Metafora e “shkallës së Wittgenstein-it” (Wittgenstein’s Ladder) e ka zanafillën te ky pasazh në Tractatus Logico-Philosophicus:
Propozitat e mia shërbejnë si sqarime në mënyrën e mëposhtme: ata që i marrin vesh, herët e vonë do ta shohin se ato nuk kanë kuptim, sapo t’i kenë përdorur – si shkallare – për t’u ngjitur përtej. (Atyre u duhet, si me thënë, ta hedhin tutje shkallën, pasi të jenë ngjitur.)
Një interpretim i mundshëm do të ishte: nëse ti kërkon të hysh në një kopsht, sepse të pëlqen gjelbërimi, por kopshti është i rrethuar me mur, atëherë je i detyruar të përdorësh një shkallë për ta kapërcyer murin, por pastaj shkallën mund ta hedhësh tutje, sepse në vetvete, ose si vegël, ajo nuk ka ndonjë lidhje të brendshme (intrinseke) me marrëdhënien mes teje dhe gjelbërimit.
Metafora, dhe koncepti që i bashkëlidhet, kanë edhe interpretime të tjera mbase më të rëndësishme – për të janë shkruar artikuj dhe janë hapur debate, sidomos në lëmin e logjikës dhe të filozofisë së gjuhës.
Kanë thënë se edhe vetë Tractatus-i i Wittgenstein-it i ngjan kësaj shkalle: pasi ta kesh lexuar, ti do t’i shohësh gjërat më qartë, por vetë Tractatus-in mund ta hedhësh tutje, sepse nuk të duhet më.
Këtë arsyetim e pat bërë njëherë edhe Lacan-i, pa iu referuar drejtpërdrejt filozofit vjenez: kur e pyetën pse janë aq të padepërtueshme veprat e tij, u përgjigj (perifrazoj): nuk ka nevojë t’i kuptoni; mjafton t’i lexoni, për t’u transformuar.
Ka një ngjashmëri mes “shkallës” së Wittgenstein-it dhe një parabole budiste, të njohur si “parabola e trapit” (angl. the raft parable): një udhëtar ka nevojë të kapërcejë lumin, që të mund të vazhdojë rrugën; prandaj ndërton një trap dhe e përdor për të kaluar matanë. Por pasi ka mbërritur në bregun tjetër, trapin mund ta lërë aty sepse nuk i duhet më – edhe pse i ka shërbyer aq mirë, nuk ka asnjë arsye që ta marrë me vete dhe ta bartë në kurriz, për sa i ka mbetur nga rruga, sepse trapi nuk është veçse një vegël që i ka hyrë në punë për një qëllim specifik, jo vlerë në vetvete.
Mua më vjen shpesh në mendje shkalla e Wittgenstein-it, kur shoh fatin e krijimeve të reja – letrare dhe artistike – në “tregun” tonë kulturor. Ti merr një fond nga shteti, bën një film “dokumentar” ta zëmë për Onufrin, pastaj ia prezanton publikut në një event ku marrin pjesë 30 vetë. Mbase të nderon me pjesëmarrjen e saj edhe Ministrja e Kulturës. Kaq.[1]
Po të kesh kontaktet e duhura, dokumentarin mund të ta marrë një kanal TV; përndryshe ti e hedh në Vimeo dhe u jep miqve të tu fjalëkalimin. Veprën tënde e përshëndesin në Facebook dhe në ndonjë media. Por ajo nuk ka shans që të qarkullojë, si vlerë kulturore – në mos për tjetër, sepse për të nuk ka pasur ndonjë nevojë akute, as ndonjë kërkesë nga publiku; dhe si vepër, dokumentari yt nuk është as mish as peshk: ca marrje filmike, ca pamje nga Berati, ca intervista me historianë të artit kishtar.
Megjithatë, ty filmi të ka shërbyer si shkallë e Wittgenstein-it, për të të projektuar – nuk po them ende katapultuar – drejt një statusi të ri. Nesër ti do të marrësh një çmim për të (rrallë qëllon që një film dokumentar ose jo të mbetet pa çmim); dhe ndërkohë do të të ftojnë në prezantime filmash të ngjashëm, do të të zgjedhin në juri, me pak fat mund të të dërgojnë edhe në festivalin e filmit dokumentar në Fez të Marokut.
Përtej këtij roli, ty filmi nuk të duhet më. Ti madje mund ta humbësh krejt interesin për Onufrin, edhe nëse e kishe pasur në fillim. Çfarë të shtyu që ta bëje filmin, është ambicia për të bërë një film dokumentar, i cili kushton relativisht pak (në krahasim me një film fiction); dhe Onufri është temë “e garantuar”, për të siguruar fondin. Kush do të guxonte ta refuzonte ballazi mbështetjen e një filmi për “Onufrin tonë”?
Ky mekanizëm, falë të cilit krijimet artistike përdoren si shkallë të Wittgenstein-it, e redukton artin në performativ; ose në vegël që i shërben autorit (artistit) për t’u ngjitur në status. Pasi ta kenë kryer këtë funksion, krijimet mund të lihen mënjanë, siç edhe në fakt lihen, çfarë shpjegon pse sot kemi kaq shumë autorë dhe artistë, dhe kaq pak vepra të shijueshme. Avantazh tjetër i shkallës së Wittgenstein-it, si mekanizëm për promocionin e autorit a të artistit, është se kushton relativisht pak, krahasuar me promovimin e konsumit (leximit) real të veprës dhe kultivimin e një mjedisi kulturor adekuat.
Që të funksionojë, mekanizmi ka nevojë për një tip krijuesi të cilin e përcakton bukur fjala e anglishtes slang hack, e cila ka qenë përdorur për të shënjuar një shkrimtar mediokër, por sot e ka zgjeruar sferën e përdorimit. Hack-u është gjithnjë në gatishmëri, për t’iu përgjigjur rrethanave të reja: e ka gati dramën në një konkurs dramash; poemën për Skënderbeun në një konkurs poemash për Skënderbeun; dorëshkrimin në një konkurs veprash të pabotuara; idenë në një konkurs idesh; projektin në një konkurs projektesh. Nëse shoqata për mbrojtjen e qenve shpall një tender për një roman dorëshkrim me një personazh qen, ai e ka edhe atë roman gati.
Hack-u e kalon jetën e vet publike duke kërcyer nga një shkallë e Wittgenstein-it tek tjetra, derisa përfundon drejtor drejtorie në ndonjë ministri, ose ambasador gjëkundi (ambasadorllëku do t’i vlejë gjerësisht edhe për përkthimin e veprës së tij në gjuhën e vendit ku “shërben”). Establishmentit kulturor, nga ana e vet, i duhet hack-u për të përligjur aktivitetin e vet ritual, eventet dhe përurimet, qokat dhe kundërqokat, urimet dhe përgëzimet, like-t dhe emotikonat; por edhe për t’u riprodhuar vetë, me “burime njerëzore” (çfarë shprehjeje!) të freskëta.
© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Shembulli që sjell është i sajuar dhe nuk i referohet asnjë filmi dokumentar që mund të jetë bërë për Onufrin.