Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Lexim

NJERIU LIBËR

Historinë e Dinanukht-it e ndesha te një ese e Eliot Weinberger-it për mandeanët, pakicë etnike dhe fetare që ende jeton në kufirin mes Irakut dhe Iranit të sotëm. Librat e shenjtë të mandeanëve, gnostikëve të fundit në Lindjen e Mesme (shih edhe mandeanizmi), rrëfejnë për këtë demon bizar, Dinanukht-in, gjysmë njeri gjysmë libër, që rri ulur buzë ujit, midis botëve, dhe lexon veten. Një demon tjetër, Disai, edhe ai gjysmë njeri gjysmë libër, por më i vogël, i del përpara dhe i thotë një diçka si një profeci – Dinanukht-i nuk e duron dot arrogancën e Disait dhe përpiqet më parë ta djegë, pastaj ta mbytë në ujë, por nuk arrin dot. Fill më pas, njeriun libër e zë gjumi dhe përjeton një udhëtim në botët e epërme, ku e përjeton profecinë e Disait, këtë herë drejtpërdrejt.

Dinanukht-i, ilustrim origjinal te Ginza.

Historinë e njeriut-libër e rrëfen libri i shenjtë i mandeanëve, Ginza (fjala ka kuptimin “thesar”). Libri ka dy pjesë, një pjesë të djathtë dhe një pjesë të majtë – të njohura në literaturë si GR dhe GL; dhe këto dy pjesë janë organizuar në mënyrë të tillë që, kur arrin në fund të GR, lexuesi duhet ta kthejë librin kokëposhtë, për të lexuar GL. Njëfarësoj, struktura binare e Ginza-s pasqyrohet edhe te Dinanukht-i vetë – që është edhe njeri, edhe libër.

Si personazh, Dinanukht-i shfaqet në GR6 – kush kërkon ta lexojë të plotë historinë e tij, do ta gjejë këtu, në përkthimin referencë nga Mark Lidzbarski. Vetë emri Dinanukht vjen nga persishtja: “ai që flet në pajtim me fenë”; Lidzbarski e përshkruan kështu: “das Tintenbuch der Götter”, ose libri i shkruar me bojë – çfarë i referohet njërës nga teknikat e shkrimit të përdorura prej mandeanëve. Për disa, Dinanukht-i mishëron shkrimin hyjnor (“die göttliche Schrift,” Richard Reitzenstein). Konfliktin e këtij me Disain, që ishte edhe ai libër për “më i vogël”, komentatorët e shohin si inskenim të një rivaliteti doktrinar. Megjithatë, personazhi vetë është po aq njeri, sa edhe libër: te Ginza përmendet madje gruaja e tij, Nuraita – e cila ka të njëjtin emër me gruan e Noes.

Por imazhi i këtij hyu që e kalon kohën duke lexuar veten i tejkalon caqet e një filologjie të teksteve të shenjta – duke ardhur në modernitet si mishërim i introspeksionit, ose vetë-analizës. Në Ginza nuk thuhet se çfarë kish të shkruar te Dinanukht-i libër – por nuk do të habitesha sikur të ishte fjala për legjendën e tij, me një mise en abyme absolute – ku lexuesi, leximi dhe teksti i lexuar kalojnë te njëri-tjetri si sipërfaqja në një fjongo të Möbius-it.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Bibliografi:

  1. Jorunn Jacobsen Buckley, The Mandaeans: Ancient Texts and Modern People, Oxford University Press, 2002
  2. Andrew Philip Smith, John the Baptist and the Last Gnostics: The Secret History of the Mandaeans, Watkins Publishing; STIFF WRAPS edition (August 16, 2016)
  3. Eliot Weinberger, An Elemental Thing, 2007, New Directions.
  4. Richard Reitzenstein, Das mandäische Buch des Herrn der Größe die Evangelienüberlieferung, Heidelberg, 1919
  5. Richard Thomas, The Israelite Origins of the Mandaean People, Studia Antiqua, Volume 5, Number 2.

1 Koment

  1. Me duket si nje personifikim i universit, sipas konceptit budist, ku njeriu eshte edhe eskperienca e te qenit universi (libri), edhe perjetuesi (experiencer-i; lexuesi) i universit njekohesisht. Nga ky lexim, introspeksioni dhe vete-analiza mund te jene praktika e meditimit, qe ve ne dukje per medituesin, ndryshimin dhe distancen midis mendimit (librit) dhe heshtjes nga e cila perjetuesi eshte deshmitar (lexues) i mendimit.

    Me rregull treshi universi i bie te jete thjesht nje mendim!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin