U bënë ca kohë tashmë, javë mbase, që në çdo dyqan të New York-ut që hyj po luajnë këngë të Elton John-it në sfond, dhe kjo më vë në mendime, edhe pasi kam eliminuar selection bias, ose mundësinë që unë të vë re dhe të mbaj mend, me përparësi, vetëm vizitat në ato dyqane ku luajnë zakonisht këngë të E.J.-it (ose që në dyqanet ku shkoj unë e kanë qejf ta luajnë E.J.-in). Dhe nuk di nëse duhet të më vijë keq për veten, për trashëgiminë muzikore të atij artisti, për faktin që po shkoj në ca rrëzoma ku muzika pop vjen për të vdekur, apo për të gjitha këto së bashku. Gjithnjë kam dashur të kuptoj se çfarë kushtesh duhet të plotësojë një këngë pop për t’u pranuar në listën e titujve që luhen – bie fjala – në një drug store ose dyqan mallrash të zhvlerësuara; me siguri, ata që e zgjedhin, e gjykojnë si jo-ofensive dhe si të aftë për t’i bërë blerësit të ndihen të relaksuar dhe plot shpresë për të ardhmen, edhe pse një votë nga ata që punojnë në dyqan nuk është për t’u përjashtuar. Edhe nga E.J., meqë flasim për të, vështirë që të luajnë ndonjëherë The Bitch Is Back, pavarësisht nga virtytet artistike të kësaj të fundit.
Por mua, kur dëgjoj zërin e Eltonit të më përshëndetë nga tavani i dyqanit, më kujtohet gjithnjë trajektorja e këngëve të tij, në botën ku jam rritur, duke filluar nga herët në vitet 1970, kur kam ndeshur për herë të parë Crocodile Rock, që ish ngjitur në vend të parë në Hit Parade-in italiane, dhe që unë e interpretoja si diçka të lidhur njëfarësoj me krokodilin, kafshë që gëzonte një farë popullariteti në Shqipërinë e asaj kohe (falë edhe shprehjes therëse lot krokodili, të publicistikës sonë sovjetike); dhe pastaj me Rocket Man, që ishte pak më e ndërlikuar, edhe muzikalisht; por edhe me Daniel e ndonjë tjetër.
Nuk më kujtohet se kur e kam parë E.J.-in në TV për herë të parë; por më kanë bërë përshtypje syzet e tij, madje edhe më fort se virtuoziteti në piano, sepse më është dukur sikur syzet fatalisht ia kishin kushtëzuar gjithçka tjetër në pamje, në gjeste dhe në art. Nuk e dija – as që më shkonte në mend – se mund të ishte gay; ngaqë në atë kohë nuk e përfytyroja dot si dikush mund të ishte gay në publik dhe as arrija t’i deshifroja disa kode të sjelljes ose të veshjes. Mbase ashtu edhe ia shijoja muzikën të shkëputur nga personaliteti i tij, skandalet, “skandalet” dhe roli që luante në imagjinatën kolektive në Perëndim. Më pas disa nga këngët arrita t’i gjej si regjistrime magnetofoni, me përjashtim të njërës, Your Song, që më kish mbetur peng sepse më pëlqente, doja ta mësoja dhe ta këndoja vetë (me kitarë), por që nuk e kishte askush; e vetmja shpresë imja ishte që ta kapja ndonjë ditë në radio. Dhe ngaqë këngë si kjo ishin mall i rrallë, që vetëm fati mund të t’i sillte, vinin e merrnin për mua përmasa sublime.
Në 1982, kënga Blue Eyes u ngjit edhe ajo në krye të Hit Parade-it italian; por unë nuk po arrija ta rrokja në kitarë – kish një strukturë harmonike të vështirë (edhe sot, kur ia eksploroj tablaturat, ndalem i çarmatosur te Eb11). Pak kohë më pas, një shoqes sime ia sollën disesi, nga Franca, një broshurë me partitura këngësh pop të transkriptuara për piano, ku ish përfshirë edhe kjo, Blue Eyes; e dëgjoja gojëhapur kur i binte dhe mendoja se, po t’i bija pianos edhe unë…
Përkundrazi, m’u desh të prisja deri në 1987, për ta “hedhur në dorë”, më në fund, aq të dëshiruarën Your Song; te një kasetë me Greatest Hits e E.J.-it, që bleva pak javë pasi kisha shkuar në Romë – dhe që përmbante gjithçka që doja, madje shumë më tepër. Ngaqë në atë kohë nisa ta shoh E.J. edhe në video – në koncerte – nuk arrija dot t’i bashkoj imazhin që kisha krijuar unë vetë duke ia dëgjuar muzikën dhe performancat aq flamboyante në skenë, si të stolisura me pupla, ndoshta të ndikuara nga estetika e Broadway-t, të cilën nuk e njihja.
Edhe një kujtim tjetër: verën e vitit 1993 e kam kaluar në Roccaraso, një resort dimëror në Abruzzo; na kish dhënë një mik çelësat e apartamentit, për t’u larguar pak nga zallahia e Napolit në verë. Resorti vetë ishte pak si i braktisur, meqë vizitorët i priste zakonisht stinën e kundërt; ajri i kthjellët nga jashtë hynte lirisht dhe freskonte sallat e zbrazëta brenda. Në restorant kish një piano me bisht, bojë qumështi, të vënë si në naftalinë, dhe që i jepte resortit hijen e një vapori demode, të lejuar që të ngecte në rërë; por atje erdhi dhe u ul një ditë një tip dhe filloi të luante, me pasion të madh, melodinë e Song for Guy, një pjesë kryesisht instrumentale (ky Guy në titull i referohej një Guy Burchett, messenger boy që punonte në studion e regjistrimit të E.J., dhe që paskësh vdekur në një aksident me motoçikletë: këtë e marr vesh tani). Më pëlqente shumë ajo pjesë, edhe pse nuk dija për fatkeqësinë që e kish frymëzuar. Por a duhet t’i dijë këto njeriu pa tjetër?
Natyrisht, sot mund ta dëgjoj këtë Song for Guy kur dhe si të dua (e bëra edhe tani, m’u duk pak e thatë, si me lemzë), por nuk do ta rikrijoj dot efektin e asaj pasditeje në Roccaraso; kur rrethanat më sollën pianon, pianistin e panjohur dhe, sidomos, serendipitetin. Personi që e luajti, mbase e bëri thjesht për vete, pa i shkuar mendja se si mund të reagonte ndonjë nga ne që gjendeshim rastësisht në sallë: por ashtu dhuroi diçka të madhe, e bëri të mirën dhe e hodhi në det. Kushedi e kishte edhe ai një dhimbje, që donte ta hiqte nga gjoksi. Mua atëherë në Roccaraso më dhimbnin shumë gjëra, duke filluar nga malli për Shqipërinë, nga ku pak vjet kisha që isha larguar. Dhe sërish më erdhi keq, që nuk dija t’i bija pianos; e kisha kokën të mbushur me melodi, që do t’i kisha luajtur, për veten dhe për të tjerët. Për çudi, kjo pamundësi sikur futej në mes meje dhe muzikës; sepse muzika është e pacak, por mua më kujtonte veç caqet që kisha kapërcyer pa kthim.
E.J. filloi të më ftohej që kur ia modifikoi tekstin këngës së tij të vjetër, Candle in the Wind, që i kushtohej Marilyn Monroe-s, duke e përshtatur për funeralin e Lady Diana-s; dhe ashtu “Goodbye, Norma Jean” u rishkrua si “Goodbye, England’s Rose.” Ndoshta ngaqë personazheve mondane të Europës s’u kisha kushtuar kurrë vëmendje, e kisha të vështirë të pranoja natyrën modulare të këngëve pop, me gjithë metaforat që përcillnin; ose mundësinë, aq ironike, që i njëjti kompozim dhe e njëjta figurë e qiririt që dridhet në erë të përfundonte e përdorur si formulë rituale, për të sanksionuar dhimbjen[1]. Çuditërisht, ky marifet më solli në mend një praktikë të dikurshme në Shqipëri, kur këngëve popullore tradicionale ua ndërronin tekstin, për t’i politizuar dhe për t’u dhënë një jetë të dytë në skenat e festivaleve të reja.
Pyetja më mundoi sërish: a nuk do të ishte më mirë, sikur të mos dija? Kur e pata dëgjuar dhe pëlqyer Candle in the Wind, në versionin origjinal, as që e pata vrarë mendjen të gjej se kujt i kushtohej; në fakt, teksti i këngës, edhe ai i hershmi, ishte banal dhe vetëm mallëngjimi im me muzikën ia jepte një atribut të supozuar fisnikërie që nuk e kishte. Përfytyroja qiririn në erë, dhe e lidhja këtë përfytyrim me melodinë. Këtë përjetim do ta humbja, sa më shumë informacion të më vinte – për Marilynin, pastaj për Elton John-in vetë dhe më në fund për Lady Dianën. Edhe sikur, edhe sikur – a nuk do të mbijetonte dot një melodi e bukur thjesht në krahët e sugjerimeve për një metaforë?
Edhe pse E.J. është ende aktiv si këngëtar, si showman dhe si artist, publiku shumë-milionësh pret prej tij të përsëritë vetveten; dhe provë e tërthortë e këtij fati në thelb obscene është edhe adoptimi i muzikës së tij si kolonë zanore në tempujt amerikanë të tregut, bashkë me Paul McCartney-n, Phil Collins-in e ndonjë tjetër të kësaj kategorie (Coldplay më vjen në mendje, nga të mëvonshmit), që tashmë vlejnë veç si shenja dhe garanci të normalitetit, ose të asaj safe zone që duhet të jetë, me çdo kusht, vendi ku ndërron duart paraja. Për shkak të raporteve heroike që patëm vendosur dikur, si brez, me muzikën pop nga Perëndimi, ndoshta jemi nga të paktit që sot ndiejmë keqardhje për këtë lloj trajektoreje, pa çka se rravgimi ka ndodhur tek ne, jo te muzika pop.
© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Dy muaj pas vdekjes së Dianës, edhe këngëtari amerikan John Denver u vra në 12 tetor 1997 pas një aksidenti me avionin e vet privat; me ç’rast, një gazetë satirike në SHBA shkroi se Elton John-i e kish gati këngën për funeralin e kolegut, me titullin Tangled in a Ëing.