nga Sokol Çunga
Më dt. 3 prill 2023 botova në Peizazhet e Fjalës (këtu) një artikull ku diskutoja disa pyetje dhe reagime që m’u krijuan nga shfletimi i antologjisë “Veshur me diell, mbathun me hanë”, përgatitur nga Poeti Laureat (2020 – 2022) Rudolf Marku, botuar nga Mediaprint, Tiranë 2023, me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe të Leximit. Vijuan reagime të ndryshme, qoftë pro, apo kundër, në mënyra të ndryshme. Antologu Rudolf Marku, me aq sa munda të dëgjoj këtu (min 00:36) thotë se nuk pranon akuzën se ka marrë një varg biblik, por se ka marrë një varg të Bogdanit dhe e ka përdorur në titull. Autori i parathënies së antologjisë, prof. Gëzim Basha, na tregon këtu ndryshimin mes intertekstit, aluzionit, batutës dhe “atletizmit të gegnishtes”. Në një reagim në Facebook prof. Sadik Bejko përmend shembujt e letërsisë botërore ku ripërdoren tekste biblike, the mëton se Bogdani nuk ka faj, e si rrjedhojë as antologu Rudolf Marku. Më tej, tek ndiqja një video-story në llogarinë e Instagram-it të QKLL, dëgjova prof. Bejko të shprehej se artikujt nga Ardian Vehbiu dhe Sokol Çunga, botuar në Peizazhet e Fjalës, qenë: “tentativë për ta kontrolluar apo për ta drejtuar kulturën shqiptare në qëllime të tjera, domethënë në qëllime fetare, në qëllime ideologjike të ndryshme”. Ndërkaq, në Peizazhet e Fjalës pasuan dy shkrime të tjera nga Ardian Vehbiu (këtu dhe këtu), që trajtojnë problematikën e hiperleximit, të intertekstit, por më shumë të dekontekstualizimit të tekstit. Diskutimi lëvizi, pa ose me dashje, nga ngritja e pyetjeve teorike, tek shpalosja e enciklopedizmave dhe tek apologjia. Vetvetiu lind pyetja: pse duhet të ngremë apologji për një antologji, kur vetë antologjia s’arrin të përgjigjet për qëndrimet që burojnë prej saj?
Gjithkush ka lirinë të zgjedhë cilindo titull për antologjinë a librin e tij, askush s’mund të detyrojë askënd, në këtë pikë. Assesi, nga ana tjetër, nuk po fajëson kush R. Markun pse titulloi antologjinë me një varg, qoftë ky i Bogdanit, qoftë i Zbulesës së Joanit. Mirëpo, në rastin tonë, teksti i kthyer në titull përbën edhe metaforë për zënien e panjollë (shtatzëninë e Marisë, që të mos kemi keqkuptime), lindjen e Shpëtimtarit dhe përmbushjen e planit hyjnor për shëlbimin e botës. Vazhdoj të kërkoj lidhjen e arsyeshme, qoftë logjike, qoftë letrare, mes kësaj përmase, dhe letërsisë së realizmit socialist. Askush nga apologjetët e antologjisë, me aq sa kam arritur të lexoj e dëgjoj, nuk e cek këtë temë. Janë përqendruar tek e drejta artistike e antologuesit dhe liria që trashëgojmë prej lindjes. Ndërkaq, askush nuk vë në diskutim këtë pjesë lirie, autori i këtyre rreshtave, të paktën, jo e jo. Nuk pres përgjigje për cilëndo nga pyetjet e mia, mirëpo, kur diskutojmë, e udhës është të mos i referohemi vetëm asaj pjese të cilën mundemi të mbrojmë nga e tëra, por t’u përgjigjemi problematikave në tërësi dhe me sinqeritet, ose, më mirë të heshtim, kur nuk kemi ç’themi. Reagimi selektiv jo vetëm nuk na ndihmon për gjë, por edhe dezinformon e krijon diversion. Apo, mos vallë, askush nuk di të lexojë drejt?
Me këtë lexim dhe reagim selektiv, diskursi i apologjetëve të antologjisë priret të etiketojë reagimet e shkruara për këtë çështje në Peizazhet e Fjalës si një lëvizje e organizuar nga grupe interesash. Reagimet e apologjetëve dalin si përfaqësime grupi që i drejtohen një grupi. Kësisoj, mpaket ajo që për mua është thelbi i çështjes: po diskutojmë për një dukuri, jo për individë dhe interesa grupi, teksa unë këtu shkruaj si individ, jo si grup. Çdo kanalizim i bisedës në justifikimin “interes” apo “inat” përsërit riprodhon tymnajën ku askush s’mban përgjegjësi se çfarë thotë e çfarë bën nga pozitat institucionale. E, ndërkaq, habitem: ende s’u ndahet shpirti nga veprimtaria në grup a klan lidhjeshkrimtaristëve të djeshëm dhe apologjetëve të sotshëm?
Tema marrëdhënies së titullit me përmbajtjen mund të këqyret nga shumë këndvështrime. Në rastin e artikullit tim, titulli nuk ishte pa qëllim: “Poezia shqipe, vajza Mri e kohës sonë”. Veç dy dukurive të paqarta për mua, mungesa e poetëve të Kosovës dhe përfaqësimi i Fan Nolit me përkthim, jo me krijim, u përpoqa të shpjegoj, brenda asaj hapësire që lejon një artikull, se shoh një mospërputhje mes titullit të vendosur dhe përmbajtjes. Fraza e mësipërme e titullit të antologjisë, e cila i referohet vajzës Mri (Virgjëreshës Mari), u vishet 59 poetëve të antologjisë, që nga Pjetër Budi, deri tek Gentiana Kone (marr të parin dhe të fundit, nuk synoj të vë në pah emrat). Brenda periudhës kohore që përfshin antologjia, sillen edhe një brez poetësh të cilët jo vetëm jetuan, por krijuan gjatë periudhës së realizmit socialist. Tema e titullit dhe tema qendrore e artikullit ishte pikërisht kjo: me çfarë arsyetimi do të quajmë “vajza Mri” pikërisht ata poetë që me punën e tyre, brenda rrethanave të kohës kur jetonin, ndër të tjera edhe përkrahën ateizmin në Shqipëri? E kuptoj, nuk kishin mundësi të bënin ndryshe, veç të bëheshin theror (siç u bënë, ndërkaq, gjithë ata klerikë të të gjitha besimeve fetare në Shqipëri që nuk pranuan bashkëpunimin me regjimin, apo edhe politikanë e mbështetës të opozitës së vitit 1945 e më pas). Askujt nuk mund t’i kërkojmë llogari pse nuk u sakrifikua, kjo as duhet menduar. Mirëpo, në kornizën e një antologjie, aq më tepër me një titull të tillë, lypet, më e pakta, një shpjegim teorik dhe një mbrojtje teorike e përdorimit të këtij vargu të Pjetër Bogdanit. Përndryshe, ç’kuptim ka një grumbullim poetësh e poezish të sjellë përmes një ngatërrimi epokash, periudhash, shkollash?
Antologjitë, në zanafillën e tyre, kanë përfaqësuar në vetvete kanonizimin e arsyeshëm të asaj çka cilësohej si klasike, e dobishme dhe me vlerë për t’u ruajtur. Kemi përmbledhje të gjera e të gjata me tekste të tilla, që nga periudha e antikitetit të vonë, deri në ditët tona. Vetvetiu, kur përzgjedhja apo përmbledhja nuk argumenton as lidhjen që ka me titullin, mbetet të pyesim dhe të diskutojmë.
Le të hipotetizojmë, një çast, se një antolog vendos të hartojë një lloj antologjie të paautorizuar, e të marrë, nga poetët e periudhës 1944 – 1992, vetëm ato poezi që i kushtohen revolucionit socialist, heronjve, fitoreve të revolucionit, Partisë së Punës së Shqipërisë, Sekretarit të Parë të saj, luftës së klasave, zhdukjes së zakoneve prapanike, etj. Afërmendsh, veçse keqdashje ndaj autorëve të antologuar, një përmbledhje e tillë do të kishte qenë e pakuptimtë, pa u shoqëruar me një analizë të hollësishme jo vetëm letrare, por edhe historike. Le ta mendojnë, më tej, sikur kjo antologji ekziston e shtypur, qarkullon në librari dhe po promovohet jo në atë pjesë të katit 2 të Muzeut Historik Kombëtar, ku u zhvillua ceremonia e prezantimit të “Veshun me diell”, por pak më tutje në të majtë, në pavijonin e krimeve të komunizmit, të cilin pjesëmarrësit në promovim e kishin vetëm pak metra larg. A nuk do të pyesnim se ç’kuptim do të kishte dhe çfarë impakti sjell një antologji e atillë në jetën kulturore të vendit (sado eufemizëm të duket “jeta kulturore”)?
Pas botimit artikullit, dikush më shkroi: “Nuk vlen të merresh me antologji që nuk janë të natyrës akademike”. Do të kisha rënë dakord me këtë ide dhe kurrsesi nuk do të kisha shkruar për këtë temë, sikur të mos ishim, edhe në rastin e “Veshun me diell, mbathun me hanë”, përballë institucionit shtetëror, ndonëse jo akademik. Në këtë diskutim nuk i drejtohem personalisht Rudolf Markut apo botuesit të tij, por institucionit të Poetit Laureat dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe të Leximit, që ka mbështetur botimin, jurisë që zgjodhi Poetin Laureat, si dhe komisionit / komisioneve që shqyrtuan programet e Poetit Laureat gjatë “mandatit” të tij, bashkë me antologjinë në fjalë. A ka, vallë, ndonjë kriter i gjithë procesi? Dhe mbi çfarë arsyetimi gjykohet dhe vendoset? Apo edhe kësaj here, si shumë herë më parë, duhet ta mbyllim me “Ai stan, atë bulmet ka”? Vetëm se, këtë herë, kemi të bëjmë me një stan shtetëror, jo me stan privat.
(c) 2023 Sokol Çunga. Të gjitha të drejtat janë të autorit.