TURPËRIMI I BONOS

Sot që u botua eseja për turpërimin, si kusht të relevancës jo vetëm morale, më doli përpara një intervistë e Paul Hewson, që të gjithë ne e njohim si Bono, frontman të grupit rock U2, artist që ka shkruar historinë e zhanrit-t në vitet 1980-1990 dhe ndoshta edhe më gjatë.

Bono rrëfen si, kur ishte një herë në makinë, qëlloi që radioja përcolli një prej këngëve të grupit dhe ky “u bë flakë i kuq”, sepse u ndje në siklet. Çfarë kish qenë dhe me gjasë mbetej sukses i grupit, nëmos triumf, tani e zinte autorin ngushtë, përballë tjetrit dhe sidomos vetes.

“Mendoj se U2 vozitin fort drejt sikletit,” thotë ai në intervistë. “Dhe ndoshta ky është vendi që duhet të ketë artisti, mu në zgrip të sikletit të vet.”

Teksti origjinal përdor fjalën imbarazzo, të cilën unë zgjodha ta jap në shqip “siklet” – mund të zgjidhja edhe “zor”, “sëkëlldi”, mbase edhe “turpërim”, kjo e fundit si e ndryshme nga “turpi” (vergogna). Është ndjesia e fundit që na shkon mendja t’ia atribuojmë një këngëtari rock, i cili e kalon jetën publike i zhytur në glamour.

Mirëpo Bono dhe grupi i tij, U2, nuk mund të likuidohen si argëtues, entertainers; që në zanafillë kanë synuar më tej dhe e kanë arritur. Më kujtohet tani momenti kur i ndesha për herë të parë, gjatë koncertit Live Aid në 1985 dhe i ndoqa gojëhapur. U2 i atyre viteve sillte risi edhe në shoqërimin muzikor të këngës rock, sidomos në krahasim me standardin e vendosur prej hard rocker-ëve Led Zeppelin & Co. – kjo edhe për meritë të kitaristit The Edge. Aq unik ishte sound-i i tyre, sa mua do të më mjaftonin dy-tre nota për t’i identifikuar.

Pse flet pra, Bono, për “siklet”? Të jetë sikleti i të shkuarit kundër rrymës, i thyerjes së konvencionit, i shkeljes të çfarë mund ta quajmë “etikë të formës”, ose respekt të zhanrit? Një artisti që kërkon të flasë, do t’i duhet, herët a vonë, të përballet me disiplinën e zhanrit – le ta quajmë këtë autoritet. Risia që sjell, është edhe sulm ndaj këtij autoriteti, vënie në krizë (mise en crise), dekonstruksion.

Prandaj edhe turpërimi nuk është veçse qortimi që na vjen nga autoriteti në super-ego, përçmimi që ka përsosja ndaj risisë, që kërkon përsosmëri tjetër.

U2 jetoi aq gjatë në kreshtën e valës, sa krijoi modelin e vet dhe pastaj u detyrua të përleshet me rrezikun e përsëritjes së vetes. Risitë e djeshme u kristalizuan dhe u kthyen në vargonj. Bono në makinë, që ndoshta sikletoset nga këngët e hershme të grupit të vet – dhe nga eksperiencat e hershme – është artisti që përplas kokën te monumenti i vet.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin