Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Muzikë

ARTISTI ME SHPIRT ANARKIST

Figura femërore në poezinë e Fabrizio De Andresë

Përshtati nga origjinali: Aida Baro

Fabrizio De André, kantautor dhe poet, i cilësuar si një ndër kantautorët më të mëdhenj italianë të të gjitha kohërave, më 18 shkurt 2020, do të mbushte 80 vjeç. De André filloi të luante në kitarë e të kompozonte në një moshë të hershme. Tematikat që trajton në këngët e tij janë të shumta, që nga dashuria, te njerëzit e margjinalizuar, rebelët e prostitutat, liria, anarkizmi etj. Këngët e tij kanë si personazhe njerëz të humbur, shpirtra vetmitarë, por në këtë shkrim do të shohim personazhet femërore, të cilat i ka bërë të pavdekshme përmes muzikës së tij.

Buzëtrëndafilja, Nina, Nancy, Teresa. Por edhe Virgjëresha Mari, Zhan D’Ark, Princesa; të gjitha figurat femërore të Faber-it kanë një histori të tyren, sado të dhimbshme apo turbulluese qoftë. Një udhëtim letrar mes grave që u ka kënduar Fabrizio De André…

Sikur të na shkonte mendja të krijonim disa makrokategori ku të fusnim personazhet e grave për të cilat ka ngritur këngë Fabrizio De André, makrokategori të përziera dhe të ndikuara nga njëra-tjetra, të ndara nga dyer komunikuese, mund të propozojmë tre syresh: vogëlushet, shenjtoret dhe laviret, të cilat, sipas Faberit, më tepër se të qenit grua, kishin të përbashkët prirjen natyrale ndaj sakrificës.

Në këngët e tij, shkruante dhe këndonte që gratë kishin tri barra mbi supe: “sakrificën e mëmësisë, një sëmundje që burri nuk e njeh, që në fazën akute zgjat nëntë muaj, por që, me sa kam vënë re, e mbartin për gjithë jetën. Sakrifica e prostitucionit që, përmes dhembjes mund të shndërrohet në shenjtëri; si dhe një tjetër lloj sakrifice, një tjetër tabu që ndodh jo vetëm në vende ndryshe nga yni, por edhe në vendin tonë [Italia], e kam fjalën për sakrificën e virgjërisë”.

E pra, ejani t’i takojmë të gjitha me radhë këto gra, të paharrueshme, të gdhendura në kujtesë, që kanë ekzistuar realisht ose jo, ç’rëndësi ka? Janë gjallë në zemrën e shumë njerëzve që i kanë dashur dhe i duan këngët e tij.

Shenjtoret

De André i ka kushtuar një album të tërë një shenjtoreje: Marisë, nënës së Jezu Krishtit, një personazh epik, i fortë, i dhembshëm. Një personazh që bazohet në dëshmitë e Ungjijve Apokrifë, larg ikonografisë klasike. Marian e De Andresë e rrëmbejnë nga krahët e mëmës qysh në moshën 3-vjeçare dhe e mbyllin në tempull deri sa mbush 12 vjeçe, kohë kur priftërinjtë e përzënë për shkak të fillimit të ciklit menstrual. Vajzën e nxjerrin në shitje në ankand, ku beqarët nga familja të mira e shohin me sy lakmitarë. Mes tyre është edhe Xhuzepe, 40-vjeçar dhe i ve, i cili arrin ta shtjerë në dorë vajzën. Historia e Marias ndahet në këngë të ndryshme, përmes të cilave rrëfehet ribashkimi me Xhuzepen (që kishte qenë larg Judesë për 4 vjet dhe kthehet kur vajza tashmë ka shkuar 17 vjeçe); ngjizjen e papërlyer (treguar në vetë të parë në këngën Il sogno di Maria, ku vajza kërkon të shpjegojë, në një këngë të mbushur me shëmbëlltyra evokuese, shtatzëninë e saj); jetën si nënë, ku për herë të parë ndihet një lumturi e sinqertë, krenaria dhe dashuria për të birin. Deri në tragjedinë e mbrame, në takimin me një zdrukthtar që po gdhend tre kryqe, njërin syresh për birin e saj. Nuk kanë rëndësi as fjalët e mllefosura të dy nënave të tjera, që presin vdekjen e bijve të tyre, të kryqëzuar në krah të Jezuit, sepse sado që Krishti do të ringjallej, dhembja e madhe e fjalëve të Marias mbetet e vërtetë: “Sikur biri i Zotit të mos ishe, birin tim ende do të kisha”. Një Mari njerëzore, e rrëfyer në madhështinë e saj si grua, në një interpretim me bukuri të rrallë.

Ndoshta më pak e shenjtë është Zhan D’Ark, së cilës i këndoi Leonard Cohen më 1971 dhe Faberi një vit më vonë. Personazh historik, simbol i virtytit të krishterë dhe luftëtare, përfytyrohet në turrën e druve, e mbërthyer nga flakët që e përpijnë dhe, e lodhur nga lufta, ngjan thuajse e penduar që i ka kthyer krahët propozimit për martesë dhe jetës së qetë që mund të pasonte. | 16.01.2

Shenjtorja e fundit që do të përmendim është Marinela. Historia e vajzës është tepër e njohur, po ashtu edhe referimet ndaj Ofelisë së Sheksperit. Mbetet një këngë me një fuqi të madhe emocionale, që rreket t’u kthejë jetën atyre që jetën ua kanë shkatërruar në mënyrën më të keqe.

Vogëlushet

I quajmë vogëlushe, por edhe mund të mos jenë të tilla: këto vajza i bashkon naiviteti, moskokëçarja, vetëdija që, në fund, amor vincit omnia (dashuria triumfon mbi gjithçka).

E nisim me atë që është diçka mes shenjtores dhe vogëlushes: Teresa, protagoniste e këngës që i ka dhënë titullin gjithë albumit “Rimini”.

Tereza është një vajzë e re nga Rimini që fantazon për të marrë arratinë nga një realitet mbytës dhe kallp, në pikun e bumit kapitalist, për të shkuar në qytetin që tashmë është bërë simbol i mendjelehtësisë dhe dashurive që zgjasin pak më shumë se një verë – jo rastësisht një prej referimeve të të gjithë albumit mbetet filmi I vitelloni i Fellini-t. E bija e bakallit sapo ka kaluar një përvojë të tmerrshme, abortin e fëmijës që e ka me vrojtuesin e plazhit dhe tani, me mendje, merr arratinë dhe kapërcen atë det, që në të vërtetë, veçse rri dhe e sodit. Nuk e urren djalin që e ka joshur thjesht për një bast, por paralajmëron dëgjuesit: “mos u dhuroni toka të premtuara, atyre që nuk dinë t’i mbajnë”.

Një tjetër vogëlushe, paksa më gazmore, nëse mund të flitet për gaz në këngët e De Andresë, është Anxholina, protagonistja e këngës Volta la carta, e cila në vorbullën e situatave që i tregojnë letrat, dashurohet me një karabinier, që më pas zhduket. Historia e saj ka fund të lumtur: ajo mëson t’i quajë gjërat me emrin e tyre, bëhet një grua e sigurt, gati për altarin dhe një jetë të lavdishme. Nga ana tjetër, kemi Franziskën, që është larg të dashurit të saj, të cilin e kërkon drejtësia dhe i mbetet vetëm të mbyllet brenda për të shmangur xhelozinë për të, e vetëdijshme se i vetmi ngushëllim për djaloshin është të flejë me rruzaren që i ka dhuruar ajo. Faber-i ka pohuar se për këtë këngë është frymëzuar nga disa tregime të dëgjuara nga banditët sardë, gjatë kohës që e kishin rrëmbyer.

Për t’u përmendur mes vogëlusheve janë dhe dy personazhe, të lindura nga pena e Leonard Cohen-it dhe më pas të ritrajtuara nga De André: Suzanne, që tregon për balerinën Suzanne Verdal, me një dëshirë të ëmbël mishi të papërmbushur kurrë për një vajzë me probleme mendore, dhe Nancy, 21-vjeçare që, për shkak të problemeve psikike që kishte hasur në fëmijëri, i marrin të birin; më pas, ajo vret veten me çiften e të vëllait. Çmenduria e saj e ka shpënë drejt një lëshimi, të cilin ajo e shet për emancipim: Nancy flinte me këdo dhe, pa asnjë pretendim, habitej sa herë që i afrohej ndonjë burrë dhe secilit prej tyre i thoshte, me sinqeritet, që ishte e kënaqur për praninë e tij.

E mbyllim kategorinë e vogëlusheve me dy personazhe shumë të veçanta, të lidhura ngushtësisht me natyrën: Nina, shoqja e fëmijërisë së Fabrizio-s dhe Sally. Ho visto Nina volare është një nga këngët më të njohura të Faber-it, kënga e parafundit e albumit të fundit Anime salve. Sikur të donte të mbyllte një rreth, De André, pak muaj para se të vdiste, këndon për takimin me Ninën, vërsniken e tij, me të cilën ka kaluar vitet e para të jetës në Revignano d’Asti, kur kishin marrë arratinë për shkak të luftës. Faber-i i këndon, teksa ajo fluturon në shilarës, me një lehtësi që përplaset me qortimin atëror, që do të pengojë atë dashuri hipotetike. Kurse, Sally është “një përrallëz që ka si moral ‘lëre tët bir të shkojë të luajë në rrugë, përndryshe kushedi ç’do të ndodhë”, në të cilën Sally, një vogëlushe, një magjistricë, një mikeshë – kënga është lënë qëllimisht e ndërdyshtë – e bind protagonistin të rebelohet ndaj pushtetit mëmësor, por ai përfundon në shoqëri të keqe, në një botë plot dhunë, drogë e vrasje.

Laviret

Një nga të vërtetat e botës së de Andresë është që prostitucioni të shpie drejt shenjtërimit. Prandaj, prostitutat që u këndon Faber-i janë më pranë Parajsës, sepse Purgatorin dhe Ferrin i kanë provuar në jetën tokësore.

Nisemi nga ajo që me gjasë është gruaja – dhe kënga – më e njohur dhe më e kënduar nga publiku: Bocca di rosa, e cila ka hyrë edhe në leksikun italian si eufemizëm. Vajza mbërrin në fshatin e humbur Sant’Ilario, të cilin Faber-i e merr si shembull të mbylljes mendore dhe prapambetjes patriarkale të periferisë, ku bashkëshortët e zonjave vihen në garë për të kaluar kohën me të. Pas pak kohësh, vjen dhe denoncimi te karabinierët, që do ta shoqërojnë për në stacion: gjithë burrat e fshatit mbajnë këmbët për ta përshëndetur për të fundit herë dhe shumë shpejt, merr dhenë lajmi i mbërritjes së saj në stacionin tjetër; madje, prifti i kërkon të qëndrojë pranë Shën Marisë gjatë procesionit, sepse një gjë është e sigurt: dashuria e Buzëtrëndafilit është një blatim i vajzës për të gjithë burrat që shkëmbejnë vështrime me të, dhe jo nga mërzia, as për punë, por nga pasioni.

Mjerë kush e quan lavire Zhaminën, thotë Faber-i: te Creuza de mä, albumi kushtuar marinarëve që e kalojnë gjithë jetën mes dëshirës për t’u larguar dhe asaj për t’u kthyer në shtëpi, Zhamina, “sulltanesha e lavireve” ngjan me një ëndërr ose një shpresë, në të cilën marinari mund të hapë zemrën, në çastet më të vështira. Por s’është e thënë të mos e hasësh në çdo vend ku hedh spirancën anija dhe të zhytesh në erotizmin e shfrenuar që garanton ujkonja cipëzezë.

Tek kthehemi pas në kohë, gjejmë këngën e Barbarës, një vajzë që lëshohet në krahët e dashurisë së lirë, krejt pa fanatizëm, duke tërhequr pas vetes kështu urrejtjen e të gjitha grave që mbrojnë shtratin martesor dhe dënojnë spontanitetin e dashurisë, që është si puna e hithrës: rritet kudo, s’mund ta shkulësh me rrënjë, as të parashikosh se ku do të godasë.

Rebibbia, burgu famëkeq i Romës, thuajse para 30 vjetësh. Fernanda Farias de Albuquerque, është braziliane, homoseksuale dhe transgjinore, e burgosur për shkak se ka tentuar të vrasë dikë me thikë, një shpirt femëror ndryrë në trupin e një mashkulli. Jeton në mëshirë të dajakut dhe poshtërimeve, ua shet trupin burrave, të ngashënjyer nga format e saj të zhdërvjellëta, nga zëri sensual dhe nga theksi i fortë portugez. Maurizio Iannelli e dëgjon historinë e saj dhe e kthen në libër: Princesa botohet më 1994, nga Sensibili alle foglie. (Ndër të tjera, themeluar më 1990 nga Renato Curcio, njëri prej themeluesve të Brigadave të Kuqe, Stefano PetrellaNicola Valentino, brenda burgut të Rebibbias).

Por më parë, i shkon në vesh Faber-it, i cili e vendos në krye të albumit të tij të fundit Anime Salve, kushtuar shpirtrave vetmitarë, të zënë me betejat e tyre, disa më të pazëshme se të tjerat. Fernanda vdiq në rrethana të dyshimta, dhe Faber-i i bën pa dashje një prej “ndereve” të tij të veçanta: ashtu si për Marinella-n, i fal asaj një të ardhme të lumtur me një avokat milanez. Të paktën, në këngën e tij.

Por s’mund të shkruash për gratë e De Andresë pa cituar ato të treja që kanë jetuar krah për krah me kantautorin. Puny (Enrica Rignon), që arriti të hynte në shpirtin kontradiktor të Faber-it; Dori Ghezzi, gruaja e dytë, shoqja e lojërave dhe e dhembjeve, me të cilën ka përjetuar tmerrin e rrëmbimit në hinterlandin sard. Së fundi, Genova (ose Gjenova, në duam), të cilën Fabrizio e quan gruan e tij, qyteti pas të cilit është i dashuruar, ndonëse gjithnjë përpiqet t’i nxjerrë në pah cenet; “Genova, që sa herë je larg saj, e kupton që është një qytet për të cilin të dhemb shpirti.”

1 Koment

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin