Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Filologji / Histori

OSMAN MYDERRIZI, NJË JETË MES NJERËZVE TË MENÇËM

nga Enika Abazi, PhD

Fjalë e mbajtur në Aktivitetin e organizuar nga Akademia e Shkencave në përkujtim të studiuesit të shquar Osman Myderrizit me rastin e 130 vjetorit të lindjes (1891-2021), 29 prill 2021,

Në kuadrin e 130 vjetorit të lindjes është me interes dhe në nderin tonë të kujtojmë Osman Myderrizin. Ai i përket atij brezi personalitetesh shkencore, kulturore dhe politike, të cilët, si dijetarë, shkencëtarë dhe patriotë kanë ndjekur traditën e krijuar gjatë Rilindjes Kombëtare, duke punuar në shumë fusha me të gjithë energjitë e tyre për zhvillimin dhe përparimin e kombit shqiptar. Myderrizi vlerësohet si një studiues serioz me ide të qarta, të mirë-kërkuara në terren, me një intuitë e diapazon teorik impresionues, me qasje metodologjike jo vetëm rigoroze por edhe të përparuara për kohën në shumë fusha, histori, gjuhësi, letërsi, etj. Idetë e përpunuara prej tij janë sa krijuese aq edhe projektuese të një frymëmarrjeje të re për studimet shqiptare. Ai spikat edhe me vizion e tij kombëtar e veprimtarinë patriotike. Gjatë gjysmës së parë të shekullit të njëzetë Myderrizi ka një karrierë të pasur politike, si deputet, gazetar e editorialist, apo mësimdhënës e formulues tekstesh mësimore, që pak njihet. Myderrizi njihet midis bashkëkohësve për vullnetin e fortë për të mos ju dorëzuar atyre që duan të fshijnë të kaluarën me arsyetimin se nuk korrespondon me idenë e tyre për krijimin e shoqërisë apo njeriut të ri komunist, dhe për këtë u dënua me lënie në harresë. Pa dyshim mund të themi që gjithë puna shkencore dhe veprimtaria e plotë politike e kombëtare e Myderrizit, nuk është nxjerrë në dritë e nuk na ka livruar ende të gjitha sekretet e saj.

Në këtë shkrim, qëllimi im është të ofroj një paraqitje të shkurtër që jo vetëm ekspozon ambiciet e Myderrizit, por në të njëjtën kohë lejon një panoramë sigurisht jo shteruese të disa prej çështjeve madhore të trajtuara prej tij. Një reflektim më i gjerë është i nevojshëm mbi aspektet teorike dhe metodologjike të studimeve kritike të letërsisë shqiptare me shkronja arabe të shekullit të XVIII, të çështjes së emrit etnik të shqiptarëve, të qasjeve kontrastive të gjuhësisë, leksikologjisë, drejtshkrimit, fjalorëve të shqipes, toponomastikës, etj, për të përmendur vetëm disa prej tematikave për të cilat Myderrizi dha një kontribut të rëndësishëm. Ai na ka ofruar ide jo vetëm të përparuara për kohën, por aktuale edhe sot, që i shërbejnë konsolidimit dhe pasurimit të studimit të këtyre tematikave në kontekstin aktual me këndvështrime të reja dhe në përputhje me nevojat e studimeve shqiptare të shekullit të XXI.

Ambiciet e Myderrizit për një panoramë të plotë e shumëdimensionale të letërsisë së shekullit XVIII duket se u ndeshën me kontekstin ideologjikisht të mbarsur të viteve 1950 dhe 1960. Materiali studimor që ai përgatiti ndonëse ishte një kërkim rigoroz e ezaurues i burimeve primare të mbledhura në të gjithë vendin, nga jugu në veri: Konispol, Frashër, Kolonjë, Berat, Elbasan, Tiranë, Shkodër, Tetovë, Gjakovë, Vuçitërnë, Prishtinë, etj., në konakët e teqeve, por edhe nëpër arkiva e biblioteka, i konsoliduar me vrojtime dhe vëzhgime të fokusuara në terren me klerikë dhe njerëz të popullit, të cilët mbanin mend vargje nga divanet, kasidetë, etj.; i transliteruar me një cilësi të lartë, pasi Myderrizi ishte një njohës i shkëlqyer i Osmanishtes së vjetër e të re, i larmishëm në argumente, thellësisht i argumentuar dhe me konkluzione bindëse, nuk u prit me entuziazëm nga studimet albanologjike të kohës, pasi një letërsi e tille, që here u pa si elitare here me karakter fetar, nuk mund të vihej në funksion të inxhinierisë së fabrikimit të moralit të shoqërisë së re komuniste. Korpusi i materialit të përgatitur, ku përfshihen 7 variante të Divanit të Nezim Frakullës, studimi Letërsia Shqiptare me germa arabe, si dhe një sërë artikujsh të botuar e të pa botuar, sollën në vëmendje jo vetëm zbulimin e studimin e letërsisë shqiptare të shekullit të XVIII në përmasa që nuk ishin vërtetuar deri atëherë, por përbënin edhe një kontribut të çmuar në studimet filologjike të teksteve në gjuhën shqipe, duke hapur njëkohësisht rrugën e studimit të leksikografisë shqipe, pasi Divani ishte i pari tekst toskërisht të cilit ia kishin studiuar leksikun me rigorozitetit deri atëherë. Ndonëse i një rëndësie të veçantë, ky korpus prej mijëra faqesh të përpunuara filologjikisht me rigorozitet e në thellësi nga Myderrizi janë dorëshkrime ende të pabotuara dhe ndodhen të ruajtura në Arkivin e Institutit të Gjuhësisë. Po i njëjti qëndrim u mbajt edhe ndaj studimit të tij mbi kryengritjet në Shqipërinë e mesme të viteve 1914-15. Siç shkruan Aleksandër Meksi: Osman Myderrizi dhe të tjerë u goditën për qëndrimin e tyre “kokëfortë” kundër karakterit “kombëtar” të rebelimit në vitet 1914-15 në studimet e mbështetura nga regjimi. Një qëndrim i tillë vazhdon të mbetet edhe sot, sikundër vuri në dukje Pëllumb Xhufi në aktivitetin e organizuar nga Akademia e Shkencave me rastin e 130 vjetorit të lindjes së Myderrizit[1]. Vlen të theksohet se letërsia shqiptare me shkronja arabe e shekullit XVIII apo studimi mbi natyrën e kryengritjes së Shqipërisë së mesme në vitet 1914-15, si dhe shumë kontribute të tjera u konsideruan të papërshtatshme për shumë arsye të cilat në thelb ishin ideologjike, dhe për fat të keq një qëndrim i tillë u aplikua dhe ndaj Myderrizit si studiues kryesore i tyre.

Por në gjithë këtë histori, vlen të theksohet se kontributi kryesor i Myderrizit në shkencat humane e shoqërore është metoda e tij e kërkimit. Ai konsiderohet si një ndër studiuesit që studimet e tij kërkimore i ka mbështetur gjerësisht në atë që njihet si “history from below” ose ndryshe në shqip “metoda e historisë bazë’, apo “historia nga këndvështrimi i pjesëmarrësve”, një prirje kryesore në historiografinë e shekullit të njëzetë që shënon një kthesë të historiografisë në krahasim me historitë tradicionale pothuajse ekskluzivisht të lidhura me dhe në shërbim të elitave socio-politike dhe fetare dhe jo të vërtetës historike. Duket se për Myderrizin metoda apo paradigma që ai zgjedh të përdorë tregon që në krye të herës vlerën e përfundimit. Rëndësi për Myderrizin ka se si e shikon subjektin shkencor, si e trajton atë, ç’ka përbën edhe një nga risitë e veprës së tij.

Duket se interesi i Myderrizit ndaj letërsisë shqiptare të shekullit XVIII, ishte ndërtimi i idesë së vazhdimësisë së përdorimit të shqipes jo vetëm si mjet komunikimi në gjuhën e përditshme, por edhe si medium për të krijuar letërsi që ekspozon në mënyrë të vargëzuar, metaforikisht apo simbolikisht problematikat e një shoqërie shqipfolëse funksionale që shqetësohet dhe reagon ndaj korrupsionit të rendit politik e juridik feudal të kohës. Më e njohura, vjersha e Hasan Zyko Kamberit, Paraja, është një kritikë therëse ndaj korrupsionit feudal dhe njëkohësisht ndoshta poezia më e mirë satirike në letërsinë shqiptare para shekullit të njëzetë. Trajtohen kështu në shqip edhe temat mbi kryengritjet dhe konfliktet me pushtetin qendror otoman, apo dëshmohen masakrat e kryera nga forcat otomane dhe vuajtjet që Shqipëria pësoi gjatë sundimit otoman, si dhe një sërë problemesh të tjera të shoqërisë, por edhe tematika mbi dashurinë, natyrën, etj[2]. Mbi të gjithat, lëvrimi i gjuhës shqipe duhet të ketë shërbyer më vonë për ngjizjen e ndjenjës kombëtare shqiptare. Kështu duket se ky është ndër qëllimet kryesore të kësaj sipërmarrje nga Myderrizi, pasi sikundër vë në dukje G.L. Arsh, në materialet e kohës, letërsia e shekullit të XVIII, propagandonte idenë profetike sipas të cilës “Ali Pasha ishte i paracaktuar të krijonte mbretërinë shqiptare të pavarur”, pasi në mesin e vitit 1820, Veziri shpalli hapur qëndresën ndaj Perandorisë Otomane[3]. Myderrizi e veçon këtë fakt në punimin e tij, duke sjellë në vëmendje urimin që poeti-këngëtar Hasan Zyko Kamberi, bashkëkohës i Ali Pashë Tepelenës, i bën Vezirit për një pushtet të trashëgueshëm të ngjashëm me mbretëritë Europiane: “Të uroj që këtë shtet që ke në zotërim, bashkë me gjithë Shqipërinë, t’ia lësh djalit tënd si trashëgim”[4].

Një tërheqje që duket se mbështetet edhe në studimet mbi emrin shqiptar, ku Myderrizi është kujdesur, më së pari, të saktësonte që për çdo popull emri i vjetër kombëtar nuk tregon vetëm origjinën, por edhe procesin historik të formimit të identitetit të tij. Mbas shume vitesh rivijnë në vëmendje të publikut vështrime interesante dhe novative mbi kontributin e Osman Myderrizit, për qasjen e tij konceptuale kontrastive mbi emrin etnik shqiptar. Një ndër këto punime është edhe libri i Aurel Plasarit, ku idetë e Myderrizit paraqiten qartazi, kontrastohen dhe vlerësohen në raport me studimet e studiuesve të tjerë mbi të njëjtën temë[5]. Kontributi i Myderrizit merr një vlerësim të ri nga Akademik Albert Doja[6]. Në punimet e tij, Doja vë në pah se qasja e Myderrizit, i paraprin teorisë që disa vjet më vonë do të zhvillohej nga antropologu norvegjez Fredrik Barth[7] dhe kolegët e tij mbi grupet etnike dhe kufijtë e tyre simbolikë[8]. Në kuptimin e kësaj qasje, në rastin e shqiptareve, d.m.th. atyre që flasin “shqip” qartë, drejtë, mirë, shkoqur, ky fakt duhet konsideruar si tipar identifikues i grupit. Një pohim i tillë nuk presupozon se ka vetëm një tipar identifikues, madje tiparet identifikuese në procesin e kohës ndryshojnë apo riorganizohen në funksion të ruajtjes së kufirit ndarës me të tjerët, sikundër ka ndodhur me shqiptarët gjatë kohëve[9].

Këto lloj procesesh tregojnë se Shqiptarët kanë ngulmuar në qenësinë e tyre si grup shqipfolës, të ndryshëm nga fqinjët dhe u janë imponuar atyre si të tillë. Ky është një proces i dyfishtë, që nënkupton një transaksion të pavetëdijshëm midis palëve, d.m.th. midis ‘shqiptarëve’ dhe ‘të tjerëve’ dhe anasjelltas. Kështu të paktën thonë teoritë mbi identitetin etnik dhe që Myderrizi dhe Doja më vonë e kanë dëshmuar e argumentuar me shkrimet e tyre për rastin e shqiptarëve. Ka shumë konfuzion për elementet në bazë të proceseve identitare pasi ato trajtohen të shkëputur dhe jo në lidhje organike me njëri-tjetrin e në proces, duke i parë kështu elementet përbërëse të identitetit shqiptar si pemë të vetmuara që pengojnë të shihet pylli, me fjalë të tjera ai proces shoqëror rezultat i të cilit u bë ndryshimi i emrit etnik shqiptar për të veçuar shqiptarët nga të tjerët dhe për t’i njëjtësuar ata në një grup të vetëm etnik. Një proces që do të merrte përmasa të vetëdijshme dhe voluntariste mbas lëvizjes politike për ndërgjegjësimin kombëtar shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare, si një njësi unitare kombëtare e qëndrueshme. Një qasje bashkëkohore që demaskon qasjet esencialiste, por edhe ndikimet politike e ideologjike në shkrimin e historisë.

Me artikullin e tij në Studime Historike mbi Disa probleme të historisë së lashtë të vendit tonë (1966) Osman Myderrizi ofron një qasje kritike mjaft interesante dhe të guximshme nga pikëpamja teorike, duke trajtuar një nga problemet më të mëdha të studimit dhe shkrimit të historisë së Shqipërisë që sipas tij bëhet në funksion të vijës së aleancave politike dhe të orientimeve ideologjike që kanë ndryshuar kohë më kohë, duke deformuar në këtë mënyrë jo vetëm të vërtetën historike, por në disa raste duke gërryer unitetin apo harmoninë kombëtare.

Nuk duhet harruar as kontributi i spikatur me vizion kombëtar i Myderrizit në lëmin e gjuhësisë, si në çështjet e Gramatikës së Re të Shqipes (1944), leksikografisë, onomastikës historike dhe të sotme, pikësimit, drejtshkrimit, gjuhësisë letrare kombëtare, toponomastikës shqiptare apo edhe të rëndësisë së fjalorëve të gjuhës shqipe dhe punës për krijimin e tyre, ku veçohet kontributi si bashkautor i Fjalorit të gjuhës shqipe (1954), etj. Për rëndësinë dhe vlerën e tyre në studimet filologjike shqiptare mund t’i referohemi Remzi Pernaskës,[10] si edhe Seit Mansakut në aktivitetin me rastin e 130 vjetorit të lindjes së Myderrizit, ku ai nënvizon se përfundimet e studimeve të Myderrizit janë të mbështetura jo vetëm në një bazë të gjerë e të thellë argumentesh, sa historike aq edhe gjuhësore, por edhe në përdorimin e një metodologjie racionale e koherente që forcon vlerën dhe qëndrueshmërinë e konkluzioneve të tij, të cilat i kanë rezistuar kohës[11]. Tematikat e trajtuara duken se nuk janë të rastësishme, ato i lidh vizion kombëtar, nëpërmjet tyre duket se Myderrizi synon sa konsolidimin, normativizimin, pasurimin e gjuhës shqipe aq edhe mbështetjen e unitetit kombëtar, konfirmimit të etnogjenezës apo identitetit të shqiptareve në nivel të studimeve shqiptare.

Megjithëse nuk ishte në repertorin e studiuesve të privilegjuar të regjimit, me disa prej tyre Myderrizi ka zhvilluar debate interesante, duke kontribuar në transformimin e mendimit shkencor shqiptar, në lidhje me çështje të gjuhësisë, letërsisë, identitetit shqiptar, etj, diskutime që vlen të shohin dritën e botimit apo ribotimit.

Ideologjizimi i tejskajshëm i studimeve shqiptare dhe jetës në çdo aspekt të saj, vënia e tyre në funksion të inxhinierimit të moralit komunist me të cilin duhej mbrujtur njeriu i ri, bëri që rëndësia e Myderrizit në jetën intelektuale dhe politike Shqiptare gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar të ishte e kontrolluar dhe për rrjedhojë e kufizuar[12]. Kështu, ndonëse një prej studiuesve të shquar të studimeve shqiptare, Osman Myderrizi ndoshta nuk njihet sa por edhe si duhet sepse gjatë periudhës komuniste ai është detyruar të heshtë, është denigruar dhe është dënuar me harresë, ndërsa pas rënies së komunizmit askush nuk është kujtuar për ta promovuar sepse ai nuk ishte as me komunistët as me kolaboracionistët, por ishte në kundërshtim të hapur me regjimin monarkik, me regjimin fashist, si dhe me regjimin komunist. Ai ishte thjesht patriot i ndershëm por edhe “Simbol i Qytetit të Tiranës” (2000). Mbi të gjitha këto, duhen shtuar edhe paragjykimet rrjedhojë e propagandës së kohës që me sukses imponoi në mendimin e kohës se tiranasit janë të prapambetur, të paaftë të përqafojnë modernitetin që solli komunizmi. Mjafton të kujtojmë komedinë Prefekti[13], apo një pjesë të shkrimeve mbi kryengritjen fshatare të viteve 1914-15 dhe prapambetjen e fshatarëve pjesëmarrës në të, për të kuptuar se si regjimi nxiti krijimin e stereotipave ku Tiranasit e vjetër apo fshatarët që banonin afër Tiranës paraqiten si injorantë, të trashë, të korruptuar, fetarë fanatikë, etj. Gjë që jo vetëm kishte për qëllim të vinte në pozita inferioriteti shumë intelektualë dhe studiues të qytetit të Tiranës, që nuk përqafuan “modernen” komuniste, por edhe të çinkurajonte dëshirën për t’i njohur le më për t’i promovuar ata. Shkurt i dënoi me harresë, që ende vazhdon dhe pak ose aspak dihet për kontributin e shumanshëm dhe mbresëlënës të Myderrizit i në gjysmën e parë të shekullit të XX, kur ai do të shquhej si patriot e atdhedashës pa kompromis. Një mendje e ndritur, në shërbim të atdheut e konsolidimit të pavarësisë së tij, me pjesëmarrje aktive në politikë në vitet 20-30, lëvrues idesh përparimtare e atdhedashëse nëpërmjet disa mediumeve: politike, mediatike, arsimdhënëse, etj.

Veprimtaria politike e Myderrizit kalon në disa faza. Askush nuk e di apo nuk kujtohet më se ai ka një veprimtari të gjatë dhe të vazhdueshme politike që u ndërprenë me vendosjen e regjimit komunist. Që herët në rininë e tij, Myderrizi, siç edhe sillet në vëmendjen tonë në kujtimet e Hafiz Ibrahim Dalliut[14], është një prej patriotëve shqiptarë që u përplasën me partinë xhonturke pas shpalljes së Kushtetutës më 1908, e cila ia doli të marrë në dorë qeverisjen e Perandorisë, por që nuk iu përmbajt premtimeve që kishte bërë më parë. Në këtë kuadër duhen kuptuar dhe veprimtaria e tij në bashkëthemelimin dhe kryesimin e shoqërisë politike Djelmënia e Tiranës (1916) ku nënkryetar ishte Qazim Mulleti, dhe më vonë të shoqërisë politike Dituria (1917). Në librin e Hafiz Ibrahim Dalliut shkruhet edhe se Myderrizi ishte një ndër veprimtarët në zanafillën e Kongresit të Lushnjës. Në burimet dokumentare të sjella, që më shtator 1919, iniciatorë të idesë për të organizuar një mbledhje me qëllim organizimin e protestës kundër Traktatit të fshehtë të Londrës dhe për të forcuar bashkimin kombëtar ishte një grup në Tiranë, ndër të cilët ishte edhe Osman Myderrizi, së bashku me Hasan Prishtinën (i komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”), Rustem Petrelën, Abdullah Haxhi Mehmetin. Qeveria e Durrësit, italofile, e ndaloi mbledhjen në Tiranë, por ideja zuri vend, mbas Tiranës u propozua Kruja, mandej Kongresi përfundoi në Lushnje[15]. Pas Kongresit të Lushnjës ku Tirana u caktua për kryeqytet, Myderrizi do të zgjidhej si deputet i Tiranës dhe Durrësit në Këshillin Kombëtar në 1921, apo deputet i Kuvendit Kushtetues në 1923. Ndërsa Kryengritja e Qershorit 1924 e gjeti Myderrizin në krahun opozitar dhe pas dështimit të saj ai detyrohet të emigrojë. Me ardhjen e fashizmit, ai burgoset për shkak të aktivitetit të tij kombëtar dhe më pas vuan internimin në Arezzo të Italisë.

Gjatë kësaj periudhe të ngjeshur me aktivitet politik, Myderrizi njihet si kryeredaktor i gazetës Zani i ri (1920), dhe kontribuoi në disa gazeta të kohës ku shkruan e redakton qindra artikuj e shkrime që synonin promovimin e një sistemi demokratik dhe qytetërimit evropian në Shqipëri. Myderrizi e donte vendin e tij, ia njihte vlerat edukimit për ngritjen e ndërgjegjes e unitetit kombëtar. Ai jo vetëm hapi shkollën e parë shqipe në Ndroq në vitin e parë pas Pavarësisë (1913), por më vonë do të vinte në dispozicion shtëpinë e tij për hapjen e gjimnazit të parë të Tiranës (sot gjimnazi Qemal Stafa)[16]. Në veprimtarinë e Myderrizit spikat edhe mësimdhënia në Berat, në Shkodër e në gjimnazin e Tiranës, puna si inspektor i arsimit në Tiranë, apo si hartues i teksteve mësimore si Gramatika e Re e Shqipes për shkollat e mesme që për nga gjerësia e tematikave të trajtuara si strukturat morfologjike të gjuhës shqipe, nocionet themelore të sistemit morfologjik kronologjik, sintaksor, apo pikësimit apo nivelit shkencor të trajtimit të tyre, si dhe shembujve të përzgjedhur nga shkrimet e figurave më në zë të vendit në atë kohë i kalojnë përmasat e një teksti shkollor dhe e rendisin atë në nivelin e punimeve shkencore.

Myderrizi vlen të kujtohet dhe vlerësohet jo vetëm si “Mësues i Popullit” (1997), por edhe si “Simbol i qytetit të Tiranës” (2000), së cilës i kushtoi një histori të plotë Tirana 1604-1937 [17](1937) me rastin e 25 vjetrit të shpalljes së Pavarësisë. Botimi i parë i këtij lloji, që më shumë se çdo shkrim i mëvonshëm për Tiranën, të bën të udhëtosh në historinë e një qyteti të Shqipërisë së mesme, plot sharm e vitalitet, kryeqytet i ri i Shqipërisë, rrëzë Dajtit, ku të gjitha rrugët e tij të çojnë drejt malit, si për t’i marrë freskinë e flladitur netëve pas ditëve të nxehta të verës së gjatë. Edhe ky kontribut nuk është ribotuar. Sikur ta kishin lexuar librin e tij, Tirana nuk do të ishte qyteti që nuk ka më lidhje me malin e Dajtit në rrëzë të të cilit gumëzhin.

Myderrizi ka shumë veprimtari e kontribute të panjohura, njohja e të cilave u vështirësua nga regjimi komunist që u mundua ta nxjerrë nga lista e studiuesve të preferuar. Në arkivin e tij gjendet flamuri dhe himni me tekst e muzikë i Partisë Nacional-Ballkanike Shqiptare, me shënime të bëra prej tij, frymëzuar nga idetë politike që predikonin vëllazërimin dhe bashkimin e popujve të Ballkanit për të gjetur liri, lumturi e nder që prej vitit 1929, që përkon me kohën e lëvizjes pacifiste në Europë e që paska patur ndjekës e përhapës edhe në Shqipërinë e vogël. Interesant është fakti se flamuri mbart emblemën që njihet sot si flamuri i Bashkimit Europian. Lëvizja duket se i ka mbijetuar kohës pasi himni me muzikë e tekst daton 1944. Pak dimë për veprimtarinë e këtij grupimi intelektual ose aspak. Pak ose aspak dimë për komisionin pan-Europian ku Myderrizi do të zgjidhet anëtar së bashku me Karl Gurakuqin, Sotir Kolean e Kol Mirditën në qeverinë me kryeministër Pandeli Evangjelin (1931), aq më pak dimë për idetë e veprimtarinë praktike të këtij komisioni. Sot ndeshim të njëjtat ide të qarkullojnë në tregun e politikës, medias, apo të shoqërisë, por pak dimë se ka një histori të tyre që nuk e njohim e nga e cila mund të mësojmë, t’i vlerësojmë ato në një perspektivë historike, por mbi të gjitha të njohim veten historike, jo atë që na imponoi komunizmi ku çdo gjë nga e kaluara ishte e shëmtuar, e dëmshme, e keqe. Idetë që qarkullojnë sot për Europën, paqen në Ballkan, dhe pjesëmarrjen e shqiptarëve dhe Shqipërisë si kontribuuese në to nuk janë të reja, nuk na i mësuan të tjerët, por kemi qenë bashkëveprues, edhe pse duket se pak e dimë se kush jemi.

Jo pa qëllim e kam titulluar këtë shkrim “një jetë mes njerëzve të mençëm”. Për t’u ruajtur nga të papriturat e sulmeve të regjimit, Osman Myderrizi u vetizolua, por ai nuk mbeti asnjëherë i vetmuar, pasi ai e kalonte kohën “mes njerëzve të mençëm”, siç e kishte zakon të thoshte sa herë binte fjala. E kishte fjalën për librat që nuk i ndante nga dora dhe që ishin shokët më të vyer gjatë viteve të represionit komunist. Me siguri mendonte më mire vetëm me libra te vyer se i keq-shoqëruar siç do të thonin francezët (il vaut mieux être seul que mal accompagné), pasi Myderrizi ishte një njohës shumë i mirë i gjuhës dhe kulturës franceze. Prandaj edhe ka prodhuar vetëm ide të mençme edhe në kushtet e mënjanimit e izolimit!

Kam qenë 9 vjeç kur ai ndërroi jetë. Në mendjen time është fiksuar imazhi i një burri të rëndë, gjithmonë elegant i veshur me sqimë, me një pallto gub e kapelë republike shik. Gjithë bashkëbiseduesit i drejtoheshin me shumë respekt.

Lille, 10 May 2021

(c) 2021, Enika Abazi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Aktivitet organizuar nga Akademia e Shkencave Në përkujtim të studiuesit të shquar Osman Myderrizit. 130 vjetori lindjes (1891-2021).

[2] Për më shumë vlerësime shih: Elsie, Robert (2006) Letërsia shqipe: një histori e shkurtër. Shqipëroi: Majlinda Nishku. Tiranë: Skanderbeg Books.

[3] Arsh, G.L. (1963) Albaniia i Epir v kontse X VIII-nachale XIX v [Albania and Epirus at the end of the eighteenth and the beginning of the nineteenth centuries], Moscow, Nauka, p.273.

[4] Myderizi, O. (1965) “Emri i vjetër kombëtar i Shqipërisë në tekstet e vjetra shqip me alfabet latin e arab, Studime historike” Studime historike, 1, f. 163, Shih edhe Dr. Fedhon Meksi: Gjuha shqipe e lëvruar si mjet ngjizës për nacionalizmin shqiptar.

[5] Plasari, Aurel. (2020) Arbni: Historik, Gjeografik, Kishtar dhe Politik, Tiranë: Akademia E Shkencave.

[6]Osman Myderrizi dhe modelet teorike për shpjegimin e emrit etnik shqiptar”, Peizazhe të Fjalës, 20 August 2020.

[7] Barth, Fredrik. (1969) Ethnic Groups and Boundaries: The Social Organization of Culture Difference, Boston: Little Brow.

[8] Doja, Albert. 2000. “The politics of religion in the reconstruction of identities: the Albanian situation.” Critique of Anthropology 20 (4): 421-438.

[9] Doja, Albert. 1999. “Ethnicité, construction nationale et nationalisme dans l’aire albanaise: Approche anthropologique du conflit et des relations interethniques.” Ethnologia Balkanica: Journal for Southeast European Anthropology 3: 155-179.

[10] Remzi Pernaska për Osman Myderrizin (2018)

[11] Mansaku, Seit “Vepra gjuhësore e prof. Osman Myderrizit”, Aktivitet organizuar nga Akademia e Shkencave Në përkujtim të studiuesit të shquar Osman Myderrizit. 130 vjetori lindjes (1891-2021)

[12] Albert Doja, “Hierarkitë politike dhe qasjet shkencore në Albanologji”, Gazeta Liberale, 19-20 September 2020.

[13] QAZIM MULLETI DHE STEREOTIPET – Peizazhe të fjalës (2010)

[14] Hafiz Ibrahim Dalliut (1930) Patriotizma në Tiranë, Tiranë

[15] ibid

[16] Karl Gurakuqi, tek libri me kujtime (dorëshkrim) “Qi të mos harrohen”, shkruan ndër të tjera: “Kúr e mora unë në dorzim gjimnazin, kíshte katër klasë. Përveç drejtimit, jipshem mësim shqip në të katërtën dhe latinisht në të tretën (vjeti i parë i latinishtes). Pronari i ndërtesës së gjímnazit ishte Osman Myderrizi dhe gjindej në “Shallvare” ku ishte edhe fusha e footbalit, afër lumit Lanë. Ndertesa kishte katër oda nalt, prej të cilavet njêna përdorej për drejtorí, tjetra për sallë profesorësh e dỳ tjerat për të tretën e të katërtën klasë; poshtë ishin dỳ oda tjera për dỳ klasët e para. Ishte e veçueme nga shtëpijat tjera. Për gjimnastikë përdoreshim fushën e footbalit.” Sjellë në vëmendjen time nga Romeo Gurakuqi.

[17] Myderrizi, Osman. (1937) Tirana 1604-1937. Tiranë: Guranjaku.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin