ENËT: TEMË DHE VARIACIONE

Të lash enët. Dakord, por të kujt?

Enët mund t’i lash edhe duke i lëpirë. Sidomos kur ke shumë uri.

Enët? Unë, për vete, mjaftohem të laj enën.

Burri im, tha, e ka zakon të meditojë, kur lan enët. Ndërsa imi, i tha tjetra, e ka zakon të lajë enët, kur mediton.

Enët i lanin shpesh. Për të ngrënë, hanin rrallë.

Meqë të pëlqen kaq shumë të luash me flluska, tha, atëherë enët do t’i lash ti.

Duke larë pjatat, iu kujtua çfarë kish ngrënë dhe u përlot.

Enët fillojmë t’i lajmë që kur ulemi për të ngrënë.

Kur hamë përjashta, tha, i kërkoj burrit që t’i lajë enët për nesër.

Të lash kutitë e picave.

Pasi zihemi, tha, im shoq i lan enët me doreza boksi.

Nuk e kam problem të laj enë. Çfarë nuk duroj dot, është shpëlarja.

Të lumtur ata burra që lajnë enët. Dikush u paska gatuar.

Me ujin e enëve, lante pastaj këmbët. Gjysma e së keqes.

Mua më paguajnë për të larë enë, tha.

Sekreti i një martese të suksesshme: njëri prej nesh ha, tjetri ia lan pjatat. Dhe vice-versa.

Ishte sentimentale: i lante enët me lotët e serialeve turke.

Hanin në pjata kartoni, me lugë dhe pirunj plastikë dhe pinin me gota polistiroli. Edhe ushqimin pastaj zakonisht e villnin.

Të lash enët, dhe pastaj të flesh me shërbëtoren. Ose ta lash edhe shërbëtoren. Ose, më realisht, të flesh i rrethuar me enë të palara (versioni makth: të të shpjerë në gjumë shërbëtorja).

Dua t’i ruaj të gjitha gotat që i ke ndotur me buzëkuq, tha.

Ti laj enët e kuzhinës, tha. Unë laj ato të dhomës së gjumit.

Vër doreza kur lan enët, më tha. I ke duart shumë pis.

Pse asaj ia lan, tha, ndërsa mua jo?

I kanë pjatat prej porcelani aq fin, sa u duhet t’i çojnë në pastrim kimik për t’i larë.

Të lash gjysmën e pjatave. Të lash gjysmën e pjatës.

Vdiqa duke larë enët, tha. Po edhe Sabrijes ashtu i ndodhi, i tha tjetra: i vdiq i shoqi duke larë enët.

Terapi e çiftit: Të lash enët komunikuese.

Nuk mund ta lash dot pjatën dy herë në të njëjtin ujë, ka thënë Herakliti.

Por mund të gatuash të njëjtën gjellë shtatë herë në javë, ka thënë Herakliu.

Ose ta lash të njëjtën pjatë shtatë herë, për t’u dukur sikur po bën punë, ka thënë Irakliu.

Teknika më e mirë e larjes së pjatave: dyqani i enëve të kuzhinës.

Edhe nevojtorja alla frënga është enë: Fati ynë që lahet vetë.

Im shoq preferon që enët t’i pagëzojë.

(c) 2018, Peizazhe të fjalës.

 

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: