Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Muzikë

KUJT I DUHET ZHANRI?

Dikur herët në vitet 1990 u pat hapur, në Napoli, te një vicolo afër kishës Santa Chiara, një dyqan i vogël që rentonte CD. Në ato vite muzika ishte hobby e kushtueshme, sidomos për ata me oreks të madh muzikor, prandaj mundësia për rentim erdhi si gomë shpëtimi për financat e mia të brishta. Ti e merrje CD-në në shtëpi, i bëje një kopje në kasetë, pastaj e ktheje pas 2 ose 3 ditësh. E gjitha kjo e mrekullueshme dhe, detyrimisht, e paligjshme – në fakt ai dyqan nuk e pati shumë të gjatë, e mbylli guardia di finanza. Por në ato pak muaj, unë – një nga klientët më të rregullt – ia dola ta çoj përpara edukimin tim muzikor, sidomos atë “të vonuarin”.

Një ditë prej ditësh, kur po shfletoja katalogun e albumeve atje, dëgjoj fillimin e një “gjëje” nga altoparlantët e sistemit hi-fi, që kishin në dyqan. Ishte një sistem i shkëlqyer, aq sa ia vlente të shkoje e të rrije atje edhe vetëm për të dëgjuar muzikë. Nuk po e njihja pjesën, ishte me kitarë akustike; vazhdoi për një copë herë, me mua që kisha ngrirë, gati në hipnozë, se po më pëlqente shumë. Pastaj pushoi, erdhi një pauzë pak sekondash, dhe filloi pjesa pasuese. Edhe më mahnitëse. Ndenja e dëgjova deri në fund. Edhe sikur të kish zgjatur një orë, nuk do ta kisha kuptuar. Si erdha në vete, i kthehem atij djalit që punonte te banaku: “ç’ishte kjo që dëgjova?” Më thotë: Pat Metheny & Lyle Mays. Dhe unë: “ma jep këtë CD.” Kisha zbuluar albumin As Falls Wichita, So Falls Wichita Falls, të vitit 1980; pjesa me kitarë akustike ishte September 15th dhe i kushtohej pianistit jazz Bill Evans, që sapo kish vdekur; pjesa pasuese, ajo më hipnotizuesja, ishte “It’s for You.”

Në atë kohë, flitej shumë për muzikën e zhanrit New Age, dilte edhe një revistë e posaçme e shoqëruar me CD; sikurse flitej edhe për World Music. Pat Metheny sapo kish nxjerrë albumin Secret Story, me tonazh të rëndë. I shkoj një ditë atij tipit, te dyqani i rentimit, dhe që ishte i apasionuar keq pas Metheny-t – siç e kisha zbuluar; dhe e pyes: New Age është Pat Metheny? Ky u prish në fytyrë, sikur t’i kisha thënë se e ëma nuk e kish zënë me të atin, por me të ungjin. Jo ore, ça New Age, më tha. Epo World Music atëherë? Jo, jo, tha. As ashtu as kështu. Po çfarë është? – ngula këmbë unë. Se jazz nuk po më duket. Dhe ai: Pat Metheny është Pat Metheny. Kish pasur të drejtë. Në fakt, kam njëzet e ca vjet që i jap vazhdimisht të drejtë.

Në Napoli pata fatin të njoh albumet e periudhës “gjeniale” të Pat Metheny-t, bashkëpunimet me Lyle Mays, të viteve 1980: Offramp, Travels, First Circle, Still Life (Talking) dhe Letter from Home. Kur erdha në SHBA dhe i pata mundësitë financiare të eksploroj seriozisht, dëgjova edhe albumet e tij të hershme, edhe disa të reja që dolën në fund të viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000. Për mendimin tim, We Live Here, i vitit 1995, ishte i fundit album i madh që nxori; më tutje Metheny “u kthye” në normalitet, pavarësisht nga eksperimentimet që nuk i ndali kurrë dhe që i vazhdon edhe sot.

Ai miku në Napoli, që gjithnjë refuzonte ta përfshinte Pat Metheny-n në ndonjë zhanër, sikur ta kish mësuar këtë nga Metheny vetë – meqë ky jo vetëm ka kapërcyer me lehtësi nga një lloj muzike në tjetrën, por edhe ka ngulur këmbë që zhanri në muzikë është koncept parazitar. Kësaj teme iu kthye edhe në një intervistë të para pak ditëve, dhënë radios GBH (Guitarist Pat Metheny Is Not Defined, And Still Undecided), me rastin ose më mirë sebepin e një albumi të ri që ka nxjerrë, Road to the Sun; një vepër në tri pjesë, nga të cilat dy të kompozuara nga Metheny dhe të luajtura njëra nga kitaristi Jason Vieaux dhe tjetra nga Los Angeles Guitar Quartet; dhe një pjesë të tretë, Für Alina, nga Arvo Pärt, të luajtur nga Metheny në një kitarë me 42 tela.

Metheny-t nuk i pëlqeu kur albumi i ri u lajmërua pak a shumë kështu: “Jazzman-i Pat ka nxjerrë një album të muzikës klasike”; edhe pse Arvo Pärt-in të gjithë e njohin si kompozitor “serioz” dhe çdo kompozim prej tij do të klasifikohet gati automatikisht si i muzikës klasike. Por, thotë Metheny, “sinqerisht, kur njerëzit fillojnë të flasin për zhanër, unë s’e marr vesh se për çfarë flasin… Ka pastaj ca fjalë që as nuk ekzistonin kur unë fillova të bëj muzikë dhe që ende nuk ua di kuptimin, si fusion, një tjetër fjalë idiote [Metheny, vëren bashkëbiseduesi James Bennett II, ka fituar pesë Grammys për Best Jazz Fusion Performance].” E megjithatë, ndërhyn Bennett ka një farë vlere edhe te koncepti i zhanrit, për shembull “vlera e komunitetit, që përftohet te një gjuhë e përbashkët. Ose edhe një dialekt i përbashkët, brenda referencave muzikore të caktuara dhe ndaj traditave që mund të ekzistojnë brenda disa kulturave ose identiteteve që… njëfarësoj ngjizen në përgjigje të diçkaje që ndodh…” Dhe këtu Metheny ndërhyn, duke cituar Christian McBride, i cili – kur i qëlloi që përmendi gjatë një interviste një album dhe intervistuesi i tha se “ai album nuk është tamam jazz” – u përgjigj se “atëherë nuk ishte, por tani është.”

Metheny ka të drejtë – një artist i kalibrit të tij nuk mund të kapet në kurthet e ngushta të zhanreve; dhe këto të fundit janë më tepër një lloj zhargoni social, ose një teknikë organizimi; por edhe një mënyrë për t’i dhënë relevancë sociale dhe politike një kolektivi artistik të caktuar. Zhanri i ndihmon edhe kritikët e muzikës që të tingëllojnë si “kritikë”, të trembin njerëz dhe të kategorizojnë një album ose artist si, bie fjala, post-punk, ose elektro-pop. Shto pastaj edhe që 90% e muzikës është përsëritje, konformim, rimarrje e një formule suksesi; edhe Metheny vetë nuk i shpëton ndonjëherë trysnisë për t’i ridhënë publikut magjinë e kompozimeve dhe performancave të tij të viteve 1980-1990. Çfarë do të thotë se Metheny, si çdo artist i madh, është vetë zhanër.

Përndryshe zhanri i shërben një vepre si kornizë – në qoftë se ti shkon dhe blen “Pasionin e Shën Mateut”, të Bach-ut, duke e kujtuar gabimisht për operatic metal, dhe fillon pastaj ta dëgjosh, do të ndodhë njëra ose tjetra nga dy gjëra: ose do ta kuptosh menjëherë se ajo vepër nuk është operatic metal dhe e kishin vënë në raftin e gabuar në dyqan, ose do të fillosh të dyshosh se nuk e paske ditur se çfarë është tamam operatic metal. Le të mendojmë, për një çast, edhe se çfarë interpretimi do t’i japë një indonezian ose një peruvian romanit Kush e solli Doruntinën, po ta kenë bindur se është roman policor. Borges-i – te Pierre Menard – përsiat një situatë kur Imitimi i Krishtit të lexohej sikur ta kish shkruar Louis Ferdinand Celine ose James Joyce – a do të mjaftonte, pyet ai, për t’ia ripërtërirë përmbajtjen spirituale? Le të themi se zhanri, në muzikë si gjetiu, përgatit ose konfiguron pritjet e dëgjuesit (lexuesit, etj.); por muzika nga Pat Metheny nuk ka nevojë për këtë lloj kornize ose prop-i kontekstual. Në kuptimin që, edhe kur Metheny kompozon muzikë sipas kanonit të jazz-it post-bop dhe luan standardet, ka më rëndësi mënyra si ai luan dhe qasja e tij ndaj një kompozimi, se struktura e muzikës; dhe e njëjta gjë vlen edhe kur Metheny kompozon (së bashku me Lyle Mays) një këngë si This Is Not America, të kënduar nga David Bowie dhe pjesë e kolonës zanore të filmit The Falcon and the Snowman.

 

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin