MENDIME TË PAKREHURA (LXXV)

(nga Stanislaw Lec*)

E mbante shumë lart flamurin: nuk donte ta shihte me sy.

Ja një martir: ia doli të rrijë në kryq, pa e gozhduar kush!

Profetët e rremë i realizojnë vetë profecitë e tyre.

Nganjëherë edhe qentë e tundin zinxhirin.

Shqiponjat duhej t’i kryenin nevojat në re!

Kushedi ç’do të kish zbuluar Kolombi, sikur të mos ia kish zënë rrugën Amerika.

Ruhu nga djalli, mund të të shfaqet edhe me pamjen e djallit!

Të rrish me shkurtabiqë, të shtrembërohet kurrizi.

Edhe kur ta mbyllin gojën, pyetja mbetet e hapur.

U detyrova të shpalos flatrat: më hodhën nga avioni, por pa parashutë.

Mos flirto me kuzhinieren e tiranit: mund të helmohesh me kotoletën e këtij.

Mos i prisni njerëzit krahëhapur: mos ua bëni më të lehtë që t’ju kryqëzojnë.

Kush ka qenë dikur monument, do ta ketë të vështirë të jetë pastaj edhe model.

Ata që ëndërrojnë, i kalojnë netët pa gjumë.

Njeriu do të triumfojë. Ndaj njeriut.

Sikur t’i kisha ditur dikur ato që do të dija sot, nuk do t’i kisha ditur sot.

Edhe hienat e zbutura duhen ushqyer me kërma.

Të jesh në gojën e ujkut s’është gjë; mendo që duhet t’i durosh edhe frymën e qelbur!

Disa parashikojnë se do të mbetem aktual për një periudhë shumë të shkurtër. Kujtojnë se flas për ta, në shkrimet e mia.

Kur nuk ka gjë me çfarë të qeshësh, ja ku shfaqen satiristët.

Mus u zini besë njerëzve! Janë të zotët për gjëra të mëdha.

Nuk i duroj dot mizantropët, prandaj u shmangem njerëzve.

Njeriu nuk është kurrë i vetmuar. Gjithnjë do të ketë dikë që ta përgjojë.

Njeriu që nuk ka mëshirë, duhet t’ua lypë të tjerëve.

Ndonjëherë, lakeu i paguar fillon t’i besojë vërtet misionit të vet.

Zëdhënësi të mos habitet që ai që i flet nga brenda t’i pështyjë në fytyrë.

Për këtë tip mund të thuhej: “Persona non gratis.”

 


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht).

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin