Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Histori

MARINO DULCICHIO DHE STATUTET E SHKODRËS

nga Agron Alibali

“Statutet e Shkodrës” [Statutet], sjellë në dritë nga Prof. Lucia Nadin dhe të shqipëruara nga Prof. Pëllumb Xhufi, përbëjnë prurje madhore në historinë e shtetit dhe së drejtës në Shqipëri. Dispozitat juridike të Statuteve kanë nxitur dhe do të nxisin në vijim interesin e studiuesve të fushës e më gjerë.[1] Çështje të ndryshme të Statuteve janë trajtuar herë pas here tek Peizazhe të Fjalës.[2]  Këtu do të ndalemi në figurën e panjohur të transkriptuesit të tyre.

Me shumë gjasë, kopja e Statuteve duhet të ketë qenë depozituar në institucionet e Serenissima-s para rënies së Shkodrës në janar 1479[3], edhe si referencë e domosdoshme e burim i së drejtës për qytetin buzë Liqenit, Drinit e Bunës dhe, i cili pikërisht përmes kësaj të fundit, lidhej me tregti me Venedikun e me porte të tjera të Adriatikut e të Mesdheut. Madje Nadin thekson se kopja venedikase e Statuteve duhet të jetë sjellë atje në kohën fill pas vendosjes së protektoratit mbi Shkodrën në vitin 1396.

Lucia Nadin na përcjell edhe historinë e vetë dorëshkrimit, si “tejshkrim” i vitit 1504 të origjinalit të djegur apo të humbur më parë. Si autor, apo si “transkriptues” i dorëshkrimit jepet një Marino Dulcichio.[4] Nga ana tjetër, mendohet edhe se Dulcichio i pat hartuar Statutet duke u mbështetur në kujtesën e tij [“curato ‘in memoria’”].[5]

Dulcichiot e Shkodrës?

Po cili është Marino Dulcichio dhe cila ishte prejardhja e tij? Sikurse shpjegon Nadin, për Marino Dulcichio nuk dihet shumë.

Mbiemri Dulcichio shfaqet fill pas rënies së Shkodrës përmes disa pinjollëve të famshëm për të paktën tri breza me rradhë. Me të vërtetë, tre vjet pasi Shkodra iu dorëzua otomanëve, në vitin 1482 na del në Venedik një Stefan Dulcichio me titull Ambasador, i ngarkuar për të kryer disa transaksione tregtare e bankare në Ravena[6], ku familja Dulcichio, siç del më poshtë, kishte prani të rëndësishme.

Siç duket, familja Dulcichio duhet të kenë qenë ndër më të spikaturat e të kamurat e Shkodrës. E larguar përfundimisht nga vendlindja, familja Dulcichio me sa duket u zhvendos fillimisht në Venedik, ku Marino, jurist dhe administrator i talentuar, riprodhoi, pra,  më 1504 Statutet e qytetit të tij të origjinës për t’ua përcjellë brezave të ardhshëm. Marino Dulcichio përmendet rreth një brez pas Stefanit, dhe nuk përjashtohet që të ketë qenë i biri ose i nipi.

Pas Venedikut, Marino Dulcichion e hasim për herë të parë në Milano më 1513, d.m.th. nëntë vjet pas tejshkrimit të Statuteve të Shkodrës. Ai del aty në detyrën e lartë si vikar i Kapitenit të drejtësisë [“Vicario del Capitano di giustizia di Milano”].[7] Pozita e Vikarit ishte e ngjashme me atë të këshilltarit juridik të Kapitenit të Drejtësisë. Capitano di Giustizia kishte funksione në kuadrin e rendit, policisë dhe drejtësisë, sot të ngjashme me ato të Prefektit. Pak më vonë Marino Dulcichio del në Milano edhe si “Vicario di Provvisione,” [8] d.m.th. përgjegjësi për furnizimet e qytetit, njëfarë kryeintendenti apo kryeekonomati i tij. Në funksionin e parë, në rolin e këshilltarit, vikari duhet të kishte formim juridik, si dhe të ishte “forestiero”, d.m.th. jo vendas, pra neutral. Kurse në të dytin vikari ishte titullar, por gjithsesi për funksionin preferoheshin jovendësit. Është me interes të përmendet se që të dy funksionet, Capitano di Giustizia dhe Vicario di Provvisione, dalin gjerësisht në veprën i Promessi Sposi.

Bashkë me Barletin dhe Beçikemin, Dulcichio ynë na del, pra, i treti shkodran i madh me emrin Marin, si autoritet në Itali për studimet e kohës që lidheshin me Arbërinë e më gjerë.[9] Se cila mund të ketë qenë trajta origjinale, arbërishte e mbiemrit Dulcichio, që këtu e kemi me gjasë si prurje të venetishtes mesjetare, apo ndonjë origjinë a lidhje e mundshme e tij me Ulqinin, kjo takon gjuhëtarëve e historianëve ta hulumtojnë dhe ta trajtojnë shterueshëm. [10]

Duke iu kthyer lidhjeve Venedik – Ravena, një brez më vonë shfaqen në listën e personaliteteve të shquara të qytetit të Ravenës edhe dy pinjollë të tjerë të familjes Dulcichio, që madje arritën të marrin pozicionin e “Magistrati de’ Savii”, njëfarë këshilli laik, i veçantë për Ravenën, që gjithsesi ishte pozitë e nderuar, por me karakter të përkohshëm. Kështu, një Nicolò Dulcichio shfaqet në këtë pozicion në maj – qershor 1540, kurse një Vito Dulcichio del si i tillë në janar – shkurt 1546.[11]

Nicolò Dulcichio del përsëri edhe në vitin 1554, kësaj here në grupin e parisë së Ravenës që do të organizonte pritjen në qytet të kardinalit Ranuccio Farnese, që ishte edhe arqipeshkv i Ravenës. Për vizitën e tij me 28 tetor 1554 Senati i Ravenës u mblodh me 4 tetor dhe caktoi “jurokonsultin Girolamo Rigini, mjekun Matteo Fabri, një qytetar tjetër i quajtur Ubertello Gordi, si dhe Nicolò Dulcicchio – të quajtur Bancherio”, d.m.th “bankierin”, për t’u kujdesur për zbukurimin e rrugëve dhe pritjen me dinjitet të plotë të kardinalit.[12]

Dihet se Venediku e aneksoi Ravenën pas Traktatit të Kremonës të 20 nëntorit 1441 dhe e zotëroi deri në 1509, kur ia dorëzoi Papatit me Traktatin e Barcelonës. Gjatë kësaj periudhe besojmë se buron edhe e dhëna më e rëndësishme për familjen Dulcichio. Burimi përmend faktin se Venediku kishte “dërguar në Ravenë shumë qytetarë [të ardhur]; ndërsa më të pasurit, si familja Dulcichi, të mbiquajtur Bancheri [bankjerët], qytetarë të Shkodrës,[13]… blinin shtëpi dhe troje…”, kurse nevojtarëve iu dha për banim lagjja kala (citadella), çka ishte fort e leverdishme për ata si edhe për banorët e Ravenës.[14]

Fig. 1 – Familjet shkodrane dhe durrsake në Ravenë rreth vitit 1500, burimi, Storie ravennati, 1996.

Burimi, pra, dëshmon prejardhjen shkodrane të familjes Dulcichio, si dhe faktin se ata ishin një familje e kamur dhe me aktivitet në fushën e tregtisë dhe të financave të kohës.

Kjo dëshmi, e cila lidh drejtpërdrejtë me Shkodrën Marinin tonë, si pinjoll i familjes “Dulcichi”[15], dhe njëkohësisht “autorin” apo “riprodhuesin” e Statuteve të Shkodrës, mbështet përfundimisht tezën e Lucia Nadin për lidhjen midis Marin Dulcichios dhe Shkodrës.  Njëkohësisht, historia e familjes shkodrane Dulcichio, e përcjellë nga burimet e mësipërme, vërteton tezën tjetër të Nadin për “procesin e shpejtë të integrimit [në Venedik], [apo] osmozën e përshpejtuar mes të ardhurve [nga Shkodra] dhe vendasve…”.

Burimet e trajtuar në këtë studim të shkurtër janë botime në kohë dhe vende të ndryshme. Për arsye objektive nuk kemi hulumtuar në burime arkivore, të shumta në Itali, por sidomos ato në Venezia dhe Ravena, që me siguri do të japin të dhëna të tjera për këtë familje të madhe e historike të Arbërisë Veriore.

© 2022 Agron Alibali. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: Il disegno dela provincia di Albania, Domenico Zenoni, 1560.


[1] Ekzistenca e dorëshkrimit të “Statutit të Shkodrës” njihej të paktën qysh në mes të shekullit XIX. Një botim bibliografik i vitit 1879 shënon se studiuesi “A. Valsechi e pat gjetur dorëshkrimin në Bibliotekën e Muzeut Correr [Mc] në Venedik. Bibliografia statutaria e storica italiana, compilate da Luigi Constantino Manzoni, Vol. I. Leggi Municipali (parte seconda) Bologna, 1879, f. 379.

[2] Për të përmendur vetëm disa studime nga akademikët Pëllumb Xhufi, dhe Ardian Vehbiu e këtu.

[3] Një burim përmend se nga qyteti i sfilitur “dolën 240 burra dhe 150 gra, të mbeturit e mjerë të popullsisë së vet të shkatërruar nga lufta dhe nga uria. Storia di Venezia, compilata da N. Stivieri, 1870, ff. 123-124. Beçikemi ka shifra krejt të tjera. Me Vendim të Senatit të 6 majit 1479, shkodranëve të ikur iu dha vendbanimi i Gradishës, buzë lumit Isonzo, rreth 40 km në verilindje të Venedikut dhe me rëndësi strategjike për ruajtjen e kufirit. Friuli Orientale, Studi di Prospero Antonini, Milano 1865, ff. 255-256.

[4]La trascrizione veniva affidata a tale Marino Dulcichio: i titoli dei vari capitoli, nonché i capilettera venivani ornate in inchiostro rosso; in apertura venica acquerellato lo stemma di Scutari, in campo azzurro dorate con…”. Lucia Nadin Bassani, Migrazoni e integrazoni: il caso degli Albanesi a Venezia, 2008, f. 97.

[5] Mario Ascheri, Statuti di Scutari della prima metà del secolo XIV con le addizioni fino al 1469, a cura di Lucia Nadin, traduzione in albanese a cura di Pellumb Xhufi, con saggi introduttivi di Giovan Battista Pellegrini, Oliver Jens Schmitt e Gherardo Ortalli, Roma, Viella, 2002, pp. 245 (Corpus statutario delle Venezie, 15), tek Studi medievali • serie terza, anno LII – fasc. II, 2011 • pp. 1002-1003.

[6]1482, 25 dicembre – B. e i Savi scelgono nella persona di Stefano Dulcichio l’ambasciatore che dovrà recarsi presso Vettor Soranzo, capitano generale da Mar, a riscuotere il pagamento per il grano e le biade che i Ravennati hanno fornito all’ armata veneziana”. Referenca jepet si (ASCRa, Canc., reg. 8, c. 7 v)..Civiltà veneziana, Saggi, Volume 34, San Giorgio Maggiore, 1985, Venezia.

[7] …Marino Dulcichio, duke zëvendësuar Giovanni Andrea de Canibus, që ishte emëruar si Prefekt i çështjeve penale dhe pastaj Vikar i përgjithshëm [Marino Dulcichio, nominato in luogodi Giovanni Andrea de Canibus, prefetto delle cose criminali e poi a Vicario Generale]”. Caterina Santoro, Gli office del commune di Milano e del dominio visconteo sforzesco (1216 – 1515), 1968, f. 421.

[8] Annuario storico statistico, 13, Milani, 1914, f. xii.

[9] I pari, Marin Barleti (Marinus Barletius, 1450-1512), na pruri historinë e Skënderbeut dhe të rrethimit të Shkodrës. I dyti, Marin Beçikemi (Marinus Becichemus, Shkodër, i njohur edhe si Marin Bečić 1468 – Padova1526), pati karrierë të shquar si pedagog, humanist dhe akademik i dorës së parë.

[10]Për temën vlen të përmendet, ndër të tjera, edhe studimi mbresëlënës Rituali i Donich Buzukut, i Prof. B. Demirajt, botuar para do kohe në këtë revistë.

[11] Lustri Ravennati, Dall’ Anno Mille, e trecento fino all’ Anno Mille, e cinque-cento ventuno, brevemente descritti da d. Serafino Pasolino etj, Bologna, 1680, Parte Terza, 111, 115

[12] Girolamo Rossi, Storie Ravennati, Longo, 1996, f. 728. Ka interes të përmendet se funksioni i Magistrato di Savi, që s’duhet ngatërruar me traditën e Ravenës, shfaqet së pari në Venedik, në organizmin Savi agli Ordini, ku pesë magjistratët kishin funksione të rëndësishme në të drejtën e detit etj.

[13] Për kuptimin e fjalës “bancheri”: Titus Müller, Die Todgeweihte: Roman, 2015: Bancheri. Es kommt vom italienischen Wort für Bank. Die Bancheri haben früher als Geldwechsler ihre Bank auf den Märkten Genuas und Venedigs aufgestellt, und wenn sie es gar zu arg trieben mit dem Betrug an den Kunden, dann kamen jene .

[14]Pertanto i Veneziani, come abbiamo detto, mandarono a Ravenna molti cittadini di quelle citta, che erano andati da loro; mentre i più ricchi, come i Dulcichi, soprannominati Bancheri, cittadini di Scutari, i Pellegrini, soprannominati Cavallari, i quali erano di Durazzo, e parecchi altri, si compravano case e fondi, ai bisognosi fu assegnata come abitazione la cittadella, con grande vantaggio loro e dei Ravennati.” Girolamo Rossi, Mario Pierpaoli, 1996, f. 643

[15] Familja Dulcichi del deri vonë. Kështu, në listën e pasagjerëve italianë që mbërritën në Nju Jork nga korriku 1888 deri në tetor 1890 del edhe një Cata Dulcichi. Ira A Glazier, Percy William Filby, Italians to America: Passengers arriving at New York, July 1889-October 1890, Scholarly Resources, 1992 f. 69.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin