Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Gjuhësi

PARADOKSI I NDRYSHIMIT GJUHËSOR

Idenë e ruajtjes së shqipes në malet e ndesh që te letrat e famshme të Leibniz-it, dhe pastaj të rimarrë, në forma të ndryshme, nga dijetarë të mëvonshëm: në gjeografitë e atyre shekujve, mali këqyrej si rifugio për kulturat dhe gjuhët përndryshe të rrezikuara.

Përballë malit, fusha, qyteti dhe veçanërisht bregu i detit ishin vende ku një kulturë e rrezikuar i ekspozohej asimilimit dhe, në analizë të fundit, zhdukjes – për shkak të përzierjes dhe ndikimit të një kulture që gëzonte avantazhin e tregut, por edhe të armëve.

Historia e Mesjetës së hershme ka regjistruar raste të shumta kur popullsitë sedentare vendëse janë detyruar të zhvendosen dhe të ngjiten në mal, për të mbijetuar, përballë dyndjeve të njohura si “barbare”: gotët, sllavët, avarët, që lëviznin nëpër luginat e lumenjve dhe përhapeshin në ultësirat. Një shembull nga Shqipëria do të ishte kultura e Komanit.

Ky model e paraqet malin si vend konservacioni, ruajtjeje të një gjendjeje të kulturës dhe të gjuhës, që gjetiu do të zhdukej, në kontakt asgjësues me Tjetrin.

Nga ana tjetër, në qoftë se e shohim territorin e një kulture dhe gjuhe si hapësirë a zonë të rrafshët – të themi si rreth – atëherë do të duhet të marrim parasysh edhe ndonjë parim të gjuhësisë areale, sipas të cilit qendra e kësaj hapësire inovon më shpejt, ndërsa periferitë ruajnë forma arkaike (neolinguistica e Matteo Bartoli-t, të cilin e ndesh të cituar shpesh nga Çabej).

Është vërejtur, mes të tjerash, se dialektet “qendrore” të shqipes kanë inovuar shumë më shpejt e më fort, se dialektet periferike, të cilat, nga ana e tyre, kanë ruajtur forma që gjetiu kanë ndryshuar.

Këto dy modele – ai i malit si zonë konservacioni, dhe ai tjetri i qendrës si zonë risimesh – i kundërvihen njëri-tjetrit.

Natyrisht, risimet janë të llojeve të ndryshme: një dialekt periferik, si çamërishtja, mund të ketë ruajtur tipare fonetike arkaike, por të ketë inovuar në leksik, si pasojë e kontakteve me greqishten.

Një gjuhë që tërhiqet në mal, së bashku me folësit e saj, mund të ruhet si gjuhë, dhe njëherazi të ndryshojë me ritme relativisht të shpejta për arsye brendagjuhësore siç mund të ndodhë, në qoftë se tërheqja në mal dhe izolimi ka mbledhur bashkë folës dialektesh gjeografikisht të ndryshme, që tani duhet të gjejnë një mënyrë të re për të komunikuar së bashku. Ky proces, i ndryshëm nga kreolizimi që parakupton përzierje gjuhësh të ndryshme, është quajtur ndonjëherë koineizim.

Dhe ja paradoksi: një gjuhë e rrezikuar, që arrin të ruhet, por vetëm duke iu larguar së shkuarës së vet.

Shumë gjuhëtarë mendojnë se shkrimi luan rol fiksues në gjuhë, duke e ngadalësuar inovimin – sa kohë që folësit u referohen formave të shkruara të fjalëve, për t’i mbajtur të qëndrueshme në kohë. Për shembull, anglishtja në të dy anët e Atlantikut është mbajtur relativisht e njëjta, falë alfabetizimit dhe të shkruarit masiv.

Folësit e një gjuhe që nuk shkruhet e kanë më të vështirë që t’i rezistojnë prirjes së natyrshme të gjuhës për ndryshim – ata besojnë se po flasin absolutisht të njëjtën gjuhë, pa qenë të vetëdijshëm për proceset shndërruese.

Shqipen e tërhequr në mal, sipas kësaj hipoteze, mund ta përfytyrojmë si në proces ndryshimi të shpejtuar; ku ndryshimin e lehtëson mungesa e të shkruarit, ndërsa shpejtimin e kushtëzon përzierja brendagjuhësore (fakti që në mal bashkëjetojnë ardhës nga zona të ndryshme dialektore).

Gjuhësia krahasuese tregon se disa gjuhë ndryshojnë më shpejt se gjuhë të tjera – edhe pse ndryshimi është thjesht mënyra si ekziston gjuha. Duket edhe sikur shkrimi, dhe veçanërisht alfabetizimi masiv, e kanë ngadalësuar ndryshimin gjuhësor – por për këtë ka diskutime.

Me intuitë, duket e vështirë që në shqipen e sotme të ndodhë një ndryshim si ai që dikur çoi në shumësin pleq të njëjësit plak.

Kjo do të thotë edhe se gjuhëtarët, edhe pse janë në gjendje ta shpjegojnë mirë pse plak bën pleq në shumës (duke i shkoqitur proceset fonetike, fonologjike dhe morfofonologjike), nuk mund të shpjegojnë mirë pse ky lloj shumësi e humbi pastaj produktivitetin në shqipe.

Kjo kontradiktë, në mos paradoks, ku ruajtja shoqërohet me risi të përshpejtuara, kërkon një përkufizim më të mirë të vetë konceptit të ruajtjes së gjuhës: krahasimi këtu vjen natyrshëm me anijen e Tezeut – së cilës në rrjedhë të kohës ia kishin ndërruar të gjitha pjesët, e megjithatë kish mbetur po ajo.

Shqipen e kemi të dokumentuar që prej shekujve XV-XVI, por studiuesit e historisë së saj mendojnë se ajo ka rinovuar shumë, në krahasim me modelin indoeuropian. Nëse ndryshimet në leksik janë zakonisht triviale, ato në fonetikë (fonologji) dhe në morfologji kanë rëndësi të madhe, veçanërisht ato që gjykohet të kenë ndodhur në faza më të hershme të gjuhës.

Për shembull, rotacizmi ose njësimi në trajta i gjinores dhe i dhanores është shumë më i rëndësishëm për historinë e shqipes, se hapja në diftong e zanoreve të larta të theksuara në të folmet e gegnishtes qendrore (p.sh. pajk për pikë).

Gjithsesi, nëse do të kishim një mundësi ta ndiqnim një gjuhë teksa kjo ndryshonte në kohë, aq sa të shndërrohej në një gjuhë “tjetër” (siç ka ndodhur me latinishten që u shndërrua në italishte), nënat do të ishin gjithnjë të bindura se po u mësonin fëmijëve atë gjuhë që kishin mësuar prej nënave të tyre.

Nëse sot jemi në gjendje të pikasim ndonjëherë ndryshime gjuhësore në proces e sipër, kjo ndodh zakonisht ngaqë e kemi teknologjinë për t’iu referuar formave më të vjetra (shkrimin, regjistrimin audio).

Për të njëjtën arsye, është më mirë që të flasim për variacion gjuhësor në sinkroni (bashkëkohësi) dhe ndryshim gjuhësor në diakroni.

Një gjuhë, përfshi këtu edhe shqipen, është gjithnjë e krahasueshme me anijen e Tezeut: sepse ndryshon vazhdimisht, duke mbetur e barabartë me veten. Por ky nuk mund të përdoret si argument, për të mbrojtur ekzistencën e ndonjë “thelbi abstrakt” imanent të një gjuhe, që e dallon nga të tjerat. Dhe kjo edhe ngaqë dallimet vetë u nënshtrohen ndryshimeve në rrjedhë të kohës.

Me Saussure-in do të themi se çfarë ruhet është vetëm diferenca.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Ilustrimi: Photo by Linus Nylund on Unsplash


 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin