Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Kulturë

FATET E SENDEVE

Të flasësh sot për sendet vetjake të vjetruara dhe raportin e tyre me kujtesën – individuale a kolektive – herët a vonë do të përballesh me fenomenologjinë e prodhimit dhe të konsumit në masë; dhe kjo jo vetëm në kontrast me veprat e artit, të tilla si pikturat origjinale. Ky “cen” në biografinë e sendit përcakton edhe llojet e fatit që ia rezervon koha: një palë syze dielli, të prodhuara në fabrikë dhe të karakterizuara fillimisht nga dizajni, materialet e përdorura, modeli dhe marka (brand), në rrjedhë të viteve do të përfundojnë ose të harruara në një sirtar, ose në plehra, ose në një muzé. Falë modelit, markës dhe dizajnit mund t’i identifikojmë syzet – edhe pa qenë specialistë të dizajnit a të modës – si të një periudhe të caktuar; por dy palë syze, që i përkasin të njëjtit lloji dhe marke, janë në thelb identike. Për të njëjtën arsye, dy kopje të së njëjtit libër, p.sh. romanit Tre shokë të Remarkut, me përkthim të Robert Shvarcit, të botuar në vitin 1961 nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”, janë edhe ato në thelb identike, në kuptimin që dallimet mes tyre janë irrelevante. E megjithatë, nëse qëllon që një batch nga tirazhi i romanit ka një defekt material, për shembull i mungojnë 20 faqet e fundit, atëherë kopjet me këtë defekt – nëse i kanë shpëtuar kontrollit teknik – mund të shndërrohen, në rrjedhë të kohës, në collectibles, ose në sende të koleksionueshme, të cilat mund edhe të fitojnë vlerë të madhe në treg. Siç ndodh, bie fjala, me pullat e postës. Megjithatë, një libër fillon të personalizohet që nga momenti kur e merr në dorë konsumatori (lexuesi) – dhe fillon të shfaqë shenjat e përdorimit, p.sh. shpina e përthyer, faqeshënjuesit, një firmë ose një datë në faqen e tretë të kopertinës, një nënvizim ose një shënim në faqe (marginalia), deri atje sa të kthehet në send unik, që ishte i prodhuar në masë por që nuk është më; sepse tani është imi jo vetëm juridikisht, në kuptimin që më përket mua blerësit (ose edhe vjedhësit, xhanëm) por edhe ngaqë unë kam lënë atje gjurmët e mia të formave të ndryshme. Tani, nëse qëllon që dikë e arrestojnë për agjitacion e propagandë dhe kopja e tij e romanit Tre shokë sillet në gjyq si provë e fajësisë së tij, për shkak të shënimeve që janë shtuar në anë të faqes ose për çfarëdo arsyeje tjetër, dhe i arrestuari pastaj shndërrohet në flamur të rezistencës anti-totalitare, atëherë e njëjta kopje e romanit mund të përfundojë në një muze të anti-diktaturës, duke iu bashkëngjitur emrit të atij personi, dhe duke marrë statusin e reliktit. Ky status nuk është i njëjtë me, të themi, statusin e romanit Tre shokë në bibliotekën time, edhe pse i njëjti roman, i lexuar në një periudhë të rinisë sime, mund të ketë luajtur në formimin tim rol edhe më të madh se ç’ka luajtur ajo kopja tjetër, në formimin e heroit të madh; për mua edhe romani si vepër letrare, edhe kopja e tij e bërë fije-fije nga leximi, kanë vlerë “sentimentale”, që nuk ka të bëjë me koleksionimin, por vetëm me atë që libri si objekt më shërben si kanal për t’u lidhur me të kaluarën time dhe të brezit tim. Dhe ngjashëm si me rastin e pullave të postës, të cilat zakonisht vlejnë më shumë për filatelistin në qoftë se janë anuluar nga vula e autoritetit postar, edhe kjo kopje imja e romanit Tre Shokë vlen më shumë për mua, në atë masë që ka pamje të konsumuar, ose të tillë që, po ta kish një libër tjetër – p.sh. një manual i pedagogjisë së Makarenkos, i përdorur si tekst universitar në vitet 1960 – do të kish qenë arsye e mjaftueshme për ta hedhur këtë të fundit në plehra, ose për ta ricikluar. Vjetrueshmëria, ose obsoleshenca, është njëfarësoj “e koduar” në sendet e prodhuara në masë, dhe jo vetëm ngaqë ashtu edhe i shërben ripërtëritjes së tregut, të konsumit dhe të qarkullimit të parasë. Një libër me kapak të fortë, i lidhur mirë dhe me letër të cilësisë së lartë do të jetojë më gjatë se një libër xhepi; madje edhe sikur të lexohet dhe keqtrajtohet njëlloj sa i dyti. Por mund të qëllojë që edhe një libër xhepi të marrë vlerë të paparashikuar, për shembull një roman i Camus-ë në formatin livre de poche i kontrabanduar në Shqipërinë e viteve 1970 dhe i kaluar dorë më dorë; për shkak të formatit dhe të teknologjisë së prodhimit, ai libër do të bëhet fije-fije dhe përdoruesit do të kërkojnë gjithfarë mënyrash për ta shpëtuar, për shembull duke e lidhur me mënyra artizanale ose, në vitet 1980, duke e fotokopjuar. Këtë fat e patën, në vitet 1970-1980, një numër përkthimesh të letërsisë perëndimore, që patën hyrë në Tiranë nga Prishtina – vepra të Dostojevskit, të Sartre-it e të ndonjë autori tjetër “të ndaluar”; librat nuk ishin prodhuar për të jetuar gjatë, lexuesve u mbeteshin në dorë. Ndërkohë, çdo përpjekje për ruajtje edhe rianimacion të një objekti të tillë ishte edhe një farë personalizimi, qoftë edhe aq i thjeshtë sa mbështjellja. Dhe çfarë po them nuk vlen vetëm për librin – një album, të themi i Beatles-ve – i sjellë në Shqipëri fshehurazi, në format kasete, do t’i nënshtrohej një procesi të dytë riprodhimi në masë artizanal (vëreni oksimoronin), duke u shumëfishuar në kaseta të tjera, të cilat pastaj personalizoheshin me gjithfarë mënyrash. Ndonjëherë sendeve të tilla – që përndryshe nuk i gjeje në treg – u zgjatej jeta edhe me modifikime teknologjike, që në anglishte i quajnë tinkering; siç ndodhi me radiot e dorës me transistorë, që filluan të sillen masivisht në Shqipëri nga Perëndimi, para se të prodhoheshin në vend; shumë prej këtyre radiove u përshtatën për t’u përdorur me bateri “të ushtrisë”, sepse në tregun e brendshëm ishte e pamundur të gjeje bateritë e duhura (zakonisht të llojit AA). Kush e ka jetuar plazhin e viteve 1970-1980 do ta kujtojë edhe mizërinë e radiove me rropulli kabllosh të varura përjashta; aq sa shpesh bateritë ishin edhe më të mëdha se radioja vetë. Një lloj tinkering-u ishte edhe e shumëpërfolura kanoçe, një pajisje elektronike relativisht e thjeshtë, e cila u shtonte televizorëve të prodhuar në vend bandën UHF, ku mund të shihje kanale televizive të huaja. Edhe për kanoçet nuk flet dot për prodhim në masë, sepse kishin gjithnjë forma dhe pamje të ndryshme; pa çka se skema elektronike ishte e njëjtë dhe transistori që duhej siguruar veçan, ishte po ai. Dhe meqë flasim për televizionin, nuk mund të lihen jashtë as skemat e antenave, të cilat kaloheshin dorë më dorë, njëra më premtuese se tjetra, dhe që u ngjanin aq shumë skeleteve të peshqve të ndonjë oqeani imagjinar të eterit – vinin me përmasa të sakta, në milimetra, dhe përshkrime të materialeve që duheshin përdorur, për të siguruar marrje optimale. Në Perëndimin industrial dhe post-industrial përshtatje të tilla do të ishin pjesë e një aftermarket për gjithfarë pajisjesh dhe aksesorësh; por në Shqipëri, për shkak të varfërisë totale të tregut, modifikime të tilla ishin shfaqje të dëshirës për të mbijetuar, përballë rrafshimit totalitar të individualiteteve. Aq sa, në një kontekst më të gjerë, këto mund t’i studiosh së bashku me praktikën – sa të vjetruar aq edhe të ringjallur – të prerjes së rrobave me porosi te rrobaqepësi, që ishte edhe një sfidë, sado e pavetëdijshme, ndaj diktaturës vestimentare që impononte regjimi: ngaqë njerëzit, sidomos të rinjtë, sidomos vajzat dhe gratë e reja në qytete, nuk i blinin rrobat në treg por i porositnin te rrobaqepëset, mjediseve publike dhe look­-ut nuk u mungonte variacioni; aq më tepër që moda nuk i bindej diktatit të tregut, si në Perëndim. Mund të kisha vazhduar dhe mbase do të vazhdoj dikur; por sa më lart shpresoj do të vlejë si argument i pasurisë të paktën semiotike të hapësirës brenda trekëndëshit që krijohet nga fatet ekstreme të një sendi në kohë: muzeu historik (teknologjik), plehrat dhe koleksioni vetjak, çfarë mund të ishte edhe hapësira mes prodhimit ose krijimit të një sendi dhe dezintegrimit të tij përfundimtar.

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Elidor Mëhilli dhe Ardian Vehbiu flasin për jetët vetjake të kapura midis historisë dhe memories, në një bisedë të moderuar nga Sokol Çunga. Libra të vjetër, kaseta muzike, radio dhe “rraqe” të tjera të viteve të diktaturës dhe fill pas diktaturës vijnë duke e bjerrë vlerën e përdorimit, për t’u shndërruar në enë të kujtesës, individuale dhe kolektive. Do të eksplorohen hapësirat përtej sendit personal si relikt njerëzish të shquar dhe kitsch-it post-komunist të objektit imazh, ashtu që jetët e përditshme të marrin domethënie edhe në kontekste anonime.

Aktiviteti u mbajt tashmë dhe mund të ndiqet këtu: https://fb.watch/6iUEPEkRMz/

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin