Historia tashmë njihet: kryeministri i Shqipërisë, Rama, viziton në Shkodër biznesin e familjes Shtjefni, dhe takohet me pronarin, i cili i ankohet se nuk gjen fuqi punëtore dhe i thotë se do të marrë në Bangladesh 300 punëtorë. Rama ia lëvdon këtë iniciativë dhe i thotë “i ke pronto, nuk dinë as shqip të merren me thashetheme” dhe se “kur të fillojnë të mësojnë shqip fillo dhe ndërroji se fillojnë thashethemet, u hyn krimbi, jo politika, jo demokracia, jo liria” dhe vazhduar se punëtorët imigrantë “janë punë, punë, dhe nuk ka llafe.”
Këtë muhabet e kanë komentuar dhe kritikuar nga shumë anë; por unë po shtoj diçka për vetëm atë që më tërhoqi veçanërisht vëmendjen: konceptin e shefit të qeverisë dhe të “së majtës” në Shqipëri, për raportin mes punës dhe fjalës. Nëse Shtjefni i lëvdon aftësitë profesionale të mysafirëve, duke vërejtur se “Janë punëtorë që punojnë tamam në makinat që duam ne. Janë profesionistë,” Rama i kthehet disa herë asaj që bangladeshasit nuk dinë shqip, të cilën e paraqet si diçka të dëshiruar; sepse ata që flasin shqip “merren me thashetheme”, prandaj edhe imigrantët duhen ndërruar sapo të fillojnë të mësojnë shqip, sepse “u hyn krimbi, jo politika, jo demokracia, jo liria…”
Punë jo llafe, ka qenë një slogan i vjetër i socialistëve, i përqafuar edhe nga Rama, edhe nga Veliaj, edhe nga disa megafonë foltoresh minore; një slogan që vendos një demarkacion mes punës dhe fjalës, edhe pse fjala – ose komunikimi – është e domosdoshme edhe për organizimin e punës, edhe për organizimin e atyre që punojnë; në kuptimin që nuk mund të ketë punë, sikurse nuk mund të ketë politikë, pa “llafe”. Kryeministri Rama, i cili nuk është ithtar i zjarrtë i sindikatave dhe i sindikalizmit, beson se lëvizja punëtore – për kushte më të mira pune, paga më të larta, etj., e cila artikulohet në ligjërim – e pengon zhvillimin e biznesit; dhe se marrja në punë e njerëzve “të heshtur” (që nuk flasin, që nuk ngrenë zërin, që nuk dinë të flasin) është një mënyrë për t’i anashkaluar konfliktet në vendin e punës.
Por a mund të punohet pa pasur një gjuhë të përbashkët, me të cilën punëtorët të komunikojnë mes tyre, të bashkërendojnë veprimet dhe të marrin udhëzimet nga teknikët dhe inxhinierët dhe sipërmarësit, por edhe t’u japin këtyre feedback për çfarë ndodh në vendin e punës? Një histori e vjetër, mijëravjeçare, argumenton të kundërtën:
Zanafilla, Kapitulli 11[1]
Por tërë toka fliste të njëjtën gjuhë dhe përdorte të njëjtat fjalë.
2 Dhe ndodhi që, ndërsa po zhvendoseshin në drejtim të jugut, ata gjetën një fushë në vendin e Shinarit dhe u vendosën atje.
3 Dhe i thanë njëri tjetrit: “O burra, të bëjmë tulla dhe t’i pjekim me zjarr!”. Dhe përdorën tulla në vend të gurëve dhe bitum në vend të llaçit.
4 Dhe thanë: “O burra, të ndërtojmë për vete një qytet dhe një kullë maja e së cilës të arrijë deri në qiell, dhe t’i bëjmë një emër vetes që të mos shpërndahemi mbi faqen e tërë dheut”.
5 Por Zoti zbriti për të parë qytetin dhe kullën që bijtë e njerëzve ishin duke ndërtuar.
6 Dhe Zoti tha: “Ja, ata janë një popull i vetëm dhe kanë të gjithë të njëjtën gjuhë; dhe kjo është ajo që ata filluan të bëjnë; tani asgjë nuk ka për t’i penguar ata të përfundojnë atë që kanë ndërmend të bëjnë.
7 O burra, të zbresim pra atje poshtë dhe të ngatërrojmë gjuhën e tyre, në mënyrë që njëri të mos kuptojë të folurën e tjetrit”.
8 Kështu Zoti i shpërndau mbi faqen e tërë dheut dhe ata pushuan së ndërtuari qytetin.
9 Prandaj këtij vendi iu dha emri i Babelit, sepse Zoti aty ngatërroi gjuhën e tërë dheut dhe i shpërndau mbi tërë faqen e dheut.
Kjo është historia e Kullës së Babelit, e rrëfyer në Bibël. Jemi në kohën kur “tërë toka fliste të njëjtën gjuhë dhe përdorte të njëjtat fjalë” – dhe kur njerëzit, deri atëherë nomadë që zhvendoseshin në drejtim të Jugut, vendosën të ndalen dhe të ndërtojnë “për vete” një qytet dhe një kullë “maja e së cilës të arrijë deri në qiell”, për “t’i bërë vetes një emër.” Zotit nuk i pëlqeu kjo dhe tha se, duke pasur këta “të njëjtën gjuhë” asgjë nuk ka për t’i penguar që t’ia dalin mbanë, prandaj edhe vendosi të ndërhyjë dhe t’ua ngatërrojë gjuhën, në mënyrë që të mos merren vesh mes tyre. Dhe ashtu ndodhi.[2]
Në këtë rrëfim, gjuha e përbashkët është kusht për ta ndërtuar kullën – më shumë edhe se aftësitë teknike, aftësia për të përdorur tullat dhe bitumin, dhe vendosmëria për të bërë përpara. Është kjo gjuhë, e parë si virtyti komunikues, që i konstituon “babelistët” si komunitet ndërtues dhe garanton suksesin e ndërmarrjes së tyre. Kulla që ata ngrenë, nuk është se ka ndonjë dobi konkrete – i vetmi funksion që ia njeh rrëfimi është që “të arrijë deri në qiell”, funksion në thelb simbolik. Por ata nuk e shpien dot projektin e tyre deri në fund, sepse Zoti ndërhyn nga lart dhe ua bën të pamundur punën – jo duke u dërguar ndonjë stuhi a zjarr që t’ua shkatërrojë, as duke ua dëmtuar teknikën, por thjesht duke ua bllokuar gjuhën. Harmoninë e gjuhës së vetme e zëvendëson kështu kaosi.
Si politikan-artist, i dhënë pas ndërtimeve spektakolare, fasadave dhe gjesteve arkitektonike grandioze, Rama shpesh është pozicionuar në rolin e ndërtuesit të kullave që arrijnë qiellin dhe jo vetëm simbolikisht; madje deri atje sa ndërtimi, në poetikën e tij politike, të vijë e të përfaqësojë realizimin e një programi ambicioz të modernizimit urban dhe kulturor të Shqipërisë. Gjuha e përbashkët, që kanë pasur ndërtuesit ramistë, është “socialishtja” e Rilindjes, me nota të forta masonike, në kuptimin etimologjik të kësaj fjale.
Nëse projektet ndërtuese të Rilindjes janë të asimilueshme me kullën e Babelit, për këtë mund të diskutohet. Studiuesit e Biblës kanë vënë në dukje se atje Kulla e Babelit kundërpeshohet nga një monument tjetër, Tempulli i Solomonit; i cili përfundoi së ndërtuara gjatë mbretërisë së Solomonit, por pastaj u shkatërrua – jo nga Zoti, të cilit i kushtohej, por nga mbreti Nebukadnetsar i Babilonisë. Ndryshe nga Kulla e Babelit, e cila ishte në thelb mishërim i punës kolektive, i aktit ndërtimtar dhe i ambicies së njeriut për të kapur qiellin, Tempulli i Solomonit u ndërtua në adhurim të Qiellit, nga punëtorë që vepronin në pajtim me vullnetin e Zotit.
Për këtë arsye, edhe Babeli – ose Babiloni, në kuptimin e qytetit – i kundërvihet Jerusalemit; njëlloj siç i kundërvihet kaosi i gjuhëve, që e pengoi ndërtimin e kullës, apostujve që fillojnë të flasin të gjitha gjuhët e botës, ditën e Rrëshajave.
Megjithatë, siç e dëshmojnë – mbase pavetëdijshëm edhe dëshmitë e shumta piktorike nga Mesjeta, Rilindja dhe më vonë – Babeli i Biblës, më fort edhe se kullë, është një kantier (“kantieri, vend dhe kolektivitet i punëtorëve, pushton hapësirën e reprezentimit”, shkruan Zumthor-i[3]). Disa nga tablotë më kujtojnë, nëpërmjet një asociacioni të çastit, digën e Fierzës kur nuk ishte përfunduar ende; kur nuk më kujtojnë pirgun e një kolonie termitesh. Ka artistë që qëllimisht e konfondojnë kullën me qytetin, duke e identifikuar kullën me dimensionin vertikal, dhe duke e mbushur pastaj me ndërtesa; çfarë e dallon edhe më dramatikisht Babelin nga hapësira përreth. Kësaj ndërmarrjeje, që nuk i mungon ambicia, as ekspertiza teknike, i mungon, megjithatë, “shpirti hyjnor” – të cilin e ka Tempulli i Solomonit.
Qytetarët e Babelit, ose “babelistët”, siç i kanë quajtur, i kundërvihen banorëve të fushëtirës përreth, më së shumti nomadë. Por arsyeja ta do që një pjesë e këtyre nomadëve, të tërhequr pas qytetit dhe kullës si flutura e natës pas një feneri, të kenë gjetur punë në ndërtim; qoftë edhe si skllevër, njerëz me veshë por “pa gjuhë”, të zotët për të ekzistuar vetëm në atë masë që zbatojnë urdhrat e ndërtuesve.
Historianët e lashtësisë kanë vënë në dukje ngjashmëritë mes kullës së Babelit dhe piramidave babilonase, të njohura me emrin ziggurat, që u kushtoheshin zotave të asaj kulture (të cilat i ka përshkruar edhe Herodoti); siç kanë vënë re disa ngjashmëri strukturore mes Babelit të Biblës dhe disa ndërtimeve në Amerikën Latine, si Piramida e Cholula-s, a cila gjithashtu i pat zemëruar Zotat, me ambicien për të kapur qiellin. Edhe ngjashmëria me Piramidat e Egjiptit, si ndërmarrje ndërtimi titanike, nuk mund të mos vijë në vështrim – pa çka se këto të fundit nuk përmenden në Dhjatën e Vjetër.
Prania e Tjetrit, qoftë edhe thjesht si skllav “pa gjuhë”, në këto ndërtime të mëdha të lashtësisë, duket afërmendsh. Dhe që skllavi ta përligjë veten dhe bukën që ha, duhet ta ketë një gjuhë të përbashkët, sado rudimentare, me kryepunëtorin, mbikëqyrësin, mjeshtrin, inxhinierin, arkitektin. Madje, siç e përmend edhe Zumthor, te De vulgari eloquentia, Dantja e interpreton gjuhën e përbashkët të ndërtuesve të Babelit si një bashkëndarje teknikash të nevojshme për ekzekutimin e veprës (kullës); prandaj edhe kur Zoti ndërhyn për të mbjellë kaosin mes ndërtuesve, “befas gjuha e arkitektëve pushon së qeni ajo e gur-prerësve; gjuha e gur-prerësve pushon së qeni ajo e muratorëve…” në kuptimin që çdo bashkësi profesionale e gjen veten të kyçur në pakomunikueshmërinë e praktikës së vet.[4]
Prandaj edhe, çfarë e konstituon kolektivitetin e punëtorëve të një kantieri a ndërmarrjeje nuk është as shqipja, as gjuha bengali, as anglishtja dhe as heshtja e skllavit si gjuhë zero, por një lloj komunikimi i tillë që e lejon çdo punëtor të jetë i tillë, ose si person që punon, në marrëdhënie edhe me materien, edhe me mjetet e punës, edhe me mbikëqyrësin dhe drejtuesin e vet, por edhe e sidomos me punëtorin tjetër. Shqipja – të cilën Rama e përshkruan si element subversiv në procesin e biznesit dhe që punëtorët imigrantë nuk u dashka ta mësojnë, sepse përndryshe vijnë e bëhen problematikë – është në fakt përmasa sipas së cilës do të shtjellohet kolektiviteti punonjës. Në vendin e punës, edhe një vështrim dhe një tundje koke dhe një “thumbs up” do të jetë po aq shqip sa shkodranishtja më autoktone e punonjësve vendës që i bëjnë naze Shtjefnit dhe disiplinës pseudo-tayloriste në Shqipërinë “që punon”.
Në bisedën e vet me sipërmarrësin në Shkodër, kryeministri Rama nuk e mbajti të fshehtë vizionin e tij për “shqipen” e punëtorëve si instrument për të ndërtuar një vetëdije politike, ose të paktën sindikale – e cila lind, sipas këtij arsyetimi, në momentin kur një masë punëtorësh fiton vetëdijen e grupit, ose vetëdijen klasore. Edhe pse nuk dua t’i jap detyrimisht ngjyra marksiste kësaj analize, nuk mund të mos vërej se kjo vetëdije klasore nuk është larg nga ajo e “proletarëve të bashkuar të të gjitha vendeve”; pa çka se në makthin neoliberal të Ramës, internacionalizmi proletar do të realizohet në trajtat e shqipes rudimentare që do të mësojë, nesër, imigranti nga Bangladeshi. Natyrisht, këtu nuk është fjala për shqipen si gjuhën kombëtare, por për shqipen si gjuhën e solidaritetit klasor, mes punëtorëve që vijnë nga gjuhë dhe kultura të ndryshme.
Le të mendojmë, për një çast, sikur gjuha e përbashkët, që mundësoi projektin e ndërtimit të Babelit, të mos ishte aq pararendëse e veprës, sa ç’të ishte efekt anësor i të punuarit së bashku, duke dhënë kontribut në ngritjen e kullës njëlloj sa edhe ekspertiza teknike, djersa e ballit dhe ambicia për qytetërim. Dhe nëse e përfytyrojmë këtë, atëherë vështirë të mos e përfytyrojmë edhe Ramën në rolin e Nimrodit, birit të Kushit, stërnip i Noes, mbret i Shinarit dhe – sipas burimeve ekstra-biblike – frymëzuesi dhe arkitekti i projektit të Babelit; një Nimrod që, i trembur nga aftësitë vetorganizuese të ndërtuesve të Kullës, i thërret ai vetë fuqitë divine, për të mbjellë mosmarrëveshjen dhe kaosin, nëpërmjet ngatërrimit të gjuhëve, duke marrë eventualisht përsipër edhe rolin entropizues të Jehovait.
Dantja e përshkruan Nimrodin, te Canto 31 e Ferrit, si një gjigand që ruan Rrethin e Nëntë të Ferrit, duke i vënë në gojë këto fjalë (Inferno XXXI.67):
Raphèl mai amècche zabì almi
Një belbëzim, një frazë pa kuptim, shenjë e konfuzionit të gjuhëve shkaktuar nga Kulla e Babelit, dhe që Virgjili i Dantes e komenton kështu: “çdo gjuhë është për të njëlloj / siç është njëlloj e tija për të tjerët – askush nuk e kupton se ç’flet.”[5]
© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht kopjimi në faqe, portale, sajte dhe media të tjera, elektronike dhe tradicionale. Shkelësit do të përndiqen moralisht.
[1] Kam cituar këtu nga një përkthim shqip i Dhjatës së Vjetër që e gjeta falas online, por pa e krahasuar me përkthime të tjera.
[2] Këtu dhe më poshtë në këtë shkrim, sa i përket interpretimit të pasazhit nga Bibla, jam mbështetur kryesisht në esenë e Paul Zumthor, Babel ou l’inachèvement, Éditions du Seuil, 1997; dhe sipas rastit në esenë e André LaCocque, The Captivity of Innocence, Babel and the Yahwist, Cascade Books, 2010.
[3] Vep.cit. f.110.
[4] Vep.cit. f.93
[5] Citoj nga origjinali:
Poi disse a me: “Elli stessi s’accusa;
questi è Nembrotto per lo cui mal coto
pur un linguaggio nel mondo non s’usa.
Lasciànlo stare e non parliamo a vòto;
ché così è a lui ciascun linguaggio
come ’l suo ad altrui, ch’a nullo è noto”.