Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kujtime

ZHURMA NGA KOZMOSI

Kush ka kaluar ndonjëherë netët, siç më ka qëlluar edhe mua, duke shëtitur në spektrin e valëve të shkurtra në radio, do të ketë ndeshur me siguri në “stacionet e numrave” (angl. numbers stations), të cilët transmetonin vargje numrash të shqiptuar, ndonjëherë të shoqëruar nga sigla muzikore ose marifete të tjera. Thoshin atëherë, siç thonë edhe tani, se këto stacione numrash përdoreshin nga agjencitë e spiunazhit për të komunikuar kode ose informacion tjetër.

Numrat i dëgjoje të transmetuara në anglisht, ndonjëherë në gjermanisht ose spanjisht ose rusisht, kushedi edhe në gjuhë të tjera. Për shkak të interferencave dhe distorsionit, zëri i folësit a i folëses merrte një timbër si jo të kësaj bote; të thoje se sinjali vinte nga hapësira jashtëtokësore dhe u kish mbijetuar gjithfarë stuhive ndërgalaktike. Më kujtohet, si tani, timbri frymor i një stacioni që transmetonte gjermanisht, të shqiptuar nga një folëse femërore: vier, zwei, acht, acht… ajo h-ja aq grykore e acht acht i jepte zërit nota gati si prej dhimbjeje kozmike, si të ishte sinjali i fundit i ndonjë anijeje të dëmtuar, që shpejt do të shpërbëhej (për kuriozitet: këtu). Valët e shkurtra ta shndërrojnë botën përjashta, edhe atë më mundanen, në diçka ndëryjore.

Nuk e shpjegoj dot mirë tërheqjen pas këtyre stacioneve. Vargu i numrave të rastësishëm sikur më qetësonte – ose më mirë, mbase më dukej se, po të dëgjoja mjaftueshëm gjatë, do të më vinte edhe kuptimi. Ishte pastaj edhe vetë natyra e emisionit: me fjalë krejt të kuptueshme (emra numrash) dhe njëkohësisht i pazbërthyeshëm. Nga vinin këto mesazhe? Kujt i dërgoheshin? Pyetje që më mbeteshin pezull dhe që sot e kësaj dite nuk është se kanë gjetur përgjigje plotësisht.

Valët e shkurtra, para 1990-ës, i ngjanin një xhungle ku mund të gjeje gjithçka: propagandë, gjuhë krejt të panjohura, sinjale në mors, interferenca nga aparate elektrike në afërsi, stacione që flisnin shqipe “tjetër” dhe gjithfarë zhurmash elektromagnetike, disa edhe nga kozmosi. Stacionet e numrave, me këmbënguljen e tyre të thjeshtë, ndillnin trishtim, pse më bënin të mendoj për një katastrofë.

Kisha dëgjuar edhe në valë të shkurtra mund të dëgjoje edhe “kozmosin” – siç kisha dëgjuar se “mizat” që dilnin në ekranin e televizorit kur nuk kishte sinjal, shkaktoheshin nga rrezatimi kozmik në sfond, të cilin sot e mbajnë si provë e Big Bang-ut: me pak imagjinatë, mund të përfytyronte njeriu se televizori i kapte “zhurmën” e shpërthimit të parë kozmik. Efektit në shqip i kemi thënë “miza”, në anglishte ndonjëherë e dëgjon si “dëborë”, në turqishte “milingona”, në rumanishte “pleshta” (purici); argjentinasit e quajnë “shi” (lluvia).

Për çudi, rrezatimi kozmik po përdoret tani si lëndë e parë për të prodhuar numra mirëfilli random, të cilët përdoren për sigurinë informatike.

Mua numrat random nuk është se më hyjnë në punë për gjë, por e kam përjetuar efektin e kontaktit me vargje të gjatë numrash pa ndonjë lidhje logjike mes tyre. Kur erdha në SHBA në 1996, fillova të punoj në një agjenci përkthimi e cila pranonte gjithfarë porosish nga klientët – mes të cilave edhe punë të thjeshta data entry: na jepnin ca dokumente të fotokopjuara me gjithfarë listash shifrore (buxhete, shpenzime, zhvlerësime), të cilat duhej t’i futnim në Excel.

E mbaj mend mirë se, pas 2-3 orësh pune, numrat fillonin të më merrnin kuptim, ose të më dukeshin “të saktë” – në kuptimin “të domosdoshëm”që nuk mund të ishin ndryshe; çdo shifër ishte “në vendin e duhur”. Njëlloj si shifrat e numrit tënd të telefonit, që të duken të renditura mirë. Besoj se kjo vjen ngaqë stringat e numrave çfarëdo kanë redondancë zero, nuk pranojnë asnjë humbje informacioni gjatë – p.sh. – transmetimit.

Në vitet 1970-1980, numrat e lexuar në kanalet me valë të shkurtra të futnin edhe në një botë të ndaluar spiunazhi: më dukej sikur momenti më i përshtatshëm për të më arrestuar, do të ishte kur po dëgjoja atë gruan super-agjente që rënkonte, në eter: acht, acht, acht

Të tjerë numra që sillte radioja ishin më beninjë. Ka pasur një rubrikë në RAI, estrazioni del lotto, ku jepeshin numrat fitues të lotarisë sipas rajoneve – kombinime dy-shifrorësh, që për ne, në anën këtej të Adriatikut, nuk kishin as kuptim as domethënie. Këto lexime numrash, zakonisht nga një zë bariton që arrinte t’u jepte solemnitet të habitshëm, nuk është se i dëgjonim qëllimisht; më shumë, tingujt pikonin nga një radio e lënë ndezur në sfond, ose na detyrohej t’i përballonim kur prisnim për ndonjë emision tjetër. Por më kujtohet edhe që numrat vetë kishin efekt qetësues: vinin njëri pas tjetrit, por pa asnjë logjikë, pa asnjë disiplinë, si numrat serialë të kartmonedhave që shpërndante lotaria në Itali (ne numrat, ata paratë).

Ka diçka përçudnuese, në përdorimin e gjuhës për të përftuar vargje (stringa) të tilla, që nuk kanë lidhje gramatikore mes tyre. Janë vërtet lista, por të paorganizuara; nuk kuptohet se me ç’kriter vendoset njëri numër para tjetrit; mbase i vetmi kriter është vetë rezultati i renditjes. Kjo mbase do të shpjegonte edhe efektin prej transi, ose hipnotik të numrave të lexuar. Aq kaotike është lista, sa gjithçka tjetër, në krahasim me të, të duket e renditur me arsye.

Një emision i ngjashëm, po aq sedativ, ishte Bollettino del mare, servizi ai naviganti, me të cilin radioja shtetërore italiane lajmëronte anijet dhe barkat, në detet përreth Italisë, për motin, për valëzimin, për forcën dhe drejtimin e erërave. Ca shprehje si “in atto burrasca da sudovest forza sette su Mar Ligure”, ose “in atto isolati temporali con colpi di vento su Adriatico centrale, Adriatico meridionale, Tirreno meridionale est, Tirreno centrale est, Mar Ligure, Bocche di Bonifacio, Stretto di Messina, Ionio, Mare e Canale di Sardegna” të sillnin në mendje romane me peripeci në det, si ato që i lexonim shpesh në Shqipëri atyre viteve. Buletini italian i detit zgjaste një copë herë, mbase e përdornin edhe për të mbushur ndonjë zgavrim të papritur mes një programi që kish përfunduar para kohe dhe programit pasues; ishte po aq domethënës për ne sa edhe listat e numrave të lotos, vetëm se këtë herë numrave ua zinin vendin, në masë të madhe, emra gjeografikë visesh që nuk i kishim parë kurrë. Bocche di Bonifacio: edhe të duash, nuk kalon dot atje, pa e përjetuar një aventurë. Ironikisht, na qëllonte edhe t’i dëgjonim këto hollësi të motit detar kur ishim në plazh, edhe pse rregullat e rrepta të kufirit nuk na lejonin të futnim në ujë as edhe një dyshek me ajër.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin