Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Jurisprudencë / Politikë

NJË VOTË NJË PLUMB: FESTA E GJYQIT POPULLOR (II)

(vijim)

Tek Testaments Betrayed Kundera flet për kulturën dhe për testamentet e tradhtuara. Por institucionet e përshkruara prej tij, të tribunalit dhe të procesit, nuk kufizohen me kulturën vetëm: masa e krijuar prej mediave, nëse mund të shprehem kështu, nuk bën ndonjë dallim të madh mes një shkrimtari të shquar dhe një profesori province të akuzuar për shitje të notës. Dhe jo vetëm – duke i anihiluar të dy këta, duke u varur të dyve teneqen, me të njëjtat teknika të vrasjes së karakterit, tribunali vendos barazinë atje ku ekzistonte më parë pabarazia; sheshon atje ku kishte më parë reliev; rrafshon, atje ku kishte më parë variacion.

Në atë masë që merr parasysh çdo hollësi, sado të papërfillshme, të jetës së të akuzuarit, gjyqi – i imagjinuar nga Kafka te Procesi – i ngjan “gjyqit të fundit” të feve abrahamike; ku individi del para autoritetit hyjnor si tërësi e atyre çfarë ka bërë gjatë jetës. Nëse mass mediat e vënë tani publikun në rolin e tribunalit moral, e bëjnë këtë edhe për t’i dhënë iluzionin se te masa e padiferencuar qëndron autoriteti moral absolut; në kuptimin që sa më anonim të jetë akuzuesi, aq më moralisht e pakundërshtueshme është akuza. Dhe nga kjo pikëpamje pak ka ndryshuar, në raport me periudhën totalitare – të mëdhenjtë kanë pushtetin shekullar, por masa është depozitare e autoritetit moral. Pa çka se ky iluzion vlen aq sa ç’lejon që elitat të vazhdojnë të “elitojnë” të patrazuara.

Ka gati 30 vjet, në Shqipëri, që në media flitet veç për krime të elitave dhe që politikanët kërcënojnë njëri-tjetrin me burg: çfarë e ka shndërruar diskursin dhe debatin politik në një formë – të neveritshme – të diskursit kriminologjik (e kemi përmendur këtë gjetiu). Nuk ka mbetur politikan në zë pa u akuzuar për vjedhje, korrupsion, shpifje, manipulim dhe okultim provash, abuzime me detyrën, nepotizëm, deri edhe vrasje. Ka gati 30 vjet që makineria e mass mediave, në Shqipëri, vazhdon ta ushqejë publikun me një meny tejet të pasur akuzash të tilla, të cilat ndjekin dhe zëvendësojnë njëra-tjetrën. Insinuata, thashetheme, kërcënime, shantazh, zbardhje përgjimesh, filmime, fotografi e gjithfarë dëshmish e sidomos “dëshmish” që konfirmojnë krime nga më flagrantet okupojnë kryetitujt e lajmeve, mbajnë në punë një lukuni opinionistësh dhe ia mbushin mendjen publikut, çdo ditë rishtas, se këtij i takon autoriteti moral dhe kompetenca për të “dënuar” të akuzuarit.

Ka gati 30 vjet. E vetmja gjë që nuk ka ndodhur, në këto 30 vjet komedish dhe tragjedish, ku nuk kanë munguar as vrasjet e mëdha, është dhënia e drejtësisë. Teksa tribunali popullor i publikut televiziv dhe e gjithë masa milionëshe që ngopet me lugë të zbrazët vazhdon të dënojë e të ridënojë – simbolikisht dhe tërthorazi – krejt klasën politike që e ka votuar vetë, duket sikur kaq mjafton; dhe kundërshtarët politikë të së të akuzuarve janë të parët që mjaftohen me bindjen se njollosja morale e Tjetrit do t’u shërbejë për të fituar nesër zgjedhjet. Rezultati i këtij karnavali është që Shqipëria gjendet sot me një klasë politike tërësisht të diskredituar në sytë e publikut, dhe tërësisht të dënuar nga tribunalet e mass mediave; por edhe që nuk ka paguar asgjë, për çfarë është akuzuar dhe akuzohet. Dhe sidomos, që Shqipëria gjendet sot pa një alternativë politike për të qenë.

Për mua, kjo shërben edhe si provë që tribunali mediatik – përfshi këtu sharjet, shpifjet, akuzat e pabazuara, shkeljet flagrante të privatësisë, përgjimet dhe rrëmimet kuturu në dokumente – u shërben drejtpërdrejt elitave të akuzuara, si mburojë e sprovuar kundër drejtësisë. Asaj drejtësie të cilën nuk e vendos dot as masa, as zgjedhësit me votë, as indinjata morale – por institucionet kushtetuese përkatëse.

Madje ky, i tribunalit publik, erdhi si efekt anësor i zbatimit të lirisë së fjalës (duhet ta shkruaj “lirisë së fjalës”) në një shoqëri si jona, që nuk e ka arritur atë shkallë pjekurie, sa të përftojë individë të pjekur. Regjimi totalitar nuk e lejonte përdhosjen e elitave të veta, përveçse kur e lejonte; ose kur merrej vendimi që ky ose ai t’u hidheshin qenve të gjyqit popullor, forma jonë e gjyqit të Linçit. Në Shqipëri nuk u arritën ekstremet e Revolucionit Kulturor në Kinë; por tundimet nuk është se munguan – dhe për një kohë të gjatë intelektualët (në kuptimin e gjerë të fjalës) mbetën të kërcënuar nga rreziku i një ekspozimi të mundshëm para masës, me urdhër nga lart. Pas 1990-ës, si pasojë edhe e “demokratizimit” të komunikimit publik, u bë e qartë se kjo masë, tashmë e çliruar edhe nga frika ndaj kërbaçit të pushtetit, nuk kish ndonjë simpati për krerët e vet, të asnjë lloji. Aq sa, për arsye jo edhe shumë ideologjike, gjithnjë në këto gati 30 vjet, mass mediat kanë mundësuar diskreditimin dhe përdhosjen sistematike të çdo lloj personaliteti të spikatur – qoftë ky politik, akademik, ekonomik, kulturor ose artistik. Praktikisht askush nuk i ka rezistuar dot tribunalit, përveçse kur ka zgjedhur të rrijë në prapaskenë. Madje tribunali, me metoda inkuizitoriale shpesh primitive (“kërko falje!” si ekuivalent i “bjer në gjunjë!”), ka treguar – tashmë sistematikisht – se nuk mundet veçse ta urrejë klasën e vet udhëheqëse; e cila, nga ana e vet, e ka gjetur për bukuri rrugën si ta ruajë dhe ta riprodhojë statusin e vet, gjithë duke mbetur e përfshirë në proces. Sot nuk mund të jesh dikushi, në Shqipëri, pa qenë i akuzuar dhe publikisht i pështyrë për të paktën një krim madhor.

Situatë absurde. E cila më thotë, të paktën, se elita që kemi sot – edhe politike, edhe ekonomike, edhe kulturore – nuk është përftuar natyrshëm ose në rrjedhë të proceseve sociale dhe ekonomike, por i është imponuar masës me rrugë artificiale, kryesisht falë mbështetjes strategjike nga jashtë. Dhe nëse elita e ka të qartë tashmë se masa është e vetëdijshme për këtë status të elitës, atëherë nuk i mbetet veçse ta kanalizojë revoltën spontane të masës, duke e organizuar këtë në rrafshin mass mediatik.

Enjoy the show.

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht kopjimi pa leje.

3 Komente

  1. “kryesisht falë mbështetjes strategjike nga jashtë. ”

    Cfare nenkuptoni me kete ekzaktesisht?

    1. Do duhej të shkruaja një përgjigje të gjatë; por për momentin (dhe që të mos dal nga tema) mbase mjafton edhe kaq – që elitat tona politike duket sikur nuk mund ta mbajnë pushtetin, përveçse nëpërmjet patronazhit. Por nuk është kjo tema e shkrimit dhe nuk më intereson që ta shtjelloj më tej, te ky fill.

  2. Ju keni plotësisht të drejtë, zotëri! Shpërndarja pa kriter dhe për më tepër e qëllimtë e baltës, për të bërë pis gjithçka dhe këdo është mburoja më e sigurt për cdo ligësi. Klasa politike ja ka arritur më së fundi të shmang ndëshkimin nga institucionet ligjore, duke e zëvëndsuar atë me vetëm vënien në dukje për qëllime shantazuese (një qëllim që aktualisht edhe ky është zhvlerësuar përfundimisht) me anën fletë-rrufeve reciproke mediatike. Kjo situatë djallëzore ushqehet e mbahet gjallë edhe nga një institucion tradicional, i mirëorganiuar, për “prodhimin e armikut”, diçka për të cilën elitat politike tek ne janë thellësisht të përgatitura shumë kohë më parë. Gjenerimi dhe vënia në punë e çdo ligësie të fshehur në skutat e shpirtit njerëzor ka qënë dhe mbetet detyrë për çdo pushtetar në këtë vënd, e shprehur kjo në organizime pothuaj identik me organizatat mafioze.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin