të personit. Kjo masakër mbase do parë si historia e vrasjes së Odiseut të ri, të para-Trojës, nga ky i tanishmi.

Siç e kanë vënë në dukje studiuesit e poemës dhe siç mund ta konstatojë çdo lexues, Odiseut i vjen ndoresh që të veshë identitetin e tjetërkujt – në librin IX, i prezantohet Polifemit si “Askushi”; në librin XIII hiqet si një person nga Kreta, që ka vrarë atje Orsilokun, djalin e Idomeneut, vrapuesin më të shpejtë në Kretë; dhe se e vrau sepse ky donte që t’ia merrte plaçkën e luftës që kish sjellë nga Troja, e kështu me radhë; më tej, në librin XIV i paraqitet derrarit Evmé si me origjinë sërish nga Kreta, bir i një skllaveje që i ati, Kastori bir i Hilaksit, e pat blerë si konkubinë dhe se ka luftuar në Trojë; në librin XVII, i thotë Antinout se e patën shitur si skllav në Egjipt dhe iu dhurua Dmetor-it nga Qiproja; në librin XIX thotë është një nga djemtë e Deukalion-it, Aethoni, vëlla i Idomeneut, dhe se e ka mikpritur Odiseun për dymbëdhjetë ditë dhe se i ka dhënë dhurata, një shpatë bronzi dhe një mantel të purpurt. Po aty rrëfen se Mbreti Faidon i ka thënë se Odiseu po jeton me thesprotët dhe se ka pranuar dhurata nga feakasit. Në librin XXIV i shfaqet të atit, Laertit, si dikush që e ka takuar Odiseun dikur, dhe ky i ka folur për Laertin, dhe se ky e ka pritur Odiseun mirë dhe e ka përcjellë me dhurata; ndërsa i ati i përgjigjet se Odiseun e kujtojnë për të vdekur, edhe ai edhe e shoqja Penelopa. Kur Laerti e pyet se cili është tamam, Odiseu i thotë: “Unë vij nga Alybas, ku kam një shtëpi të bukur. Jam djali i mbretit Apheidas, që është i biri i Polypemon-it. Emri im është Eperitus… Tani janë bërë gjashtë vjet qëkur Odiseu u largua nga viset e mia. I shkreti, e megjithatë, shenjat ishin për të të mira, kur u largua.” E kështu me radhë. Odiseu jep kështu versione tejet të detajuara, por gjithsesi të rreme, të identitetit të tij, gati duke u shndërruar në një konfabulator; çfarë dëshmon jo vetëm natyrën e tij dinake, por edhe – me rëndësi për argumentin këtu – që në lashtësi identiteti i kujtdo përfaqësohej nga rrëfimi autobiografik.

Dyshimi, që i kthyeri rishtas të ishte impostor e çon përpara rrëfimin në këngët e fundit të poemës. Në atë kohë, identiteti i dikujt nuk mund të provohej, veçse me prova narrative – me një kujtim intim, një sekret të përbashkët (një realitet të bashkëndarë), ose edhe një shenjë plage në trup, që edhe ajo ndillte rrëfimin përkatës. Pa këto kujtime dhe shenja, Odiseu do të mbetej askushi. Madje edhe po të vihej përballë imazhit aq me kujdes të kultivuar dhe të ruajtur për të, nga Penelopa dhe Telemaku. I duhej të shtynte jashtë skene rivalin e vet kryesor, Odiseun imagjinar që jetonte dhe mbijetonte në përmasën e Heroit, atij që gjithnjë kthehej por edhe që gjithnjë mbetej larg. I duhej të shtynte jashtë skene identitetin e vet si ai që do të kthehej, qenien e vet të ngecur si amanet dhe shpresë mes së shkuarës dhe të ardhmes, por pa substancë në të tashmen.

Poema ka megjithatë fund të lumtur – i kthyeri pushon së qeni pritje e atyre që e dëshironin të kthehej dhe e rifiton hapësirën që ia kish ngushtuar ikja.

Një kontrapunkt për identitetet e shumëfishta të Odiseut e ofron libri quasi borgesian i Zachary Mason-it, The Lost Books of the Odyssey, që i përshkruhet lexuesit – postmodernisht – si 44 variacione koncize të rrëfimeve në poemën e Homerit, të nxjerra nga një papirus pre-ptolemean i zhgërmuar nga pirgjet qiklopike të plehrave, në Oxyrhynchus të Egjiptit. Në një nga këto rrëfime apokrife, Odiseun e shohim të kthehet në Itakë dhe ta gjejë Penelopën të martuar; dhe të dy këta, gruan e tij dhe të shoqin e saj, të thinjur, të rrudhur dhe të plakur. Në një rrëfim tjetër, Odiseu ndeshet, një natë në kampin grek, me kopjen e vet, që tani jeton misteriozisht mes trojanëve, i martuar dhe me fëmijë, dhe e quan veten Iapetus. Kjo kopje di gjithçka që di edhe Odiseu i grekëve, madje kultivon në mendje edhe ato kujtime të fshehta, që nesër do t’i duhen për të provuar identitetin e ri. Të dy ndahen gjysmë miqësisht, gjithsekush i lejuar t’i bindet fatit të vet; para se tjetri të largohej, Odiseu i dhuroi një çantë me ushqime, një tjetër me flori, armë të ndryshme dhe armaturën që ai vetë ia kish zhveshur një heroi trojan të vrarë. Më pas, kur Troja bie, Odiseu bisedon me një skllave që i kish përkitur dikur Iapetus-it; e cila i tregon se padroni i vet një ditë ish çmendur, kish filluar të fliste me një theks të çuditshëm dhe mu para se të arratisej nga Troja me një çetë besnikësh, i kish hapur vetes një plagë të thellë në kofshë. Shumë vjet kaluan, por më fund Odiseu mbërriti në Itakë dhe atje e takoi kipcin e vet sërish, Iapetus Trojanin, që mbretëronte atje uzurpator, krah Penelopës, baba krenar i Telemakut. Ky e priti me të gjitha nderet dhe e përcolli me dhurata: ushqime, një çantë me flori, një armurë fisniku dhe me këto fjalë: “nga ne të dy, ti je më i lumturi, sepse je i çliruar nga domosdoshmëria.” Çfarë edhe të bën të mendosh se mashtruesi, uzurpatori, impostori e luan gjithnjë më mirë rolin e atij që ka zëvendësuar, sepse sjellja e të parit është e skriptuar, dhe atij nuk i lejohet vullneti i lirë (free agency): në çdo moment, është duke vënë në skenë dikë tjetër, dhe për këtë i kërkohet vetëdije dhe vigjilencë.

Te libri i Mason-it gjej edhe këtë frazë lapidare, që autori ia vë në gojë Alkinout: “Feakasit besojnë se çdo njeri e jeton jetën e vet si personazh në një histori të rrëfyer prej një tjetri.”[1]

(vijon)

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin