Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

POETËT E TIRANËS

Qarkulloi këto ditë, si për t’i dhënë kontrapunkt vdekjes së Fatos Arapit, një foto e mikut të Arapit, poetit Xhevahir Spahiu, i rrëmbushur tek lexonte lajmërimin e vdekjes të kolegut, afishe ngjitur mbi një shtyllë betoni në rrugë.

Kam pasur fatin t’i njoh pak të dy, edhe Arapin edhe Spahiun; këtë të dytin pak më mirë, përveçse ua lexoj dhe admiroj vargun prej vitesh; për arsye ndoshta personale, besoj se dhimbja e Spahiut bashkëtingëllon edhe tek unë – madje duke më kujtuar rrugëtimin e përbashkët të atyre të dyve, në epoka të ndryshme.

Nuk ma merr mendja që Spahiu – ose Xhevoja siç i thërrasin shokët, miqtë e të njohurit – ta ketë marrë vesh lajmin në momentin kur e kanë fotografuar; do t’i kenë thënë me siguri më parë. Çfarë ndodh tani në çastin e shkrepjes, është që, duke e parë kobin të lajmëruar në rrugë, si plot vdekje të tjera statistikore çfarëdo, Spahiu e përjeton ikjen e shokut dhe kolegut të dashur në një skenografi dhe tonalitet tjetër; jo si vdekje që thjesht më trondit mua mikun, por si ngjarje që “ndodh” diku përtej meje, pavarësisht prej meje, e pakthyeshme dhe e pajetërsueshme. Që këtej edhe përlotja me siguri e dyfishtë; sepse qahet poeti që iku, por edhe miku, edhe njeriu, edhe ai i panjohuri që ndërroi jetë dikur diku. Në rrethana të tilla, anonimiteti i shton dhimbjes, nuk i heq.

Veç pikëllimit të Xhevos, fotoja i komunikon shikuesit edhe të tjera gjëra anësore – kushedi kundër dëshirës, madje edhe logjikës, së shkrepësit. Na përhihet një sfond i rëndomtë qyteti, një pallat si ndërtuar në kohë simfonike të ndryshme, me dritaret e katit të parë të mbrojtura me hekura dhe muret e rrjepura me graffiti, një dyqan që shet mish të freskët viçi dhe qingji, dy vetura akull të pastra, ca djem a burra që rrinë ngeshëm në një cep, një grua me torba pazari. Kjo është Tirana “prapa”, më reale se ajo e kartolinave promocionale; gati-gati mund ta nuhasësh erën e kafesë së vjetër, të llaçit, të qepës së djegur, të benzinës së padjegur, të pluhurit larës të lavatriçeve.

Syri kthehet vjen e ndalet gjatë tek afishet e ngjitura në beton; shpallja për vdekjen e Arapit, që prek me dorë Xhevoja si për t’ia verifikuar realitetin, mbulon pjesërisht një tjetër – e cila njofton “të nderuarit besimtarë” se dikush, një Hamit Çela, shet “desh dhe dele për kurban”, si dhe ofron “shërbime në kushte të përshtatshme sipas [?] sunetit”. Këtij njoftimi ia ka zënë hisen e diellit një i tretë, të cilit i duket vetëm ornamenti floreal. Më poshtë akoma, lajmërohet diçka “elek” (-trike ose -tronike) dhe më poshtë akoma, një gjë tjetër për mua e palexueshme.

Kjo është Tirana e përditshme, që e çon jetën e vet si kulpra përdredhëse rreth trungut të lisit: me lajmërime për shfaqje dhe shërbime, reklama mishi gender correct – edhe desh edhe dele – për “besimtarët”, dhe në mes të tyre, me një ngjyrë rozë pak të papritur, kumti i vdekjes së Arapit, si gjethe vjeshte e rënë nga kurora e pemës lart. Ka një farë shpërfilljeje, në mos brutaliteti xhahil, te ky konfigurim i afisheve mbi shtyllë; kaq rastësor, kaq utilitar, kaq i shpenguar – lajme dhe njoftime që zëvendësojnë e shfuqizojnë njëri-tjetrin, thjesht nëpërmjet mbivendosjes së dhunshme. Mund të imagjinosh, pa mëkatuar shumë, si shpallja e vdekjes së një prej poetëve më të mëdhenj të shqipes, të varroset nesër nga një reklamë për dog-sitter a për riparime kolltukësh të floktoreve. Kjo nuk është e la vita continua… është e l’indifferenza continua.

Dhe ti, që e sheh foton dhe që i kthehesh e i kthehesh sërish, pyet mos vallë ka diçka që seriozisht nuk shkon me të; ose më mirë, mos fotoja po tradhton shumëçka që nuk shkon me Tiranën dhe Shqipërinë dhe shqiptarinë e sotme; një lloj trazimi dhe përzierjeje vlerash, që i jep vdekjes së Arapit jo më shumë vend se ç’mund të lirojë sipërfaqja e një kolone betoni të themeluar në anonimitet. Dhe nëse e mendon këtë punë si unë, mbase të shkon mendja se ka edhe një arsye të tretë, për të cilën ngashëheret poeti Spahiu.

Vite më parë, kur kisha ardhur për vizitë në Tiranë, mbaj mend të kem ndeshur, te një vend për shpallje vdekjesh mu te kryqëzimi i rrugës Kont Urani me rrugën Konferenca e Pezës, te një lajmërim për vdekjen e kolegut dhe mikut tim Ali Dhrimos. Aliun e kisha njohur mirë – gjuhëtar i shkëlqyer, gjermanist, specialist i rrallë, por edhe komunikator i mirë dhe pikë referimi për Akademinë dhe Universitetin; u trondita nga lajmi që më kapi në befasi, por u trondita edhe ngaqë nuk e prisja të mësoja për vdekjen e tij kështu, nga një tabelë çfarëdo, e trashur nga coprat e letrave të përziera me zamk, lënë nga dhjetëra, në mos qindra lajme të tilla javë pas jave, muaj pas muaji, vit pas viti. Pa çka se ai lajmërim atëherë e vendoste prof. Dhrimon në një kontekst në mos tjetër logjik; ose përbri vdekjesh të tjera, ca të njohura, më shumë të panjohura. Jo ngjitur sipër reklamave për “desh dhe dele”. Diçka ka ndryshuar pra sërish, që nga 7-8 vjet më parë: Të paktën për të gjithë ata që kobe të tilla i marrin ende në rrugë, si në kohën e Zogut, si në kohën e Italisë, si në kohën e Enverit… Si në kohën kur nuk kishte as Internet, as telefon celular, as televizion me dyqind kanale, as portale të regjistruara e të paregjistruara. Të mendosh që ajo kohë banohet ende, si ndonjë lagje përndryshe e braktisur.

Më tërheqin shpalljet e vdekjes – dhe jo ngaqë pres të njoh ndonjë prej atyre që kanë ikur. U shoh moshën, u llogarit diferencën me vitet e mia, mundohem të gjykoj nëse kanë vdekur të rinj apo jo; nëse kanë vuajtur shumë; nëse kanë pasur njeri pranë, që t’u mbante dorën e t’u njomte buzët. Ndonjëherë përfytyroj familjarët, miqtë e të afërmit që mblidhen për ta përcjellë të ndjerin në varreza; ndonjëherë tjetër, përfytyroj sikur ky person përndryshe i panjohur për mua, të ketë qenë prindi im, ose – varësisht moshës – vëllai im, gruaja ime, miku im i ngushtë. Mbase edhe thjesht gjej një arsye in extremis, për dhimbjen që ia kam borxh çdo të vdekuri që më lajmëron se nuk është më i kësaj bote.

Për vdekjen thonë se është barazuesja e madhe (the great equalizer) – por kjo që shoh tani, te shtylla para së cilës mallëngjehet Xhevoja, nuk është barazia që do të doja. Përkundrazi, afishja bojë rozë pudre, e përzier me gjithfarë lajmërimesh dhe reklamash, më sjell në mend fatin e njeriut të talentuar, në një shoqëri që e ka humbur mendjen dhe është marrosur pas parasë – si një tjetër barazuese të madhe. Një afishe e ngjitur kuturu, mes një Tirane që blen dhe shet dhe vret kohën rrëzave të mureve të rrjepura, poshtë një qielli me tela merimangash. Një Tirane që nuk është as qendër as periferi, as “këtej” as “andej”, që nuk e gjen dot në Google Maps, sepse është gjithandej. Kjo është Tirana që përfton anonimë dhe që vret njerëzit që vrasin kohën që vret shpresën.

Por nuk është ajo Tirana tjetër, Tirana “tirane” së cilës i pat vjershëruar aq herë dhe me aq finesë Arapi; sepse ajo kishte profil dhe individualitet, dhe i mbante dritat e dhomave ndezur gjer në mëngjes, madje edhe atëherë kur dritat t’i prisnin; Tirana që kish aq qetësi dhe filozofi brenda vetes, sa t’i njihte dhe t’i nderonte të vdekurit e vet edhe kur nuk ua dinte emrat; Tirana që nuk e përziente tokësoren me qielloren dhe as të papërfillshmen me sublimen, por që kujdesej t’i mbante veç.

Xhevoja që përlotet para afishes së vdekjes së Arapit, kësaj letre të ngjitur në shtyllë për t’iu ekspozuar publikut si një lajmërim çfarëdo shërbimesh komunale, është tiranasi i trishtuar për të gjitha këto virtyte të vogla që sot i kanë humbur Tiranës, duke filluar nga meraku për të mos i ngjitur afishet për të vdekurit në të njëjtin vend ku lajmërohet mish-shitja dhe suneti; qyteti ku Arapi dhe dhjetëra në mos qindra të tjerë të mirë jetuan dhe e bënë Tiranë njëlloj siç i bëri ajo të rrallë, madje të pazëvendësueshëm në artin, në dijen, në profilin e tyre. Një Tiranë herë e padukshme, herë e nëndheshme, herë e nëpërkëmbur, herë e përndjekur, edhe dje edhe sot, por që pak ka të bëjë me fasadat e bojatisura, asfaltimet urgjente, dhëmbët e fotozhenikëve, fidanët anemikë, gëlqeren, kremtimet në Facebook dhe foto-opet e sotme. Dhe që është çudi që ia del të mbijetojë akoma.

© 2018, Peizazhe të fjalës. Ndalohet çdo lloj riprodhimi pa leje.

3 Komente

  1. Te lumte Ardian. Nje shkrim brilant. Kam kohe pa lexuar gjera te tilla, kaq te ndjera, kaq thellesisht poetike, me nje intensitet detajesh te papare…
    Te lumte.

  2. Dhe vërtet, e kam hasur shpesh poetin Xhevahir tek endet rrugës “Tefta Tashko Koço”, vetmitar, të mendueshëm, si vajtues i kohërave të largëta për të aq të vyer.

  3. Zoti Vehbiu

    Vetem sot pata rastin ta lexoj kete elegji tenden per Fatos Arapin.

    Qe, ne fakt, eshte nje “elegji”, edhe per Xhevon.

    Dhe me tej, madje, qe eshte nje elegji te cilen mund ta konsiderosh si nje rekuiem edhe per nje kurore poetesh te brezit te Arapit dhe Spahiut, sidoqe jo me shkelqimin e ketyre te dyve, por qe gjithesesi, me poezine e tyre, e paten bere Tiranen te gjallonte butesisht dhe njerezisht, edhe ne ato kohe te ashpra., shpesh te skajshme.

    Ju pergezoj dhe ju falenderoj per kete shkrim, zoti Vehbiu.

    Edhe pse lajmin e vdekjes se Arapit e lexova qe te nesermen ne gazetat e Tiranes, edhe pse foton e Spahiut te ngasheruar para shtylles me nekrologjine e tij e pashe pothuaj ate dte qe u cfaq ne ato gazeta, vetem tani qe lexova shkrimin tend, ndjeva nje lehtesim dhe nje shpengim, nje ndjesi sikur kam marrre edhe vete pjese ne ceremonine e varrimit te Fatos Arapit dhe, prej largesise ku ndodhem, kam hedur nje grusht dhe ne varrin e tij.

    Nuk e kam njohur personalisht Fatos Arapin, por e adhuroja poezine e tij dhe dija permendesh dhjetra nga vargjet e tij lirike.
    Qellonte qe e shihja Fatos Arapin tek vinte per vizita ne nje familje fqinje, ne te njejetin kat, dy dyer me tej,me timen, diku ne nje pallat prapa Ambasades Amerikane, ku ne mos gaboj, ai ishte dhender i gjyshes se asaj familjeje.

    Ne varrimin e saj, me ka mbetur ne mendje fjala mortore qe e mbajti Fatos Arapi.
    Fare e shkurter, e thjeshte, sa njerezore aq edhe, s’kishte se si te mos qe, aq shume e ndjere dhe poetike.

    Ai i tha asaj gjysheje, qe sapo e kishin vene nendhe, se kishte qene per te gjithe e njerezit rreth saj, fjale embel dhe nevojshme, si ai dielli i vogel e i ngrohte ne brinjen e ketij qielli vjeshtor, ne diten qe po te percjellim, qe sillte drite dhe buzeqeshje per te gjithe.

    I mbaj mend pak a shume fjalet e Arapit ne ate varrim, pasi per nje kohe bukur te gjate i perserisja me vete, njelloj si lirikat e botuara te tij edhe pse tani qesh me veten dhe mendoj se ne ate kohe, ende riosh, do te kem qene paksa i fandaksur pas poezise.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin