Reklama

POETË DHE/OSE KOMUNISTË

Në vitet 1960-1980, poetët bashkëkohorë të përkthyer në shqip luajtën rol kyç në formimin kulturor dhe letrar të brezave, sikurse luajtën rol kyç në formimin e brezit të poetëve të periudhës post-sovjetike – ose të atyre poetë shqip që filluan të botohen në vitet 1970 e këtej.

Emra si Jannis Ricos-i, Pablo Neruda, Bertold Brecht-i, Nazim Hikmet-i dhe, në një masë më të vogël, Paul Eluard-i, Jacques Prévert-i, Tassos Livadhitis dhe të tjerë ishin monedha të çmuara, në tregun e këmbimit poetik në Tiranë[1]. T’ua njihje vargjet, ishte kusht për t’u pranuar në qarqet elitare të poetëve bashkëkohorë të shqipes.

Ndryshe nga autorë si Majakovski, Esenini[2] dhe të tjerë të përkthyer nga rusishtja dhe që i referoheshin gjithsesi kulturës dhe ndikimit sovjetik, këta të mësipërmit ishin mirëfilli të huaj – ku “të huaj” donte të thoshte “perëndimorë”.

Dhe “perëndimorë” ishin vërtet, pa çka se përzgjedhja e tyre, për lexuesin shqiptar, ish bërë me kritere të tjera – dhe pikërisht, ngaqë këta ishin të gjithë komunistë të shpallur, madje miq të mëdhenj të Bashkimit Sovjetik dhe të Lindjes në kohën kur atij kampi i përkiste edhe Shqipëria.

Në vitet 1960 kjo nuk thuhej me të madhe, mbase pikërisht për shkak të referencës sovjetike, ose të faktit që vepra e tyre vinte në kulturën totalitare të Tiranës me ndërmjetësimin dhe bekimin virtual të Moskës staliniste.

Prandaj për brezin tim, që u rrit kulturorisht në një Shqipëri të shkëputur nga kampi sovjetik, autorë si Ricos-i, Brecht-i, Neruda dhe Hikmeti paraqiteshin, e shumta, si “përparimtarë.”

Efekti i këtij de-radikalizimi të poetëve komunistë ishte paradoksal: ua normalizonte këtyre veprën, duke i bindur disi lexuesit në Shqipëri se edhe në Perëndim poezia shkruhej “si tek ne”; dhe duke imponuar një model specifik të qasjes poetike ndaj botës.

(Që përjashtonte, sa për të sjellë një shembull, çdo lloj vizioni dhe frymëzimi mistik, spiritual ose religjioz.)

Është fakt, nga ana tjetër, që një pjesë e madhe e produksionit poetik por edhe letrar dhe më gjerë kulturor, në Perëndim, në vitet pas Luftës II Botërore, ishte në duart e së majtës dhe të autorëve shumë të afërt me partitë komuniste përkatëse.

Mjaft të përmendësh ndikimin që patën, anembanë botës, shkrimtarët, artistët dhe kritikët letrarë francezë të atyre viteve – nga Jean-Paul Sartre-i te Roland Barthes-i.

Filozofi frëng Alain Badiou, edhe ai komunist, në një ese që ia kushton marrëdhënieve të komunizmit me poemën[3], sheh një lidhje rrënjësore mes përkushtimit poetik dhe përkushtimit komunist; duke arsyetuar – po thjeshtoj – se poetët janë vetvetiu komunistë, ngaqë lëmi i tyre është gjuha, mishërimi i një të mire të përbashkët; poema është, kësisoj, një dhuratë që ia bën poeti gjuhës dhe, nëpërmjet gjuhës, njerëzimit si tërësi.

Poema, si produkt gjuhësor, është edhe ajo një pasuri e përbashkët; dhe poeti nuk mund të jetë veçse komunist.

Eseja e Badiou-së mua nuk më bind; por argumenti i tij se ky “përvetësim” i poezisë bashkëkohore perëndimore nga komunizmi i ka rrënjët te Lufta Civile në Spanjë meriton vëmendje. Qoftë edhe për atë që, siç e ka vërejtur tani vonë historiani Toni Judt, konflikti spanjoll përftoi, në mendjet e brezit që u përfshi në të, bindjen se komunizmi (madje ai sovjetik) ishte e vetmja alternativë ndaj fashizmit dhe nazizmit.[4]

Ashtu, ajo Luftë u ri-derdh në format e një konflikti gati mitologjik, mes së mirës dhe keqes.

Nga ana tjetër, që autorë si Neruda, Hikmet-i ose Eluard-i ishin komunistë, kjo nuk e bën gjë poezinë e tyre propagandistike, ose edhe thjesht “komuniste” – dhe në këtë kuptim masa e veprës së tyre, e përkthyer shqip, nuk i shërbente gjë drejtpërdrejt pushtetit dhe regjimit totalitar.

Një poezi e bukur e Eluard-it mbetej e bukur pavarësisht nga pozicionet politike të autorit të saj; ku “pavarësisht” nuk do të thotë “megjithë”. Të prezantuar kështu, poetët komunistë të Europës Perëndimore u bënë lexuesve të tyre shqip një dhuratë të paparashikuar.

Botimi dhe qarkullimi i poezive nga këta autorë duhej të shërbente më shumë si “provë” se kultura në Shqipëri nuk ishte e mbyllur, as e trembur nga ndikimet e huaja, përkundrazi: disa nga emrat e përkthyer ishin tashmë fitues të Nobel-it.

Madje, siç e përmenda më lart, për shkaqe koniunkturale, identifikimi politik i autorëve në fjalë shpesh lihej në heshtje – regjimi në Tiranë nuk dëshironte t’u mëshonte marrëdhënieve të poetëve komunistë, në Perëndim, me Bashkimin Sovjetik pas vdekjes së Stalinit.

Sikurse nuk dëshironte të përmendte lidhjet e këtyre me eurokomunizmin – çfarë do të shpjegojë, për mua, mbylljen e Tiranës, në ato vite, ndaj shkrimtarëve dhe artistëve italianë që ishin anëtarë të PCI-së ose të afërt me të, nga Pasolini te Fellini.

Poetët që zgjidheshin për t’u përkthyer thjesht sepse ishin identifikuar më parë si komunistë, normalizoheshin deri në atë shkallë, sa të përfaqësonin kulturën perëndimore “përparimtare”; çfarë edhe e injoronte alternativën.

Efektin e quajta paradoksal: lexuesi shqiptar i poezive të përkthyer nga këta autorë kujtonte se po binte përnjëmend në kontakt me një lloj letërsie që shkëlqente pikërisht si e pa-angazhuar, pa partishmëri; ndryshe nga poezia shqipe e Realizmit Socialist.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Imazhi në kopertinë: Louis Aragon, Elsa Triolet, André Breton, Paul Eluard.


[1] Nuk mbaj mend të kenë qarkulluar poezi të një poeti të rëndësishëm të së majtës franceze, si Louis Aragon. Përkundrazi, ka pasur romane të tij të përkthyera, në vazhdën e romaneve nga autorë të tjerë komunistë francezë, stalinistë të konfirmuar, si Henri Barbusse dhe Romain Rolland.

[2] Qëndrimin e Eseninit ndaj Revolucionit të Tetorit dhe regjimit që pasoi nuk mund ta trajtojmë këtu.

[3] Alain Badiou, The Age of the Poets: And Other Writings on Twentieth-Century Poetry and Prose, Verso 2014. Eseja mund të lexohet këtu.

[4] Tony Judt & Timothy Snyder, Thinking the Twentieth Century, Penguin Books, 2012.

Reklama

1 Koment

Komentet janë mbyllur.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: