Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

TANI NUK QESH MË NJERI

nga Lorjan Agalliu 

Shënim: Kontrasti midis dy aferave publike: së pari të aplikimit të politikave të lockdown në emër të shëndetit publik, dhe së fundi; përkrahjes së protestave kundër racizmit (në mënyrë indirekte edhe të shkatërrimeve, të cilat kanë shkuar katërcipërisht në kundërshtim me politikat e lockdown), po nga e njëjta klasë politike dhe mediatike Amerikane, mund t’i faturohet thjeshtë hipokrizisë, dhe partizanllëkut. Por ky do ishte një shpjegim jo bindës.

Ndaj, në interes të lexuesit të Peizazheve të Fjalës për sa më sipër, por edhe si një këndvështrim alternativ në vijim të dy shkrimeve të botuara këtu nga autorë të ndryshëm, LOOT – HELMI I NJË FJALE, nga Ardian Vehbiu, dhe AMERIKA PA FRYMË – NJË VAJTIM, nga Ernest Nasto, është sjell këtu ky shkrim nga Barton Swaim, editor i revistës The Wall Street Journal, botuar në seksionin “The Weekend Interview” një përmbledhje nga një intervistë me Gary Saul Morson, profesor i letërsisë ruse në Universitetin Nothwestern, për të diskutuar ngjarjet nga një këndvështrim historik, jo patjetër i historisë amerikane, por asaj që ne si shqiptarë jemi më të familjarizuar, historisë ruse dhe revolucionit. (l.a.)

PROTESTAT E DHUNSHME DHE INTELIGJENCIA

Nga Barton Swaim

 Ngjashmëritë midis trazirave të kësaj jave dhe trazirave në Los Angeles të 1992 janë të dukshme. Të dyja u nisën pas imazheve të tmerrshme videosh, dhe të dyja e ndan kombin përgjatë linjave partizane dhe ideologjike. Megjithatë, ndryshimet midis dy ngjarjeve janë më kuptimplota. Dhuna në 1992 erdhi pas një vendimi gjyqësor; rrahja dhe arrestimi i Rodney King kishte ndodhur më shumë se një vit më parë. Trazirat e këtij viti erdhën brenda disa ditësh nga vrasja e George Floyd nga oficerët e Minneapolis. Trazirat e vitit 1992 ishin të kufizuara kryesisht në zona të varfra dhe të klasës punëtore të Los Angeles. Këtë javë u panë shkatërrime në të gjithë Amerikën, dhe në Los Angeles, Nju Jork dhe gjetkë ku rebelët vunë në shënjestër rrugica dhe lagje të pasura.

Por mbase dallimi më i spikatur është racionalizimi, dhe ndonjëherë edhe mbrojtja pa dorashka, e dhunës nga elitat e së majtës: glorifikimi i rrëmujës, poshtërimi i policëve dhe i admiruesve të tyre në klasën e mesme, dhe mbrojtja pretencioze e vandalizmit. Ndjenja e revolucionit dhe luftës së klasave ishte kudo këtë javë: “cognoscenti” dhe nënklasat e rreshtuara kundër pronarëve të dyqaneve të vogla borgjeze; elita dhe ata të cilët pretendon se i përfaqëson kundër gjithë të tjerëve.

Gary Saul Morson thotë se ai nuk ka ndonjë gjë të veçantë për të thënë në lidhje me veprimet e policisë dhe vdekjen e George Floyd. Por ai ka një tezë provokuese për momentin aktual politik në Amerikë: “Për mua ka ngjashmëri të habitshme me Rusinë e fundit të shekullit 19-të, dhe fillimit të shekullit të 20-të, kur në thelb e gjithë klasa e arsimuar ndjeu se thjesht duhet të ishte kundër regjimit ose një lloj klase revolucionare.

Z. Morson, 72 vjeç, është profesor i letërsisë ruse në Universitetin Northwestern dhe interpret i mirënjohur i Fyodor Dostojevskit, Anton Çehovit dhe Leon Tolstoit. Natyrisht nuk kemi arritur aspak tek ajo që Lenini e quajti një “situatë revolucionare”, thotë z. Morson, por kemi arritur në një situatë në të cilën njerëzit liberalë me qëllime të mira shpesh nuk kanë kurajon të thonë se dhuna e paligjshme është e gabuar.

Në Rusinë e vonë cariste, disa parti politike dhe grupime të tjera – social-demokratët, anarkistët, marksistët – e mbështetën në mënyrë të qartë terrorizmin. “Partia liberale – Demokratët Konstitucionalë e quanin veten, – nuk e përqafuan terrorizmin,” thotë Z. Morson. “Por ata nuk pranuan as ta dënojnë atë. Dhe me të vërtetë ata bënë thirrje për lirimin nga burgu të gjithë terroristëve, të cilët ishin betuar të vazhdonin në rrugën e tyre të terrorit. . . . Në një thënie të famshme një prej liderëve liberalë të kohës e përcaktonte kështu këtë: ‘Të dënosh terrorizmin? Kjo do të ishte vdekja morale e partisë.’ Mësimi duket shumë i rëndësishëm dhe aktual. “Kur detyrohesh t’i shkosh nga pas një kauze që nuk e beson vërtet — sepse përndryshe nëse nuk do t’i shkonit nga pas do identifikoheshit me njerëz të këqij, dhe identiteti juaj kryesor është të qenit një “njeri i mirë “, jo si ata njerëz – ju do të përfundoni duke mbështetur gjëra që i dini se janë gabim. Dhe nëse nuk ka ndonjë forcë morale që ta ndalojë, rrëshqitja ka për t’u përshpejtuar.” Z. Morson, i mbyllur në Chicago në zyrën e tij komode mes librash, ndërsa bisedojmë në Zoom, pranon se një studiues që harxhon pjesën më të madhe të kohës së tij duke menduar dhe shkruar për periudhën revolucionare të Rusisë, do të priret të kërkojë paralele midis asaj kohe dhe tonës. Paralelet nuk janë të sakta në çdo aspekt. Por disa prej tyre ia vlejnë, për ta shqyrtuar analogjinë mes dy periudhave. Njëra prej tyre është se shumë nga revolucionarët e sotëm janë jashtëzakonisht të suksesshëm dhe të privilegjuar. Për shembull, Colinford Mattis dhe Urooj Rahman, dy avokatët e Nju Jorkut në të 30-tat, të cilët janë akuzuar penalisht për përpjekje për t’i vënë zjarrin një automjeti policie me një shishe Molotov. Z. Mattis është arsimuar në Universitetin e Princeton dhe të Nju Jorkut, Znj Rahman në Fordham.

Pse njerëz të shtresave të larta duan të shkatërrojnë sistemin që u ka mundësuar të arrijnë aty ku janë? “Jo”, thotë zoti Morson, “pytjen e keni gabim. Nëse jeni kësi njeriu, nuk mendoni se jeni në krye. Njerëzit në krye janë biznesmenë të pasur, dhe ju jeni një intelektual. Për ju, njerëzit e ideve duhet të jenë në krye.” Fjala “inteligjencia”, vëren ai, vjen nga rusishtja. Në periudhën klasike, nga rreth 1860 deri në Revolucionin e Parë Rus më 1905, “fjala nuk nënkuptonte të gjithë ata që ishin arsimuar. Do të thoshte njerëz të arsimuar që identifikohen me njërën ose tjetrën lëvizje radikale. Anëtarët e “Inteligjencias” besonin në ateizëm, revolucion dhe socializëm ose anarkizëm.” “Ideja ishte që meqë ata e njihnin teorinë, ata ishin moralisht më të mirë dhe ata duhet të ishin përgjegjës, dhe se në thelb kishte diçka që nuk shkonte me një botë ku njerëzit “praktikë” ishin në krye të punëve. Pra, ajo që merrni nga edukimi juaj do të ishte ideologjia e cila do të justifikonte këtë lloj aktiviteti (revolucionar*) — do ta justifikonte sepse njerëzit e gabuar kanë pushtetin, të cilin duhet ta kishit ju. Ju nuk ndiheni sikur jeni pjesë e establishmentit.” A ka gjasa shoqëria amerikane, e formuar nga protestantizmi dhe e mbizotëruar nga një lloj liberalizmi i majtë humanitar dhe paqësor, të bjerë ndonjëherë në barbarinë e Revolucionit Rus? A nuk jemi ne — dhe mezi e gjej fjalën ndërsa formuloj pyetjen — të butë për atë lloj dhune totalizuese?

“Nuk e di”, përgjigjet z. Morson pas një pauzë të gjatë. “Nuk e di nëse kjo do të thotë se njerëzit nuk do të shkojnë aq larg sa në Rusi, apo nëse do të ketë më pak rezistencë ndaj tij (revolucionit*).” Rreziku fillon, mendon ai, kur problemet komplekse sociale dhe politike nuk mund të debatohen më gjatë. “Hyhet në një situatë revolucionare sepse njerëzit nuk arrijnë të dëgjojnë,” thotë ai. “A mund të ketë dialog për çështje të rëndësishme, apo ka vetëm një përgjigje për çdo lloj pyetje? A kanë frikë njerëzit të thonë, “Dakord, por nuk është edhe aq e thjeshtë”? . . . Kur nuk mund ta bësh dot më këtë, je duke shkuar drejt një shteti një-partiak ose një një lloji diktature. Nëse njëra palë e ka gjithmonë gabim dhe tjetra e ka gjithmonë mirë, përse na duhet pala e gabuar?” Z. Morson flet me bindje për rreziqet e “ndarjes ideologjike”: “Ishte kollaj për të bardhët të besonin në gjëra të paqena për njerëzit me ngjyrë kur ata kurrë nuk kishin takuar ndonjë të tillë. Por kur bashkëjeton me dikë, e kupton se ata nuk janë më keq se sa jeni ju… Ne kemi pasur gjithnjë e më shumë ndarje ideologjike nga të dy palët. Secila palë ka një pamje karikaturë të tjetrës”. “Supozimi i pashmangshmërisë historike mund të luajë një rol këtu. Kjo vihet re edhe në gjuhën tonë politike: Idetë politike më të dëshiruara janë gjithmonë “ato ide, të cilave u ka ardhur koha”, kurse për t’u shmangur janë ato ide të cilat janë “në anën e gabuar të historisë”. Ky lloj i të menduarit teleologjik – që historia ka një drejtim, dhe ai drejtim është identik me pikëpamjet tona politike – ndonëse në mënyrë të pavetëdijshme, përqafohet sot me zell nga njerëz të mirë-edukuar. Por ishte gjithashtu “një nga argumentet qendrore të mendimit rus të shekullit të 19-të”, thotë z. Morson. A ka historia një drejtim? Dhe a është e mëpasshmja domosdoshmërisht më e mira? Mendimtarët më të mëdhenj — Tolstoi, Alexander Herzen — kësaj pyetje i janë përgjigjur JO. Më vonë nuk është gjithmonë më mirë. Ata besuan se ky lloj i të menduarit ishte një importim i providencializmit fetar në histori – determinizmi i Hegelit dhe Marksit. Vështirësia e kësaj forme të të menduarit është se paralizon veprimin. Midis dy luftërave, shpesh thuhej: ‘Vërtet, ju mund ta pëlqeni demokracinë liberale, por kjo i përket së shkuarës. Ne fashistët jemi e ardhmja. Ose “Ne komunistët jemi e ardhmja. ” Njerëzit dorëzohen ndaj pashmangshmërisë dhe arrijnë në përfundimin se “Nuk luftohet dot me të ardhmen. Nuk i rezistohet dot fashizmit, apo komunizmit.”

Unë sugjeroj që e majta amerikane është shumë e dhënë pas kësaj gjuhë teleologjike – Barack Obama foli në fjalimin e tij të parë inaugurues për “dogma të lodhura që për shumë kohë e kanë mbytur politikën tonë.” Por zoti Morson më kujton që edhe Ronald Reagan përdori retorikë të ngjashme. “Një pjesë e të qenit revolucionar është të dish që nuk duhet të pranosh idetë e lodhura dhe të vjetra të së kaluarës,” tha ai në një fjalim të vitit 1985. Një tjetër shënues i inteligjencës ruse ishte përbuzja e plotë e anëtarëve të saj për fshatarët dhe punëtorët që ata pretendonin se përfaqësonin. ” Madje, sa punëtorë, e sa fshatarë, ishin vërtet në Partinë Bolshevike? Shumë pak. . . . Gjithë ideja e Leninit ishte që klasa punëtore, e lënë pa drejtim, nuk do të zhvillojë kurrë më shumë se një vetëdije sindikale.’ Kjo është fraza e tij e famshme. Ata duhej të drejtoheshin nga inteligjencia dhe të disiplinoheshin plotësisht. Çfarëdo që të thoni, ata do ta bëjnë, pavarësisht sa e dhunshme. Nuk ka rëndësi që ata t’i kuptojnë arsyet, ata thjesht veprojnë. Sepse ata janë agjentët e historisë, siç i përshkroi Marksi. . . . Kjo nënkupton një përçmim për klasën punëtore dhe një përbuzje edhe më të madhe për fshatarësinë.

Supozimi se Amerika po shkon drejt anarkisë ose revolucionit sepse kemi pasur një javë trazirash – ose tre vite mosbesimi dhe grindjeje, ose tre dekada polarizimi – ende duket i vështirë për t’u pranuar. Z. Morson është i kujdesshëm për të mos parashikuar rrjedhën e ngjarjeve. Më shumë se një herë, ai përdor shprehjen “për aq sa mund të aplikohet shembulli rus”. Por, thotë ai, “ne kemi një depresion të madh ekonomik, kemi frikë të tmerrshme nga sëmundja, dhe tani kemi trazira masive në rrugë, të cilat udhëheqësit tanë nuk duket se dinë t’i trajtojnë. Kjo është një rrëshqitje shumë e shpejtë nga vetëm një vit më parë. Dhe nuk ka asnjë arsye për të menduar se do të ngadalësohet. Rrëshqitja mund të vazhdojë.” Dhe historia mund të shpaloset në mënyra të paparashikueshme. Kush do ta merrte me mend 20 vjet më parë, pyet ai, se fjala e lirë e garantuar nga Amendamenti i Parë do të konsiderohej passé për të majtën liberale? “Studentët e mi qeshnin kur citoja një qytetar sovjetik me të cilin kisha pas rastin të flisja një herë. Më tha: ‘Sigurisht që edhe ne kemi lirinë e fjalës. Ne thjesht nuk lejojmë njerëzit të gënjejnë. ”Dikur kjo shkaktonte të qeshura! Tani nuk qesh më njeri.”        

(përktheu Lorjan Agalliu)

Theksimet dhe fjalët e shënuara me (*) i janë shtuar tekstit për më tepër lexueshmëri pas përkthimit. 

25 Komente

  1. Faleminderit shume!
    Ishte vertet e domosdoshme qe diten e varrimit te George Floyd-it, per hir te drejtesise, t’i jepej jehone ne kete faqe artikujve te nje gazete ultra konfidenciale dhe masivisht te censuruar si « The Wall Street Journal ».
    Eshte veçanerisht prekese kur potentati amerikan, nepermjet intelektualeve te duhur (vs inteligjencia), i ve friken vetes duke tundur gogolin e revolucionit ruso-sovietik; kur shumica e gjithefuqishme e shpall veten viktime, sikunder Millosheviçi ne 89-en ne Fushe-Kosove; kur pronaret e gjithçkaje, nga mediat tek armet, denoncojne pushtetin e « elitave intelektuale » (si Berlusconi i shkrete).
    Por, eshte e vertete se disa dekada me pare, te bardhet amerikane qeshnin me shume gjera!

    1. Fact-Check, mirëpres prej teje një artikull për ta argumentuar qëndrimin tënd, në vend të këtij komenti me tundime censuruese. Analogjinë me Milosheviçin, sado prekëse madje ngashëryese, do të më duhet të ta kthej mbrapsht: ajo që ndodhi në Rusi, para gjatë dhe pas revolucionit, i shkaktoi botës shumëfish më tepër viktima se represioni serb Kosovës; si pinjoll i denjë i komunizmit serb, Milosheviçi dhe -viçët e tjerë nga Rankoviçi e këtej, nuk do të kishin shans të sundonin në Kosovë dhe as t’u vinin gjurin në qafë shqiptarëve të atjeshëm për gati një shekull, po të mos u kish dhënë krah e zemër Lenini, Stalini (ky teoricien i nacionaliteteve!!!) dhe pastaj hegjemonia sovjetiko-komuniste në Europën Lindore. Gjërat lidhen mes tyre më shumë se ç’mund të duket, aq më tepër që në mes të Prishtinës sot ngrihet akoma statuja e Bill Clinton-it, president i SHBA-ve, jo ajo e Ali Kelmendit!

      1. Te mos kish qene “hegjemonia sovjeto-komuniste” ne Europen Lindore, Serbia do ja kish bere shqiptareve te Kosoves siç ja ka bere dhe ja ben qe prej 100 vjetesh Turqia anti-komuniste kurdëve te saj.

    2. Fast-check

      Nuk ka asnjë lloj koordinimi. Unë vet as e kisha ditur që ky person do varrosej sot.

      Që ju mendoni se Pejsazhe të Fjalës ka ndonjë politikë editoriale, përshëmbull: çfarë, kur, dhe si duhen kordinuar dhe botuar shkrimet, është një keqkuptim që vetëm sa konfirmon se lira e fjalës funksionon. Kjo sigurisht i dedikohet të zotit të shtëpisë. Nga ana ime, për çfarë sjell këtu as nuk jam porositur, por edhe nuk jam refuzuar (jo se do ishte fundi i botës, sepse të gjithë shkruajmë budallalliqe ndonjëherë, dhe ca frerë apo standarte duhen).

      Përndryshe WSJ është mainstream media, njësoj si NYT, WAPO etj. Ca anojnë në të majtë ca anojnë në të djathtë, por që të gjitha janë njësoj të aksesueshme me abonim, dhe cmimet i kanë pak a shumë njësoj. Unë ngase jetoj në NYC e kam bërë zakon ti lexoj të dyja, NYT dhe WSJ. Ndonjëherë duket sikur ia kopjojnë njëra tjetrës shkrimet, përveç editorialeve. Ndaj më duket se jeni e/i keqinformuar.

      1. Diçka me thote qe duhet t’i rezistoj absolutisht tundimit ta lexoj si simptome faktin qe nje lexues i rregullt i NYT dhe WSJ nuk e dinte se « ky person » do varrosej sot. Diçka, por çfare tamam nuk po arrij ta kap.

        1. Është shumë e thjeshtë: edhe unë vuaj nga paragjykimet e mia, që do të thotë, jo çdo gjë që lexon e regjistron. Aq më tepër kur eulogjitë dhe proçesionet ndaj këtij njeriu janë bërë të përditshme, aq sa nuk do befasohesha sikur t’i bëhej një tjetër proçession edhe nesër – sot në Houston, nesër në Minneapolis, pasnesër në New York… ku i dihet.

          Sido që të jetë, unë do pres. Në librin tim nuk jam duke e zëvëndësuar Martin Luther King Jr. me këtë figurë. Akoma.

  2. Qenkemi keqkuptuar: Millosheviçi ne Fushe-Kosove shpalli se serbet ishin viktimat e shqiptareve, dhe pastaj urbi et orbi se ishin viktimat e te gjitheve. Eshte interesante se sa spontanisht e konsiderojne veten dhe boten e tyre ne rrezik ata qe kane gjurin ne qafen e tjetrit.

    Te tjerat nuk i kuptoj mire si lidhen me komentin tim (krahasimi i viktimave te Revolucionit te Tetorit me viktimat e répressionit serb ne Kosove?!?!)
    Une per vete jam kunder statujave (por ajo e Clinton-it eshte e vyer per shemtine qe ka, dhe ne Kosove sot ka me shume statuja – te shemtuara – se njerez) dhe s’kam shyqyr zotit asnje fuqi te censuroj asgje e askend, edhe sikur te doja! Thjesht nje « prurje » e tille me duket krejt pa vend, per me teper e paraqitur si mendim alternativ. Kaq! Eshte pozicionim kundershtues, jo censure.

  3. Ne Rusine e carit te fundit ishte ne ajer revolucioni borgjez, qe edhe ndodhi ne shkurt 1917, pas atij te 1905 (po ashtu nje revolucion borgjez). Revolucioni i tetorit perpos ne formatin e nje grushti shteti, ishte njefare jakobinizimi i revolucionit te shkurtit 1917. Me pak fjale revolucioni u tjetersua nga bolsheviket, andaj u be edhe lufte civile disavjecare, ndryshe nga revolucioni i shkurtit 1917, kur te gjithe e pranuan revolucionin dhe nuk ishte e nevojshme te merrej pushteti me dhunen e nje lufte civile.

    Komunizmi nuk ishte askund shrehje e nje revolucioni, apo situate revolucionare, por shprehje e e luftes civile, kudo ku u perhap dhe gjithnje ne kohe lufte.

    Ketà permendin revolucionin, por vetem borgjezet e fashistet kane bere revolucione, komunistet e jakobinet kane bere luftera civile e terrorizem. Revolucioni komunist ishte thjesht pasoja e jo shkaku ; jane kthyer se prapthi shkaku me pasojen.
    Komunistet vete e dine qe duhet te jene si hienat dhe t’i vjedhin ushqimin ( revolucionin) luanit.

      1. Tani V x Vendetta eshte film i bazuar ( ideja e djegjes se parlamentit dmth) tek nje histori e vertete, per nje perpjekje te deshtuar ne shek 17, me duket, qe te digjej parlamenti anglez.
        Parlamenti si institucion eshte mbetje feudale, e perditesuar mesa mundet, po mbetje ngelet, dmth cdo forme revolucionare duhet ta fshije parlamentin bashke me cdo mbeturine feudale. E kam llafin qe parlamenti eshte institucion i dobet perballe cdo revolucioni, mbijetesa e tij lidhet me pershtatshmerine e tij ne rendin e ri. Ne kete kuptim nqs djegja e tij eshte akt revolucionar nuk eshte detyrimisht terrorizem.

        Sidoqofte ne Amerike ( si ne Europe) i vetmi revolucion ne ajer eshte irritimi shumevjecar i ”average joe” ne lidhje me rolin e tij ne shoqerine qe po pervijojne. Nqs ”Average Joe” e kapercen kupen e durimit, aty do plase revolucioni. Dhe s’ka lidhje me huligane e huliganizem te importuar e ”Black Panther Party”.

        Nqs do nje krahasim historik, rrumpallen ne Italine post 1918 e benin komunistet, po populli ishte i irrituar me klasen politike ( Italia Liberale si njihet) sepse u vrane 700 mije italiane ne front dhe nuk moren asnje koloni e as Dalmacine qe e mbanin per territor italian.

        Nuk ka pasur ndonjehere ndonje revolucion komunist ndokund, se asnje popull nuk e pranon komunizmin, ka pasur pakenaqesira te medha, luftera e situata revolucionare, qe synon tjera gjera, dhe ku si pyke ose hajdute revolucionesh hyne komunistet, zakonisht te veshur fillimisht me mantele te tjera ( rendom te nacionaizmit se kane qene situata lufterash e dekolonizimesh, ku nacionalizmi sundonte mbi ideologjite e tjera).

        Te kesh frike nga Antifa e Black Panther do te thote se je duke analizuar keq gjendjen.

        1. Nuk e di nëse të ndjek dot, por po i përgjigjem kësaj të fundit për aq sa mundem. Jam dakort që nuk është fjala për grupe të caktuara. Fjala është për gjëndjen e diskursit politik, në përgjithësi, përfshi edhe median. E majta amerikane, deri para ardhjes së Trumpit ishte mësuar me një të djathtë që fliste me gjuhën e të majtëve. Këtë e thotë edhe Gary Saul Morson, kur përmend Regan.

          Trump e ka kthyer kokëposht këtë, duke e vënë gjithë diskursin politik në krizë. Deri aty sa, kohët e fundit kanë dalë shumë republikan, kryesisht ish general, që e kanë akuzuar Trump si një figurë jo-unifikuese. Por problemi është më i thellë, ngase linjat e diskursit politik kanë lëvizur, dhe jo domosdoshmërisht për keq. Sepse këta që i drejtojnë gishtin Trumpit kanë kaq vjet në politikë dhe nuk i kanë adresuar problemet reale. Collin Powel mund të jetë njeri shumë i mirë, por sa herë flet u kujton amerikanëve luftën e Irakut. Ndërkohë e majta gabimin më të madh që mund të bëj është që ta menaxhoj situatën me çensurë dhe me performancë. Duhet të imagjinojnë se kjo do t’i kthehet në boomerang, sepse një Amerikë njëpartiake, qoftë kjo republikane apo demokrate, nuk i shërben asnjëriu.

        2. Varet se ke degjon e lexon. Racizmin ne Amerike nuk e solli Trampi po e gjeti midis jush. Racizmin ne politike nuk e solli Trampi, por demokratet qe ne momentin kur 99% e zezakeve votonin per ta. Moment ky qe eshte para Trampit.

          Hajdutet therrasin kapeni hajdutin eshte kjo pune.
          Nuk lozet politikisht me racizmin si ben e majta qe financohet nga Sorrosi dhe nje pjese e mire e Uoll Stritit. Kush loz me zjarrin djeg duart.

          Mbulesa ideologjike qe zezaket duan shtetin social dhe te bardhet nuk duan shtetin social, nuk mund t’i mbijetoje gjate realitetit; qe ketu ka vota raciste apo racore dhe lojen e ka filluar e majta ne Amerike si kudo ne Perendim, duke synuar zevendesimin e votave te klases punetore me votat e minorancave ( etnike, racore, gjuhesore, seksuale, fetare etj).
          Votat e klases punetore sollen Trampin ne pushtet.

          Pakicat sunduese jane ndare ne dy pjese:
          1- ato qe duan transformimin social e politik te Perendimit nepermjet zhdukjes se mazhorancave etnike e racore si menyra me e mire per te mos pasur presion nga poshte
          2- ato qe duan ta ndalojne zhdukjen e mazhorancave etnike e racore, pra duan t’i konservojne, sepse ashtu gjejne me shume hapesira per pushtet.

          Nuk ka pakica sunduese te mira e te keqija, jane te gjitha nje moot i madh, por secili mund te rreshtohet me pakicen qe i duket me afer midese se vet te rendit te gjerave.

          Make America great again, si ne kohet kur 90% ishin te bardhe dhe probabiliteti qe ne Shqiperi te vinin rresht njeri pas tjetrit 4 aziatike si ambasadore do te ishte zero.

  4. ”Make America great again, si ne kohet kur 90% ishin te bardhe dhe probabiliteti qe ne Shqiperi te vinin rresht njeri pas tjetrit 4 aziatike si ambasadore do te ishte zero.”

    Me keqardhje, por Amerika e bardhe e tipit WASP (White Anglo-Saxon Protestant) eshte tejkaluar me vakt e me kohe dhe eshte shume zor te kthehet prapa, pavaresisht se na pelqen apo jo. Mund te fajesojme globalizmin per kete, mund te fajesojme ”elitat globaliste” apo çfaredo e kedo tjeter qe te na deshiroje zemra, por nese e bejme, duhet edhe te argumentojme se globalizmi ka qene ne kundershtim me interesat amerikane, se Amerika u kap si te thuash gafil nga i shumelakuari globalizem. Dhe kjo nuk me duket nje ndermarrje e lehte, e aq me pak simpliste siç na paraqitet rendom.

    Perndryshe shpjegimi nepermjet Sorosit i çdo dukurie qe s’na pelqen (ose nepermjet vellezerve Koch) s’me duket se ka ndonje perparesi ndaj shpjegimeve nepermjet alieneve.

  5. Transmetimi brez pas brezi i endrres te vjeter sa bota per barazi shoqerore eshte shkaku determinant qe mban kurdohere gjalle rrezikun per revolucione, Perpjekjet per realizimin e ketij qellimi konstant shoqeror jo ne menyre evolucionare por nepermjet revolucionit, kane rezultuar historikisht ne mizori dhe vrasje masive. Duke patur per baze, qe per lulezimin e kesaj enderre kurre nuk kane munguar kujdestaret ideologjik per ta mbajtur gjalle, atehere njerzit e arsyeshem nuk ka se si te mos shqetsohen kur shfaqen situata qe flasin qarte per nje rrezik real. Njeriu e ka me te lehte te besoj qe dielli mund te lind nga perendon, sesa ta mendoj nje komunist pa endrren per barazi.
    Por ajo qe te shqetson me teper eshte kembngulja e tyre e pashoqe per realizimin e qellimit. Eshte per kete arsye dhe kujtdo mund ti shkoje ne mendje, qe komunistet, ate te cilen nuk munden ta realizojne nepermjet Rusise Sovjetike, t’u lind ideja per ta provuar edhe njehere tjeter, por kete radhe nepermjet Amerikes.
    Kjo e bene te nevojshme (ashtu sic bene dhe autori i perkthimit) qe kurre nuk duhet rreshtur per t’u vene ne dukje rezultatin e eksperimentit te pare qe ata bene. Dhe per kete, besoj, nuk ka shembull me te mire se Kuba aktuale, fqinji me i afert i amerikes, per te pare nga afer rezultatin fatkeq per kete popull te revolucionit komunist te Fidel Kastros. Deshmi per nje rezultat kurdohere te vajtueshem qe vjen pas cdo revolucioni mund te sherbejne me dhjetra e qindra video nga ky vend. Une po sjell nje :
    https://www.youtube.com/watch?v=7BPgD6ZmTJ0

  6. Ne jo vetem qe do gjejme fajin, por do identifikojme edhe fajtorin per ta vene para pergjegjesise dhe do I ndreqim edhe gabimet. Kete thote edhe Presidenti I Amerikes, ndaj dhe e votuan dhe do rivotojne serish. Ky pesimizem I juaji nuk iu nderon. Amerika eshte komb I madh dhe I fuqishem.

  7. Qenka trembur IRK-ja (Internacionalja e Reaksionareve dhe Konservatoreve) dhe zedhenesja e tyre Wall Street Journal nga Lenini 😀

    Gjynah qe mos kuptosh kaq pakogje nga historia:

    1. Te pakten prej dy shekujsh e gjysem, bota ka njohur nje sekuence TEORIKE revolucionare (Marx, Engels, Bakunin, Kautski….). Domethene, TEZA.

    2. Te pakten qe prej nje shekulli, bota ka njohur nje sekuence PRAKTIKE te komunizmit (socializem real, quajtur shpesh). Domethene ANTITEZA.

    3. Plan dialektik ja thone emrin : tezë, antiteze, sintezë (hapni lexoni Hegelin).
    Bota eshte në agun e SINTEZES

    (Ose: soyez prêts à l’imprévisible, à l’improbable, à l’événement !)

    1. Ne Lenini, Lenini këtej, por ata po e ringjallin Komunën e Parisit në Seattle, madje with better music. Namin e ka ujku, tha, por kërdinë e bën çakalli 🙂

      1. Mese normale, perderisa Komuna ishte pasazhi i parë (e per rrjedhoje, eksperienca e vetme gjenuine) nga teza tek antiteza. Eshte e natyrshme qe ajo të sherbeje si model edhe për kalimin nga antiteza në sinteze.

      2. Pritet te dale nga casti ne cast gubernatorja e Seattle mbi barricade me nje cice jashte dhe flamur kuq e zi (pa lidhje me flamurin shqiptar) ku e kuqja eshte per revolucionin dhe e zeza per te zezte. Te zinjte ne thuaj…

  8. Ah, dhe kete (meqe ka ketu disa qe e mbajne ende shpresen tek Trump) : në mitingun e 19 qershorit në Tulsa do të zhgenjeheni keqas nga kampioni juaj sepse do të degjoni prej tij veçse fjale të dashura te shoqeruara me falje e me thirrje për unitet kombetar. Aq e sigurt eshte nje gje e tille sa deri dhe vendi apo data nuk janë të rastesishme: Tulsa, qyteti i revoltes me të madhe etnike të historise amerikane (të pakten 200 të vdekur!) dhe data 19 qershor, dita e Juneetenth, festa me e vjeter amerikane qe përkujton abolimin e skllaverise.

    1. Personalisht nuk kam varur ndonje shprese te madhe tek Trumpi si person. Po te kesh lexuar Jung e kupton qe Trumpi eshte The Big Jokester qe tregon dekadencen finale te nje epoke. Ai qe ka rendesi eshte diktatori qe vjen mbrapa dhe shanset jane qe te jete I Majte, sepse e majta e ka already the soft power kurse republikanet jane si pula pa koke. Gallata e gjithe kesaj meseleje eshte qe per ne qe vijme nga vende ish komuniste ky skenar eshte nje film I pare persembrapshi dhe qe ne ja dime fundin ndaj jemi te pergatitur dhe me gaz ne buze. Let the shit hit the fan.
      Meqe ra llafi tek era, e more vesh qe filmi “Gone with the wind” doli film I verdhe mo? 🙂

      1. Soft power? Unë dëgjova diku që Biden tha se ushtria do heqë Trump nga zyra pas zgjedhjeve… sigurisht pasi të jenë kontestuar. Cdo ditë e më shumë që kalon po duket si Shqipëria e 97-ës.

      2. E majta do fitoje ?? Po sikur shkruaje me lart se “kete thote edhe Presidenti i Amerikes, ndaj dhe e votuan dhe do rivotojne serish”
        😉

  9. Kryebashkiake e guvernatore e kane hallin tek rizgjedhja dhe karriera e tyre politike dhe qofshin demokrate apo republikane do sillen sipas sondazheve. Askush nga administrata publike nuk i merr ne konsiderate antisistem, protesta qe nxiten politikisht nga Pelosi, Bideni e Sandersi, 3 pleq, qe jetet ua kane kushtuar konsolidimit te sistemit.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin