Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Lexim / Libri Shqip

DOMATE, TË FRESKËTA DHE JO

U bënë vite që, para se të vendos të shoh një film – në kinema, por edhe në TV – të shkoj dhe të verifikoj “notën” që i kanë dhënë në sajtin Rotten Tomatoes, një agregator shkrimesh kritike për filmat, të themeluar në vitin 1998.

Me kohë, sajti është pasuruar me qasje dhe informacione gjithfarësh, për filmat dhe televizionin; por shtylla e tij kurrizore mbetet vlerësimi – i ponderuar – i filmit në kinema dhe, tani së voni, edhe në streaming.

Rotten Tomatoes qëmton shkrime dhe analiza filmash në sajte, bloge dhe revista online (gjithë duke ruajtur orientimin anglocentrik), të cilat i lajmëron pastaj me linke në një listë. Varësisht faktit nëse analiza është pozitive ose negative, filmi klasifikohet si “fresh” ose “rotten” (i kalbur), në analogji me domaten.

Kështu, filmi Dog përfaqësohet – tani që shkruaj – nga 140 shkrime kritike, prej të cilave 106 “fresh” dhe 34 “rotten”; çfarë do të thotë se shumica e kritikëve e kanë gjykuar filmin si të mirë. Për disa shkrime, jepet edhe një rating, zakonisht sipas shkallës 1-5. Vend më vete u jepet komenteve dhe analizave nga publiku.

Rotten Tomatoes sot zë vend qendror në marrëdhëniet e filmit me publikun, edhe pse formula që ndjek nuk është e përsosur – meqë sjell një farë rrafshimi në vlerësimet. Nga ana tjetër, shumë nga autorët që mund t’i zbulosh përmes linkeve atje dinë si të flasin profesionalisht për filmat, njohin me rrënjë regjisorët, skenaristët dhe aktorët dhe janë në gjendje t’i vendosin filmat në kontekst.

Vizitori i rregullt i sajtit jo vetëm mund ta përdorë për të zgjedhur se ç’film të shohë, por edhe – me kohë – të ndjekë një kurs universitar sui generis për kinemanë bashkëkohore, veçanërisht në marrëdhëniet e saj me publikun.

Ndryshe nga vlerësimet për produkte kulturore si filmi dhe libri, që gjen në sajte komerciale si Amazon, dhe që shpesh kanë origjinë të dyshimtë, në Rotten Tomatoes mund të gjesh dhe të ndjekësh kritikë profesionistë, por edhe amatorë të apasionuar dhe me integritet, të cilët ia kanë kushtuar jetën shijimit të filmit, për vete e sidomos për tjetrin.

Doemos, që të ekzistojë një agregator i tillë, është dashur që të ketë në dispozicion një ofertë plurale kritikash të filmit; por tani që Rotten Tomatoes e ka konsoliduar praninë e vet në ekosistemin kinematografik ajo shërben si nxitje dhe amplifikator i kritikës filmike, duke ndihmuar për t’i mbajtur edhe kritikët në kontakt me publikun.

Agregatorë të tillë më bëjnë shpesh të pyes veten nëse mund të organizohet diçka e ngjashme për librin shqip; përgjigjja e vetvetishme, se një sajt i tillë tek ne nuk do të kishte se ku t’i qëmtonte materialet e veta qëndron, por edhe rrezikon të humbasë në paradoksin e vezës dhe të pulës. Një argument tjetër negativ do të ishte që ne jemi kulturë e vogël dhe prandaj e lidhur nyje – dhe askush nuk do t’i pengojë qokatarët e sotëm që t’i vazhdojnë qokat e tyre edhe në mjedise dhe kontekste të reja.

Edhe një pyetje tjetër vjen natyrshëm: a ka, në kozmosin anglo-sakson, një Rotten Tomatoes për librin? Në fakt ka, edhe pse nuk e ka peshën dhe autoritetin e simotrës së vet për filmat – një agregator i quajtur Book Marks (https://bookmarks.reviews/) – i themeluar në 2016, por që mua personalisht nuk më bind, sepse më duket sikur i mungon nervi, për të mos thënë agresiviteti.

Suksesi i Rotten Tomatoes, për mua, i ka rrënjët në numrin relativisht të madh të shkrimeve, analizave dhe komenteve negative (rotten); të cilat, edhe kur nuk janë tërësisht objektive dhe u përgjigjen më shumë shijeve specifike të këtij apo atij autori, kanë meritën që ua ngrenë vlerën, sado tërthorazi, vlerësimeve pozitive.

Në realitet, një pjesë e madhe e atyre që shkruajnë rregullisht për filmin zhvillojnë, me kalimin e kohës, një lloj deformimi profesional, që jo vetëm ua lodh shqisën estetike, por edhe i orienton ndaj vlerësimit pozitiv ekskluzivisht të risive strukturore dhe teknike ose – alternativisht – thyerjes së tabuve, gjithë duke ua shtuar alergjinë ndaj kitsch-it dhe klisheve. Për këtë arsye, filmat që marrin vlerësime maksimale shpesh janë edhe të vështirë për t’u ndjekur nga publiku; sidomos nga ai publik që nuk ka shumë pretendime për filmin.

Avantazhi i një sajti agregator është se arrin t’i amortizojë efektet që ka filmi, ndaj kritikëve snobë dhe të saturuar; gjithë duke kompensuar edhe për trysninë komerciale që detyrimisht shoqëron çdo film blockbuster, që ka kushtuar me qindra milionë USD për t’u prodhuar.

Por Rotten Tomatoes shërben edhe si bibliotekë vlerësimesh kritike në rrjedhë të kohës; dhe atje mund të gjesh fare lehtë shkrime deri edhe për filma të gjysmë shekulli më parë, në mos më të hershëm; mjafton të dish për çfarë kërkon.

Pse të mos kemi diçka të ngjashme edhe për librin shqip, ku lexuesi të mund të informohet për librat e rinj dhe më pak të rinj, për përkthimet dhe ribotimet, për kolanat dhe konkurset dhe çmimet letrare? Disa sajte online, si Leximtari (shërbim i Bukinist.al), Shtëpia e librit dhe ndonjë tjetër përpiqen për ta ofruar këtë lloj shërbimi, por edhe këto do të vleftësoheshin ndryshe, po të përfshiheshin në një agregator. Për mendimin tim, me financimin e nevojshëm publik dhe privat (shtëpitë botuese), edhe faqet e lartcituara mund të shndërrohen një ditë në agregatorë të informacionit dhe vlerësimit për librin shqip.

Sot ka nevojë të ngutshme si për informacion të thjeshtë për librin e ri, ashtu edhe për gjykimin profesionist rreth këtij libri të ri; siç ka nevojë njëlloj të ngutshme për të rikuperuar botimet e periudhës 1990-2015 (përafërsisht) shumë prej të cilave janë zhdukur nga raftet e librarive dhe nuk i gjen as në biblioteka. Edhe pse, falë frenezisë institucionale, duket sikur kultura publike i kushton vëmendje e kujdes traditës, në të vërtetë kujtesa e librit është në rrezik, sa kohë që fokusi është ndaj së resë, së resë, së resë – në tituj dhe në autorë; pa çka se edhe e reja vetë është koncept relativ, dhe nuk krijon dot identitet, pa iu kundërvënë diçkaje më pak të re.

E mira e madhe e agregatorit është se ofron një infrastrukturë solide për temporalitetin e librit shqip, si diçka e ndryshme nga tradita; në kuptimin që krijimtaria poetike e Fishtës është traditë dhe si e tillë do të mirëmbahet; por lexuesi dhe dashamirësi i librit ka nevojë edhe të dijë se ç’ka shkruar dhe botuar këto 30 vjet Natasha Lako ose Zija Çela, njëlloj sikurse ka nevojë të marrë vesh se çfarë ka botuar të re Natasha Lako ose Zija Çela. Sa për të sjellë dy shembuj.

Ekosistemi i librit shqip nuk është optional; pa ekosistemin, libri nuk jeton dot; sepse ekosistemi i jep kontekstin ku do të hyjë në marrëdhënie me lexuesin. Deri më sot, shpesh e kemi ngatërruar ekosistemin me pamjen e librit shtrirë në krevatin kolektiv të shtëpisë botuese përkatëse, në Panair; në agoni absurde për të komunikuar me libra të tjerë, me të cilët i ka qëlluar të udhëtojë në të njëjtën karroceri kamioni. Por shumë prej nesh janë aq të vetëdijshëm, sa ta kuptojnë që për librin duhet shumë më tepër se dritat me xhixha, intervistat e tipit “si e keni emrin zoti Agron” dhe mega-ekranet.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin