Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Gjuhësi

KUR EDHE SAUSSURE-I

Shpesh kam kërkuar, edhe publikisht, që gjuhëtarët profesionistë, veçanërisht historianët e gjuhës, të angazhohen haptazi, në mjedise dhe me audienca jo-profesionale, për të mbrojtur këndvështrimin shkencor ndaj historisë së gjuhës shqipe, por edhe më gjerë të albanologjisë, në kundërvënie me qasjet alternative, jo-shkencore, jo-rrallë sharlatane, që sot po popullarizohen – në mënyrë deri kriminale – nga mass mediat, veçanërisht televizioni.

Ka një grup njerëzish, zakonisht pa formim profesional në gjuhësi, që kanë arritur – me bashkëfajësinë e gazetarëve të papërgjegjshëm – të imponojnë bindjen, në publik, se albanologjia profesioniste, përfshi edhe gjuhësinë historike dhe etimologjinë e shqipes, po i shmanget “misionit të saj patriotik” dhe po e shtrembëron të vërtetën lidhur me gjuhën shqipe, historinë e saj, marrëdhëniet me gjuhë të tjera dhe rolin e saj në gjenezën e këtyre të fundit. Duke synuar diçka në thelb të kundërt – për ta thënë me një metaforë – me atë që ndërmori në kohën e vet Koperniku, këta njerëz e kanë kthyer shqipen nga periferia në qendër të universit gjuhësor të Europës dhe më gjerë; dhe pa u ndalur me kaq, vazhdojnë ta përdorin lëndën gjuhësore të shqipes si fener për të ndriçuar misteret dhe errësirat gjuhësore-historike të gjuhëve të tjera.

Që disa njerëz mund të mendojnë kështu, kjo nuk është ndonjë arsye për t’u shqetësuar; por që këta njerëz kanë arritur të tingëllojnë bindës për masën e publikut dhe t’i paraqitin elaborimet e tyre si gjuhësinë historike që i duhet doktrinës kombëtariste shqiptare, kjo nuk mund të shpërfillet si thjesht patologji e mendjeve naive, të paformuara ose të fantaksura.

Natyrisht, nuk është faji i albanologëve “alternativë” që masa e shqiptarëve mbetet çuditërisht e interesuar për origjinat, përfshi këtu edhe origjinat e fjalëve; këta vetëm sa e kanë shfrytëzuar këtë interesim në thelb irracional, për të përhapur teoritë e tyre.

Çfarë më shqetëson mua është se, një masë e madhe njerëzish i adopton si të vërteta “patriotike” rrejshmëritë, paranojat dhe budallallëqet që i ofrohen, me pjesëmarrjen entuziaste të mass mediave, atëherë vjen e dobësohet, vetvetiu, besimi qytetar ndaj dijes albanologjike profesioniste dhe mbështetja ndaj institucioneve publike që e mirëmbajnë këtë dije. Në kuptimin që kjo masë njerëzish tani do të parapëlqejë një amator që thotë se fjalët e gjermanishtes shpjegohen nëpërmjet shqipes, ndaj një profesionisti, i cili tani kritikohet haptazi dhe pa të drejtë, se e ka nxjerrë leksikun e shqipes si të prejardhur në përqindje të lartë nga “sllavishtja”.

Pyetja e parë që i lind mendjes së arsyeshme, përballë këtij shembulli, është se ç’punë ka njeriu i rrugës të interesohet për prejardhjen e fjalëve të gjermanishtes; pyetja e dytë, është se ç’punë ka njeriu i rrugës të vrasë mendjen për prejardhjen e fjalëve shqipe. Vetëm pyetja e tretë do të lidhet me temën e këtij shkrimi, dhe pikërisht lehtësinë e papërballueshme me të cilën ky njeri i rrugës beson argumentet e amatorit dhe i përçmon argumentet e profesionistit.

Përballë kësaj pyetjeje të tretë, vallë nuk i duhet gjuhëtarit, që të ndërhyjë në sferën publike dhe t’i dalë zot fushës së vet, që është dija rreth gjuhës shqipe, përfshi këtu edhe historinë e saj?

Disa kolegë të mi mendojnë se ky lloj angazhimi do të ishte, në çdo rast, kohë e humbur; dhe se gjuhësia historike, në atë formë që lëvrohet sot, nuk ka asnjë shans të fitojë debatin me amatorët, që e marrin forcën e tyre nga shkurtoret logjike, rrejshmëritë dhe nevojën e mendjeve foshnjore për t’u mburrur me gjithçka “shqiptare”, “të vjetër” dhe “të trashëguar”.

Të gjitha këto më shkuan në mendje, kur më doli përpara, rastësisht, ky paragraf nga Kursi i Saussure-it, që mbahet si vepra themeluese e gjuhësisë moderne (theksimi im A.V.):

Në jetët e individëve dhe të shoqërive, gjuha është faktor me rëndësi më të madhe se çdo faktor tjetër. Që studimi i gjuhës të mbetet thjesht në duart e një grushti specialistësh, kjo do të ishte një gjë krejt e papranueshme. Në praktikë, studimi i gjuhës, në një mënyrë ose në një tjetër, është preokupim i të gjithëve. Por pasojë paradoksale e këtij interesi të përgjithshëm është që asnjë temë tjetër nuk ka ushqyer nocione më absurde, paragjykime më të mëdha, iluzione më të mëdha ose fantazi më të mëdha. Nga pikëpamja psikologjike, këto gabime janë ato vetë me interes. Por është detyra parësore e gjuhëtarit që t’i denoncojë dhe t’i çrrënjosë, sa më tërësisht që të mundet.[1]

Ja pra, Saussure-i në Gjenevën e qyetëruar në zemër të Europës, e quante “detyrë parësore të gjuhëtarit” denoncimin dhe çrrënjosjen e absurditeteve, paragjykimeve, iluzioneve dhe fantazive që përfton, në mendjet e njerëzve, interesi masiv për gjuhën dhe studimin e saj. Në kuptimin që përpjekja sistematike dhe e organizuar, për t’iu kundërvënë patologjive mendore të gjuhësisë folklorike (shpjegimeve “popullore” për dukuritë gjuhësore) është po aq objekt i gjuhësisë sa edhe studimi i gjuhës dhe i ligjërimit dhe funksioneve përkatëse në jetën sociale dhe vetëdijen individuale dhe kolektive. Do të shtoja: gjuhëtarit nuk i mjafton që të studiojë gjuhën; duhet edhe të angazhohet në mbrojtje të këtij studimi, ndaj amatorizmit, delirit, paranojës dhe patologjive të tjera foshnjore, që duan t’ia rrëmbejnë këtij hapësirën e studimit.

Institucionet e dijes në Shqipëri e kanë shpërfillur këtë “detyrë parësore” të gjuhëtarit, mbase për shkak të një farë mefshtësie që i pengon specialistët të artikulohen në publik dhe për publikun; ose edhe ngaqë është gjykuar se dija e specializuar nuk ka nevojë të artikulohet për publikun e paspecializuar. Duket sikur këto institucione – përfshi universitetet, Akademinë e Shkencave, ASA-n dhe të tjera të ngjashme – ende nuk e shohin kërcënimin e besueshmërisë së tyre në publik si arsye të mjaftueshme, për ta përfshirë mbrojtjen dhe kultivimin e kësaj besueshmërie, në objektin e veprimtarisë së tyre dhe misionin e kërkimit shkencor.

Por mjafton një udhëtim i shkurtër në rrjetet sociale, për t’u bindur se pikëpamjet e publikut për gjuhën shqipe qëndrojnë ndaj dijes gjuhësore sikurse tezat e astrologjisë ndaj astronomisë, kozmologjisë dhe, në një aspekt, edhe psikologjisë së zhvillimit të personalitetit. Preokupimit obsesiv me “pastërtinë” e leksikut i shoqërohet – vërejeni paradoksin esencial[2] – mburrja prej ish-viktime për shqipen si mitër të gjuhëve të botës. Dhe skandali i lehtësisë me të cilën publiku pranon dhe bën të vetat elukubracionet e albanologjisë alternative mund të krahasohej me atë situatë hipotetike kur një kompani t’i merrte njerëzit në punë sipas horoskopit të secilit.

Gjuhëtarë të mefshtë, albanologë alternativë dhe marrëzi kolektive: nga ta fillosh? Unë do ta filloja nga specialisti, duke e ftuar që të angazhohej seriozisht me publikun, në mbrojtje edhe të reputacionit të profesionit të vet. Madje nuk do të më dukej e tepërt, po të themelohej – që nesër – një departament i Institutit të Gjuhësisë, që të vinte në jetë pikërisht “detyrën parësore” të gjuhëtarit, siç e pat përcaktuar Saussure-i: denoncimin dhe çrrënjosjen e nocioneve absurde, paragjykimeve, iluzioneve dhe fantazive lidhur me gjuhën. Këtë madje do ta shihja si detyrë patriotike të gjuhëtarit, të manifestueshme nëpërmjet zotimit të tij për t’i shërbyer publikut.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] F. de Saussure, Course in General Linguistics, translated and annotated by Roy Harris (London, 1983), p. 7.

[2] Nëse të gjitha gjuhët rrjedhin nga shqipja “gjuhë kozmike”, atëherë sa ia vlen që të shqetësohemi për huazimet? Tek e fundit, ashtu po na kthehet një borxh i vjetër…

6 Komente

  1. Autori ne fjale pretendon se ka nje metode, e cila nuk ndal si indoeuropianistika para 6 mije vjetesh, por shkon me thelle, meqenese njerezit nuk kane qene memece para 6 mije vjetesh dhe befas filluan te flasin indoeuropianisht ( me pre- e protot e rastit).

    Morfema me me pak tinguj ne indoeuropianistike edhe e perbere nga 3 tinguj, bt+z+bt, ku si xholi hyjne laringalet.
    Autori ne fjale pretendon se morfemat me te vjetra jane me dy tinguj, bt+z, normal se nga vete emri bashketingellore, nuk mund te rrije vetem ( menjanohet loja e kungulleshkes).

    Pra, metoda para se te jete nje ceshtje gjuhe eshte ceshtje filozofike, ashtu si krahasimi para se te zbatohej ne shkence ka qene zberthyer me imtesi nga Aristoteli.

    Ne kete kuptim asnje gjuhetar nuk mund ta kontestoje dot, sepse eshte ceshtje metode dhe shtrirjeje kohore.

    M’ane tjeter nuk duhet harruar se indoeuropianistika ka ecur krahperkrah me ndjesine e superioritetit te Europes karshi botes ne shekujt 19-20 dhe ka kaluar ne faza te ndryshme, aq sa edhe Old European i Krahes mund te shihet si shkelje e syrit ndaj BE-se, pas nje faze kentumizimi latino-gjermanike ( vijimi ne vitet 70-80 me marrezine keltike si shtrengim radhesh i Europes Perendimore ne kohen e pikut te Luftes se Ftohte).

    Duke pare kohet e sotme, indoeuropianistiken do e lene ne stolin e rezervave, qe te lejohet integrimi ( mbase do e akuzojne si shkence raciste).

    Pra, nje metode si pretendon autori ne fjale, qe vijon nje tradite te filozofise se shqipes, jo vetem nuk i prish pune kujt, por eshte nje hap perpara, meqenese meton kalimin nga filozofia e gjuhes tek shkenca e gjuhes, gje qe vetem metoda e mundeson.

  2. E lexova me interes shkrimin tuaj që i drejtohet gjithkujt e askujt dhe godet çdokënd e askënd e kjo është veti e shkencëtarëve të mëdhenj. Vetëm se…..
    Vetëm se ju z. Vehbiu flisni mbi palët dhe në fakt jeni edhe vet palë në çështjen që ngrini.
    Rënien e autoritetit të shkencës së albanologjisë ia delegoni një grupi sharlatanësh apo alternativësh, që po merren me albanologji. Këtu do bëja krahasimin nëse një grup tjetër sharlatanësh apo alternativësh do të sulmonin veprën shkencore të Njutonit, a do mund t’ia zhbënin autoritetin e tij?! Sigurisht se jo, sepse më parë do u duhej të vërtetonin se ligjet e zbuluara prej tij nuk janë shkencore.
    Z. Vehbiu, ngaqë jeni gjuhëtar, Ju e dini më mirë se kushdo përkufizimin e konceptit [sharlatan]. Sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe “sharlatan quhet çdokush, që duke shfrytëzuar injorancën e publikut, e mashtron atë me ide e informacione të rreme”. Ashtu si dhe Ju, jam diplomuar në gjuhësi dhe interesi im i veçantë ka qenë etimologjia. Si gjithë shqiptarët, mbështetur në opinionin popullor, mendoja se E. Çabej ishte një albanolog i shquar e më i madhi i albanologjisë zyrtare. Porse kontakti me veprën e tij etimologjile më krijoi tjetër përshtypje dhe arrita të logjikoj shkencërisht se vepra e tij nuk ka të bëjë me shkencën dhe Çabeji kishte shfrytëzuar injorancën e publikut duke botuar një vepër joshkencore e që propaganda e paraqiti si kulminacion të albanologjisë! Ju mund ta konstatoni edhe vetë se vëllimeve etimologjike të Çabejit u mungon recensa shkencore dhe e vetmja oponencë ndaj veprës së tij etimologjike është ajo që i kam bërë unë dhe që është botuar më 01 qershor 2012. Reagim ishte vetëm përjashtimi im përjetësisht nga Universiteti “F. S. Noli” dhe përndjekja me arrestime e me gjyqe penale e civile duke më akuzuar si “antikombëtar”, që “hedh gjuhën shqipe poshtë dhe denigron figurat e mëdha të albanologjisë”. Por askush nuk e mbrojti dot Çabejin nga oponenca ime, sepse ata që tremben nga rrëzimi i autoritetit të tij janë të paaftë të mbrojnë masakrën që i ka bërë Çabeji identitetit të gjuhës shqipe e kombit shqiptar, kur sulmohet me shkrime kritike prej “sharlatanëve”.
    Edhe Ju z. Vehbiu jeni një nga gjuhëtarët që iu tremb rrëzimi i autoritetit të Çabejit, por nuk guxoni ta mbroni dot publikisht e shkencërisht atë, pasi Ju nuk mundeni ta mbroni në detaje veprën e tij dhe mjaftoheni vetëm me shkrime që tregojnë vetëm pozicionimin Tuaj, por jo argumentimin shkencor të veprës së tij.
    Z. Vehbiu, mund t’Ju bëj me dije se kam denoncuar edhe veprat antishqiptare të K. Topallit e Anila Omarit në gjallje të tyre dhe ata kanë heshtur, sepse nuk mund të mbronin shkencërisht gjëmën që i kanë bërë gjuhës shqipe e kombit shqiptar.
    Ju z. Vehbiu akuzoni grupe, rryma e alternacione pa përmendur kurrë emra sepse i druheni reagimeve.
    Përsa askush nuk iu është përgjigjur akuzave publike të mia për vepra antishqiptare ndaj dy akademive të Tiranës që merren me albanologji si edhe ndaj znj. Omari e z. Topalli, konfirmojnë me heshtjen e tyre se janë joshkencorë dhe me veprimtari të theksuar antishqiptare. Çfarë autoriteti të albanologjisë mund të mbrojnë akademikët, kur nuk mbrojnë dot fytyrën e tyre?!
    Z. Vehbiu, sharlatanizmi i vërtetë është në ASh dhe në ASA dhe sharlatanizmi përvidhet e fshihet kur del e vërteta në skenë. Përndryshe unë do isha para gjykatës me akuzën për prishje të imazhit të akademive dhe të akademikëve. Akuzat e mia janë konkrete e të drejtpërdrejta dhe me emra konkretë. Veprat e e botuara të sharlatanëve bëhen objekt tallje, satire e sulmesh. Çdo vepër e Agron Dalipajt i adresohet ASh-së dhe ASA-së për oponencë shkencore dhe po të isha unë sharlatani, do isha bërë me kohë objekt sulmi e talljeje dhe do mbyllja gojën e do heshtja. Nëse dikush, që ju e quani sharlatan, guxon të anatemojë etrit e albanologjisë e t’i tregojë publikut se ata janë fallcitete shkencore, pse askush nuk mundet t’i mbrojë?!
    Në shkrimin tuaj “kur edhe soussure-i…” hidhni idenë se njerëz si unë duhen censuruar e të mos dalin në media dhe median që na promovon ju e etiketoni si kriminale. As më shumë e as më pak Ju po kërkoni monopolin në fushën e albanologjisë dhe heqjen qafe të “sharlatanëve” që po marrin vemendjen e publikut. Ju banoni në USA dhe mendoni si në Shqipërinë e E. Hoxhës. Por tani më nuk ka qeveri që ua mbron autoritetin fals dhe ju jeni në pasqyrë para opinionit kombëtar.
    Z. Ardian Vehbiu, veprat Tuaja nuk pëlqehen e nuk blihen nga publiku sepse ata që ju i quani me shpërfillje “njeriu i rrugës” e që “iu besojnë sharlatanëve” e “alternativëve”, u kanë njohur me kohë.
    Z. Vehbiu, Ju jeni antar nga lista i ASh dhe Ju uroj ta gëzoni titullin dhe benifitet. Sa për autoritetin, atë nuk ka qeveri që ua rregullon sepse kini atë autoritet që meritoni.
    Një poezi, që nuk e kujtoj të gjithën, në dy vargje thot:
    “Dolëm malit me luftue për atdhe
    Nuk e dinim se armiku ishim ne”.
    Sikur të mendoheni, se mbase vërtetë armiku jeni vetë ju, me grada e ofiqe që nga koha e heroit të popujve jugosllavë shokut Enver Hoxha…
    Ca akademikë, që s’mbrohen dot nga ca sharlatanë, janë për tu qarë hallin.

    1. Z. Dalipaj, mendoj se ato që thoni dhe shkruani, për etimologjitë e fjalëve shqipe (më saktë, për etimologjitë e gjuhëve anembanë botës, nëpërmjet shqipes) nuk kanë bazë shkencore. Nuk kam aq kohë të lirë dhe as aq nge, sa të vihem dhe të kundërshtoj tezat dhe mistifikimet tuaja në hollësi (mund ta bëja, po të më paguanin mirë; këtu po mjaftohem me një përshkrim të pozicionit tim, duke shtuar se kohën time parapëlqej ta shpenzoj me gjëra që më interesojnë më shumë). E kuptoj që ju u besoni atyre që thoni dhe jeni gati t’i parashtroni kudo, edhe në televizion (ku, për mendimin tim, ju thërrasin për të dëfryer shikuesit), edhe në universitete; por kjo nuk i bën më të arsyeshme, as më të mbrojtshme, sikurse nuk ju bën ju linguist. Mbase kritikën dhe oponencën mund t’ua kërkoni institucioneve që përfaqësojnë publikisht dijen në Shqipëri dhe në Kosovë dhe që i kanë mundësitë shumë më të mëdha se unë, që t’ju kushtojnë kohën dhe vëmendjen që doni. Sa për mua, këtë diskutim me ju nuk mund ta vazhdoj më, sepse më duket pa bukë.

      1. Ju z. Vehbiu nuk mund ta vazhdoni diskutimin jo se u duket “pa bukë”, por se u lë pa bukë.
        Përsa bëtë një postim pompoz kundër sharlatanëve që “po i bjerrin autoritetin albanologjisë”, i përvidheni diskutimit se u dashka paguar zotëria e juaj që të debatojë…
        Për kënaqësinë e profesionalizmit Tuaj në gjuhësi, po u jap më poshtë etimologjinë e Çabejit e të Topallit që foljen [pëllas] të shqipes e sjellin nga fjala [pallat] e këtë të fundit prej [palatium] të latinishtes. Porse në fjalorët etimologjik të italishtes për fjalën palatium nuk kanë asnjë etimologji dhe e klasifikojnë si fjalë me “di etmol. incerta”.
        Kjo është etimologjia e Çabejit, Topallit dhe e albanologjisë suaj që pëllitjen e gomarit e sjellin nga fjala pallat!!
        Ju z. Vehbiu nuk mbroni dot as albanologjinë e shklashkelur të Çabejit e as mundeni të sulmoni albanologjinë alternative (siç ju e etiketoni). Jeni të paaftë të merreni me oponencë ndaj punës sime.
        Kur të jeni në ASh të Tiranës, bëj zamet dhe lexo të gjitha kërkesat e mia për oponencë.
        Shkëlqimit juaj të rremë e të mbështetur nga pseudoalbanologjia zyrtare e Tiranës po i zvetënohen ngjyrat. Së shpejti Ju do jeni e shkuara e palavdishme e një albanologjie e pompuar nga ideologjia sllave.
        E vërteta është sëmundja që nuk mund ta përballoni.

        1. Po ju shpjegoj shkurt pse nuk mund të merrem seriozisht me ju, përveçse po të më paguajnë (mirë):

          Shkruani:

          Për kënaqësinë e profesionalizmit Tuaj në gjuhësi, po u jap më poshtë etimologjinë e Çabejit e të Topallit që foljen [pëllas] të shqipes e sjellin nga fjala [pallat] e këtë të fundit prej [palatium] të latinishtes. Porse në fjalorët etimologjik të italishtes për fjalën palatium nuk kanë asnjë etimologji dhe e klasifikojnë si fjalë me “di etmol. incerta”.
          Kjo është etimologjia e Çabejit, Topallit dhe e albanologjisë suaj që pëllitjen e gomarit e sjellin nga fjala pallat!!

          Në fakt, Çabej merret me etimologjinë e fjalës PËLLAS, me kuptimin “pallat” (dhe që nuk ka lidhje me foljen PËLLAS të pëllitjes së gomarit). Kjo fjalë del tek autorët e vjetër, që te Budi “Ndë pëllas të pranuom”, pastaj te Bardhi “Pëllas” për lat. Palatium. Çabej vëren pastaj se fjalën e ka edhe S. Frashëri edhe De Rada. Me argumente gjuhësore, ai e sheh si të ardhur nga latinishtja PALATIUM (përkundrejt mendimeve të tjera, që e nxjerrin, p.sh. nga dalmatishtja).

          Kjo fjalë, PËLLAS, është një formë më e vjetër e shqipes moderne PALLAT.

          Sa për atë PËLLAS, me kuptimin e zërit që nxjerrin kafshë si gomari dhe lopa, Çabej e nxjerr nga PALL (sipas një modeli morfologjik të njohur të foljeve që e zgjerojnë temën në kohën e tashme).

          Nga sa shkruani, më konfirmoni se ju OSE nuk zotëroni as metodat elementare të analizës gjuhësore, OSE i trazoni ujërat qëllimisht, duke e përzier PËLLAS “pallat” (fjalë e autorëve të vjetër) me PËLLAS (“pëllet gomari”). Ajo që thoni, se Çabej dhe Topalli “që foljen [pëllas] të shqipes e sjellin nga fjala [pallat] e këtë të fundit prej [palatium] të latinishtes” është mirëfilli e rreme (mund të verifikohet lehtë te linku më lart, ku gjendet edhe etimologjia e Çabejt).

          Latinishtja PALATIUM “pallat”, që lidhet edhe me emrin e kodrës PALATINO në Romë dhe që ka dhënë edhe shqipen PËLLAS (“pallat”) mund ta ketë etimologjinë të paqartë – por si toponim, jo si apelativ. Toponiminë e Romës së lashtë mund t’ua lëmë specialistëve që ta diskutojnë. Rëndësi ka, për temën këtu, që latinishtja, PALATIUM e kish marrë kuptimin “pallat” për shkak se në atë kodër (PALATINO) ishte ndërtuar pallati perandorak (https://www.treccani.it/vocabolario/ricerca/Palazzo/)

          Për ta përmbledhur: çfarë shkruani, mund të shërbejë si argument se ju i keni hyrë kot këtij muhabeti, jo vetëm pa përgatitjen e duhur, por edhe me dashakeqësi; dhe se, në rastin më të mirë, se ju nuk i kuptoni etimologjitë e Çabejt.

          Fraza juaj:

          Kjo është etimologjia e Çabejit, Topallit dhe e albanologjisë suaj që pëllitjen e gomarit e sjellin nga fjala pallat!!

          Tregon pse asnjë specialist nuk mund t’ju marrë seriozisht.

          Ky argument mbyllet këtu. Nuk mund t’ju jap më hapësirë, te “Peizazhet”, për ato që thoni e shkruani.

  3. Pyet dhe përgjigjet A.V:
    “Gjuhëtarë të mefshtë, albanologë alternativë dhe marrëzi kolektive: nga ta fillosh? Unë do ta filloja nga specialisti, duke e ftuar që të angazhohej seriozisht me publikun, në mbrojtje edhe të reputacionit të profesionit të vet.”

    Ndërsa unë do ta filloja nga Lasgushi, për t’ua kursyer kohën e vyer specialistëve, por edhe për t’ia bërë më të lehtë çështjen publikut… Lexim të këndshëm.
    ————————————————-

    Lasgush Poradeci,
    Bukuresht, më 2 të vjeshtës së parë 1924. Dëguar “Diellit”, 24 Nëntor 1924.
    Kushtuar autorit të librit “Jashtëvëniet e mënyrës” *

    Fabrika e fjalëve

    Në shtëpi, te “Rrug’ e Shtërgut” **, shtëpijak e shtërg ti vetë,
    Pa pushim e vrave kokën mot-me-mot nja dymbëdhjetë,***
    E pastaj si një shuplakë që i përplas kundrejt fytyrës,
    I dhe botës shqipëtare “jashtëvëniet e mënyrës”.

    Pa me librin e nëmosur të zu goja të na ngopë,
    Atdhetarëve të ditur j-u dërgove nga një copë:
    Një Faikut, një Mithatit, një Lasgushit, një Pekmezit –
    Mëndja jot – mëndj’ e pulës, zëri yt – zër’ i këndezit.

    Po Faiku-i ra me shqelmë, dhe Mithati i ra me pendë,
    Edhe letër’ e Pekmezit as nuk desh që t’a përmendë.
    Ditëzi! ç’u dhe magjinë dërdëllitjeve të tua;
    Të këndovi profesori dhe sakaq u torullua.

    Atëhere “Jashtëvëniet” na i markërke Lasgushi,
    E si trim i madhërishëm zuri udhën e j’a mbushi,
    Vajti drejt, me hap të matur, në pallat t’Akademisë
    “Urdhëro!” i tha Drejtorit “Gjuhësinë e Shqipërisë”:

    Këtu ke, o burrë i ndritur, një fabrikë shqipëtare,
    Një kallëp ku treten fjalët si plitharët në ugaret”
    “Falem nderit!” – dhe Drejtori dyke bërë temenanë
    “Jashtëvëniet e mënyrës” i vu jashtë dhe më një anë.

    Lum! o Pikë, o- mendje pykë, që çan dru me sqep të pikut …
    Ç’të vendosën pranë Hahn-it, e Meyerit, e Larnikut
    Lum, e lum! Se ç’patnë vënë, n’atë librari rumane,
    Pranë gjuhës shqip të gjallë një mumi egjiptiane …

    * – Anastas Mio (Pseudonim “Pika”).
    Pika ish shumë patriot, kish restaurant në Bukuresht. S’kish fare kulturë.

    ** – Bukuresht. Në këtë rrugë banonte Pika (strada berzei).

    *** – Në parathënien e librit thotë se punoi në këtë libër 12 vjet.

    Shënimet janë të poetit.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin