nga Gresa Hasa
67 milionë lekë (afro 500 mijë Euro), është kostoja që na kushton ne, taksapaguesve të Republikës së Shqipërisë, Samiti i Dytë i Diasporës, organizuar nga qeveria me mërgatën shqiptare. Bëhet fjalë për një konferencë tri-ditore dhe një shifër nga buxheti i shtetit, të përafërt me buxhetin e Ministrisë së Diasporës gjatë një viti.
Vetë Ministria e Diasporës jo vetëm që nuk ka bërë publike shifrat zyrtare, por edhe ka refuzuar të përgjigjet për këtë çështje kur e kanë pyetur. Megjithatë, një investigim i BIRN-it, na paraqet shifra konkrete për sa i përket kostos së detajuar të samitit, kosto e cila do të duhej të alarmonte të madh e të vogël, brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë.
Qeveria shqiptare ka luksin të shpenzojë 18 milionë lekë për skenografinë e ditës së parë të samitit, sikurse 10 milionë lekë për qiranë e një salle të zënë nga ora 09:00 deri më 14:00, por nuk ka mjaftueshëm para për të investuar në arsim apo fundja, për të krijuar ose pasuruar bibliotekat e universiteteve publike. U desh një protestë prej 15 mijë studentësh në shesh, që Partia Socialiste pas gjashtë vitesh në pushtet, të sforcohej për të rikonstruktuar dy prej godinave të Qytetit Studenti, teksa në fushatën elektorale 2013 pati bërë premtime të bujshme dhe një investim propagandistik të majmë në atë që e quajti “Pakti për universitetin”, të cilin nuk e realizoi kurrë por pas presionit të protestave në dhjetor 2018, e paraqiti si një “risi” dhe “reflektim” të nxitur nga revolta studentore, duke na fyer kujtesën dhe inteligjencën.
Rreth tre muaj më parë, Spitali Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, vuri alarmin për faktin se është rritur vdekshmëria foshnjore në maternitetet tona sepse në këto të fundit mungojnë inkubatorët dhe pajisjet mjekësore të nevojshme, për të trajtuar të lindurit e parakohshëm.
Para për arsimin, nuk ka! Para për shëndetësinë, nuk ka! Por para paska boll për tri ditë organizime që në shkresa, rezultojnë të jenë më të shtrenjta se sa ç’kushtojnë realisht (për transportin e përfaqësuesve të diasporës drejt Lezhës më dy mars, qeveria ka parashikuar një fond prej 2 milionë lekësh, pra 2500 lekë për person, teksa bileta vajtje-ardhje për në Lezhë prej të gjitha linjave publike, është aktualisht 500 lekë për person). 67 milionë lekë të pajustifikuara, ndërkohë që pjesa dërrmuese e pjesëmarrësve i kanë paguar vetë shpenzimet e udhëtimit, qëndrimit dhe gjithçka lidhet me ardhjen këtu, një arsye kjo që ka mjaftuar që shumë të tjerë të refuzojnë të marrin pjesë.
“Të gjithë ne që në njërën mënyrë apo tjetrën bëhej fjalë të merrnim pjesë, do të mbulonim 100% të kostove nga xhepi ynë. Një ngjarje serioze, i rimburson kostot për pjesëmarrësit por në këtë komedi të samitit, kjo nuk ishte planifikuar. Së paku, 10 veta nga qarku im në Berlin që kishim planifikuar të merrnim pjesë, e anuluam vizitën”,
më komunikon Ilira Aliaj, koordinatore e Qendrës Rinore Gjermano-Izraelite, në Berlin.
Megjithatë, paska edhe nga ata të cilëve qeveria ua ka paguar udhëtimin e qëndrimin, sikurse më konfirmoi dikush privatisht. Gjithsesi, në mungesë të transparencës qeveritare, unë nuk e vërtetoj dot personalisht këtë informacion gjatë kohës që ky artikull po bëhet gati. Nga ana tjetër, shumëkush, më pohon i/e revoltuar të kundërtën: se shpenzimet nuk u janë paguar dhe se ato nuk parashikoheshin në ftesë. Të tjerë e përdorin këtë mungesë si një lloj justifikimi se “nuk kanë përftuar asgjë nga taksat e qytetarëve shqiptarë” dhe se “janë mjaftuar me djersën e një jete punë të vetën”.
“Ftesë nuk nënkupton që ty të të paguhen shpenzimet e udhës apo qëndrimi. E unë kohën dhe paratë e mia dua t’i harxhoj në iniciativa që vërtet e afrojnë vendin tim të lindjes me atdheun aktual, si për shembull, mbështetja vullnetarisht e ekspozitës me artistë shqiptarë kontemporanë në Belvedere, këtu në Vjenë. Punë vullnetare që më sjell kënaqësi dhe mendoj se ka më shumë efekte, se sa mungesa e seriozitetit e samitit në Tiranë, për të cilin mbi të gjitha, paguajnë qytetarët e varfër shqiptarë”,
shprehet ekskluzivisht për këtë shkrim, Majlinda Cullhaj, Sekretare e Përgjithshme e Shoqatës Austri-Shqipëri në Vjenë.
Kritikat për këto shpenzime kanë ardhur fillimisht nga vetë mërgata. Përfaqësuesit e shoqatës GERMIN, Liza Gashi (Prishtinë) dhe Mark Kosmo (Boston), i kanë nisur një shkresë zyrtare ministrit Majko, duke shprehur shqetësimin e tyre, bashkangjitur sugjerimeve për problematikat e ngritura.
Ndër të tjera, ata shprehen:
“Alokimi i një buxheti aq të madh, prej 67 milionë lekësh (mbi €500,000), për një ngjarje tri-ditore është i tepërt, kur ka nevojë për përpjekje të tjera dhe shfrytëzim më të mirë të parave të taksapaguesve, përmes investimit të vazhdueshëm dhe jo vetëm shpenzimeve në marrëdhëniet me diasporën shqiptare”.
Në kërkesat e tyre, ata i kërkojnë Ministrisë së Diasporës të rishikojë shpërndarjen e buxhetit, të anulojë dekorimet e rrugëve dhe të ulë ndjeshëm kostot e qirasë, skenografisë, mbrëmjes gala dhe programit – edhe nëse kjo nënkupton, sipas tyre, që ngjarja të zhvillohet në një vend më të vogël. Ata kërkojnë njëkohësisht uljen e shpenzimeve lidhur me Samitin e Dytë të Diasporës e që çdo derdhje parash lidhur me angazhimin e diasporës në përgjithësi, të bëhet publike. Gjithashtu, ata kërkojnë që të investohet në vend se të shpenzohet për diasporën, duke sugjeruar që një pjesë e konsiderueshme e buxhetit të samitit, të rikanalizohet drejt programeve dhe angazhimeve afatgjata në buxhetin e Agjencisë për Diasporën (buxheti i të cilës është më i vogël se ai i samitit tri-ditor). Po ashtu, përfshirja e diasporës si partnere në organizimin e ngjarjeve që kanë të bëjnë me të, tani dhe në të ardhmen, do të ishte më e respektueshme sipas tyre e do të garantonte lehtësimin e bashkëpunimit, jo thjesht zbatimin e projekteve.
Bujar Llapaj (dirigjent) nga Kanadaja, i ka nisur gjithashtu një letër të hapur Z. Majko, duke e konsideruar “cinike dhe kriminale kapardisjen nëpër ekrane dhe tribuna në një shtet me njëmijë e një probleme ekonomike, ku shumë familje vuajnë mungesën e bukës së fëmijëve”. Por as ai nuk është mjaftuar veçse te kritikat për shpenzimet e larta, duke u përqëndruar gjithashtu, te roli dhe rëndësia e samitit, sikurse te politizimi i tij.
Shoqata “Vatra”, më e vjetra ndër shoqatat e mërgatës, e krijuar më 1912 për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të shqiptarëve në SHBA, ka ngritur po ashtu zërin kundër samitit. Kryeredaktori i Gazetës Dielli, organit zyrtar të “Vatrës”, Dalip Ndreca, është shprehur se degët e “Vatrës” në SHBA dhe Kanada, kanë refuzuar të marrin pjesë në samit, duke e konsideruar këtë të fundit “një farsë” dhe “komedi”.
“Vetë Ministria që mbanë emrin e Diasporës s’është gjë tjetër veçse një Ministri Fantazmë, që përveç shëtitjeve të Ministrit në SHBA, Kanada e Evropë me paratë e shqiptarëve, në përpjekje të dëshpëruara për t’i çuar në Samit, asgjë tjetër nuk i ka ofruar mërgimtarëve. Të shkosh dhe të shpenzosh paratë e shqiptarëve, që vuajnë për bukën e gojës, është një tjetër karshillëk që u bëhet qytetarëve shqiptarë”,
ka reaguar Ndreca.
“Ministri i Diasporës, për gati dy vjet, u përpoq shumë që të bënte “babaxhanin” për t’ia mbushë mendjen Diasporës se ky Samit nuk do t’i ngjajë atij të parit, të Ramës, kur përveç fotografisë me Naltmadhninë e Tij-Kryeministrin, nuk ka mbetë asnjë gjurmë pas”,
ka shkruar ai për Diellin.
Ka qenë pikërisht skepticizmi ndaj vlefshmërisë së këtyre samiteve, përveç kostove absurde, sikurse heshtja ditëve të tjera të vitit e Ministrisë së Diasporës, ajo që ka ngjallur reagimin kritik të shumë intelektualëve të tjerë jashtë Shqipërisë.
Rando Devole, sociolog dhe ekspert në fushën e migracionit, shprehet në një shkrim në blogun e tij personal, se përtej fjalëve e propagandës së kushtueshme, nuk është bërë realisht diçka për diasporën:
“Pa dashur të mohojmë përpjekjet e deritanishme, qofshin në nivel studimor apo propagandistik, përsëri saktësimi i dytë do të ishte ky: “Është fjala konkretisht…”, në kuptimin që çfarë është bërë për votën e emigrantëve? Është miratuar ndonjë ligj i posaçëm? A ka ndonjë projektligj në diskutim e sipër? Nuk duhet të harrojmë se për votën e emigrantëve flitet që në fillimet e emigracionit dhe ende nuk është gjetur një zgjidhje. Po në lëmin ekonomik? Si do të tërhiqen investimet nga diaspora? Si do t’u jepet edhe më shumë vlerë remitancave? Çfarë masash janë marrë në këtë drejtim? Në lëmin e kulturës, artit e të identitetit, çfarë aktivitetesh janë zhvilluar në diasporë? Sa kurse të gjuhës shqipe janë financuar nga shteti shqiptar? Sa biblioteka të librit shqip janë dhuruar? Sa e në ç’mënyrë janë ndihmuar shoqatat, që bëjnë një punë të admirueshme vullnetare në diasporë, pikërisht për të kultivuar identitetin shqiptar? Është fjala për ndihmën konkrete të shtetit shqiptar, jo për kontributet në kuadrin e programeve të financuara e të zbatuara në bashkëpunim me organizata të huaja e ndërkombëtare.
Rreziku që i kanoset politikës shtetërore për diasporën është pikërisht hendeku midis fjalëve dhe veprave. Ky rrezik dukej qartë që në Samitin e parë, por që nuk kishte një pikë krahasimi të mëparshëm, sepse ishte hera e parë që zhvillohej. Meqë ra fjala, programit të Samitit të Dytë të Diasporës i mungon pikërisht një panel hyrës ku të analizohet se çfarë është bërë nga Samiti i parë deri më sot. Konkretisht. Metodologjia mund të bazohej tek analiza e dokumentit përmbyllës dhe e punës së zhvilluar deri më sot. Me fjalë të tjera, çfarë u premtua e çfarë u realizua këto dy vjet; çfarë u arrit e çfarë u la pa bërë. Përndryshe Samitet duken sikur fillojnë gjithnjë nga e para, si për të marrë e fituar kohë, me deklarata, njoftime e panele të bukura. Diaspora meriton seriozitet e sinqeritet.”
Ardian Vehbiu, shkrimtar dhe publicist i cili jo më larg se dje, e artikuloi qëndrimin redaksisë së revistës “Peizazhe të fjalës” në lidhje me Samitin, nuk është kursyer ta kritikojë (edhe) politikisht atë, në një intervistë për këtë artikull tani:
“Të ashtuquajturin “samit” të diasporës, që po mbahet këto ditë në Tiranë, nuk po e ndjek – sikurse nuk e kam zakon t’i ndjek spektaklet pa shije që organizon paria politike në Tiranë kur ka nevojë për simpati. Më tingëllon qesharak deri edhe emri “samit”, i cili shënjon një tubim KRERËSH, por që i përdorur për këtë aktivitet tani thjesht u jep pjesëmarrësve përshtypjen se janë “të rëndësishëm”. Në fakt janë të rëndësishëm, por për ekipin e Ramës dhe Partinë Socialiste. Dhe meqë flasim për këtë të fundit, dua të kujtoj sloganin e saj, “E gjithë vëmendja për ju”, të cilin e përshtatën – më duhet të them TRASHË – edhe si slogan të “samitit”: E gjithë vëmendja për diasporën. Që në fakt duhet interpretuar si ftesë që i bëhet “diasporës” – një tjetër fjalë që duhet vënë urgjentisht në thonjëza – për t’i kushtuar vëmendje Ramës, ekipit të tij dhe parisë politike të Tiranës, së cilës po i rrëshqet toka nën këmbë. Nuk di ç’i ka shtyrë pjesëmarrësit të shkojnë atje – por arsyetimet dhe shfajësimet e tyre, që i nxjerrin në rrjetet sociale, më duken hipokrite. Rrethanat e sotme politike, kriza kushtetuese që e ka kllaposur shtetin shqiptar, rrënimi i institucioneve të gjyqësorit (ekuivalent me një grusht shteti konstitucional), paraliza e pushtetit gjyqësor, paraliza e gjykatës kushtetuese dhe gjymtimi i Parlamentit, të gjitha këto, pra, duhet t’i kishin bërë “diasporasit” të mendonin dy herë. I kanë ndjekur këta protestat e mëdha për Teatrin? Protestat e mëdha të studentëve? Djegien e mandateve nga deputetët e Opozitës? Dhe megjithatë, shkojnë të hedhin këngë e valle dhe të festojnë për Lidhjen e Lezhës dhe Skënderbeun, te ky panair i patriotizmit shqiptar? Prandaj më duhet t’u them: duke shkuar në këtë karnaval, po shërbeni si suvá e fasadës së rrjepur të regjimit në Tiranë. Mirë se të festoni, në këtë mbrëmje vallëzimi të Partisë Socialiste! Paria që ka pushtetin në Tiranë është në vështirësi të mëdha – aq më tepër që ka përballë një opozitë komike, të padenjë dhe të papërgjegjshme. Prandaj edhe ka nevojë për mbështetje dhe simpati, të cilën tani e kërkon nga “diaspora”. Për mua, megjithatë, e vetmja mbështetje e mirëfilltë që mund të japin sot shqiptarët që jetojnë jashtë, është opozita konstruktive dhe e ideve, jo e gomave të djegura dhe e patërshanave. Si drejtues dhe kontributor kryesor i një reviste, “Peizazhe të fjalës”, që operon në Internet prej 13 vjetësh dhe ka me mijëra lexues të përditshëm anembanë botës (dhe miliona të akumuluar në vite), unë jam munduar që, vetë dhe nëpërmjet bashkëpunëtorëve të shumtë, ta ofroj rregullisht këtë lloj opozite dhe kritike ndaj regjimit. Më duhet të them se ndihem i lehtësuar që nuk më ftoi kush të këndoj te ky festival – disa kolegë të mi nuk ishin kaq me fat sa unë dhe e morën ftesën dhe tani nuk mund ta ç-marrin, edhe pse e kanë refuzuar. Po të më kishin ftuar, do të kisha refuzuar. Paria në Tiranë duket se nuk ka nevojë për partnerë të parehatshëm, si revista jonë; i duhet veç simpati, hare, folklor dhe – natyrisht – pará. Defaktorizimi i zërave si “Peizazhe të fjalës”, por edhe i kaq e kaq zërave të tjerë kritikë dhe intelektualëve shqiptarë të përkushtuar anembanë botës, është një tjetër dështim – do të thoja madhor – i kësaj parie. Organizatorët e këtij “samiti”, preferojnë t’i ndajnë tryezat e tyre të shtruara me gjithfarë dentistësh dhe kambistësh, duke e mbuluar këtë turp me të vetmen gjethe fiku që u ka mbetur: argumentin kombëtarist të “bashkimit” kombëtar.”
Nuk mund ta mohoj se pjesëmarrja në samit mund të jetë nxitur nga një qëllim i mirë, i sinqertë, shpresëplotë e jo më pak melankolik, i atyre që zgjodhën të merrnin rrugën e të bëheshin pjesë e tij, por kam frikë se kur të sajdis e fton qeveria, aq më tepër kur qeveritë në Shqipëri akuzohen për krime gjithçfarësh; nëpërmjet një ftese të cunguar, për një event të dyshimtë, nuk ka vend për romantizëm por për vërtetim faktesh. Dashuria për vendin e kontributi ndaj tij, s’meriton një abuzim të këtillë.
Fundja, siç më komunikon Elidor Mëhilli, asistent-profesor i Historisë në Hunter College, Nju Jork, për çështjen në fjalë,
“Një shërbim i mirë që do i bëhej marrëdhënieve me shqiptarët jashtë vendit – më i mirë se një xhiro në Lezhë, apo një mbrëmje gala me këngë patriotike mbas kacafytjeve në Parlament – mbase do të ishte pikërisht transparenca e plotë në çdo aspekt të organizimit të Samitit.”
“Nuk të habit fakti”, më shkruan ai përtej oqeanit “ se në Tiranë, ndihet nevoja për ta përdorur diasporën si skenografi të politikës së ditës, e cila vazhdon të përjetohet si luftë tribale. Të habit varfëria e imagjinatës dhe diplomacia e cungët kulturore në marrëdhëniet me shqiptarët jashtë vendit”.
Çfarë përftoi realisht diaspora; çfarë përftuan shqiptarët e Shqipëria, prej samitit të parë që të hidhen 67 milionë lekë për tri ditë në një samit të dytë, i cili përveçse përsërit të njëjtat fjalë boshe, të njëjtin kitsch, rreket që shpëtimin ta gjejë te nacionalizmi, te ide patetike si “bashkimi kombëtar” ironikisht, në kulmin e krizës e përçarjes. Vallë, a u janë ofruar shpjegime pjesëmarrëve të këtij samiti, mbi mosrealizimin e projekteve dhe planeve për të cilat u ra dakord në samitin e parë? A patën ata një dokument serioz e përmbledhës mbi ecurinë e politikave mbi diasporën? Por ç’është më e rëndësishmja, a kishin këta bashkëatdhetarë tanët një kureshtje minimale, për të mësuar se ç’është bërë apo ç’ka mbetur pezull dhe për ç’arsye, prej vizitës së parë deri tani, me të shumëpërfolurën diasporë. Xhanëm, mërgata jonë duhet ta kuptojë që nëse i kërkon llogari qeverisë së këtushme, nuk rrezikon të hiqet nga puna; të shantazhohet apo të jetë pre e formave të ndryshme të presionit, sikurse na ndodh shumë prej nesh që ngremë zërin nga toka amë; se liria që mërgata jonë gëzon sot në atdheun tjetër, do të na vlente të gjithëve më shumë nëse do ushtrohej për një qëllim fisnik, në vend të qokave të heshtura në tangërlliqe të një luksi që xhepat tanë nuk i përballojnë dot.
Sot, më 2019, po protestojmë për gjërat më bazike në Shqipëri: që të kemi mundësinë të ndjekim shkollën e lartë se kjo e fundit është një e drejtë që na takon e që pushteti po na e pamundëson; që të kemi punë dhe kushte dinjitoze në punë; që të mos na vrasë e dhunojë shteti, ky shteti që ofron dreka e darka prej 67 milionë lekësh, në kulla që shërbejnë për t’ia pastruar e lustruar paratë e pista; që të mos ikim më nga Shqipëria, natën apo ditën, me gomone apo avion se ikja duhet të vijë si dëshirë e shëndoshë, jo si e vetmja zgjidhje për ekzistencën.
Ky shtet të cilin 70% e të rinjve duan ta lënë përgjithmonë sepse nuk shohin kurrfarë perspektive, vijon të sillet me gratë e burrat që vite e vite më parë, i largoi dhunshëm nga shtëpia, për t’i lënë pa një të tillë; me të njëjtën arrogancë dhe indiferentizëm që sillet me ne që çdo ditë luftojmë për mbijetesë këtu. Shteti ynë nuk njeh kufij kur mosnjohja e kufijve i intereson: ai ka aftësinë të tejkalojë dete e oqeane e me duart e gjata, të shtrëngojë zemra nostalgjike, romantike; zemra të frikësuara, zemra servile apo dinake; zemra idealiste; por kryesisht zemra të dobëta që nuk kanë fuqinë ta mposhtin këtë maskaradë e t’i vënë me shpatulla pas muri ata që i vodhën rininë, pronën dhe ëndrrat; ata që i shndërruan në të huaj në vendin e tyre, po aq sa në vendin ku zbarkuan; atyre që iu zhvoshkën identitetin e bashkë me të, vetveten dhe që sot i trajtojnë si marioneta të një shfaqjeje më shumë se të shëmtuar, duke mos i dhënë asgjë veç iluzionit të gjithçkasë, duke mos patur minimumin e respektit t’u njohin kontributet jetësore, investimet brenda dhe jashtë Shqipërisë; duke mos i përfshirë asgjëkundi në atë që është tyrja, përveçse si spektatorë lehtësisht të zëvendësueshëm.
Më shkruan Eda Derhemi, pedagoge e Socio-Linguistikës dhe Komunikimit në Departamentin e Frëngjishtes dhe Italishtes në Universitetin e Illinioisit në SHBA:
“Shqiptarët janë diasporë që kanë (fatin të kenë?) edhe një tokë amë. Kuvendet dy-vjeçare për diasporën janë domosdoshmëri. Dhe gjithashtu them se duhen organizuar pikërisht nga institucionet politike udhëheqëse për përmasat dhe rëndësinë e diasporës.
Por unë si kryeministër do hyja me sy ulur në kuvend sepse do ndihesha përgjegjës përse e bëra diasporë atë grua a burrë që sot kam ftuar kinse për mend e ndihmë, dhe sidomos përse diaspora shqiptare rritet çdo vit e askush nuk i vë dot fre kësaj diharreje të krijuar nga mungesa e shpresës dhe besimit, që nxjerr jashtë Shqipërisë tufa të etura të ikin, sidomos të rinj. Kjo është e para gjë që unë do diskutoja edhe sikur të mos kisha argumente, edhe sikur të më duhej të thosha se unë si kryeministër s’kam bërë të parën dhe më elementaren ndër detyrat e mia – të krijoj kushte që shqiptarët të rrinë aty ku duan e ku rrethohen nga ata që flasin gjuhën e tyre. Pastaj të tjerat, se ca shqiptarë dalin e të tjerë hyjnë, se ca shqiptarë dalin e ca të huaj hyjnë, janë broçkulla; janë fabrikacione të pushtetit që fatkeqësisht përcillen nga po ato grupe që ekzistojnë të normalizojnë dhe humanizojnë problemet e pushtetit. Por nëse nuk diskutohet publiksiht për këtë çështje para së gjithash, duket sikur për në kuvend hyhet nga një portë imorale. Po nuk u adresua kjo çështje si e para, ajo mbetet elefanti në dhomë i kuvendit.
Për koston mendoj se një farë kostoje është e pashmangshme. Por ajo nuk duhet ekzagjeruar dhe duhen gjetur burimet e duhura. Fasadat shqiptarëve u përforcojnë zakone të shëmtuara të sipërfaqësorësisë dhe inferioriteteve shekullore. Institucionet duhet të emancipojnë me shembuj të kundërt që zgjidhin punë pa pasur duk opulent. Kryesorja, nëse ato vijnë nga taksat e shqiptarëve, janë gjithashtu të pamoralshme. Po të shihnit reklamat për kuvendin, të lëbyreshin sytë nga grafikët kompjuterikë dhe ajo që shihje aty nuk dëshmonte as “Shqipërinë” e shqiptarëve të diasporës, as atë të fakirëve atje. Unë nuk prisja të ftohesha, por e mendova të shkoja edhe se doja të “turbulloja”, në kuptimin e mirë; se ujrat po s’u turbulluan nuk kthjellohen. Po të shkoja, do shkoja me paratë e mia, dhe po të më ftonin me paratë e shqiptarëve që kanë më pak se unë, nuk do i pranoja. Por harxhet e grumbullimit, nuk vijnë nga biletat e të ftuarve; jam e sigurtë.
Së fundi, për kë bëhet kuvendi?
Besoj që bëhet për disa arsye. Kryesorja është imazhi që krijon kjo “dasmë alla shqiptare e pas 2000-ës”; shqiptarët vdesin t’i begenisësh se vijnë shumica nga jetë copë-copë ku u ka munguar “uni” i vetërespektuar. Ata ta japin votën se i ke begenisur në sebepe.
Gjë që më çon te një arsye e mirë për të kuvenduar në këtë aktivitet: shqiptarët jashtë duhet të votojnë! Kjo çështje duhet zgjidhur, sado keq a mirë votofshim ne të diasporës. Më duket shumë e padrejtë kur më thonë “Pusho ti, e mos jep mend për Tiranën, se ti nuk jeton në Tiranë!” Është ide absurde dhe e padrejtë! Unë jam shqiptare njësoj si ata që jetojnë atje, në më të paktën!
Kuvendi bëhet për të tërhequr investime. Edhe kjo nuk është arsye e keqe në vetvete, dhe justifikon një kuvend të tillë. Por të mos harrojmë që kushtet në Shqipëri duhet të ndryshojnë paraprakisht, se kur shqiptarët rrjedhin fort jashtë Shqipërie, me sa mend diskutohet që të tërheqim ata që kanë rrjedhur ndërkaq.
Një problem që unë personalisht e kam diskutuar disa herë, është ai i gjuhës shqipe. Ndoshta më themelori që unë do doja ndërhyrje institucionale: shqiptarët janë ndër grupet e reja që po lë gjuhën. Kjo duhet organizuar prej vërteti dhe jo për imazh. T’u shpërndash ca abetare apo libra fëmijëve të emigrantëve nuk të çon askund. Gjuha është tipari themelor që i jep diasporës lidhje reale me të shkuarën, dhe rrjedhimisht me Shqipërinë. U jep edhe plotësi edhe qetësi fëmijëve tanë në kërkim të rrënjëve (ndjesi e natyrshme e kujtdo) që u çanë duke u zbukuruar me shqiponja. Sikur vetëm kaq të zgjidhte “samiti” (më ndjeni për këtë fjalë që përdora), unë do thoja ia vlejti por asgjë e këtillë s’më rezulton të jetë kryer deri më tash”.
Diaspora ka zë e ky zë buçet fort, ai lëshon kritika dhe argumente, jo veç mallëngjime. Diaspora ka kritika dhe kërkesa, njëlloj si bashkëatdhetarët e vet brenda Shqipërisë. Sikur shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve të trajtoheshin e dëgjoheshin me respektin e merituar prej pushtetit udhëheqës, do të kishim një zgjidhje reale për Shqipërinë e diasporën; një zgjidhje që do të na vlente bashkarisht e do të na sillte më afër, në vend se të na largonte pa kthim nga njëri-tjetri.
(c) 2019, autorja.
Prape i mblodhen pleqtw?.. Eh, c’qyfyre do kete patur! Por me sa duket, nje pjese vetem nje here e lane miun tu kalonte nen hunde! Ndaj kesaj radhe nuk e hengren sapunin per djathe!
Kot nuk i thone: diaspora, dhe shporrurit, ata qe jane shporrur nga dheu i tyre! I duan sa per ndonje speltakel dhe ajd, majat nga thembra!
Ideja e samitit ishte e mire, vecse organizimi linte shume per te deshiruar. Asistova rastesisht vetem sepse ndodhesha ne Shqiperi ate periudhe dhe kisha kuriozitet dhe interes per cfare mund te behej, dhe cfare mund te lindte nga ky event. Mendova se do kishte debate, diskutime te hapura, tryeza per shkembime eksperiencash, apo sesione brainstorming per bashkepunime, aktivitete, etj. Nuk pati asgje, vec disa fjalimeve gjysem politike, pa permbajtje. Nuk u tha asgje ne sesion plenar per projektin e fondit per diaspores, per komisionet e tij, per strategjine kombetare, etj, etj. Asgje. U shperndane disa botime sporadikisht ne pushimin e kafes per pak nga pjesemarresit, por nuk merret vesh se si do te funksionoje fondi apo ministria e diaspores, dhe se si mund te perfshihen njerezit ne te…
Shpresova se ne sesionet me tematika te vecanta do te kishte dicka solide, konkrete dhe te fokusuar. Zgjodha sesionin per identitetin kombetar, arsimin dhe kulturen… Cfare zhgenjimi! Kishin ardhur 2-3 personalitete nga Kosova, nje mesuese e gjuhes shqipe ne Greqi dhe ministrja jone e arsimit. Diskutuan per cfare? Vetem per mesimin e gjuhes shqipe ne diaspore! Per statistikat, veshtiresite dhe mundesite qe po krijohen per t’u mesuar shqip femijeve… Nuk mund ta besoja qe ky sesion ishte konceptuar kaq ngushte. Prita me interes se mos dikush do fliste per kulturen tone me gjere, per muziken, per arsimin, per shkencen, per gjithe ata studente dhe shkencetare dhe artiste ne diaspore qe kontribojne jo vetem per Shqiperine por per gjithe boten, dhe nuk u tha asgje.
Prita se mos thuhej dicka per studentet, per protestat, per reformimin e Akademise se Shkencave dhe te universitetit ne Shqiperi, dhe se si diaspora shqiptare mund te kontribuonte ne kete proces. Asgje. Nje zhgenjim i madh. Prita deri ne fund te sesionit per te bere disa pyetje. Nje turp i vertete, kur moderatori e mbylli sesionin pa i dhene mundesi asnjerit prej te pranishmeve (me shume se 120 veta) te bente qofte edhe nje pyetje te vetme, te ngrinte zerin per qofte edhe nje ide apo problem per te cilin kishte ardhur aty… Nje mungese respekti totale, sikur kishim ardhur aty vetem per te degjuar. Nuk besoj se do asistoj ne samite te tjera. E vetmja gje e bukur qe me ndodhi ishte se kur dola jashte sesionit, u njoha me pjesetare te tjere te samitit qe te zhgenjyer si puna ime, nuk dinin te qeshnin a te qanin me ate qe sapo kishim degjuar. Dhe u njohem e u beme miq.