Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Totalitarizëm

NJERIU, ARTISTI, MITI

Një ese e Jonathan Gaisman, në revistën Standpoint (The Problem of Shostakovich) më risolli në vëmendje marrëdhëniet mes autorit, veprës dhe politikës në një shtet autoritar.

Dmitri Shostakoviç mbahet si nga më të mëdhenjtë kompozitorë rusë të shekullit XX, e megjithatë kaloi një jetë plot andralla, nën totalitarizmin stalinist. Por ndryshe prej shumë të tjerëve, ai u mbijetoi telasheve të veta.

Po e marr si të mirëqenë që lexuesit e këtij shkrimi janë pak a shumë të familjarizuar me jetën e kompozitorit: ai u dënua që herët, për formalizëm dhe dekadentizëm, drejtpërdrejt nga Stalini, por më pas u “rehabilitua” madje u çua në Panteon për së gjalli. Muzika e tij shërbeu, mes të tjerash, si kolonë zanore e sublimitetit të vuajtjes dhe të fitores sovjetike në Luftën II Botërore; dhe më pas si provë e epërsisë së sistemit socialist.

Shostakoviçi u bë anëtar partie me këmbënguljen e Hrushovit, në vitin 1960, kur statusin kulturor nuk ia prekte më kush; por më pas deklaroi se “Artisti në BRSS ka më shumë liri se artisti në Perëndim.”

Edhe pse kompozimet e tij, të shumëllojshme, vazhdojnë të luhen anembanë botës, disa kritikë muzikologë në Perëndim ende nuk janë gati që ta rendisin mes gjenive.

Ka dy teori kryesore, për raportet e tij me regjimin totalitar: njëra që e sheh si luajal të shtetit sovjetik dhe të ideologjisë totalitare, me gjithë luhatjet dhe lëkundjet; dhe tjetra, që e gjykon si disident të fshehur, që e shprehu distancimin e vet nga krimi totalitar nëpërmjet muzikës.

Teoria e parë përligjet me rolin e Shostakoviçit si kompozitor i madh sovjetik, i njohur dhe i trajtuar me gjithfarë privilegjesh nga regjimi.

Teorinë e dytë e ka ushqyer sidomos një libër i muzikologut Solomon Volkov, me titull Dëshmia (botuar për herë të parë anglisht në 1979), ku autori thotë se ka përcjellë kujtimet që ia ka diktuar vetë Shostakoviçi. Te ky libër – lexoj tani në esenë e lartcituar të Gaisman-it – kompozitori rus paraqitet si i neveritur me regjimin, dhe si një artist që është distancuar nëpërmjet veprës së tij.

Vepra e Volkovit pati ndikim jo të vogël në pritjen e muzikës së Shostakoviçit në Perëndim – meqë artdashësit dhe kritikët filluan të kërkojnë për shenja të disidencës në kompozimet. Gaisman-i citon këtë koment që shoqëron sonatën për viola, të Shostakoviçit: “Ata që jetuan në epokën e tij, nuk kanë nevojë të rrënojnë në arkiva ose të llahtarisen me provat për shtypjet, ekzekutimet dhe vrasjet. Është e gjitha atje, në muzikën e tij.”

Por a mund të intepretohet muzika e Shostakoviçit, pyet Gaisman-i, si ekuivalenti auditiv, i Arkipelagut Gulag të Solzhenjicinit?

E vërteta është se, sipas Terry Teachout të cituar nga Gaisman në artikull, shumë admirues të Shostakoviçit në Perëndim, u bënë të tillë kur morën vesh se muzika e këtij autori nga Lindja përshkruante “tmerret” e stalinizmit.

A e ndihmon kjo artin, apo e banalizon?

Thotë Gaisman: askush që dëgjon Schubert-in, nuk mendon për regjimin shtypës të Metternich-ut, nën të cilin ai krijoi.

Sikur të mos mjaftonin këto dyshime, vetë libri i Volkovit, Dëshmia, është kritikuar si pseudo-memoir: jo vetëm që nuk dihet nëse Shostakoviçi i ka diktuar vërtet kujtimet e tij, por edhe dorëshkrimi origjinal nuk është vënë ndonjëherë në dispozicion të ekspertëve. Janë sjellë argumente mjaft bindëse se Volkovi e ka falsifikuar materialin në masë të madhe.

Ka edhe kritikë që mendojnë se libri mund të jetë i falsifikuar, por Volkovi ka përshkruar atje, pak a shumë me besnikëri, çfarë mendonte Shostakoviçi në privat. I biri i Shostakoviçit ka deklaruar: “Këto nuk janë kujtimet e tim eti. Ky është një libër i Solomon Volkovit, i cili edhe duhet të tregojë si e ka shkruar.”

Në çdo rast, përralla sentimentale e Luftës së Ftohtë, për një Shostakoviç pasiv, patetik e megjithatë njëfarësoj të shenjtë, që i kundërvihet një force obtuze, të paepur, tashmë është pjesë e hagjiografisë për kompozitorin në Perëndim, siç duket edhe – po t’i besojmë një artikulli në NYT – nga romani The Noise of Time i Julian Barnes-it (përkthyer në shqip me titullin Zhurma e kohës, nga Gjergj Erebara), ku Shostakoviçi është personazhi kryesor. Autori i artikullit, Richard Taruskin, beson se Barnes-i e ka huazuar personazhin e vet, të gatshëm, nga faqet e pseudo-memuarit Dëshmia, të Volkovit.

Kë të besojmë? Personalisht, ideja se Shostakoviçi ka qenë disident i fshehtë i regjimit sovjetik nuk është se ma bën muzikën e tij më të dashur – mua ky kompozitor përgjithësisht nuk më pëlqen, dhe ia kam mbushur mendjen vetes se nuk më pëlqen, sepse nuk e kuptoj dot – gjuha e muzikës klasike në shekullit XX është mjaft e vështirë për mua.

Gaisman përmend, në esenë e vet, një numër kritikësh që e gjykojnë Shostakoviçin si ripetitiv, të dobët në melodi, sardonik në harmoni, ekstremist në orkestracion; dhe që thonë se disa nga veprat e tij më të njohura, si simfonia e 4-t, janë në thelb thjesht të zhurmshme dhe të mërzitshme.

Pyetja ime është: sa i detyrohet suksesi i Shostakoviçit sot në Perëndim mitit të disidencës së tij, që mund të jetë i stisur? Ose, e riformuluar: a do ta ruante vlerën muzika e tij, sikur të zbulohej që kompozitori ishte shërbëtor i bindur i sistemit madje e mbante veten si ndihmës të Partisë në edukimin komunist të masave?

Le të mos harrojmë se publiku, madje edhe publiku “i kultivuar” i muzikës klasike, parapëlqen narrativat, ndaj kontemplacionit abstrakt: një simfoni mbase duartrokitet më gjatë në fund, po të dimë se autori e ka kompozuar nën artilerinë naziste; dhe një sonatë për viola na sjell lotët në sy, kur na thuhet, në fletushkën shoqëruese të biletës, se u kushtohet viktimave të kampeve staliniste të punës.

Dhe, në çdo rast, ky element i supozuar i një vepre muzikore përndryshe abstrakte, përvijohet atje për ne vetëm ngaqë jemi njohur tashmë me një narrativë – me gjasë të rreme – për jetën e autorit dhe raportet e tij me pushtetin.

Këto të fundit, raportet me pushtetin, janë problematike për çdo artist të madh; dhe për të tepër, në kontekstin e një shteti totalitar, si Bashkimi Sovjetik. Mund të pyesim nëse Shostakoviçi i afrohet më shumë, të themi, Mikhail Bulgakovit – në konfliktet e veta me censurën staliniste; apo Mikhail Sholokhovit, autorit të Donit të qetë, që edhe atij nuk është se i shkonte gjithnjë tymi drejt.

Po ai shtet sovjetik, që ia mundësoi materialisht produktivitetin muzikor në përmasa të panjohura për një kompozitor bashkëkohor në Perëndim dhe e mbuloi në fund me gjithfarë titujsh e nderimesh (emrin e Shostakoviçit ia vunë deri edhe një gadishulli në Ishullin Aleksandër, në Antarktidë), po ai shtet u përpoq edhe ta përdorte, me çdo mënyrë, si vegël propagandistike.

Ishte fat, për Shostakoviçin vetë, që nuk iu desh të merrej me mitin e disidencës dhe, aq më keq, t’i përshtatej atij miti, duke u futur në rolin e personazhit Shostakoviç, në sytë e publikut snob.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

3 Komente

  1. Mendoj qe gjithsesi ajo qe ka rendesi ne hulumtimet biografike te krijuesve eshte te hidhet drite mbi ato veprimtari qe kane ndikuar ne krijimtarine e tij dhe i kane dhene formen dhe idete qe sjell. Nje artist i madh eshte ai qe shpreh ne vepren e tij dicka me te thelle se banalitetet e se perditshmes . Prandaj jo cdo fakt jetesor duhet te peshoje njelloj per biografet. Pervec kesaj nje krijues i madh eshte nje qenie shumeplaneshe dhe cdo mardhenie e tij me sistemet sociale qe e rrethojne eshte veshtire te lexohen vetem ne nje permase.

  2. Po lexoj pikerisht Julian Barnes – ZHURMA E KOHES, nje roman trondites dhe i shkruar shume mire, edhe pse mund te jete bazuar ne kinse kujtimet e Shostakovicit. Mua vete me pelqen shume Simfonia e 4-t dhe sidomos Valsi i dyte i kompozitorit te madh. Fakte te reja nga jeta e artisteve te shquar mund te ndihmojne studimet biografike ose mund te shuajne kersherine e ndjekesve, por nuk ndikojne aspak ne shijimin e artit te tyre qe ka lene gjurme ne kohe.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin