Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

TREGU DHE THIRRJET PËR CENSURË

Po ndiqja një emision në radio kushtuar filmit “Salò” të Pasolinit, dhe mes të tjerash, dhanë edhe një intervistë të vjetër të shkrimtares Dacia Maraini, e cila – gjatë polemikave që shoqëruan shfaqjen e filmit – pat ndërhyrë për të shpjeguar se ajo vetë ishte kundër censurës, sepse censura e trajton publikun si të ishte fëmijë; meqë fëmijët kanë nevojë për mbrojtje dhe tutelë, ndërsa të rriturit duhet të jenë në gjendje të gjykojnë vetë, në vend që t’ua delegojnë këtë gjykim autoriteteve.

Mendova se Maraini kish të drejtë në parim; meqë të rriturit, gli adulti, janë në gjendje të mbrohen vetë nga çfarë e gjykojnë si të keqe; dhe kjo edhe i përkufizon, si të rritur të përgjegjshëm. Por pop arti, televizioni dhe mass mediat në përgjithësi ka dekada që po e infantilizojnë publikun në Perëndim, duke bërë të pamundurën, për ta de-adultizuar dhe duke ia kultivuar tiparet fëmijërore të personalitetit.

Publiku ideal i televizionit, i blockbusters të Hollywood-it, i serialëve të Netflix-it, nuk mendon, as gjykon – por veç kalon përmes një bote bardhezi, të strukturuar sipas pseudo-moralitetit mainstream. Dihet ku janë të ligjtë dhe ku të mirët, ku është e bukura dhe ku e pabukura, ku është virtyti dhe ku vesi. Përtej hedonizmit dhe marifeteve komike, kultura pop ka natyrë thellësisht didaktike; dhe njëlloj siç ka nevojë fëmija për didaktikë, ashtu edhe didaktika e krijon fëmijën.

Por nëse produktet kulturore që mbizotërojnë tregun janë të tilla, që të përftojnë fëmijë, duke infantilizuar (një shembull: filmat e panumërt, të bazuar në Marvel comics), atëherë herët a vonë do të ngrihet dikush që të thotë se këta fëmijë, sado të përftuar artificialisht, kanë nevojë për mbrojtje dhe për tutelë, meqë përndryshe do t’i ekspozohen së keqes, ndaj së cilës nuk mbrohen dot vetë. Cilado qoftë kjo e keqe. Dhe ky dikush do të ndihet i përligjur, në thirrjen që bën për censurë.

Në kulturën amerikane mainstream, censura është tashmë realitet, në kontekstin e wokeismit, politikishtes korrekte, interseksionalizmit dhe preokupimeve të tjera identitare; dhe po i jep rezultatet e veta, duke i bërë produktet tipike, të kësaj kulture, të papërtypshme jo vetëm si vepra arti, por edhe si gjëra për t’u dëfryer. Edhe pse nuk mund të mendoj për ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë mes infantilizimit të publikut, shkaktuar nga kompromisi i kulturës me tregun, dhe wokeismit që e ka bazën në universitetet, sërish nuk mund ta shpërfill lidhjen e tërthortë, mes publikut haptazi infantil, madje tanimë të “emotikonizuar” nga rrjetet sociale, dhe thirrjeve të ripërsëritura për censurë. Nëse nga një publik adult pritet që t’u qaset produkteve kulturore në mënyrë kritike, publikut fëmijëror i duhet që këtë qasje kritike t’ua delegojë kujdestarëve të kulturës: censorëve.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin