NË GJURMË TË NJË ARTIKULLI

Meqë këto ditë e kanë përmendur shpesh portalin “Syri.net”, u bëra kureshtar dhe shkova t’i hedh një sy sot me t’u gdhirë. Dhe me të hyrë atje, më tërhoqi vëmendjen kryetitulli i mëposhtëm:

I ndjekur nga një artikull i një dr. Francesca Norton.

Faqja e Syrit nuk e thotë se ku është botuar ky artikull, përtej së përgjithshmes “media amerikane”, e cila të krijon përshtypjen – e rreme – se me marrëdhëniet mes Ramës dhe qeverisë greke po merren mediat anembanë Amerikës.

Por jep një imazh të titullit të artikullit në anglisht, “Will Edi Rama Trick the Greek Government Over EU-Albania Accession Talks,” të shoqëruar nga e njëjta fotografi, ku Edi Rama çuditërisht paraqitet duke shtrënguar duart me Nikos Kotzias Evangelos Venizelos, ish ministër i Jashtëm i Greqisë, në vitet 2013-2015.

Përkthimi i këtij titulli si “A do t’i hajë Greqia gënjeshtrat dhe provokimet e Edi Ramës” është, për ta thënë butë, i llojit poetik: unë nuk do ta përktheja “trick” si “gënjeshtrat dhe provokimet”, por më shumë si “a do t’ia prishë dot mendjen” – por ta lëmë këtu, sepse përkthimi është art.

Ndërkohë, vendosa të kërkoj se cilat media amerikane po flasin për këtë punë, dhe një kërkim i thjeshtë në Google më çoi te portali CITIZEN TRUTH (citizentruth.org), prej të cilit do ta ketë marrë lajmin Syri:

CITIZEN TRUTH e përshkruan veten si portal i pavarur, alternativ dhe radikal. Në faqen e bashkëpunëtorëve figuron edhe dr. Francesca Norton, autorja e artikullit në fjalë, dhe e tetë artikujve të tjerë në këtë portal; por pa fotografi (duhet të jetë shumë e drojtur para kamerës, ose camera shy, si thonë në SHBA).

Po çfarë tjetër ka shkruar Dr. Francesca Norton për këtë portal? Ja lista e kontributeve të saj, e ofruar nga portali vetë:

Kjo të lë të kuptosh se bëhet fjalë për një nga specialistet e pakta, në SHBA, për politikanin dhe burrin e shtetit shqiptar Edi Rama.

Nuk më rezulton që artikullin e tanishëm ta ketë botuar ndonjë media tjetër amerikane. Nuk më rezulton që autorja e artikullit të kontribuojë gjetiu në mediat amerikane.

Këtu edhe investigimi im qytetar ndalet, edhe pse pa arritur ndonjë rezultat solid. Dr. Francesca Norton nuk figuron gjëkundi, përveçse si analiste e CITIZEN TRUTH; por artikujt e saj përkthehen gjerësisht nga segmente të caktuara të shtypit shqip. Interesimi i saj, për të mos thënë obsesioni me Edi Ramën është sa mbresëlënës, aq edhe intrigues: pikëpamjet e saj janë të rrepta dhe fshikulluese, aq sa do t’i kishin zili edhe propagandistët e opozitës.

Por fotografia që ka zgjedhur portali CITIZEN TRUTH për të ilustruar artikullin – Edi Rama me Ministrin e Jashtëm të Greqisë në 2013, pa çka se Greqia ka ndërruar tashmë qeveri – më bën dyshoj se portali CITIZEN TRUTH lë shumë për të dëshiruar nga pikëpamja profesionale.

Dr. Francesca Norton – nëse ekziston – nuk duhej ta kish lejuar këtë shkarje.

Edhe shumë nga burimet e cituara në artikull, si albaniandailynews.com, rtsh.al, exit.al, telegraf.al, panorama.com.al, oranews.tv e kështu me radhë, të bëjnë të mendosh se autorja e ndjek me vëmendje të madhe shtypin shqip.

Disa nga këto faqe, sajte dhe portale i kanë botuar rregullisht artikujt e dr. Norton-it, duke krijuar kështu një sistem enësh komunikuese tipik për mass mediat e epokës post-truth. Edhe artikulli i tanishëm është marrë menjëherë nga Albanian Daily News, madje pa ia ndërruar as fotografinë e Ramës me një ministër të Jashtëm grek në vitin 2013 (dhe pa cituar burimin).

Lexuesi mund të nxjerrë përfundime vetë, pa qenë nevoja që të ndikohet nga subjektivizmi dhe ndoshta paranoja ime.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht kopjimi nga media të tjera. Kopjuesit do të ndiqen me rrugë ligjore.

Shënim: një version i hershëm i këtij shkrimi e identifikonte gabimisht personin në foto me Ramën si Nikos Kotzias. Falënderoj lexuesin Kriton Kuci, që ma vuri në dukje se bëhet fjalë për Evangelos Venizelos-in, që ka qenë ministër i Jashtëm para Kotzias-it.

4 Komente

  1. Deri nje dekate me pare, pushteti mediatik ishte misionar i fjales se lire e, pergjithesisht, te pergjegjshme, edhe pse jo me patjeter te balancuar.
    Tashme eshte thjesht nje pushtet. Si gjithe te tjeret, madje, ndoshta edhe me grabitqar, pasi ndryshe nga tre pushtetet tradicionale, pushteti mediatik eshte edhe biznes.

    1. Haha, po pse o Pseudonim NgaHalli, ato tre pushtetet tradicionale nuk te duken se jane edhe biznese, madje kane edhe nje te mire tjeter se nuk paguajne “income tax”.

  2. Shumë e vërtet që media është edhe biznes, dhe jo vetëm Syri. Po rasti i Syrit vetëm sa konfirmin që në Shqipëri nuk bën dot biznes po nuk ta aprovoi pushteti. “Merrni infromacion vetëm nga mediat serioze” lexova diku një ministër i qeverisë Rama t’iu drejtohej qytetatrëve. Pavarësisht, se me ç’po lexojmë lart e poshtë, panikun e kishin leshuar po njësoj të gjitha mediat. Biles disa kanë programe speciale paniku, me sizmolog grek dhe emisarë amerikanë, dhe dokumente top-sekrete të presidentit.

    Por, si çdo fatkeqsi që u bie shqiptarëve, edhe kjo e radhës duhej të paguhej më shumë se njëherë. Mirë kali që na ngordhi, por nuk na lënë as mizat.

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: