Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Gjuhësi

ARTIKULLI I SCIENCE – ZGAVRA ÇABEJ

Artikulli në “Science” e rindërton historinë e përftimit të gjuhëve indoeuropiane duke u nisur nga një krahasim i leksikut themelor të këtyre gjuhëve – krahasim i cili pastaj i nënshtrohet modelimit statistikor. Për secilën gjuhë, është hartuar një listë fjalësh e hartëzuar mbi një skemë kuptimesh të njëjta (supozuara si universale, version i korrigjuar i listës Swadesh, me gjere këtu): për shembull, lista për një gjuhë të caktuar përmban fjalën që përdor ajo gjuhë për kuptimin e shprehur nga anglishtja ash. Kjo anglishte ash shërben edhe si instancë e rrënjës në anglishten e sotme, edhe si simbol “metagjuhësor” i kuptimit përkatës: shqip hi, “ash”. Supozimi është se, duke qenë koncepti elementar dhe universal, gjuhët indoeuropiane e kanë pasur fjalën në momentin kur janë shkëputur nga trungu. Disa e kanë ruajtur deri më sot, të transformuar; të tjera e kanë humbur dhe e kanë zëvendësuar me ndonjë fjalë tjetër.

Në vija të trasha, leksiku i çdo gjuhe indoeuropiane përbëhet nga (1) fjalë të trashëguara nga fondi i përbashkët (2) fjalë të huazuara (3) fjalë të krijuara në rrjedhë të kohës, me mjete të ndryshme. Veç këtyre grupeve të mëdha, ka edhe fjalë me status të papërcaktuar: për shembull, Beekes ka gjetur mbi 1000 të tilla në greqishten, të cilat ai i sheh si “paragreke”.

Që të kryhet analiza e referuar në artikull, fjalët e listës themelore, për çdo gjuhë, duhen hartëzuar me një farë sigurie. Për shembull, për shqipen, është dashur të përcaktohet se cilat fjalë janë të fondit indoeuropian dhe cilat huazime. Këtë gjenealogji të fjalëve nuk e kanë hartuar autorët e artikullit, por e kanë gjetur të gatshme, në studimet dhe fjalorët etimologjikë.

Nëse huazimet është gjithnjë më e lehtë që të identifikohen, fjalët e fondit të trashëguar kërkojnë trajtim të specializuar. Për shembull, për shqipen ve(zë) është rindërtuar një bazë indoeuropiane *h₂ōu̯ió-. Shumë baza ose “rrënjë” indoeuropiane kanë pamje të tilla të çuditshme – dhe është më mirë që të interpretohen si formula algjebrike (ose kimike), të cilat përmbledhin në vetvete format e ndryshme për “vezë” në ato gjuhë, ku kjo rrënjë është ruajtur: në greqishte, armenishte, iranishte, sllavishte, gjermanikishte, italikishte dhe keltishte. Te kjo tabelë lexuesi do të gjejë format e ndryshme që ka marrë rrënja indoeuropiane në gjuhët e shqyrtuara në artikull. Nga tabela mësojmë se edhe polonishtja jajko, edhe gjermanishtja Ei, edhe frëngjishtja œuf, edhe osetishtja ajk, edhe irlandishtja e vjetër og e kështu me radhë, janë të gjitha vazhdime të rregullta të rrënjës *h₂ōu̯ió-, ku mbiemri “të rregullta” ka të bëjë me konsistencën e ligjësive fonetike, specifike për secilën gjuhë.

Rrënjët indoeuropiane të shumë fjalëve shqipe të fondit themelor janë “formuluar” prej etimologëve – Gustav Meyer-i, Jokl-i, Çabej dhe të tjerë. Që t’ia gjesh rrënjën një fjale nuk do të thotë thjesht të rindërtosh formën që ka pasur ajo mijëra vjet më parë, por edhe të përshkruash – së prapthi – rrugën e shndërrimeve që kanë pësuar fjalët e rrjedhura nga rrënja indoeuropiane përkatëse.

Për gjuhë si shqipja, etimologjia e fjalëve vështirësohet nga mungesa e dokumentimit – veçanërisht për fjalët e trashëguara, gjuhëtari nuk mund ta dijë me siguri formën që ka pasur fjala, të themi, para 2000 vjetëve.

Një fjalë si zog, e cila është pjesë e fondit 170-fjalësh të shqipes që ka përdorur studimi i “Science”, është interpretuar në mënyra të ndryshme nga etimologë të ndryshëm, siç mund të shihet nga tabela më poshtë, e nxjerrë nga referencat e artikullit:

Në tabelë nuk mungon “babai” i etimologjisë shqipe, Gustav Meyer-i, por shumica e autorëve të cituar janë bashkëkohorë. Si edhe gjetiu në studim, etimologjitë u referohen veprave të B. Demirajt, Martin E. Huld-it, Hans Holm-it, Stefan Schumacher-it dhe Joachim Matzinger-it, dhe veçanërisht Fjalorit etimologjik të Orelit, i cili zë kryet e vendit. Emri që mungon, dhe që ulërin me mungesën e vet, është Çabej.

Besoj se asnjë etimolog tjetër i shekullit XX nuk mund të krahasohet me Çabejn – për metodën e tij etimologjike, njohjen e thellë të shqipes dhe nuhatjen gjuhësore. Përkundrejt Studimeve Etimologjike të Çabejt, Fjalori i Orelit lexohet si ndonjë punim i mirë doktorature, nga një linguist super i talentuar, por që e sodit shqipen nga dritarja e studios (të mbahet megjithatë parasysh edhe se Oreli ka hartuar fjalor dhe kjo ia ka diktuar qasjen specifike ndaj fjalëve që trajton). Atje ku Oreli, dhe indoeuropianistë të tjerë, kujdesen kryesisht të hartëzojnë fjalët shqipe te një rrënjë indoeuropiane specifike, të shtyrë nga një interes, si të thuash, indoeuropianistik teorik, Çabej i trajton fjalët shqipe si produkte shndërrimesh të jashtme dhe të brendshme dhe, para së gjithash, si elemente të një gjuhe dhe të një kulture të gjallë.

Për fat të mirë (të studimit), etimologë si Martin E. Huld, Stefan Schumacher dhe Joachim Matzinger dhe veçanërisht Bardhyl Demiraj – me të rëndësishmet Albanische Etymologien (1997), i kanë njohur mirë dhe i kanë marrë parasysh kontributet e Çabejt në lëmin e etimologjive të shqipes. Arsyet pse Çabej është lënë jashtë gjykoj se kanë të bëjnë me vështirësitë e integrimit të punës së tij në një përpjekje relativisht thjeshtuese, si kjo e artikullit në Science; pjesërisht edhe me atë që vepra etimologjike e Çabejt nuk njihet sa duhet nga indoeuropianistika bashkëkohore[1]; dhe më në fund, me atë që “diskursi” etimologjik i Çabejt mund t’u tingëllojë i vjetruar etimologëve të sotëm. Vetë Çabej e ka pranuar haptazi, më shumë se një herë, se nuk i pëlqente të punonte me rrënjë (abstrakte), por parapëlqente krahasimin me fjalë reale gjuhësh të tjera, çfarë nuk integrohet lehtë me metodat që parapëlqehen sot. Për më tepër, Çabej nuk e ndante historinë e jashtme të fjalës shqipe, ose identifikimin e marrëdhënieve të saj me fjalë të tjera, nga historia e brendshme – përfshi këtu edhe kuptimet e ndryshme të fjalës në të folmet dhe më gjerë, dialektet e shqipes. Ashtu, edhe për zog, ai ka dhënë një etimologji që nuk përkon me këto të tabelës, por që mbase mbështetet më mirë në kuptimet që ka fjala në shqipe.

Nuk jam në gjendje të them nëse mospërfshirja e Çabejt si referencë e ka komprometuar integritetin shkencor të studimit në fjalë, sa i përket shqipes; tek e fundit, Çabej jeton në punën e etimologëve dhe të historianëve të shqipes që kanë ardhur më pas. Më shumë më shqetëson thjeshtimi që ia bën leksikut të shqipes metoda e krahasimit mekanik të fjalëve – e cila detyrohet të shpërfillë mijëra vjet histori të shqipes në trajtën e saj të folur. Distanca mes dy pikave orientuese – ajo kur shqipja u nda nga familja indoeuropiane dhe shqipja moderne, është tepër e madhe, për t’i trajtuar fjalët shqipe si aktualizime formulash të rrënjëve indoeuropiane. Këtë mangësi Çabej e pat kuptuar ndoshta më mirë se të tjerë, dhe ashtu edhe u pat përpjekur për ta zbutur disi me metodën e vet etimologjike.

Nga ana tjetër, analizat dhe modelet statistikore – si ato që përdoren në artikull – kërkojnë pikënisje në mos fare të sigurta, të paktën të qëndrueshme; prandaj edhe autorët janë detyruar t’i lënë mënjanë nuancat dhe mëdyshjet etimologjike, në mënyrë që ta mbajnë shqipen të krahasueshme me gjuhët e tjera indoeuropiane dhe t’ia ruajnë vendin në tabelat e rrënjëve. Edhe ashtu, një pjesë jo e vogël e fjalëve shqipe të fondit 170-fjalësh, si (i) zi, frymë, gërmoj, (i) mirë, zemër, (i) rëndë, gjuaj, akull, qesh, morr, mal, afër, një, gji, vdes, mjegull, shkoj, bluaj, burrë, thua, hundë, heq, (i) kuq, kalb, vrapoj, shoh, qep, fle, (i) vogël, tym, rri, yll, diell, ënj, marr, bisht, (i) trashë, gjuhë, kthej, (i) lagur, krah janë lënë të pahartëzuara, për shkak të etimologjive të pasigurta (pikërisht për këto fjalë gjen një pasuri shembujsh, hipotezash dhe intuicionesh, në etimologjitë e Çabejt). Kam rezerva edhe për disa nga fjalët që janë klasifikuar si huazime, por nuk është vendi që t’i shtjelloj këtu. Por, e përsërit, e kam të qartë që, kur është puna për studime kaq përfshirëse, disa hollësi dhe nuanca do të lihen detyrimisht mënjanë.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: Photo by Brandon Green on Unsplash.


[1] Dhe aq më pak njihet Fjalori etimologjik i Kolec Topallit, i botuar relativisht vonë, për t’u futur në cirkuitet e literaturës referencë të indoeuropianistikës.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin