Këto ditë po flitet dhe do të flitet për krijimin e Partisë Demokratike, në dhjetor të vitit 1990; jo për ndonjë arsye tjetër, përveç asaj të kalendarit, e cila është edhe më idiotja. E megjithatë, historia e kësaj partie – e para që iu kundërvu regjimit monopartiak të PPSH-së dhe u vu në krye të de-totalitarizimit të vendit – meriton vëmendje, aq më tepër që deri më sot nuk ka qenë e mundur të ndahen refleksionet për natyrën e saj, nga cic-micet politike dhe përpjekjet për ta “regjimentuar” narrativën. Sikurse edhe nuk kanë munguar përpjekjet për ta mitizuar themelimin dhe për t’u dhënë përmasa “heroike” protagonistëve përtej angazhimit sublim të shumë prej tyre, ndoshta edhe nën inercinë e modeleve historiografike ekzistuese, që i referoheshin PPSH-së. Mirëpo me kalimin e viteve, historitë e këtyre dy partive, me gjithë dallimet e mëdha krahasimisht mes tyre, sa vijnë dhe i ngjajnë njëra-tjetrës; duke filluar që nga miti themeltar, që ishte “çlirimi i Shqipërisë nga pushtimi nazifashist” për njërën, dhe “çlirimi i Shqipërisë nga komunizmi” për tjetrën; mit që, si në njërin rast ashtu edhe në tjetrin, përfundoi i përdorur për të mbuluar arsyen e vërtetë të ekzistencës: kapjen e pushtetit dhe mbajtjen e tij me çdo kusht. Ironikisht, nëse PPSH-ja u akuzua, prej kundërshtarëve të saj, se ish krijuar prej jugosllavëve dhe u kish shërbyer, në thelb, interesave të tyre strategjike, edhe PD-ja u akuzua, prej kundërshtarëve të vet, se ish krijuar nga Ramiz Alia dhe Sigurimit të Shtetit, për të garantuar që “tranzicioni” nuk do të prekte interesat e klasës a të shtresës që ish bërë gati ta trashëgonte pushtetin e PPSH-së që në vitet 1980 dhe sidomos pas vdekjes së Enver Hoxhës. Pa u ndalur këtu në vërtetësinë e këtyre dy “anti-miteve”, nëse mund t’i quaj kështu, po dua të vë në dukje se akuza për kalbëzim gjenetik me kohë u kthye në tipar të identitetit të këtyre dy partive, po aq sa edhe vetë narrativa e themelimit të tyre dhe portretet e “heronjve”. I përbashkët mes të dyjave është edhe fati i grupeve themelues: ai i PPSH-së me kohë u reduktua në Enver Hoxhën dhe në disa të vrarë, teksa të tjerët u gjykuan si “tradhtarë” dhe u hodhën në koshin e historisë; por edhe ai i PD-së pati një fat të ngjashëm, meqë mjafton sot t’i hedhësh një sy listës së themeluesve për të kuptuar se çfarë ka ndodhur dhe si u vajti halli të gjithë atyre “krerëve historikë”, që nuk u pajtuan me diktatin e Sali Berishës; aq sa sot, kur përmenden emrat e themeltarëve të PD-së, listat sa vijnë e shkurtohen, për t’iu afruar – për nga pavërtetësia – atyre të themeltarëve të PPSH-së. A mjaftojnë vallë këto ngjashmëri formale, në ecurinë e njërës parti dhe tjetrës, për të nxjerrë ndonjë përfundim përgjithësues? Dhe pikërisht, që asnjëra prej tyre nuk ka qenë (në kuptimin që “nuk u bë dot”) parti në kuptimin që ka termi politik në Perëndim, por veç u konsolidua si organizatë taktike, për t’i shërbyer një personaliteti të fortë, autoritar, që ky të identifikohet fort me pushtetin? Dallimet në mënyrën si u realizua kjo, ose fakti që PD-ja u detyrua ta negocionte pushtetin me parti të tjera ndërsa PPSH-ja nuk mund të ndahet nga monizmi, dhe as nga dhuna e mirëfilltë me të cilën i eliminoi kundërshtarët, nuk mjaftojnë për t’i relativizuar ngjashmëritë. Të cilat ngjashmëri i gjen edhe në dështimet e të dyjave – meqë PPSH-ja, e nisur si PKSH dhe e mbrujtur me frymën internacionaliste të komunizmit, me kalimin e kohës u detyrua të përqafojë izolimin dhe autarkinë në mos edhe një formë primitive të kombëtarizmit, si të vetmet rrugë që do ta mbanin në pushtet; ndërsa PD-ja, që mori përsipër de-komunistizimin e shoqërisë shqiptare nuk arriti dot të ndëshkojë asnjë “krim të komunizmit” dhe as të kultivojë pluralizmin e ideve; me të vetmen arritje rishpërndarjen e pronës dhe shitjen e papërgjegjshme (në mos abuzive) të pasurive kombëtare dhe nxitjen e një forme kapitalizmi eksperimentale (në mos de-socializuese). Në këtë kontekst, merr kuptim të ri edhe akuza që iu bë dhe që vazhdon t’i bëhet PD-së, si krijim i Sigurimit të Shtetit dhe i Ramiz Alisë, përballë akuzës së ndërsjelltë, që iu bë dhe vazhdon t’i bëhet tashmë PS-së, si vazhduese e papenduar e PPSH-së dhe e paaftë për ta gjykuar në mënyrë kritike të shkuarën e vet aq të papranueshme. Sepse këto dy akuza, edhe po të mos jenë të bazuara (nuk është synimi im që t’i verifikoj), sërish e evokojnë imazhin e pluralizmit politik, të krijuar me krijimin e PD-së, si një dyzim ose mitozë të së vetmes forcë politike në Shqipërinë totalitare të para 1990-ës, që ishte PPSH-ja; dhe që iu konformua imperativit europian për pluralizëm duke u ndarë mekanikisht më dysh (imazh tjetër do të ishte ai i hidrës, që lejoi t’i pritej koka sepse ashtu do të mund të rriste dy të reja); dhe kjo pavarësisht dëshirës së mirëfilltë për demokraci dhe liri dhe “Europë”, nga ana e shumë prej atyre që besuan te “foshnja” e lindur rishtas, dëshirë që sakaq u kapitalizua dhe u përdor pastaj sipas “nevojave”. Çfarë do të thotë edhe që “antikomunizmi” i PD-së trashëgoi nga “komunizmi” i PPSH-së të njëjtën qasje utilitare, pragmatike, ndaj pushtetit dhe, çfarë ka edhe më shumë rëndësi, të njëjtën psikologji politike autoritariste (mjaft të krahasosh, këto ditë, vizitat e Edi Ramës socialist te zonat e dëmtuara nga tërmeti me ato të Enver Hoxhës në rrethana të ngjashme; një nga ato raste aq tipike në politikë, kur është roli që e krijon aktorin); çfarë vlen si në marrëdhëniet me pushtetin, ashtu edhe në organizimin e brendshëm të partisë, e cila – si në një rast ashtu edhe në tjetrin – gjithnjë shihet, në thelb, si një aparat që mbështet primatin e padiskutueshëm të liderit përkatës. Prandaj edhe, duke pasur parasysh koston e lartë ekonomike, sociale dhe psikologjike që i faturojnë këto dy parti shtetit (në thelb, taksapaguesve) dhe deformimet që i shkaktojnë ato parlamentarizmit dhe drejtësisë, vështirë të mos arrish në përfundimin se sistemi i sotëm partiak në Shqipëri – pavarësisht se pluralist – po funksionon si një makinë për thithjen e energjive ekonomike dhe njerëzore nga njëra anë, dhe për shpërndarjen e privilegjeve nga ana tjetër, gjithë duke i shërbyer autoritarizmit të liderëve; dhe se dy-partitizmi, që është instaluar që prej 30 vjetësh, tashmë nuk ka gjë të përbashkët as me demokracinë, as me përfaqësimin, as me pluralizmin dhe as me nevojën elementare për drejtësi sociale.
© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht kopjimi në mediat. Kopjuesit do të ndiqen ligjërisht.
20 e kusur vjet, akoma nuk eshte bere mukajet ndonje historian qe te ulet e te shkruaje Historine e Partise Demokratike.
Sa jane gjalle keto aktoret, them, qe te mesojme gjekafshe qofte edhe nga te pavertetat edhe nga te vertetat qe do te artikulonin per “posterity”.
Po mesa duket s’paska qene e thene…
Ka nje liber te Shinasi Rames per dhjetoristet
Histori te Partise, te thone, jo te themelimit te Partise. Ka 30 aktivitet partia.
Dhe, historian, jo pjesemarres ne ngjarje. Me optikat e dylbise xham, jo te turbulluara nga kujtime personale dhe te tjera gjera personale.
Mua me duhet historian qe te me ndihmoje me ide dhe konkluzione pertej kronikes – me date 3 u mblodh kryesia dhe ate dite binte bore e madhe. Saliu mbante me dore nje dosje mavi…
Megjithate, gjithcka ndihmon. Dicka…
Protagonistet e themelimit te PD dihet do tregojne histori te tipit te Davidit qe mundi Goliathin komunist .
Historia e PD mund te shkruhet vetem si spin-off i Historise se PPSH, kurse Historia e PS qe edhe kjo mungon ne tregun e librit (sic!) mund te shkruhet si sequel i Historise se PPSH. Fatkeqesisht nuk po gjenden writers qe t’i marrin persiper.
Nje tufe idiotesh qe s’diten te qeverisin .Kjo eshte historia e PD+PS =PPSH .Kaq duhet te dine shqipot e ti ruajne qelizat e trurit per gjera me hair .
“Një tufë idiotësh që s’ditën të qeverisin”? E bukur kjo! Vërtet mendoni se gjëndja jonë e vajtueshme është rrjedhojë e mosdijes dhe jo e poshtërsisë së organizuar, e planifikuar deri në detaj nga shtabe që nuk kanë ndryshimin më të vogël nga organizatat mafioze?