nga Albert Doja
(Shënim i botuesit AV: Ky shkrim vjen në vazhdim dhe si përgjigje ndaj dy shkrimeve të botuara këto ditë në Peizazhe të fjalës: Pyllit pa spatë, nga Sait N. Saiti, dhe reagimit tim ndaj shkrimit të Saitit, Pylli dhe kopshti. U lutem lexuesve t’i mbajnë këto dy shkrime parasysh si kontekst të domosdoshëm, kur t’i qasen kontributit të Dojës, i cili e gjen vendin në rrjedhë të një bashkëbisedimi, që do të dëshiroja ta vazhdonim edhe me kolegë të tjerë.)
Nuk mund ta di nëse autori i një shkrimi të cituar këtu, kur përmend një antropolog e ka fjalën për një person konkret apo për një koncept abstrakt që ai mund të ketë për antropologun si druvar pa sëpatë në pyll. Sidoqoftë, në këtë rast si dhe shumë herë të tjera, më duket se ka një keqkuptim mbi punën e antropologut, i cili nuk ka për qëllim të vulosë e të certifikojë të vërtetat e amshuara ashtu si duhet të kenë qenë para se të shprishen nga individë të pakujdesshëm, injorantë, apo të prirur për ndërhyrje të qëllimshme. Ky mund të jetë pikësynimi i studiuesve të trashëgimisë folklorike apo i historianëve të kulturës, të cilët normalisht përpiqen, për shembull, të rizbulojnë e të ritregojnë se si ka qenë a duhet të ketë qënë e drejta zakonore e quajtur Kanun; cilat janë a duhet të jenë tiparet e qenësishme të krijimtarisë gojore të ciklit të kreshnikëve, baladave, legjendave, përrallave e meseleve që njerëzit këndojnë e tregojnë a duhet të kenë kënduar e treguar me njëri-tjetrin; cilat janë a duhet të jenë zakonet, traditat dhe vlerat morale e shoqërore të këtyre njerëzve; apo cila është a duhet të jetë origjina e kanunit, e ciklit të kreshnikëve, e traditave gojore, materiale, artistike, letrare, si dhe origjina e vlerave që këta njerëz trashëgojnë a duhet të kenë trashëguar.
Në dallim prej tyre, antropologu synon të vëzhgojë mënyrën se si në një vend apo një kohë të caktuar njerëzit kanë krijuar këtë apo atë traditë kulturore dhe i japin këtë apo atë kuptim sjelljes dhe veprimtarisë së tyre në këto apo ato kushte të caktuara. Ajo që i intereson antropologut nuk është si ka qenë apo duhet të ishte kjo apo ajo traditë kulturore, por pse njerëzit kanë krijuar këtë traditë kulturore dhe jo një tjetër. Kështu, për shembull, antropologu përpiqet të kuptojë pse në këtë apo atë situatë, këta apo ata njerëz zbatojnë këtë apo atë normë zakonore, këndojnë këtë apo atë këngë a baladë, tregojnë këtë apo atë legjendë, përrallë a mesele, vlerësojnë këtë apo atë praktikë, traditë a moral shoqëror. Jo rrallë ndodh që vëzhgimet e antropologut të mos përkojnë me pritshmërinë intuitive. Por në çdo rast, vëzhgimet antropologjike synojnë të kuptohet se si funksionon mendja njerëzore dhe si sillen njerëzit në shoqëri.
Me këtë pikësynim, mes atyre njerëzve që vëzhgon antropologu nuk bëjnë përjashtim as udhëtarët, aventurierët, diplomatët, shkrimtarët, artistët, aktivistët kulturorë, as mbledhësit e materialeve, organizatorët e festivaleve popullore, studiuesit e trashëgimisë folklorike, historianët e kulturës, si dhe as mbarë studiuesit e traditës albanologjike, madje as edhe vetë antropologu me interpretimet e veta. Në këtë rast si dhe në çdo rast tjetër, detyra e antropologut është të kuptojë, për shembull, pse normat zakonore janë islamizuar apo otomanizuar nga Komisioni i Xhibalit, pse ato janë katolicizuar, latinizuar apo shqiptarizuar nga Shtjefen Gjeçovi, pse janë kthyer në mbeturina të prapambetura nga folkloristët e komunizmit, si dhe pse ato angazhohen sot për qëllime të tjera nga relativistët e demokratizmit. Po kështu, antropologu synon të kuptojë pse këngët e kreshnikëve, baladat, legjendat, përrallat e meseletë, si dhe traditat e tjera gojore, materiale, artistike dhe letrare kanë pësuar ndryshime të caktuara në paraqitjen e tyre sa herë që janë mbledhur e regjistruar nga aktivistë të ndryshëm në kohë të ndryshme.
Pyetjet antropologjike të ngjashme me këto janë të shumta. Pse albanologët e hershëm, udhëtarët, aventurierët dhe diplomatët austriakë apo klerikët italianë kanë preferuar të japin ato interpretime që sot mund të duken të gabuara ose të qëllimshme? Pse De Rada rikrijoi “motin e madh” dhe të kaluarën e tyre të lavdishme të shqiptarëve nën Skënderbeun duke mbledhur e botuar ato që ai i konsideronte si rapsoditë e një poeme shqiptare dhe që sot mund të na duken të dyshimta? Pse Naim Frashëri rikrijoi në të njëjtën kohë dhe me të njëjtat mjete si martirizimin e Qerbelasë edhe heroizmin e Skënderbeut, paralelizmi i të cilëve mund të dukej i pamundur si në atë kohë edhe sot? Pse folkloristët e komunizmit i mblodhën normat kanunore në mënyrë të tillë që t’i dënojnë dhe t’i zhdukin si mbeturina të prapambetura, që sot mund të na duket e padrejtë. Për fat të mirë, një pjesë e përgjigjeve për këto lloj pyetjesh janë sqaruar e po sqarohen, por ka edhe pyetje të tjera që presin akoma përgjigje. Si për shembull, pse në studimet shqiptare, tradita albanologjike po sulmohet nga rigjallërimi i traditës së vjetër pellazgjike, që shumëkujt mund t’i duket e pasaktë dhe joshkencore?
Sidoqoftë, ndërhyrjet e mbledhësve të materialeve në materialet e mbledhura prej tyre nuk e bëjnë të pamundur shfrytëzimin e këtyre materialeve, ashtu si dhe kjo nuk do të thotë se materialet e mbledhura që “vuajnë” nga këto ndërhyrje janë të dyshimta apo joautentike. Përkundrazi, ndërhyrjet në materialet e mbledhura i lejojnë antropologut të zbulojë pse mbledhësit e materialeve kanë bërë këto ndërhyrje dhe jo të tjera. Në fund të fundit, gjurmimi dhe analiza e hollësishme e ndërhyrjeve në normat e kanunit, në këngët e kreshnikëve, në botimet e teksteve, ashtu si dhe në studimet albanologjike, na bëjnë të mundur të kuptojmë se si kanë vepruar dhe pse kanë zëvendësuar njëra-tjetrën ideologjitë e ndryshme dogmatike dhe fundamentaliste, si romantizmi, kolonializmi, apo nacional-komunizmi, ashtu si dhe pse nuk jemi shumë të ndjeshëm ndaj ndërhyrjeve të sotme që kryhen nën trysninë e ideologjisë së progresizmit dhe liberalizmit apo iliberalizmit.
© 2021 Albert Doja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.