HISTORIA – PASQYRË E SË TASHMES

Një debat si duhen rrëfyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka përfshirë historianët dhe akademikë të tjerë të këtej-Atlantikut – qëkur The New York Times Magazine botoi, para ca muajsh, dosjen me titull Projekti 1619, në mbështetje të tezës që institucionet politike, sociale dhe ekonomike amerikane i ka formësuar skllavëria; duke qenë 1619-a viti kur një gjemí piratësh me 20 afrikanë nga Angola u ankorua në Point Comfort, Virginia, për t’ia ofruar kargon e vet njerëzore në shitje kolonistëve lokalë.[1] Duke qenë 2019-a edhe 400-vjetori i asaj ngjarjeje, një grup historianësh, gazetarësh dhe publicistësh, i përfaqësuar nga reporterja Nikole Hannah-Jones, gjykon se ka ardhur koha për ta rishkruar historinë dhe rishikuar vendin që ka zënë praktika e shfrytëzimit të skllevërve dhe institucioni i skllavërisë, në kujtesën kolektive dhe traditën institucionale amerikane.[2]

Projekti 1619 synon “të vërë pasojat e skllavërisë dhe kontributet e amerikanëve të zinj në qendër të narrativës kombëtare amerikane”; të atyre të cilëve u janë mohuar, historikisht, të drejtat e shpallura në dokumentet themeltare të Amerikës; duke ofruar një version të ri të historisë kombëtare, ku skllavëria dhe supremacia e bardhë të bëhen tema mbizotëruese. Ideja është që projekti t’u vihet në dispozicion shkollave anembanë vendit në SHBA, në formë programesh dhe materialesh plotësuese.

Trashëgimia e skllavërisë, thonë mbështetësit e Projektit, ende i jep formë jetës në Amerikë, duke u shfaqur [edhe] si racizëm anti-zezak. Po a u themelua vërtet Amerika si skllavokraci dhe a janë pabarazitë racore aktuale pasojë e natyrshme e këtij “mëkati të origjinës”? Këtë nuk e pranojnë dot ata historianë, akademikë dhe studiues, të cilët janë mësuar tashmë përfytyrojnë Amerikën si të themeluar mbi vlerat e lirisë; dhe që janë kundërvënë bujshëm edhe me një letër drejtuar Editorit të The New York Times, të botuar para pak ditëve (më 20 dhjetor 2019).

Ithtarët e projektit vënë në dukje sa pak nxënës të shkollave të mesme sot në SHBA e dinë se skllavëria ishte shkaku i Luftës Civile, dhe se Kushtetuta e mbronte skllavërinë pa e përmendur atë haptazi, ose se u desh një amendament kushtetues, për t’i dhënë fund skllavërisë. Por pengesa më e madhe, për ta kuptuar skllavërinë sot në Amerikë, është nevoja aq e shprehur amerikane, për ta konceptuar dhe përvetësuar historinë kombëtare si progres, si historia e një populli dhe e një kombi që gjithnjë kanë kërkuar përmirësimin e njerëzimit, përparimin e lirisë dhe të drejtësisë, dhe zgjerimin e mundësive për të kërkuar lumturi për të gjithë, thotë historiani David Blight.

Projekti u kërkon lexuesve të reflektojnë se çfarë do të thotë që “ta konsiderojmë vitin 1619 si vitin e lindjes së kombit tonë…” – një propozim sa tronditës, aq edhe radikal. Njëlloj guximshëm kanë tingëlluar edhe përpjekjet për ta theksuar kontributin e zezakëve amerikanë për demokraci dhe për t’i lidhur disa nga aspektet më çnjerëzore të kapitalizmit amerikan me praktikat e punës të përftuara nën skllavëri.

Në esenë hyrëse të Projektit, shkruar nga Hanna-Jones, thuhet mes të tjerash se “një nga arsyet parësore që kolonistët vendosën të shpallin pavarësinë ndaj Britanisë, ishte se ata deshën të mbronin institucionin e skllavërisë, teksa në Britani po forcohej vullneti abolicionist” (një diskutim i kësaj teze kaq të nxehtë mund të lexohet këtu).

Mirëpo kritikët e projektit vënë në dukje se “do të ishte një keqkuptim themelor, t’u mësoje fëmijëve se Revolucioni Amerikan u luftua, pjesërisht, për të mbrojtur skllavërinë” sa kohë që “aktivitetet dhe fryma kundër-skllavërisë spikatnin më fort në kolonitë, se në Britani.” Që këtej, ka historianë që e shohin jo si radikale, por si ekstreme tezën se ky Revolucion nuk ishte veçse rebelim i skllavopronarëve amerikanë kundër Qendrës së Perandorisë, nga ku besonin se po u vinte rreziku ekzistencial.[3]

Vëzhguesit janë habitur edhe që, në Projektin 1619, shprehet haptazi pesimizmi i autorëve, ndaj mundësisë për zbutje dhe mënjanim të racizmit anti-zezak, nga ana e shumicës së të bardhëve – të cilët, sipas këtyre autorëve, vazhdojnë ta shohin veten si një kastë raciale. Disa kritikë tashmë e kanë hedhur poshtë këtë tezë; që nga Newt Gingrich, i cili vuri në dukje se disa qindra mijëra amerikanë të bardhë u vranë në Luftën Civile, për të liruar skllevërit, te historiani Allen Guelzo, i cili e quajti Projektin “teori konspirative e zhvilluar nga katedra e privilegjit kulturor ekstrem në Amerikë”; teksa opinionisti konservator Erick Erickson e akuzoi The Times se kish adoptuar “një pikëpamje neo-konfederatiste, sipas së cilës Luftën Civile e fitoi në fakt Jugu, duke e tjerrë veten në stofin e shoqërisë amerikane së Pasluftës Civile. Kjo, me synimin për të diskredituar krejt ndërmarrjen amerikane.”

Disa historianë nuk e kanë pranuar as tezën e Hannah-Jones, se “racizmi anti-zezak është i rrënjosur në vetë ADN-në e këtij vendi” dhe tezën tjetër se zezakët amerikanë i kanë kryer luftërat e tyre për liri “në masë të madhe vetëm”, ose pa aleatë.

Projekti ka nxitur debat edhe ngaqë Hannah-Jones u pat shprehur, në një forum, se në vazhdën e botimit të Projektit, nuk i kish marrë parasysh objeksionet e “historianëve të bardhë”. Sipas kritikëve, kjo qasje që qëllimisht kombinon vetëdijen raciale të historianëve me vizionin e tyre historik nënkupton që askush nuk është në gjendje të shkruajë histori objektive. Po të çohet në konsekuencat e saj logjike, kjo do të thotë se të bardhët dhe të zinjtë, në Amerikë, nuk do të munden kurrë ta bashkëndajnë narrativën për historinë e kombit të tyre.

 

© Peizazhe të fjalës™ për shqipërimin, përmbledhjen dhe disa komente anësore. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim 1: Shkrimi më lart është në thelb një përmbledhje e artikullit “The Fight Over the 1619 Project Is Not About the Facts”, botuar në revistën The Atlantic (autori Adam Serwer). M’u duk me interes edhe për lexuesin e Peizazheve, sepse ilustron si një plagë historike vazhdon të dhembë, edhe shekuj pasi është mbyllur – çfarë nuk premton për mirë, në kontekstin e debateve tona për historinë e Luftës Na-Çl; ose debateve të tjera për vlerësimin e sundimit otoman mbi shqiptarët. Përndryshe, unë nuk jam në gjendje të marr një qëndrim a të mbaj një anë në debatin historiografik në fjalë; edhe pse, parimisht, e kam të vështirë ta pranoj që vetëdija e përkatësisë racore e historianit, ose çfarëdo tjetër tipari identitar themelor (p.sh. vetëdija e përkatësisë fetare ose e përkatësisë etnike) ndikon në mënyrë të pashmangshme, në anësinë e vizionit historiografik. Duke mbajtur këtë parasysh, do të shtoj edhe se nga debati i tanishëm amerikan rreth skllavërisë do të përfitojmë më shumë sikur të përpiqemi ta ndjekim, se po të vihemi ta gjykojmë; dhe i ftoj lexuesit t’i lexojnë vetë materialet e bollshme të cituara të këtë shkrim.

Shënim 2: Meqë e kam edhe për merak që t’ia ruaj identitetin intelektual kësaj faqeje, u lutem komentuesve që të mos “i korrigjojnë” tezat dhe argumentet e mësipërme të debatit dhe as të parashtrojnë versionin “e tyre” të historisë amerikane; me gjithë respektin që ushqej për qëllimet tuaja të mira, besoj se askush prej nesh – vrojtuesve të jashtëm – nuk mund të kontribuojë ndonjë gjë me vlerë në këtë lëmë, përveçse duke ripërtypur klishe të lexuara poshtë e lart ose të mësuara në shkollë (vetë e bëra të qartë më lart se veç kam përmbledhur trajtesa tashmë të botuara për temën, duke i shoqëruar me lidhjet përkatëse). Aq më pak mund të kundërshtohet Projekti 1619 me argumente të marra nga sajtet e “white nationalists” dhe neonazistëve, siç ka ndodhur më parë me ndonjë prej jush. Do të bëj përjashtim, si moderator, vetëm për kolegë hipotetikë që e kanë studiuar ata vetë historinë e SHBA-ve dhe mund ta provojnë këtë. Përndryshe, mirëpres kontribute nga të gjithë, në lidhje me relativizmin historiografik, të pasqyruar në qasjet tona shqiptare.

 


[1] Termi enslaved, është vënë gjithashtu në diskutim. Është argumentuar (lexoni këtë artikull nga Nell Irvin PainterThe Guardian) se ata 20 afrikanë, që u shitën në Virginia në 1919, nuk ishin slaves por servants (ose indentured) dhe se statusi i tyre nuk ndryshonte nga ai i shumë servants të tjerë europiane të bardhë, kryesisht nga Britania e Madhe. Shndërrimi i tyre në skllevër ndodhi në mënyrë graduale, pas vitit 1650 – kur këta servants nga Afrika u kthyen në punëtorë të racializuar, skllevër për jetë, si pasojë e një numri ligjesh të Virginia-s, të cilat shpallnin se fëmija do të merrte automatikisht statusin e nënës së vet dhe se pagëzimi nuk jepte automatikisht emancipim. Vetëm në fund të shekullit XVII statusi i afrikanëve si skllevër (chattel) ishte sanksionuar me ligj (ashtu edhe do të lejohej blerja, shitja, këmbimi dhe lënia e tyre trashëgim). Lexoni edhe këtu. Si model shfrytëzimi, skllavëria nuk u shpik në kolonitë e Amerikës së Veriut: është praktikuar gjerësisht në histori, anembanë botës. Madje edhe në kolonitë, ajo lindi në baza jo detyrimisht të racës: njihen edhe zezakë që ishin pronarë skllevërish. Në Amerikën e Veriut, skllavëria dhe racizmi nuk ishin bashkë që në krye, por konverguan. Mbase duhet supozuar se rrethanat sociale dhe kulturore, por edhe tradita në kolonitë ishin të tilla, që e ndërmjetësuan adoptimin e këtij modeli dora-dorës.

[2] Eseja kryesore e projektit, e shkruar nga Nikole Hannah Jones, është nëntitulluar kështu: “Idealet themeltare të demokracisë sonë ishin të rreme, kur u shkruan. Zezakët amerikanë kanë luftuar për t’i bërë të vërteta.” Më tej, ajo shkruan: “Më shumë se çdo grup tjetër në historinë e këtij vendi, ne [zezakët amerikanë, A.V.] kemi shërbyer, brez pas brezi, në një rol të pavënëre, por jetik: ne kemi qenë përsosësit (perfecters) e kësaj demokracie.” Ia vlen të lexohen edhe komentet, në mos tjetër, për të kuptuar reagimet e shumëllojshme ndaj kësaj eseje dhe vetë Projektit. Si qytetar amerikan dhe nip emigrantësh të viteve 1920, unë do të shtoja, me shumë drojtje, se Amerika e sotme është edhe produkt i emigracionit nga bota mbarë, si një faktor i tretë, i pareduktueshëm në dikotominë të bardhë-të zinj; gjithë duke mbetur e kushtëzuar nga nënvetëdija e genocidit ndaj banorëve vendës të kontinentit (të njohur në shqip si “Indianë”). Në çdo rast, kundërvënien raciale (ose “raciale”) emigracioni e zëvendëson me atë mes “vendësve” dhe “të ardhurve”, role të paqëndrueshme sa kohë që të ardhurit natyralizohen, por gjithsesi tejet qendrore.

[3] Pa çka se, ekspertët konstitucionalistë, thonë se Kushtetuta origjinale i ofronte skllavërisë mbrojtje të çeliktë, por pa e përmendur.

10 Komente

  1. Ne ate kohe kishte edhe skllever te bardhe te sjelle nga Europa por qe ishin skllever per nje afat te caktuar ,indentured slaves .Bazat e racizmit aty fillojne .Sklleverit e bardhe dhe te zinj jetonin ne kushte te tmerrshme dhe I kalonin ne number shumefish pronaret e tyre te bardhe .Te frikesuar nga rebelimi te bardhet e pasur aprovuan ligj e te tilla si :asnje zezak nuk ka te drejte te ngreje doren kunder nje te bardhi,apo te bardhet kane te drejten te konfiskojne pasurine e zezakeve etj .Ne kete menyre edhe te bardhet e varfer nisen te ndiheshin se kishin njefare pushteti duke patur dike nen vete .Lyndon Johnson e perkufizoi bukur :
    If you can convince the lowest white man that he is better than the best colored man you can pick his pockets without him noticing.Hell give him somebody to look down on and he’ll empty his pockets for you .

  2. E kam ndjekur debatin rreth Projektit 1619 meqë historia amerikane (dhe veçanërisht ndikimi i saj prej besimit kristian) është edhe fusha ime speciale e interesit. Në përgjithësi tezat dhe kundër-tezat e hedhura si nga nismëtarët ashtu dhe nga kritikët e projektit kanë ndihmuar në sqarimin e një numri aspektesh kryesore të asaj historie, si skllavëria në Amerikën koloniale apo veçanërisht periudha njëshekullore prej viteve 1860 deri në Lëvizjen për të drejtat civile të viteve 1960.

    Po sigurisht që ka edhe mjaft pika të diskutueshme, ja disa që kam vënë re deri tashti:

    – Revolucioni Amerikan. Fakti është se në morinë e artikujve, pamfleteve e diskutimeve prej Etërve Themelues s’ka pothuaj askund argumentime në favor të mbrojtjes së skllavërisë. Kësisoj pohimi i Nikole Hanna-Jones që e bën atë mbrojtje “një nga arsyet parësore që kolonistët vendosën të shpallin pavarësinë ndaj Britanisë” tingëllon tepër radikale. Kjo sepse në mungesë të materialeve të shkruara prej vetë atyre, pohimi kthehet në gjykim të “motiveve”, dhe jo vetëm të “veprimeve”, të aktorëve të historisë. Dhe kjo është një hulli tek e cila mund të hysh lehtë, por zor se mund të dalësh. Angazhimi në këtë hulli, sidomos nga ana e nismëtarëve, rrezikon t’ja ulë vlerat objektive projektit.

    – Ashpërsia, apo mizoria, e kapitalizmit amerikan. Këtë e ka analizuar njeri nga nismëtarët, Prof. Matthew Desmond, në esenë e tij https://www.nytimes.com/interactive/2019/08/14/magazine/slavery-capitalism.html
    duke e krahasuar me vendet e tjera Perëndimore (aty përmendet edhe famëkeqi “ynë” Martin Shkreli). Autori arrin në përfundimin se arsyeja e asaj mizorie vjen drejtpërsëdrejti nga mizoria ndaj skllevërve zezakë në plantacionet e pambukut. Për këtë do të thoja se darvinizmi, përndryshe i theksuar, i kapitalizmit amerikan është vështirë të lidhet me një faktor të vetëm, racën.

    – Kushtetuta. Dokumenti themeltar vërtet nuk e përmend skllavërinë, por them se ka vlerë të madhe përfshirja e skllevërve zezakë në kategorinë e personave, paçka se vetëm 3/5 e një qytetari të lirë (adding to the whole Number of free Persons….three fifths of all other Persons).

    Mendoj se e meta kryesore e projektit është rrekja për gjykimin e së kaluarës me syzet e sotme. Kjo sepse anashkalohen opinionet e vetë liderëve zezakë amerikanë si Frederick Douglass, Martin Luther King apo W.E.B. DuBois, të cilët vërtet jetuan në kohë e kushte të ndryshme, por përsëri e gjetën frymëzimin tek parimet egalitare të Deklaratës së Pavarësisë, përkatësisht të Kushtetutës amerikane.

    Përsa i përket paralelizmit me historinë tonë shqiptare them se periudha e Luftës II Botërore është ndoshta tepër e shkurtër në krahasim me atë skllavërisë e diskriminimit racial në Amerikë. Ndërsa periudhat e sundimit otoman dhe Rilindjes janë më te gjata dhe shumë më ndikuese në ato që erdhën pas.

    Por në përgjithësi i druhem rishkrimit të historisë, dhe i tillë po më duket deri tashti Projekti 1619.

  3. Vertet dhe me kenaqsi biles nuk ia vlen te hyme me komentet tona ne diskutimin e ketij raporti te parimeve themelore te te drejtave te njeriut dhe ndikimit te skllaverise se zezakeve, ne zhvillimin amerikan, sepse ne shkollen tone “socialiste” eshte trajtuar plotesisht ky kapitull, tashme historik. Qe ky diskutim nis e rinis tani ne Amerike, kjo nuk me duket argument qe ne ti rikthehemi serish ketij diskutimi, te pakten ne aspektet kryesore. Eshte mjaft per tu habitur, ndoshta per te ardhur edhe keq, qe dijet mbi historine, natyren, letersine, etj. ne Amerike, ne Gjermani (ku ndodhem vete), e ne mjaft vende te tjera te zhvilluara, jane ne nje nivel te ulet. Kjo tregon se edhe zhvillimi i tyre i sotem ekonomik, me gjithe parimet e tw drejtave dhe lirive te njeriut, eshte i varur nga skllever moderne te ardhur nga vende te tjera e qe mbeten -pjeserisht ose teresisht- te huaj karshi ketyre parimeve ne keto vende. Do te mjaftonte vetem krahasimi me boten antike te heleneve, ku keto parime lulezonin dhe e prezantonin kete bote si me te zhvilluaren ne bote, (sa dhe parimet e sotme te lirise u bazuan tek ‘to), nderkohe qe mbi gjysma e shoqerise helene, femrat, ishin te perjashtuara nga ato parime. C’eshte gjithe ky ekzaltim ne kete diskutim te stervjeteruar?! Apo se e rinisin amerikanet?!

    1. Kur thua “Ç’është gjithë ky ekzaltim në këtë diskutim të stërvjetëruar?!”, e ke shpjeguar vetë arsyen pse po rimerret tema: sepse më konfirmon që ti, sikurse njëlloj edhe unë dhe shumë lexues të tjerë të Peizazheve, nuk dimë asgjë për këtë temë, përtej disa pak gjërave sovjetike që na kanë mësuar në shkollë. Prandaj më mirë përdori materialet që kam sjellë më lart, lidhjet në artikuj dhe ese të tanishme, dhe libra e artikuj që mund t’i gjesh vetë, për të mësuar diçka më tepër; dhe për ta kuptuar pse racizmi mbetet sot e kësaj dite temë e ditës në politikën amerikane dhe plagë e hapur për Perëndimin.

      1. Nwse shkolla jone “sovjetike” na ka folur gjeresisht per raportin qe permenda me lart, (te cilit i shtova edhe krahasimin me Helladen antike -po ashtu te mesuar nga shkolla “sovjetike”), vetvetiu kuptohet edhe raporti midis te drejtave e lirive te njeriut ne Amerike dhe racizmit ekzistues atje; po te duam shtojme edhe skllaverine moderne. Pastaj per te mesuar me tej, vetvetiu njeriu meson sa kohe jeton, dhe ne temen e mesiperme padiskutum ka detaje te vecante, por kryesoret jane thene.

        1. Kanë dalë gjëra të reja, dhe të tjera gjëra që kujtoheshin si të njohura, janë interpretuar. Kur po përgatitesha për këtë shkrim, sa më shumë që lexoja, aq më shumë bindesha se nuk paskësha ditur asgjë, veç sa platitudave. Nuk është çështja te skllavëria si marrëdhënie statike, por te rruga që ndoqi skllavëria, si institucion, për t’u ngritur në shoqërinë amerikane. Edhe në krahasim me skllavërinë në periudhën klasike, greke dhe romake. Në vitin 1619, kolonët në Virginia nuk e dinin se ç’ishte tamam; por në fillim të shekullit XIX skllavëria në SHBA ia kalonte, për nga egërsia dhe çnjerëzillëku, pothuajse çdo lloj forme tjetër të skllavërisë.

  4. Lexova nje liber nje muaj me pare – The Magnificent Exchange – histori e tregtise nderkombetare.
    Ben nje krahasim autori aty mes trajtimit te zezakeve ne Kolonite dhe ne Karaibe. Mu duk shume krahasim i guximshem dhe me beri te beja research kete author.
    Nuk vinte nga bota akademike. Kjo e shpjegonte edhe trimerine e tij ideologjike ne kete klime te sotshme.
    Merr vesht…

  5. Projekti 1619 synon “të vërë pasojat e skllavërisë dhe kontributet e amerikanëve të zinj në qendër të narrativës kombëtare amerikane”; […] duke ofruar një version të ri të historisë kombëtare, ku skllavëria dhe supremacia e bardhë të bëhen tema mbizotëruese.

    Nëse eshtë kështu, atëherë projekti 1619 është jo-logjik dhe madje manipulativ. Nuk mund të vendosim ne sot, se kush ishte tema mbizotëruse tre apo katër shekuj më parë. Iniciatorët e projektit, dhe jo vetëm ata, padyshim që duhet të shkruajnë historinë e skllavërisë dhe të racizmit në Amerikë dhe të këmbëngulin që ajo të mësohet në shkolla, universitete etj., por ata nuk mund të vendosin se kush është tema mbizotëruese e historisë nëse kjo nuk ishte e tillë – mbizotëruese – në kohën kur u bë historia, në shekullin e 17-të apo në shekujt pasues. Aq më pak mund të vendoset sot që çdo tjetër në historinë amerikane është dytësore.

    Me aq (pak) sa e njoh unë historinë e Amerikës, skllavëria ka qënë temë kryesore e shoqërisë amerikane në kohën para, gjatë dhe pas Luftës Civile, tema e racizmit në kohën e KKK-it dhe më pas, por të pretendosh që tema mbizotëruese rreth të cilës zhvillohej jeta politike, sociale apo morale e shoqërisë amerikane e shekullit 17-të apo 18-të ishte skllavëria, kjo nuk është serioze, sa kohë që faktet janë këto që janë (më lart, z. Nasto ka bërë një përmbledhje bindëse, për mendimin tim, të ngjarjeve/epokës të prekur nga debati). Ky interpretim i historisë sipas projektit 1619 më duket ideologji, që reflekton aktualitetin politik dhe social – problemin e racizmit – në shoqërinë e sotme amerikane, por histori nuk është.

    […] Hannah-Jones u pat shprehur, në një forum, se në vazhdën e botimit të Projektit, nuk i kish marrë parasysh objeksionet e “historianëve të bardhë”.

    Ky është autogol i Hannah-Jones që, në fakt, e skualifikon atë nga debati serioz (mendo sikur një i/e bardhë të ishte shprehur se ‘nuk i kish marrë parasysh objeksionet e ‘historianëve të zinj”‘…)

    1. “Kryesore”! Ky esht problemi gjilpera. Se ne te gjitha kohrat “kryesorja” ka qene ne raport me te tjerat “jo-kryesoren”. Kur Nasto ka dhene ketu tek PTF artikujt e tij mbi formimin amerikan, na ka treguar qarte se si parimet kryesore te ketij formimi, lirite dhe te drejtat e njeriut (Kushtetuta, amadamenetet), kane qene ne nje raport te caktuar me parime te tjera, si kristianizmi (Ungjillet), tek i cili gjithashtu nuk njihet skllaveria, sic njihet -bie fjala- tek Bibla e Vjeter dhe Kurani. Kur Amerika po formohej nen keto parime kaq fisnike, zezaket nuk jane specifikuar, po njelloj si tek parimet e demokracise athinase, ku grate gjithashtu nuk specifikoheshin dhe ishin ne nje fare forme te perjashtuara nga kjo demokraci. Sic sqaron dhe Nasto me lart, skllaveria e zezakeve dhe skllaveria ne pergjithsi nuk jane specifikuar kete kohe panvarsie (1776), por gjithkush e di se Uashingtoni i la sklleverit e tij te lire pas vdekjes se tij. Ky proces -padiskutim- nuk ka ndalur mw edhe me te tjere mw pas. Pastaj nga lufta civile e me tej eshte histori -sic thote llafi i urte. Po histori e njejte mbetet edhe nwse hidhemi ne shek. e XX me racizmin, apo hidhemi ne shek. e XXI me skllaverine moderne, apo hidhemi ne shek XXXVII, kur do te luftojme skllaverine dhe racizmin ndaj roboteve-njerez. Detaje te reja mund te zbulojme per cdo periudhe dhe vend, dhe kete mund ta pretendoje me qetesi pastaj Ardiani, e po te doje edhe te ekzaltohet nga zbulimet e reja. (Ketyre lloj ekzaltuesve do tu rekomandoja te shkonin ne ndonje restorant e te punonin disa muaj pjatalares, ose te shkonin ne Kine, Birmani, Tajland e Indi, e te njiheshin me punen dhe prodhimet e tyre per vendet “e zhvilluara” perendimore. Pas kesaj njohje do te ekzaltoheshin me pak ndaj cilido diskutim, kushdo qofte profesor e docent nismetar i tyre.)

  6. Ndesha këto ditë një shaka që tregohej para ’90-ës, diku në bllokun lindor. Pyetjes: “A e dini si do të jetë e ardhmja?”, i përgjigjeshin me: “Të ardhmen e dimë me siguri si do të jetë, por ç’t’i bëjmë të shkuarës që ndryshon vazhdimisht”.. 🙂

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: