Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kujtime / Kulturë / Letërsi

NOBEL JE VETË

Fituesen e Nobelit letrar për këtë vit, Annie Ernaux, e kam dëgjuar vetëm si emër, madje edhe për këtë nuk jam i sigurt (dje e kapa veten duke e ngatërruar rregullisht me aktoren Annie Girardot). Nuk i kam lexuar asgjë, dhe nuk besoj se do t’i lexoj gjë së shpejti. Librat fiction që lexoj, nuk i zgjedh sipas çmimeve që kanë marrë, as ngaqë i lexojnë të tjerët, por sipas kriteresh shumë më personale dhe delikate.

Në fakt këto ditë kam në duar romanin Rosso Floyd, nga Michele Mari, i cili përshkruan trajektoren e grupit rock Pink Floyd dhe legjendën e njërit prej artistëve, Syd Barrett-it, të ndarë herët nga grupi, ngaqë u sëmur mendërisht, por që pastaj e shkroi projektin artistik të Pink Floyd nga përtej studios dhe skenës, si prani hije dhe rrëmbushje faji. E pata marrë për ta lexuar, ngaqë Pink Floyd më ka shoqëruar, muzikalisht, gjatë një periudhe kritike të jetës sime – në vitet 1980; dhe ngaqë më tërheqin historitë për artistë në dialog me marrëzinë; dhe ngaqë këngët e Syd Barrett-it, ato në albumin The Piper at the Gates of Dawn, i kam përjetuar si rrallë të tjera, duke u mahnitur me strukturën e tyre, magjinë, atmosferën e horror-it ekzistencial.

Nuk besoj se Michele Mari do ta fitojë ndonjëherë Nobelin; dhe as më bëhet vonë. Romani i tij më flet mua ashtu si pak vepra të tjera, dhe kaq më mjafton. Mbase do t’ia rekomandoja ndonjë miku a të afërmi, që ka ndarë me mua eksperiencën Pink Floyd në vitet 1980 dhe që, njëlloj si unë, ka arritur, nëpërmjet muzikës së tyre, të ngjitet një shkallë më lart drejt sublimes. Romani ka një strukturë të pazakonshme, si koleksion monologësh të imagjinuar, të personazheve që përndryshe shfaqen në narrativën reale të Pink Floyd – nga familjarët e Syd Barrett-it, tek Alan Parker, regjisori i filmit The Wall. Historitë që këta rrëfejnë bashkëtingëllojnë, brenda meje, me eksperiencat e mia personale, përfshi edhe dy koncerte – njëri nga Pink Floyd në 1988 dhe tjetri nga Roger Waters në 2010; shto këtu edhe vetë filmin The Wall dhe fantazmagoritë e tij unike.

Çfarë lidhje kanë të gjitha këto me Annie Ernaux? Asnjë lidhje, përveç faktit që – për fatin tim të mirë – jetoj në një botë kulturore, ku mund t’ia lejoj vetes ta shpërfill autoren fituese të Nobelit të fundit, qoftë edhe me arsyen e thjeshtë se jeta është tepër e shkurtër, për të rendur pas laureatëve të çmimit letrar, qoftë ky edhe Nobeli. Juria në Stockholm ka punën e vet dhe nuk më pyet mua, për kë të vendosë vit pas viti; por edhe unë e kam aq personal raportin me letërsinë, sa nuk më bëhet fort vonë për shijet e disa suedezëve të rafinuar.

Si edhe çdo vit tjetër, edhe këtë vit u fol për Nobelin e munguar të Kadaresë. Do të më bëhej qejfi sikur ta fitonte, sepse – njëlloj si për Pink Floyd – me Kadarenë kam kaluar vitet më delikate të jetës sime dhe, për mirë a për keq, ai ma ka mësuar magjinë e rrëfimit letrar; jo i vetmi, absolutisht jo i vetmi, por nga më të rëndësishmit mësues që kam pasur në filloren dhe të mesmen letrare. Por kam edhe bindjen se përfshirja këmbëngulëse e këtij autori, në listat e kandidatëve të Nobelit, gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit, ia ka dëmtuar këtij keq qasjet mirëfilli artistike – dhe fjongoja e medaljes imagjinare i ka rënduar si kular në qafë, duke e detyruar të shkruajë dhe të botojë si “kandidat”.

Gjithsesi, Nobeli i ndihmon disa shkrimtarë që të fitojnë dukshmëri (nuk po them popullaritet), sikurse i ndihmon edhe botuesit dhe industrinë e librit. Nëse dikush e zgjedh sot një libër të Annie Ernaux për ta lexuar, duke e gjykuar Nobelin si rekomandim, mundet që t’ia shijojë veprën dhe të përfitojë shpirtërisht prej saj – por më shumë gjasë ka që libri të përfundojë i ekspozuar në bibliotekën personale në sallon, jo në ndonjë raft të papafingos. Është gjithnjë më e volitshme, në rrethana të tilla, që ta trajtosh librin si aksesor dhe t’ua tregosh të tjerëve, ose të paktën t’i lësh të tjerët që ta shohin se e ke. Libri që ti lexon është gjithnjë pjesë e profilit tënd, por nuk di të them nëse është mirë, që të bëhet pjesë e profilit tënd social ose e “your story”.

Dhe këtu kthehem sërish te pyetja: për ç’arsye lexojmë? Sot e vë re shpesh se e kam më të lehtë se dikur, që t’i lë librat përgjysmë – e ndiej më të dobët detyrimin për ta bërë timin një tekst, thjesht ngaqë disa të tjerë e kanë gjetur të vyer kur e kanë bërë të vetin. Ndonjëherë ndiej brenda meje shtysën – gati prej adikti – që të qëmtoj libra të cilët kam dashur t’i lexoj dikur dhe nuk i kam gjetur dot (në rininë time ishte tejet e vështirë të gjeje librin që doje; dhe shumë më e lehtë të doje librin që kishe gjetur). Ndonjëherë tjetër tërhiqem pas veprash të cilat më rrëfejnë, me fjalë dhe imazhe të tjera, jetën time dhe të brezit tim – madje ma rrëfejnë ashtu si nuk e kisha ditur. Më pëlqejnë përrallat, por më pëlqejnë edhe historitë në vetë të parë. Ngaqë lexoj në disa gjuhë, po bindem se duhet të bëj kujdes edhe për gjuhën që zgjedh, për t’iu qasur një vepre.

Ka gjithnjë diçka të shëmtuar, për letërsinë, ditën kur shpallet Nobeli: sepse letërsia nuk është as mund të jetë garë sportive, dhe Nobeli yt mund të jetë letër higjienike për mua (dhe anasjelltas). Tek ne në Shqipëri, që jemi mësuar me retorikën e “shkrimtarit më të mirë”, ndodh rëndom që disave t’u shkojnë jargë nga goja për dikë, sapo të lajmërohet se e ka fituar çmimin. Ne adhurojmë fitimtarët dhe përçmojmë humbësit, pa e kuptuar sa menjëherë bëhemi të gjithë humbës, duke iu qepur nga pas qerres së ngadhënjimtarit. Le t’ua lëmë turmave në shesh, këtë lloj kremtimi; le t’ua lëmë atyre që nuk e përjetojnë dot letërsinë, sipas përmasës së lirisë.

(c) 2022 Ardian Vehbiu dhe Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: Photo by Fauzan Saari on Unsplash

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin