Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Narratologji

ZEMRAT E MUHABETIT

I keni parasysh ata tipat – ose edhe tipet xhanëm – që janë jeta e tavolinave, në takime, në festa, në sebepe gjithfarësh; gra dhe burra të gojës, që rrëfejnë dhe i mbajnë të tjerët me muhabet dhe argëtojnë duke u argëtuar edhe vetë?

Ka dy lloje syresh: një palë që i sajojnë ato që thonë, i shpikin, ose në rastin më të mirë i zbukurojnë, për t’i bërë sa më tërheqëse – dhe të tjerët zakonisht ua dinë huqin dhe ua tolerojnë, duke ua falur, me kusht që të zbaviten.

Për një nga këta, kam dëgjuar një plakë shqiptare nga Mali i Zi të thoshte: “rren bukur!” E kish fjalën për të birin, dhe ndihej vërtet krenare, që i biri “rrente” në muhabete dhe ashtu nuk i linte miqtë e vet a gostarët të mërziteshin. Kam pasur edhe unë një të tillë në rrethin familjar – rrente edhe ai, herë bukur herë jo dhe aq bukur, por të tjerët ia pranonin rrenat dhe kënaqeshin edhe me ato që sajonte, edhe me atë vetë si personazh herë grotesk herë pak të trishtuar.

Ishte gjithnjë fjala për rrena të padëmshme, të menduara vetëm e vetëm për ta bërë rrëfimin sa më interesant; edhe pse, dyshoj, tradhtonin edhe një lloj dëshire – nga folësi – për ta mbajtur vëmendjen e të tjerëve të ngulur te vetja.

Është pastaj edhe një palë e dytë, që nuk sajojnë asgjë, por që janë në gjendje që edhe incidentin më banal, të themi të dikujt që rreket të kapërcejë trafikun me të kuqe dhe vallëzon mes makinave, ta sjellin në bisedë aq të gjallë, sa atyre që dëgjojnë t’u duket ngjarja më e çuditshme që kanë dëgjuar ndonjëherë.

Merita e këtyre të dytëve nuk është aq se rrëfejnë gjëra të bukura, tërheqëse ose komike, por sepse rrëfejnë BUKUR.

Dhe duke rrëfyer bukur, ta sjellin të përditshmen përpara të ndriçuar ndryshe, në mënyrë të tillë që ti ta zbulosh rishtas, si realitet të papritur e të panjohur. Unik në këtë rast nuk është aq incidenti i rrëfyer, sa këndvështrimi i rrëfyesit, ose aftësia e tij për ta rikrijuar botën vetvetishëm.

Këta nuk dinë të gënjejnë – edhe pse e dinë, thellë thellë, se realiteti i rrëfyer nuk është i njëjtë me realitetin që përfton rrëfimi vetë; ata krijojnë pa qenë nevoja të shpikin e të sajojnë. Nuk shkojnë deri në Hënë, për të sjellë pastaj fotot e rrugës; por të bëjnë të dyshosh se mos ti vetë nuk e ke parë ndonjëherë botën që ke përreth.

I dua më shumë se të parët; entuziazmi që më ngjallin, kur i dëgjoj, nuk ka shumë të bëjë me mahnitjen e fëmijës ndaj një përralle që i rrëfejnë. Mbase edhe gënjeshtrat dua që të m’i thonë vetëm për të më ngushëlluar, jo për të më argëtuar.

Variacione rreth temës

Të gjithëve na ka ndodhur të rrëfejmë të njëjtat histori, që janë variacione rreth një teme, si në muzikë. Mbase është e pamundur ta përsëritësh një histori pa e ndryshuar sado pak – është në natyrën e rrëfimit që të përftohet me ndryshime. Përsëritja, nëse e dëshirojmë, kërkon mundim, të mësuarit përmendësh, qasje mekanike ndaj ligjërimit. Por edhe ashtu, me ndryshime, shpesh kemi iluzionin se prapa variacioneve, ka një invariant narrativ, një thelb të pandryshueshëm, një formulë që e përfton variacionin rishtas. Rregull që vepron edhe atëherë kur rrëfimtari sajon.

Mekanizmi është përshkruar, të paktën për këngët epike. Milman Parry, që pat studiuar rapsoditë e sllavëve të Jugut, me synimin për të kuptuar zanafillën e poemave të Homerit, pat pyetur – më se një herë – çfarë ndodhte kur rapsodit i kërkohej ta përsëriste këngën; ç’gramatikë, narrative dhe diskursive, i diktonte ndryshimet dhe i ruante invariantet. Ndonjëherë ishte gjendja fizike dhe shpirtërore e rapsodit, ndonjëherë tjetër atmosfera në kafene, ose reagimi i publikut. Edhe ai e pat vënë re se modifikimi, nga një ekzekutim në tjetrin, ishte i pashmangshëm. Më shpesh ndryshoheshin elementet diskursive, figurat stilistike, epitetet; por jo rrallë ndryshimi depërtonte edhe në narrativë, si në rastet kur një veprim i nevojshëm i atribuohej një personazhi tjetër. Natyrisht, rapsoditë janë fiksione, por edhe një fiksion ka gati detyrimin moral për të mos dalë nga vetvetja. Mund t’i përfytyrojmë si tekstin e një pjese teatrale, ndërsa variacionet t’i krahasojmë me ndryshimet që ndodhin nga një shfaqje në tjetrën, brenda të njëjtit produksion, me të njëjtët aktorë. Mund t’i përfytyrojmë me variantet e një kënge të kënduar live në koncerte të ndryshme, nga i njëjti këngëtar, me të njëjtin arranzhim.

Rrëfimtarët e mirë, njëlloj si rapsodët e mirë, janë në gjendje ta modulojnë rrëfimin, duke iu përshtatur atyre që e dëgjojnë. Për shembull, e njëjta histori do t’u tregohet fëmijëve ndryshe nga ç’u tregohet të rriturve – në rastin e fëmijëve, rrëfimtari do ta ndryshojë edhe zërin, për të imituar personazhet, ose të paktën imazhin që ai mendon se kanë fëmijët për këtë ose atë personazh.

Vetja defektive

Ka pastaj edhe rrethana kur të pranishmit kërkojnë që t’u rrëfehet e njëjta histori – sepse ashtu u garantohet përsëritja e një eksperience veçanërisht argëtuese. Ashtu i drejtohen një plake dhe i thonë: Ané, na trego një çikë si të erdhën gjermanët atë natë në shtëpi – edhe pse e kanë dëgjuar këtë histori shumë herë të tjera. Duan ta dëgjojnë sërish, sepse u pëlqen si e tregon Aneja, por edhe sepse u pëlqen Aneja, e cila rikonstituohet si personazh, duke rrëfyer. Mund të ndodhë që Aneja të mos e tregojë historinë mirë, ose të lërë jashtë ndonjë detaj me rëndësi, dhe këta të tjerët, që historinë e mbajnë mend siç ua pat treguar Aneja më parë, ndërhyjnë dhe e korrigjojnë. Duke u bërë, njëfarësoj, pjesë e Anesë që rrëfen, pasi e kishin përftuar më parë Anenë si personazh në teatrin e mendjes së tyre.

Më ka ndodhur të përjetoj, për dy-tre vjet, fillimin e Alzheimer-it, te një plakë e familjes sime. Tregonte dhe ajo bukur, gjëra me të cilët ishim mësuar që të vegjël. Ngjarje nga e kaluara dhe histori të tjera, që kishin ndodhur në Gjirokastër. Po e quaj edhe këtë Ané, për lehtësi. I kërkonim që të na rrëfente ndonjë gjë që na kish pëlqyer shumë dhe nuk na e prishte kurrë. Por kujtesa kish filluar ta linte, dhe kjo i dukej edhe në mënyrën si i riprodhonte historitë. Linte jashtë ndonjë detaj të rëndësishëm, që pastaj ia përmendnim ne; ose ua hiqte “dramaticitetin” situatave, duke i thjeshtuar. Nuk ishte vetëm kujtesa për ngjarjen, ose aftësia për të riprodhuar, nga kujtesa, rrëfimin për ngjarjen që po i dobësohej; por edhe vetë energjia e produksionit të rrëfimit, aftësia për të përftuar dhe përcjellë narrativën. Emrat e personazheve i zëvendësonte me përemra – ky, ai, këtë; ndonjëherë fragmente të tëra, sidomos të ligjërimit të tjetrit, i zëvendësonte me një ndajfolje: për shembull, erdhi kjo nga pazari dhe më tha kështu kështu. Të thoje se po e shihte skenën e rrëfimit nga një distancë e madhe, ku edhe të folurit mund të përfundonte në akt, por me përmbajtje të pariprodhueshme.

Edhe Alzheimer-i është, në mënyrën e vet, një motor editimi, por që i prish rrëfimet, duke i mbushur me përemra, me deiktikë (shifters) dhe inkoherencë. Shpesh rrëfimin e zëvendëson finalja – Ané, na trego si ua more armët ushtarëve gjermanë që erdhën për vizitë… ja, ua mora nga dora, që t’i varja në mur. Po ata ç’thanë? Jo, nuk donin, u erdhi inat. Kështu reduktohej një histori komike (por me kërcënimin në nëntekst), të ndodhur gjatë luftës, kur Aneja ua kish hequr armët nga duart një patrulle gjermanësh, që kishin hyrë në oborr të shtëpisë për kontroll. Kjo histori kish qenë treguar me mjeshtëri të madhe, duke riprodhuar deri edhe shprehjet e fytyrës së ushtarëve dhe lëvizjet e duarve të Anésë, që gati i kish çarmatosur këta aksidentalisht. Të gjitha këto tani ia kishin lënë vendin një kronike skeletike, të thatë, elementare.

Vijmë nga kujtime të ndryshme

Para ca ditësh, na qëlloi të mblidhemi bashkë me shokë të vjetër dhe të kujtojmë – siç është adeti në këto raste – ngjarje komike të fëmijërisë, që e kishim kaluar bashkë. Dhe ashtu njëri prej nesh rrëfeu diçka që e paskësha bërë unë, por që unë në fakt nuk e mbaja fare mend. Gjithnjë më ka bërë kurioz selektiviteti i kujtesës – dhe kriteret me të cilat i fshijmë krejt disa gjëra, ndërsa të tjerat i mbajmë mend mirë. Këtë historinë që tregoi ky, jo vetëm unë por edhe një shok tjetër aty në tavolinë nuk e mbante mend. Me shumicë votash, mund ta kisha quajtur si “kujtim të rremë” dhe ta kisha lënë me aq. Por kujtimi i rremë ka më pak gjasë se harresa – aq sa dyshoj fort se, po të mblidheshim të gjithë ne të klasës së 6-të tek Avni Rustemi dhe të përpiqeshim të rikrijonim kohën e atëhershme, nuk do të përftonim veçse konfuzion. E shkuara e gjithkujt është më tepër rezultat i redaktimit të thellë të kujtesës, mbase me synimin për të hartuar një narrativë koherente të vetes.

Ka pastaj edhe histori të rralla por pikante, që do t’i quaja themeltare, sepse i bashkëndajmë me të tjerët në mënyrë të tillë, që të shërbejnë si provë se vijmë nga e njëjta e kaluar. Kam vënë re se këto, që i rrëfejmë shpesh kur mblidhemi dhe në fakt i përdorim si zamkën që na mban akoma të lidhur me njëri-tjetrin, mbijetojnë sidomos ngaqë rimerren nga një takim në tjetrin, nga një vit në tjetrin, nga një dekadë në tjetrën. I trajtojmë si të vërtetat bazë të vetëdijes sonë kolektive, si grup shokësh të një brezi; paçka se ato janë të vërteta vetëm ngaqë vetë ne i kemi mbajtur gjallë duke “i ujitur” periodikisht.

Sa për historinë që tregoi ky tipi, dhe që më kish mua për protagonist, unë dhe ca të tjerë vërtet nuk e mbanim mend, por tani edhe ne e dimë dhe mbase do ta kujtojmë në një takim të ardhshëm, megjithë statusin e pastabilizuar që ka. Mbase ngjarja që rrëfehet aty nuk ka ndodhur tamam ashtu, por historia tashmë u rrëfye, dhe kjo e dyta është e vërtetë e padiskutueshme. Aq sa nuk ka nevojë t’i referohet besnikërisht diçkaje reale – vërtetësinë ia jep rrëfimi, dhe pranimi i rrëfimit prej nesh të tjerëve.

Riprodhimi me fjalë i diçkaje të shkuar është tejet i vështirë, në mos i pamundur. Këtë e dinë mirë ata që krahasojnë dëshmitë e të pranishmëve në një krim ose aksident rrugor: çfarë ka ndodhur “vërtet”? Dhe a mund të zbulohet kjo, nëpërmjet rrëfimeve të dëshmitarëve? Nuk besoj se ka ndonjë lidhje të tejdukshme mes së vërtetës dhe rrëfimit: ky i fundit, që ndërton vargje fjalësh dhe fjalish, të cilat duhet t’i përgjigjen njëfarësoj vëzhgimit ose eksperiencës, shtjellohet sipas rregullave të veta. Në kuptimin që bota (e ngjarjeve) nuk rrëfen histori. Dhe aq më i vështirë bëhet rikrijimi i realitetit, me kalimin e kohës – për shkak të redaktimit që ua bëjmë kujtimeve, në emër të mirëmbajtjes së narrativës personale. Po të më kërkojë njeri që t’i them emrat e mësues(e)ve të mi të klasës së tetë, me siguri do të kujtoj mirë disa, por do të harroj të tjerë. Një psikanalist mbase do jetë në gjendje të shpjegojë pse mbaj mend pikërisht këta dhe pse kam harruar ata të tjerët. Por shoqja ime e bankës do të kujtojë (dhe do të harrojë) emra që vetëm pjesërisht përkojnë me të mitë. Dhe kështu do të ndodhë edhe me të tjerët. E njëjta gjë po të më pyesin emrat e shokëve dhe të shoqeve të klasës së tetë – do të lija jashtë një pjesë të mirë. Diferencat që kam me të tjerët më përcaktojnë, si individ, më mirë se të përbashkëtat. Kur kujtuam një ekskursion që patëm bërë në ato vite, njëri prej nesh tha se kishim udhëtuar me kamion, ndërsa mua m’u duk se e kishim bërë rrugën me mikrobus. Më pas fillova të dyshoj se mjeti mund të kish qenë edhe autobus. Nga ana tjetër, të dy e mbanim mend gurin gjigand në hyrje të Përmetit: disa sende janë më reale se të tjerët; teksa nuk mbanim fare mend se ku kishim fjetur në atë qytet. Përkundrazi, më kujtohet – si në mjegull – që në Sarandë patëm fjetur në shtëpinë e vëllait të instruktorit të Pallatit të Pionierëve, që na shoqëronte; dhe se atje patëm parë një film të transmetuar nga televizioni grek, me titra greqisht: kjo në vitin 1972. Pse ta kem mbajtur mend këtë? Ç’i hyn tani në punë identitetit tim kjo histori përndryshe pa kuptim?

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin