ËNDRRA QË KA LEXUAR KRYEMINISTRI

(Nxjerrë nga libri “TE TEATRI”, Berk, 2023. Botuar për herë të parë te Shekulli, 2011)

nga Elsa Demo

Nga takimi për Teatrin e Komedisë, që dje ishte teatri i humorit dhe i satirës

Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, i kërkoi dje një grupi aktorësh të humorit dhe estradës të nxitojnë të japin idetë e tyre për si dhe ku do të jetë Teatri i Komedisë. “Sepse u ra dakord të quhet i Komedisë dhe jo i Humorit dhe Satirës. Kështu funksionon në disa vende të botës”, precizoi në takimin e djeshëm ministri, i cili kthehej nga një front mediatik kundër punimeve në sheshin “Skënderbe”, ku ishte përfshirë gjithë paradites ministria e tij.

Teodor Laço i tha që, së pari, kemi të bëjmë jo vetëm me një sihariq për të gjithë ata artistë të mrekullueshëm kudo që ndodhen, po me “një ngjarje historike, që do t’i japë popullit të Tiranës gjininë që do”. Laço, kryetar i bordit të filmit artistik, që dje ishte zhvendosur në fushën e humorit, tregoi me dy fjalë se, ai për vete, e kishte ndier si mungesë një institucion të tillë “me përgjegjësi shtetërore”. Pastaj propozoi me prakticitet që salla e vogël e Teatrit Kombëtar, që rri kot, të jetë vendi ku do të lëvrohet kjo gjini e dashur, që “spektatori e mirëpret”. Autori argumentoi se, fare mirë, trupa e Teatrit të Komedisë mund të ngrihet duke marrë pesë aktorë nga Teatri Kombëtar, ata që janë të prerë për humor, satirë e komedi, dhe pesë të tjerë të merren nga ata artistë të mrekullueshëm të kohëve të arta të Teatrit të Estradës, që kapitalizmi fëminor shqiptar i nxori në rrugë. Ky ishte momenti kur të pranishmit përmendën pothuajse njëzëri dhe pothuajse njëherësh i kthyen kokat nga vendi ku rrinte ulur dhe pa bërë zë aktori Vasillaq Vangjeli. U tha që ai mund të jetë një nga njerëzit që meriton të punësohet menjëherë, të jetë pjesë e dhjetëshes. Kështu do të shkojë në vend dinjiteti i artistit.

Dinjitet do të thotë rrogë. “S’ke ç’t’i bësh tjetër. Ta kesh permanent aty aktorin. I jemi mirënjohës qeverisë “Berisha”, që është treguar kaq e ndjeshme për statusin e artistit shqiptar”, plotësoi me duart lart një tjetër, në krah të regjisorit Mihallaq Luarasi. “Pa harruar aktorët e rinj”, shtoi Laço, për të mos ia ngrënë hakën ndonjë pale. E meqë u përmend Teatri Kombëtar, autori shtroi një pyetje retorike, për forcë zakoni: Si ka mundësi që ky teatër, dikur bënte nga 7-8 premiera në muaj, kurse sot sa mezi një?

Ruzhdi Pulaha, nga ana e tij, e mbështeti parafolësin. “Çështja është, zoti ministër, të martohemi tani, apo të marrim shtëpinë njëherë? Unë them të fillojmë menjëherë.”

“Gjithë puna është të ecim shpejt”, e rroku në kohë fjalën e tjetrit ministri dhe rrëzoi për të tretën herë një mikrofon.

Aktorja e ish-Estradës, Rita Lati, foli shkurt. Ajo vetëm tha se i ishte dukur ëndërr tek kish dëgjuar Kryeministrin të urdhëronte për ngritjen e Teatrit Kombëtar të Humorit dhe Satirës. A po mos ndoshta ajo vërtet e kish parë ëndrrën dhe ky që po e lexonte ishte një kryeministër orakull? “Nuk po na besohej”, tha Rita dhe fjalën ia rrëmbeu Bashkim Hoxha, që shprehu keqardhje për “gjithë këto resurse, që padrejtësisht janë lënë mënjanë”. Vetëm se për Hoxhën duhej bërë e qartë që Teatri i Komedisë do të jetë një teatër i ri, “sipas sistemit të sotëm”, me vështrimin nga e ardhmja. Se po të ishte për vështrim nga e kaluara, kemi atë, Teatrin Kombëtar. Aty për aty, njëlloj si parafolësit që, pasi i kanë ngjyer gishtat tek ai qyp mjalti i Teatrit Kombëtar, po ia lidhnin tani telin në qafë kësaj arushe e po e hiqnin zvarrë, Hoxha shpalli sfidën: “Teatri i Komedisë të vihet në garë me Teatrin Kombëtar, që është i vjetruar. Shikoni si shpërblehen aktorët, si vihen pjesët! Teatri i Komedisë duhet të jetë teatër i një mentaliteti të ri. Mentalitet i ri do të thotë që s’kemi kohë për të humbur.”

“Për dhjetë ditë duhet ngritur një grup pune, sepse kemi gati ligjin për artin skenik”, tha dhe vuri buzët në gaz ministri. “Të përcaktojmë kush do të jetë në këtë grup, të përcaktojmë vendndodhjen e teatrit.” Këtu ministri sqaroi se për salla nuk është edhe aq problem. Këtë javë ai do të takohej me zotin Malaj të Akademisë së Arteve për të përdorur skenën e Akademisë, meqë është nga lopët e shtetit. “Pra, për dhjetë ditë, po edhe më shpejt” dhe vuri prapë buzët në gaz ministri. Me njërën dorë mbante mikrofonin që s’rrinte në këmbë, me tjetrën shkruante diçka në një copë letër të palosur nga vetja, që bashkëbiseduesit të mos përgjonin çfarë në të vërtetë shënonte aty ministri.

“Jemi gati të gjithë”, tha Bujar Kapexhiu.

Shekulli, 2010

© 2023 Elsa Demo. Të gjitha të drejtat janë të autores.

About the Author

Elsa Demo është e angazhuar prej vitit 2000 me raporte, analiza dhe ese mbi artet dhe kulturën në shtyp dhe televizion. Në bashkëpunim me Ardian Klosin ka hartuar antologjitë “Shqipëria kujton. 1944-1991” dhe “Shqipëria tregon 1991-2010”. Është doktoruar për Studime Letrare (2020). Është e autore e “Te Teatri” (Berk, 2023) dhe “E gjelbër hiri në të zezë” (Logbook, 2024). Jeton në Tiranë.

Author Archive Page