Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë / Sociologji

DERA E GABUAR

nga Arjan Shahini

Thirrjet e opozitës për ndikimin e organizatave kriminale mbi zgjedhjet dhe mbi qeverisjen në përgjithësi kaluan në vesh të shurdhër. Edhe pse disa prej akuzave u lëshuan përmes mediave perëndimore. Por sidomos për SHBA-në këto akuza nuk përbëjnë aspak problem për demokracinë në Shqipëri.

Së pari, sepse veç fiksimit me filmat e telenovelat me mafiozë, në SHBA ka vite që gëlojnë teori konspirative mbi lidhjen e organizatave kriminale me klasën politike, p.sh. për ndikimin e tyre në zgjedhjen e më pas vrasjen e ish-presidentit J. F. Kennedy, apo së fundmi përfshirja në trafikimin e fëmijëve nga eksponentë të Partisë Demokratike (Pizzagate). Këto teori që qarkullojnë nëpër qarqet e ekstremeve të djathta e të majta, dëshmojnë lirinë e mendimit në SHBA. Së dyti, në vitet e para të demokracisë amerikane e deri në fillim të shekullit XX kriminelë të organizuar kanë pasur ndikim në skenën politike lokale të SHBA-ve. Këto ndikime nuk ndryshuan as imazhin e SHBA-ve, dhe as synimet elitës politike-ekonomike-ushtarake. Së treti, demokracia është një proces me oscilacione, ku shteti, edhe pse vetë krijesë e krimit të organizuar, evolon dikur në një sistem demokratik, sipas optimistëve amerikanë.

Një artikull i R. Unz[1] më solli në vëmendje këtë temë. Platforma e R. Unz publikon kryesisht analiza konspirative apo të ekstremit të djathtë. Sipas tij, krimi i organizuar veç gjobave, organizimin e basteve ilegale, fajdet, kontrabandën etj., merrej edhe me mbushjen e kutive të votimit, bastisjen e arkës së shtetit nëpërmjet punësimeve të rrejshme e të tjera forma të korrupsionit politik. Për Unz, duke u bazuar në një sërë burimesh, së fundmi edhe tek S. Hersh[2], nuk mund të mohohet fakti „që Sindikata e Çikagos i ndihmoi Kenedit të vjedhë zgjedhjet në vitin 1960, duke përdorur kontrollin që kishin ata mbi makinerinë e zgjedhjeve të atij qyteti jashtëzakonisht të korruptuar, për të nxjerrë ato 27 votat që duheshin në Ilinois dhe të vendosnin kështu JFK në Shtëpinë e Bardhë“. Në forume të tilla diskutohet edhe mbi lidhjet e Mafies (që sipas Unz është kryesisht hebreje dhe jo italiane) me „deep state“ (shtetit të nëndheshëm, një lloj burokracie që i reziston rotacionit të pushtetit).

Dy studiuesit Lurigio dhe Binder[3] e pohojnë gjithashtu ndikimin e organizatave kriminale në Chicago në vitet 1930. Sipas tyre, Chicago Outfit, siç njihej grupi rreth Al Capones, kontrollonte sindikatat kombëtare, rajonale e vendore të punëtorëve dhe ushtronte kontroll politik mbi të dy partitë politike në nivel qyteti, qarku dhe shteti (duke ndikuar në disa raste legjislaturat deri në vitet 1970). Madje ndikimi i tyre shkonte deri në Shtëpinë e Bardhë. Ata ishin imun ndaj hetimeve e përndjekjes nga organet e drejtësisë. Sidoqoftë, studiuesit e hedhin poshtë pretendimin se Chicago Outfit ndihmoi J. F. Kennedy-n të fitonte zgjedhjet.

Në politikën e saj të jashtme, SHBA-të kanë ndjekur një politikë pragmatiste në lidhje me aktorët jo-shtetërorë që sfidojnë monopolin e dhunës së shteteve të tjera. Madje në raste të caktuara, për interes të shtetit amerikan, janë mbështetur e përdorur nga shërbimet sekrete grupe kriminale për të çoroditur apo destabilizuar strukturat shtetërore. Si p.sh. përdorimi i mafies amerikane në disa atentate të organizuara nga CIA ndaj Fidel Kastros në Kuba.

Pragmatizmi ndër të tjera e ka burimin edhe mbi skepticizmin që amerikanët ushqejnë ndaj qeverisë. Nuk është ide anarkiste ta mendosh shtetin si një lloj organizatë kriminale. Historikisht, argumenton një nga teoricienët më të njohur të lëvizjeve sociale e pranë teorive marksiste, C. Tilly[4], shteti e ka origjinën në grupe të dhunshme që organizonin forcën dhe grumbullimin e kapitalit në kurriz të më dobtëve – (shteti u themelua nga racketeers, gjobitës që ofronin mbrojtje për kërcënimet që shkaktonin vetë). Në dallim nga shtetet perëndimore, që kanë evoluar nga kjo fazë zhvillimi, në Shqipëri ka gjasa të kemi ngecur diku. Mund të aludojmë ngjashëm për shtetin e A. Zogut, por edhe krijimi i shtetit komunist në Shqipëri, një nga përpjekjet më konsekuente për të ngritur një shtet modern (në varësi të koncepteve të ndryshme mbi modernen), sipas K. Dervishit, e ka zanafillën në mobilizimin e krimit të organizuar, grupe a individë me prirje të kaluar kriminale. Mbërritur tani te shtetet mafioze, sikur i karakterizon Moisés[5] shtete si Bullgaria, Mali i Zi etj. (e unë do të shtoja Shqipërinë). Në shtetet mafioze, sipas Moisés, grupet kriminale përbëhen nga zyrtarë të lartë, në mos janë ata që i udhëheqin këto grupe, dhe mbrojtja dhe mbështetja e sipërmarrjeve kriminale shndërrohet në prioritet shtetëror. Në shtetet mafioze interesat kombëtare janë të ndërthurura me interesat e krimit të organizuar. Fatos Lubonja shkon edhe më tej e cilëson vetë partitë parlamentare si banda të krimit të organizuar.

Shtetet mafioze të përmasave të Shqipërisë nuk përbëjnë problem për sigurinë e për politikën e jashtme amerikane. Për të folur me gjuhën e Trump, këto janë vende muti, dhe jo fuqi bërthamore. Kuptohet që SHBA-të mbajnë shënime. Sikur u dëshmua në kabllogramat e publikuara nga Wikileaks, ku veç pohimit se të gjitha partitë parlamentare kishin lidhje me krimin e organizuar, përfshihej edhe një koment mbi L. Bashën si ish-ministër i brendshëm që akuzohej se kishte ndikuar në lirimin nga burgu të një personi në këmbim të votave nga familja e tij, personi u lirua një ditë pas zgjedhjeve[6]. Para largimit të tij, ndoshta i frustruar, ish-ambasadori D. Lu[7] foli për 20 familje kriminale, referuar ndoshta një studimi të dy studiuesve shqiptarë, F. Zhilla dhe B. Lamallari[8] mbi krimin e organizuar në Shqipëri.

Për opozitën do të ishte një veprim taktik premtues ta inkuadronte agjendën e saj, për të luftuar fuqizimin dhe pasurimin e Partisë Socialiste, me politikën e jashtme të SHBA-ve. Duke arsyetuar se krimi i organizuar përbën rrezik për sigurinë dhe aleancën e Shqipërisë me SHBA-të, sidomos nisur nga ndikimi rus e serb mbi krimin e organizuar në Ballkan. Nëse këto kanë disi rëndësi për administratën e D. Trump, sinjalet e së cilës kanë qenë tepër konfuze deri tani (qorton Gjermaninë, por fsheh ndoshta kompromat). Por, edhe në këtë drejtim duket se Rama i ka tribluar, se akuzat për afrim me Rusinë janë tashmë duke u shqyrtuar nga prokuroria për Partinë Demokratike.

Për Europën kjo çështje ka më shumë rëndësi, sikur vërtetohet jo vetëm nga vëmendja e frika që zgjedhësit europian kanë ndaj rendit dhe rrezikut të hordhive kriminale, por edhe nga popullata e burgjeve. P.sh. në Angli të burgosurit shqiptarë zenë rreth 9% të populllatës së huaj (11% në 2019), më shumë se edhe polakët e rumunët dhe janë në vendin e parë nga të gjitha shtetësitë, edhe pse numri i shqiptarëve është relativisht shumë më i vogël. Por problemi është së kjo narrativë pengon hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, një udhë ligjërimi kjo që Edi Rama e ka cilësuar si anti-shqiptare pse i çon ujët ekstremit të djathtë, pengon integrimin në BE dhe deligjitimon klasën politike.

 

Numri i te burgosurve ne Angli sipas shtetesise


 

[1] Unz, R. (15 Korrik, 2019) American Pravda: The Power of Organized Crime. The Unz Review. http://www.unz.com/runz/american-pravda-the-power-of-organized-crime/

[2] Hersh, S. (1997) The Dark Side of Camelot.

[3] Lurigio, A. J., & Binder, J. J. (2013). The Chicago outfit: Challenging the myths about organized crime. Journal of Contemporary Criminal Justice29(2), 198-218.

[4] Tilly, C. (1975). Western state-making and theories of political transformation. Ne: The formation of national states in Western Europe, (ed.) C. Tilly dhe G. Ardant. 638.

[5] Naím, M. (2012). Mafia states: Organized crime takes office. Foreign Affairs. 91.

[6] CRIMINALS MAKING THE LAWS IN ALBANIA’S PARLIAMENT (13 Gusht, 2009). 09TIRANA552_a. https://wikileaks.org/plusd/cables/09TIRANA552_a.html

[7] http://www.panorama.com.al/e-plote-donald-lu-flet-me-emra-4-klane-kriminale-kontrollojne-vendin-porosia-e-forte-per-qeverine/

[8] Zhilla, F. & Lamallari B. (2015) Krimi i organizuar: Vleresimi i Riskut. https://www.osfa.al/sites/default/files/press_raporti_total_oc_0.pdf

4 Komente

  1. Në lidhje me autorin Ron Unz që citohet në artikull, ndoshta duhet vënë në dukje më mirë që revista e këtij është cilësuar si ekstremisht antisemite – për shkak të materialeve që boton dhe platformës së saj tipike. Nëse artikulli i Unz mbështetet në premisat e teorive konspirative antisemite që qarkullojnë në Perëndim, atëherë duhet marrë me shumë rezervë.

    Do t’u lutesha kolegëve ta kenë këtë parasysh, por të mos e diskutojnë më tej në komentet – sepse artikulli ka shumë gjëra të tjera me interes për t’u diskutuar.

  2. Nuk e njoh Unzin, po teoria e lidhjeve te Kenedit me mafien e Cikagos ka 50-60 vjet. Do ta marrim vesh te verteten kur te rihapet dosja e vrasjes se Kenedit, ne 2038, se behen plot 75 vitet e ngrirjes.

    Mafia apo krimi i organizuar ne pergjithesi ka 3 elemente te rendesishem per poltiken, grupin dmth numrat, forcen bruto dhe lekun.
    E vetmja e mire ne Shqiperi eshte qe grupet kriminale jane te vogla dhe breza te rinjsh i sfidojne rregullisht me te vjetrit, te cilet detyrohen te specializohen si biznesmene dhe te lidhen fort me shtetin, dmth policine. Kjo dinamike kaotike nuk lejon organizata te mirefillta mafioze.
    Cdo parti ka tek grupet e reja kriminale nje mundesi konkrete per te rivalizuar grupet e vjetra kriminale te lidhura me partine apo partite e tjera.

    Kur hyri LSI-ja ne tregun e krimit, megjithese te ndare ne PS e PD, kishte grupime te reja ose te pakenaqura qe iu bashkangjiten me deshire per te çare ne treg.

    Cdo parti e re me njefare suksesi ka mundesi te perfshije ne radhet e veta grupimet e reja kriminale, te krijoje bandat e veta per tu perballur me bandat e PS e PD.

    Teorikisht ne Shqiperi vetem parti qe jane ne gjendje te kene grupet e tyre te zjarrit, do te jene ne gjendje te sfidojne 3 bandat e medha, PS, PD,LSI.
    Kjo do te thote qe ne lojen reale thirren vetem komunistet e nacionalistet, si te vetmit qe jane teorikisht ne gjendje te krijojne grupe te dhunshme, pavaresisht nese me kriminele apo me te zellshem ideologjike. Zelli ideologjik ne fakt ka rene pertoke ose eshte teater rrjetesh sociale, por eshte demostruar nga historia se keta jane material me i mire per mbrojtje e ushtrim dhune, sesa grupet kriminale.

    Po ne pergjithesi fshehim koken si struci e as duam te merremi me lidhjet reale te politikes me krimin, perpos per te akuzuar tjetrin si kriminel, nderkohe qe justifikojme cdo lidhje te mundshme te partise tone me krimin si e domosdoshme , si reaksion mbrojtjes ndaj krimineleve te partise tjeter.
    Dhis iz Sparta, tha.

    1. kam idene se eshte me shume lokale, sesa ne nivel kombetar. P.sh. PSD eshte e forte ne disa zona te Elbasanit ku besoj se grupet kriminale kane ndikim.

      Mjafton te shohesh vecorite lokale ne zgjedhje per te vleresuar disi shperndarjen gjeografike te grupeve kriminale ne aleance me partite politike dhe specializimet e tyre (drogen, prostitucionin, kontrabanden, vjedhjet apo vrasjet me pages). P.sh. zona e Mamurrsit dhe e Laçit (kryesisht te specializuar ne vjedhje, prostitucion dhe vrasje me pagese) jane me PD, por ka grupe kriminale, kryesisht me prejardhje mirditore qe jane me PS-ne (besoj te specializuar ne droge, UK, dhe vjedhje, Itali, apo vendosje gjobash ndaj firmave te kromit), sic mund te verehet nga konfliktet gjate zgjedhjeve. PDIU, ose partia e cameve, eshte e forte ne Peqin, nje stronghold i socialisteve gjithashtu, Librazhdi e Peqini jane kryesisht te specializuar ne droge e prostitucion.

      Besoj se per qeverine eshte e lehte te kontrolloj elementet kriminale duke menagjuar specializimet e tyre. P.sh. nje fushate kunder gjoba-venesve ndaj industrise se minierave i heq mundesine per mbeshtetje nje partie. Ose mjafton te kapen ca tonelata droge apo te pengohet transferta e nje shume te madhe parash nga Evropa, e mund ta nxjerresh nga qarkullimi nje bande per disa muaj.

  3. Natyra korruptive e (pu) shtetit dhe (pu)shteti korruptiv i natyres.

    …”Format e ndryshme te te qeverisurit e bejne ligjin demokratik, aristrokatik, tiranik, duke pasur parasysh interesat e tyre te ndryshme; dhe keto ligje, qe behen prej tyre, per interesat e tyre, perbejne ate qe quhet drejtesi, te cilen ua japin subjekteve te tyre, dhe ai qe i shkel ato, ata e denojne si thyes te ligjit, si te padrejte. Dhe une kete kam parasysh kur them qe ne te gjitha format e qeverisjes ekziston i njejti princip i drejtesise, qe eshte ai i interesit te qeverise; dhe duke qene se qeveria suposohet te kete fuqi, i vetmi konkluzion i arsyeshem eshte qe ekziston vetem nje parim i drejtesise, qe eshte ai i interesit te me te fortit…” – tha Thrasimakus

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin