Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Teatër

PROTESTA PËR TEATRIN – MENDIME TË SHKARTISURA

Që nga koha e Athinës klasike, teatri ka shërbyer si hapësira magjike, ku riprodhohet qyteti. Protesta e tanishme po i jep Tiranës një hapësirë po aq magjike, ku të riprodhohet teatri i mohuar.

Kjo edhe ngaqë në krye të protestës kanë dalë aktorët: Aktori në rolin e protestuesit është aktori që e vazhdon teatrin në rrugë.

Aktori që proteston deri dje njihej nga publiku duke mos qenë vetja; ndërsa tani konstituohet si person publik, duke luajtur publikun.

Lëvizja e tanishme është performim skenik i publikes.

Por ka edhe më. Në dinamikën e një shfaqjeje teatrale, aktori zakonisht është ai që e vë lirinë e vet personale në dispozicion të regjisorit.

Në fjalët, emocionet, gjestet dhe lëvizjet e tij aktori është i skriptuar, pa çka se e realizon veten si person mu në distancën e imët mes tekstit (kodit) dhe njeriut (teje si spektator).

Por aktori që proteston për teatrin, e ka refuzuar tashmë Regjisorin. Tek ky aktor refuzues, publiku sheh të manifestuar veten, në dramën e sotme të politikës.

Lëvizja e tanishme nuk është thjesht për të shpëtuar një ndërtesë, as për të mbrojtur një truall publik nga abuzimi. Është më shumë se kaq: është kryengritje kundër arrogancës së Regjisë.

Kundër arrogancës, megalomanisë, gënjeshtrës, vanitetit.

Kundër Facebook-izimit të shtetit.

Kundër diktaturës së imazhit dhe diktaturës së IMAZHIT (si duam t’i dukemi Tjetrit).

Kundër televizionit.

Kundër debateve politike të mbrëmjes televizive, si karikaturë dhe surrogato e Teatrit.

Kundër dizajnimit të hapësirës publike si revistë mode.

Një diversion i Regjisë: të zëvendësojë konflikti i publikut me pushtetin, ashtu siç manifestohet sot në skenën e protestës, me konfliktin mes aktorëve (dhe Aktorëve) në skenën e protestës.

Atyre që ngrenë zërin në mbrojtje të ndërtesës së teatrit, për vlerat historike, kulturore, simbolike; ose si monument “kulture”, u është thënë: teatri nuk është ndërtesa, teatri jeni ju, teatrin e bëni ju.

Por pyetja duhet të jetë: pse ky identifikim kaq tërësor, kaq pasionant i protestës me një ndërtesë?

Dhe përgjigjja mund të jetë: teatri është vërtet institucion, që përfshin edhe skenën, edhe performimin e aktorëve, edhe pjesën teatrale që luhet, edhe ndërtesën. Por Teatri – me T të madhe – sot në Shqipëri është më shumë kujtim, nostalgji dhe premtim, sesa art aktiv për publikun.

Prandaj edhe ndërtesa lidh të sotmen djerrë me të djeshmen shpesh të latuar në fantazi; njëlloj si aktorët e vjetër, që të joshin te përvojat skenike të dikurshme.

I quajnë “legjendarë”, sepse periudha e protagonizmit të tyre në skenat nuk po kuptohet më.

Aktorët e vjetër sot në protestë performojnë nostalgjinë e publikut jo për Realizëm Socialist, por për skenë, aktorë dhe dramë.

Nostalgjinë e publikut për qytet.

Në këtë kontekst, ndërtesa e mbijetuar e Teatrit merr edhe atributet e cenotafit për stadiumin e shkallmuar nga nofullat arrogante të pushtetit.

Dhe për kohët kur Tirana qytet shkonte në stadium, çdo të diel.

Ndeshja e së dielës: ja edhe një vend tjetër, ku riprodhohej Tirana qytet. Një vend me skenë dhe me publik, ngjashëm me Teatrin.

Protesta e sotme është edhe e ndërtesës së vjetruar që kërkon të rikthehet në Teatër. E vjetra është bene rifugio, përballë së resë që ende nuk bind.

Teatri këto 30 vjet: sa e ka marrë pushtetin në pyetje? Sa e ka riprodhuar konfliktin e publikut (dhe të publikes) me ata që parazitojnë mbi publikun (dhe publiken)?

Si institucion ka lënë për të dëshiruar. Publikut i është treguar, në rastet më të mira, si mund të ishte teatri; por jo më tutje.

Prandaj gjakimi për ndërtesën është edhe gjakim për të mbajtur gjallë premtimin dhe garancinë për Teatër.

Te binomi qytet-teatër, kërkon të gjejë vend edhe Kryeqyteti; çfarë e kthen përplasjen e tanishme në instancë të konfliktit paradigmatik, në Tiranë, midis qytetit dhe kryeqytetit.

Tirana kryeqytet kërkon ta përdorë Tiranën qytet si kopertinë të një broshure për turistë; si vitrinë të dyqani “me valutë”.

Pa çka se vitrina është teatër i ngrirë, fotografi në tri përmasa. Aktorët atje shndërrohen në manekinë, drama reduktohet në dëshirë. Performimi katandiset në shit-blerje. Ndërveprimin mes njerëzve e zëvendëson tregu.

Teksa horizontalitetin e agora-s e zëvendëson vertikaliteti i kullës, si metaforë e hierarkive, shtresëzimeve sociale; si skenë ku performon pushteti: ekonomik, politik, kulturor.

Protesta e tanishme artikulon temat kryesore të konfliktit politik në Shqipëri, pas kolapsit ideologjik të së majtës dhe kolapsit organizativ dhe motivacional të opozitës. Dhe si në çdo protestë me impakt te publiku, edhe këtu shumëçka (në mos gjithçka) do ta vendosë skena.

© 2018, Peizazhe të fjalës™

[Imazhi në pah: Teatro Marcello, Romë]

9 Komente

  1. Në teatrin dhe stadiumin e komunizmit nuk prodhohej aq Polis-i sesa riprodhohej pushteti. Njerzia mbushte sallën e teatrit dhe shkallët e stadiumit sepse në oborrin e Burgut të Madh nuk kishte mundësi të tjera dhe as shteg për ti ikur atij realiteti.

  2. Kur sheh shqiponjat e Xhakes dhe Shaqirit qe kualifikojne Zvicren, nuk ka si te mos shtohet hidherimi per nje shtet qe ne vend te ndihmoje artet, letersine e sportet, shkon e u ben lufte.

  3. Kam me teper nje kuriozitet per arsyet e prerjes se komentit tim me siper […]

    1. Ajo që bën ti është thirrje e hapur për dhunë. Mund ta thuash në Parlament në Tiranë, po të të qëllojë rruga andej, ose në blogun tënd, po të kesh; ose ta printosh dhe ta varësh nga ballkoni yt. Por nuk mund ta thuash në një revistë që e drejtoj unë (me përgjegjësinë e emrit tim A.V.), sepse ma ekspozon revistën ndaj gjithfarë rreziqesh ligjore; dhe mua vetë nuk më pëlqen. Prandaj sa herë që ta thuash, aq herë do të ta heq. Meqë do të më kuptosh: in questo caso, il gioco non vale la candela.

      1. Te çensurosh nje komentues anonim per te cilin s’ke asnje pergjegjesi, kur gjera te ngjashme neper gazeta te ndryshme i thone njerez publike me emer- mbiemer, me duket teprim kujdesi. Po topi eshte i joti, penalltine e gjuan ti. Kuriioziteti im eshte ne rregull me pergjigjen, thashe se mos ishte jashte teme apo shkelte ndonje rregull.

        1. Vëre veten në vendin tim: si PTF, nuk kemi asnjë mbrojtje, asnjë ombrellë (veç komunitetit të lexuesve).

          (Komenti vërtet vinte nga një anonim – por pikërisht për atë arsye, përgjegjësia na mbetet neve të faqes, që administrojmë edhe hapësirën e komenteve.)

          Mos më detyro të marr vendime që as mua nuk më pëlqejnë…

  4. Ti je qytetar i nje vendi ku njerezit mbajne arme ne menyre kushtetuese per te rrezuar çdo forme tiranie me dhune. Tirania e çdo forme qofte eshte çeshtje perceptimi popullor, sepse s’ka ndonje hapesire legale ku percaktohet se kur nje pushtet eshte tiranik ose jo. Arsyeja pse kodi penal eshte lene i mjegullt persa i perket thirrjeve per dhune kunder qeverise, ndryshe nga ta zeme thirrjeve per dhune raciale, etnike etj, qe jane te percaktuara qarte.
    Ta zeme se aktoret hyjne ne greve urie dhe larg qofte vdes njeri prej tyre, ta zeme Robert Ndrenika, qe eshte edhe i semure, atehere ç’duhet bere, duhen kryqezuar duart dhe prere komentet ?

    Nejse, si ta thashe eshte kurioziteti im, nuk ka ndonje gje per t’u alarmuar. Po te duash mund edhe ta shohesh si nxitje per te trajtuar nje tematike interesante si dhuna popullore dhe legaliteti, çfare nenkupton sovraniteti i popullit si princip kushtetues etj.

    1. Hyllin, flirtet e tua me dhunën do t’i marr seriozisht që nga momenti kur të bindem se edhe ti je duke rrezikuar diçka, sado pak gjë, me ato që shkruan dhe me thirrjet që bën. Se ai tjetri, që ngrihet të bëjë dhunë, sado i çakërdisur të jetë, e di që mund të hajë edhe plumbin, e di që mund të hajë edhe burgun. Po ti çfarë rrezikon duke bërë llogje Kavaje me pseudonim? Ja ta them unë: asgjë fare. Ti nuk ke “skin in the game”, siç thonë amerikanët. (E lëmë me kaq, të lutem.)

  5. Në intervistën e arkitektit danez dëgjova të thotë se “..ka mësuar shumë nga transformimet e Tiranës..”. E para, zotëria nuk duhej fare të ndërhynte në debatin e hapur. Ka me qindra e mijëra arkitektë bota! Përse duhet dëgjuar pikërisht ky?!!!! Përse dërgohen ato vajzat e reja si përfaqësuese të medias?!!! Çfarë përfaqësojnë në të vërtetë?! Çfarë pyetjesh i kanë drejtuar?! Apo vetëm kanë dëgjuar ç’ka dashur të thotë “i madhi” (lexo BIG)?!!!! E nëse do të duhej ta dëgjonim këtë arkitektin, a mos është më mirë të shohim ç’ka bërë vendi i tij me teatrin http://www.copenhagenet.dk/CPH-Map/CPH-Royal-Theatre.asp
    https://en.wikipedia.org/wiki/List_of_national_theatres
    http://www.en.drama.si/about-drama/o_zgodovini_stavbe_sng_drama_ljubljana
    https://www.narodnopozoriste.rs/en/history-new-theatre
    History – New theatre – National Theatre in Belgrade
    Attempts to establish a theatre were accompanied by attempts to find adequate building for it. In the meantime, performances were given either in the Customs office’s warehouse (Theatre on Djumruk), in hotels (Theatre Kod jelena), in the Prince’s Brewery, in inns (Kod krune and Kod engleske kral…
    narodnopozoriste.rs
    https://en.wikipedia.org/wiki/Manoel_Theatre
    https://en.wikipedia.org/wiki/Abbey_Theatre
    Abbey Theatre – Wikipedia
    The Abbey Theatre (Irish: Amharclann na Mainistreach), also known as the National Theatre of Ireland (Irish: Amharclann Náisiúnta na hÉireann), in Dublin, Republic of Ireland, first opened its doors to the public on 27 December 1904. Despite losing its original building to a fire in 1951, it has …
    Hungaria ka disa Teatër Kombëtar..njëri prej të cilëve është ky https://en.wikipedia.org/wiki/National_Theatre_of_Miskolc
    National Theatre of Miskolc – Wikipedia
    The National Theatre of Miskolc is the main theatre of Miskolc, and the oldest theatre company of Hungary. Its current Classicist and Neo-baroque building built between 1847–1857, is in the city centre, in Széchenyi street and is home to not only theatrical plays, but also to events like the Inte…
    https://en.wikipedia.org/wiki/National_Theatre_of_Greece
    National Theatre of Greece – Wikipedia
    The theatre was decided to be founded in 1880, with a grant from King George I and Efstratios Rallis to give theatre a permanent home in Athens. The foundations for this new project were laid on Agiou Konstantinou Street and the building itself was designed by the famous Saxonian architect noted for…
    https://en.wikipedia.org/wiki/Croatian_National_Theatre
    Croatian National Theatre – Wikipedia
    Croatian National Theatre (Croatian: Hrvatsko narodno kazalište) is the official name of several state-funded theatre houses in Croatia. Each one is commonly referred to by the Croatian-language initialism HNK. The four theatre houses in biggest cities (Zagreb, Split, Rijeka and Osijek) are conside…
    https://en.wikipedia.org/wiki/Sarajevo_National_Theatre
    Sarajevo National Theatre – Wikipedia
    The Sarajevo National Theatre (Bosnian and Serbian: Narodno pozorište Sarajevo, Народно позориште Сарајево, Croatian: Narodno kazalište Sarajevo) was founded in November 1921.[2]

    Po sikur të flasim pak dhe për Ndërtesën e Parlamentit të parë shqiptar, hë?! Sikur ta prishim se është copë, copë…teatër i lodhun kukllash të trishta…. .Flisni, pse nuk flisni!!!! Nuk duhet prishur NDËRTESA o njerëz!!!! Duhet MUZE! Për TEATRIN e RI KOMBËTAR gjenden paratë dhe TRUALL tjetër në QENDËR!!! Autori i planit urbanistik, që krijoi vertebrën e Tiranës së sotme, e ka parashikuar mu përballë galerisë së sotme të arteve. Bulevardi duhet të marrë jetë dhe jetën nuk ia japin zyrat, as garat me makina që bëhen tek Nënë Tereza. Jetën e sjell ARTI!!!
    Nuk duhet prishur NDËRTESA o njerëz!!!! Duhet MUZE! Për TEATRIN e RI KOMBËTAR gjenden paratë dhe TRUALL tjetër në QENDËR!!! Autori i planit urbanistik, që krijoi vertebrën e Tiranës së sotme, e ka parashikuar mu përballë galerisë së sotme të arteve. Bulevardi duhet të marrë jetë dhe jetën nuk ia japin zyrat, as garat me makina që bëhen tek Nënë Tereza. Jetën e sjell ARTI!!!
    Mendoj se tema duhet të mbetet vetëm 1: RUAJTJA E NDËRTESËS për shkak të HISTORISË… Të gjitha të tjerat janë nëntema që ngatërrojnë drejtimin. Nuk ka kuptim të flitet për vlera arkitektonike. As arkitektët nuk duhet të futen në këtë diskutim. Ajo mund të ishte një kasolle ku u themelua TK, TOB, Akademia e Arteve etj. Edhe gjygji i parë publik politik aty u bë. KAQ mjafton!
    Shkrimi i Çipit i para disa kohëve ku rendiste ngjarjet e ndodhura në atë ndërtesë është reagimi më korrekt e më brilant. Së fundmi iu shtua edhe intervista e Maks Velos. E çuditshme se si konfuzohen artistët, arkitektët dhe të tjerët. Nuk duhet të merren fare këta, megjithë respektin. Boll me kukullat që “ftohen” në takime dhe iu vihet nofka “profesor”… . U bëmë gazi i botës. E vetmja temë është ajo e ruajtjes së ndërtesës për shkaqe historike. As për shfaqje aty, as për vlera arkitektonike, as për kushtet ndaj zjarrit apo dokërra të tilla. VETËM PËR HISTORI!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin