SHYTI MENDON SI TA GJALLËROJË SKENËN LETRARE

E dini ç’po mendoja? – tha z. Shyti, pasi flaku në tryezë një faqe jetime nga gazeta kulturore “Qiriri”, që kushedi pse i kish mbetur në dorë prej orësh. Që duhet të fillojmë të japim, krahas ÇMIMEVE letrare, edhe PËRÇMIME letrare. Bie fjala, një përçmim për veprën më të mërzitshme, një tjetër për veprën më derivative, një të tretë për veprën më të ngjitur me pështymë dhe kështu me radhë: për veprën më të shpifur, për veprën që autori nuk ka pasur fuqi ta çojë deri në fund, për veprën e ndërtuar më mirë me statuse nga Facebook-u, për veprën me shqipen më të keqe, për veprën me më shumë gabime shtypi, për veprën më kitsch, për veprën me kopertinën më të llangosur. Kaq shumë PËRÇMIME, z. Shyti, thamë ne; Ministria e Kulturës nuk do t’i përballonte dot me fonde. Prisni, prisni, se kam edhe më, shfryu ai: për veprën ku autori bën më shumë seks me personazhet e veta, për veprën ku autori lan hesapet me armiqtë duke i ngjizur si karikatura të përbindshme a duke ua hedhur efektivisht qenve, për veprën ku autori e ngjyen kafshatën në purthë, për veprën autori i së cilës nuk ka vuajtur kurrë, as vjen nga ndonjë familje e këputur, as ka pastruar haletë në emigracion… Këto fenomene letrare duhen dokumentuar, tha ai, duke tundur kokën sikur të bindte një bashkëbisedues imagjinar. Dhe ashtu do të vijë ajo ditë e bekuar kur të dëgjojmë për kolegët: fitues i PËRÇMIMIT për veprën më të shkurtër, ose fitues i PËRÇMIMIT për veprën më të pompuar në Instagram; madje edhe t’u telefonojmë për t’i uruar. Ti, z. Shyti, do të ishe autoriteti i duhur, vërejtëm ne, për t’i sanksionuar dhe pastaj shpërndarë këto përçmime! Ti do ta bëje këtë edhe fare falas, si detyrë qytetare! Këtu z. Shyti tundi kokën sikur t’i kujtohej befas diçka, pastaj psherëtiu i dorëzuar: çfarë më gërryen së brendshmi, tha ai, çfarë po ma torturon përfytyrimin, është frika se të njëjtat vepra që do të fitojnë ÇMIMET, do të fitojnë pastaj edhe PËRÇMIMET. Dhe anasjelltas. Aq sa të dyja këto kategori, ÇMIMET dhe PËRÇMIMET të vinin e të ngatërroheshin në mendjet tona dhe në duart e lexuesve…

© 2018, autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

2 Comments

  1. U shqyhen mediat duke kërkuar për të shpallur Njeriun e Vitit. Dhe mu kujtua propozimi i Zotit Shyti.

    Kush mund të jetë njeri i vitit në një vënd ku e vetmja gjë që progreson është regresi?

Comments are closed.