nga Kapedani
“Kur të gjithë ne përloteshim me skenat e serialit turk “Shamikuqja” e shtrydhnim fort shkopat e bilardos në dorë, përtej fushës së ngrirë, mjegullës së syve e nëpër erën e shkumësit të njomur në dorën e Thomait, dalloja Zison që qëndronte sa herë ulur në qoshen e lokalit e qante me ngashërim. Kur mbaronte filmi, fshinte sytë e hundët me mëngë dhe tendosej sikur priste dikë ta sfidonte si kampionin absolut të lagjes që ishte. Titull që ja kishin dhënë pse nuk lëvizte as njëqind metra larg lokalit e banesës së tij. Jo se nuk e meritonte titullin për gjithë qytetin. Nëse ndodhte që dikush nga Kombinati apo Lapraka ta sfidonte, i duhej të vinte vetë aty. Shpejtë mësonin se ai nuk gëzonte as epërsinë e fushës. Shumë pak vetë i flisnin.”
– “Mos kjo ka histori ka lidhje me “The Hustler”, një rrugaç zemërbardhë, luajtur nga Paul Newman?” – u hodha unë nga padurimi? Por nuk më ktheu përgjigje.
“Kisha filluar punën në banak prej disa muajsh dhe isha matur sa herë të flisja. Por mu dha rasti kur i vetmi miku i tij i ngushtë, një kritik letrar i njohur dhe anëtar i Akademisë së Shkencave, u shkëput prej tij e m’u drejtua për t’i hedhur në kompjuter numrat e lotarisë. E njihja profesorin e letërsisë se më kishte dhënë mësim në universitet, e këtë punën e lotos e kishte bërë disa herë, se nuk ia “thekte nga këto ekranet që të kthehen mbrapsht”. Historia, thoshte edhe në klasë, ecën vetëm përpara. Pyetjet lejoheshin vetëm në lidhje me leksionin e ardhshëm.”
– “Ah, kjo duket që ka lidhje me “The Gambler”, një profesor letërsie kumarxhi, luajtur nga Mark Wahlberg.” Sërish jo përgjigje.
“Nuk kishte nevoja ta pyesja për mikun e tij, se e dalloi kërshërinë time dhe më tha se kishte qenë shofer i një ZiS-151. Më tregoi skeletin e makinës që ndodhej në oborrin e lokalit. Kishte thuajse 30 vite atje, por boja jeshile e errët i dallohej ende në disa pjesë. (Nuk i tregova mikut tim të ri se ai dukej një kopje kineze e ЗиС-151, e pagëzuar ndryshe, Jiefang CA10. Por mund ta kishim gabim të dy, se askush nuk e kishte parë). Tani e kuptova bisedën që kryente pronari i bilardos me të tek i kërkonte t’ia hiqte qafe, kur unë mendoja se ishte fjala për ndonjë borxh. Por e kisha vëzhguar si ai qëndronte me orë të tjera aty. Futej në kabinën e shoferit të mbuluar nga një shami e kuqe e dilte pas disa orësh.”
– “Patjetër që rrëfimi nuk ka lidhje me “Selvi Boylum, Al Yazmalım”, mbi një shofer që bie në dashuri me një fshatare, luajtur nga Kadir İnanır. Por nëse do të fusnim këtu edhe “Fluturën në kabinën time” mbi një shofer rebel që bie në dashuri me mësuesen e fshatit, luajtur nga Ndriçim Xhepa?” Heshti për një moment e filloi përsëri.
“Historia dramatike e shoferit që bie në dashuri më mësuesen e fshatit përfundoi te shoferi ynë në vitin 1992, kur ajo iu largua me një inxhinier italian nga Puglia, të cilin e kishte njohur kur ky drejtonte një fabrikë këpucësh. Më pas jeta i kishte vajtur ca më mirë. Fituesit e tranzicionit, thoshte, janë shoferët. Jo aktorët shoferë si Ndriçim Xhepa, që i duhej ta vazhdonte rolin e rebelit zemërflori në filmin “Përdhunuesit”.
Ishin shoferët që e lëvronin atëherë valutën dhe kishin fuqinë ekonomike për të kontrolluar administratën, prandaj kishte blerë një vend si shofer pranë ministrit të ri të transportit. Aty ishte njohur me persona të tjerë të rëndësishëm në trafikun e influencave së qeverisë qendrore: shoferët personalë të ministrive të financës, ekonomisë, kryeministrisë dhe të shëndetësisë. Si në një qeveri në hije, mblidheshin me shoferin e kryeministrit në krye e ja këpusnin me të pira e të ngrëna në kabinetin e tyre te “Guva e Qetë”. Nuk mungonte as ai i presidencës që njihte edhe një grup kurvash të bukura. Listat për punësim kalonin fillimisht nga ata, quajtur ndryshe “Shoferët e dikasterit”, sikur edhe ato për shkollën e lartë apo ndonjë licencë minierash. Kjo i sillte të ardhura të sigurta për shpenzimet gjithmonë në rritje. Ministri nuk e fuste ndonjëherë dorën në xhep, edhe pse ky ja dërgonte pjesën gati çdo muaj në shtëpi. Veç faktit që i duhej të qeraste gjithfarësoj kriminelësh të vegjël për të mos dëmtuar institucionin apo makinën që e parkonte në lagje.
Mbrothi i filloi kur kërkoi të caktohej shofer ambasade. I thanë se fiton mirë e je më shumë se ambasador. Vetëm se duhet të transportonte disa kile “të bardhë” në muaj. Kishte dashur gjithmonë të ishte në transportin ndërkombëtar. U uronin sikur kishte kapur majën e karrierës kur ishte promovuar nga shofer ZiS-i në ARO, modelin e së cilës përtoi ta shoh në Wikipedia; por transporti ndërkombëtar i kishte ngelur peng në zemër. Fitonte mirë edhe përpara se të emërohej shofer dikasteri. Kur merrte mësuesit e fshatit, banorë që ndryshe duhet të ecnin dhjetëra kilometra e preferonin të ngjeshin me thasët e patateve më mirë, apo kryetarë kooperativash, pranonte pagesa gjithfarësoj. Kishte dashnore çdo 20 gurë kilometrikë. Ja kalonte vetëm Agroni që udhëtonte nëpër tre qytete ku ishin vendosur dy brigada të mëdha ushtarake dhe gjendej një kombinat i madh tekstili.
Dy vjet në Angli i kaloi shpejt, por kusuret i filluan kur ish-ministri vdiq nga një sëmundje dhe familjarët filluan sherrin për llogaritë bankare dhe bizneset e ministrit që ishin në emrin e tij. Apartamentet dhe firmat e rrugëve i kaloi shpejt në emër të familjarëve sipas porosisë. Por dikush i pakënaqur, e denoncon për dy llogaritë në Gjermani që ishin faktikisht të tijat. Nuk e dinte njeri për to veç ish-dashurisë së tij të vetme pas viteve 90.
Bionde, në fillim të 20-ve, kishte filluar si praktikante në ministri dhe ishte emëruar shpejt sekretare personale e ministrit. Duket se ai nuk e trajtonte mirë, dhe çfarë filloi si një hakmarrje prej adoleshenteje, u shndërrua në një dashuri të çmendur për të. Veç ajo u maturua përpara se ai të ngopej me rininë e saj. Biznesin e kishte në gjak dhe shpejt me tulet iu shtua edhe ambicia. Pas divorcit i dha disa apartamente për hir të dashurisë, çfarë duket se nuk kishte mjaftuar. Patjetër që këto ishin vetëm kokëçarje që do ti zgjidhte me prokurorët për disa mijëra euro, por tradhtia e kishte plagosur rëndë.
E mbushi makinën dingas atë ditë kur e konfirmoi se kishte qenë ajo. E ndaloi makinën në doganën greke dhe qëndroi aty pa lëvizur pesë ditë rresht. E arrestuan dhe e dënuan 20 vjet. Kreu 25 pas një sherri dhe plagosje të rëndë me pasojë vdekjen.
– “E kjo ndoshta ka lidhje me filmin “La leggenda del pianista sull’oceano” luajtur nga Tim Roth?” Më këqyri e vazhdoi.
“Interpretimet e filmit të G. Tornatore-s, “Legjenda e pianistit mbi oqean”, variojnë sipas përvojës personale. Dikush që ka mësuar të mos gjykojë vetëm se nëpërmjet superlativave e cilëson atë “madhështore”, apo nga “më të mëdhenjtë të realizuar ndonjëherë”. Të tjerë që shkojnë më i hollë argumentit, e vlerësojnë atë për meritat artistike në përcjelljen e miteve nëpërmjet kinematografisë, që fundja vizualizon pikërisht rrëfimin klasik, atë të legjendave e përrallave. Tornatore na kthen te gjyshja e na tregon një histori, ku stili i rrëfimit përmban simbolikë. Për disa të tjerë, që ndikohen nga përvoja e tyre si emigrantë në Kanada, pianisti që nuk denjon të zbresë në det, është një nomad detar, sikur edhe shpirti i paankorueshëm i emigrantit. Një e shkolluar, që merret me rrëfimin e jo protagonistin, e sheh si “një agorafobie in extremis”. Ky është i kundërti i personit që mundohet të duket gjithkund në Facebook, apo blogje. Ai i fshihet turmës, dhe me koston që i duhet të heqë dorë nga dashuria “për tjetrin” që premton po aq bukuri sa edhe shpirti i tij apo mekanizmi i kontrolluar muzikor (music box). Në të dyja interpretimet e mësipërme vihet në pah zgjedhja e liria. Personi gjendet i lirë të udhëtojë asgjëkund, e të mos robërohet as nga dashuria, toka, muzika etj.
Por historia e Zisos, i cili refuzoi të kalonte doganën atë ditë që e kishte mbushur makinën me 300 kg kokainë shkon tej këtyre interpretimeve. Si në “Bartleby” i H. Melville, ai refuzon të jetë pjesë e makinës globale të kapitalizmit. Balena e madhe Moby-Dick nuk mund të vritet, sikur mendojnë të gjithë ahabët aspirues, statujat e të cilëve sot zbukurojnë sheshet apo pllakat ku shkel apo përmjerr gjindja mosmirënjohëse. Kapitalizmi mund vetëm të kalbet, bjerret apo shpërbëhet nga trupat e ngjitur të Leviathian-it. Shoferi ynë që i kalon ditët e ngelura në bilardon e lagjes, e kuptoi atë ditë. E ishte dashuria për ish-të dashurën e ministrit, biznesmenen e parë shqiptare dhe ish-gruan e tij që e bëri ta kuptojë atë.”
Më tej banakieri u tërhoq nga banaku. Mu kthye për një moment i përlotur e më tha se kisha pirë mjaft për sot.
(c) 2020, Kapedani. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Filmografi shtesë (ose kohët kur fjala kamion rimonte me kampion):
https://shqipologji.wordpress.com/2020/09/14/shpejtesi-sketerre/
Me shkoi edhe mua ndermend ky film. Por kam idene se ngase filmi zhvillohet kryesisht ne erresire, ose e kemi pare me shume zi se bardhe.