RETROLOGJI

Është në natyrën e politikanit që të përpiqet t’i paraqitë dështimet si suksese, në sytë e të tretëve: në zhargonin e public relations këtë farë manipulimi cinik e quajnë ndonjëherë spin.

Por pushtetarët e sotëm, në Tiranë, kanë zgjedhur një teknikë pak monotone, për t’iu përgjigjur kritikave: krahasimin sistematik e ndonjëherë bajat me të shkuarën.

Dhe kaq i keq ka qenë regjimi Berisha, sa të tanishmëve shpesh u ka mjaftuar distancimi prej tij, për t’u ndier të sigurt në dështimet dhe katastrofat e tyre.

Por sado i keq të ketë qenë ai regjim, prej ekipit të Ramës në qeveri dhe deputetëve të tij në Parlament publiku ka të drejtë të presë diçka përtej referimit obsesiv ndaj dështimeve të djeshme të kundërshtarëve.

Këtë mendova, kur shtrëngova dhëmbët dhe lexova përgjigjen që Ministrja e Kulturës Kumbaro i dha një shqetësimi të aktorit Robert Ndrenika, për fatin e teatrit kombëtar dhe të selisë së tij në Tiranë.

Kumbaro i kujtoi Ndrenikës thagma të shumë viteve më parë, të cilat vetëm sa dëshmonin se ekipi i atëhershëm i Berishës i kish drejtuar punët e kulturës duke u zhvendosur lirisht nga një gafë në tjetrën.

Pasi e pyeste aktorin se pse ai dhe kolegët e vet nuk kishin protestuar për gjithfarë gabimesh, budallallëqesh dhe abuzimesh atëherë, madje duke vënë në dukje edhe se “komuniteti i aktorëve dhe shoqëria jonë nuk duhej ta kishin lejuar që teatri të kthehej në lokal me tym lojërash fati e bingoje, që thithte klientë por jo artdashës,” Ministrja e Kulturës guximshëm edhe vetë protestën e tanishme të aktorëve nuk ngurroi ta paraqiste si “sukses” të qeverisë së saj, meqë kjo paskësh krijuar klimën e duhur të tolerancës dhe të pluralizmit, në shoqërinë civile.

Shefi i Kumbaros, kryeministri Rama, tregoi të njëjtin qëndrim ndaj krizës së tanishme, të cilin e formuloi kështu në përgjigje të një kritike që i bëri një komentues në Facebook:

[…] debati për të mbrojtur godinën e rrënuar të teatrit është një debat i stërvjetër, i stërlodhur dhe pa asnjë vlerë e asnjë kuptim sot! Sa ka bere qeveria ime për teatrot, muzetë, stadiumet në vetëm 4 vjet nuk i kanë bërë të gjitha qeveritë bashkë në 25 vjet!

Po ai spin – që, për ta thënë me fjalët e Ramës, është ai vetë “i stërvjetër, i stërlodhur dhe pa asnjë vlerë dhe kuptim sot.”

Si krahasimin me të shkuarën, ashtu edhe argumentin e formës “ku ishit ju atëherë”, që rreket të vërë në pikëpyetje integritetin e kritikuesit, unë do t’i përfshija në të njëjtën metodë e të njëjtin reagim të një sistemi imunitar tejet të stresuar, si ai i palës së sotme në pushtet.

Dhe meqë më mungon një fjalë për të, po lejohem të adoptoj[1] termin retrologji, si etiketë edhe për metodën vetë, ashtu edhe për manifestimet e saj sistematike.

Dhe termi më hyn në punë për ta thënë, shkurt dhe shkoqur, se komunikimin e sotëm të pushtetarëve me publikun fare lehtë mund ta reduktosh në një barrierë retrologjish, të cilat synojnë të devijojnë kritikat drejt temave dhe debateve pa interes.

Vetë metoda nuk është e re – ca prej nesh ende do ta mbajnë mend maninë e pushtetarëve të Hoxhës për t’iu referuar statistikave të vitit 1938; meqë në raport me to gjithçka merrte përmasa të tjera, më pozitive, më mbresëlënëse, më frymëzuese, më optimiste.

Si të mos krenoheshin dentistët anembanë atdheut, që, ta zëmë, në vitin 1976, kishin shkulur gjashtëfishin e dhëmballëve të shkulura prej kolegëve të tyre, nënshtetas të Zogut?

Po ndërmarrjet e shërbimeve funerale dhe punishtet e arkivolëve?

Natyrisht, dhe përtej shakave, një pjesë e madhe e këtyre statistikave përligjeshin; e megjithatë, pakkush prej nesh që jetonim atëherë entuziazmoheshim ngaqë e kishim lënë prapa vitin 1938.

Kur iknin dritat, kur nuk gjeje në dyqane as mish as peshk as qumësht, kur të duheshin 4 orë për të vajtur me tren në Elbasan, kur ata që dilnin jashtë Shqipërisë ktheheshin me valixhet të mbushur me lecka e kur regjimi përndiqte nipat ende fëmijë për “gjynahet” e gjyshërve, askush nuk e kish më mendjen tek 1938-a dhe Zogu.

Edhe thjesht për shkak të përsëritjes, retrologjitë e atij regjimi u bënë kundërprodhuese dhe filluan të përcillen me hilaritet, madje përfunduan pjesë batutash dhe barceletash.

1938-a po shërbente si mega-alibia e një ekonomie të dështuar dhe të një politike ekonomike kriminale.

Nuk e them dot këtë për retrologjitë e tanishme të Ramës, Kumbaros dhe të tjerëve – edhe ngaqë Berisha dhe Basha po bëjnë të pamundurën, për t’ua ruajtur vlerën; sikurse po bëjnë të pamundurën për t’i lejuar këta të tanishmit të mbajnë pushtetin pa u trazuar shumë.

Por kam frikë se vetë metoda, në vetvete, është e krimbur; dhe këtë e ndiejnë edhe ata që e përdorin 24/7, në komunikimet e tyre “me popullin.”

Dhe arsyeja kryesore që kjo metodë, përtej efektit skenik dhe një ngushëllimi të çastit, nuk funksionon dot është se edhe ai tjetri, që ti ke përballë dhe kërkon ta fundosësh mund të mësohet dhe të fillojë ta përdorë kundër teje (madje edhe sikur të kesh sendërgjuar një dordolec për ta qëlluar pastaj me domate të kalbura, edhe dordoleci do të mësojë, herët a vonë, të t’i dërgojë domatet e kalbura mbrapsht).

Siç e vinte tani në dukje një editorial te Lapsi, ashtu veproi edhe aktori Ndrenika, i cili moralizimit të ministres Kumbaro iu përgjigj kështu:

Jeni ju që keni pasur gjithë kohën e nevojshme edhe për të bërë transparencën e asaj që ndodhi dje. Ne atë kërkojmë.

Gjetiu, ish-drejtori i Teatrit Eksperimental Kastriot Çipi publikoi një dokument që dëshmonte se vendimin për ta shndërruar një pjesë të hapësirës së selisë së Teatrit Kombëtar në bingo – çfarë kish shkaktuar edhe indinjimin a posteriori të Kumbaros – e paskësh marrë vetë shefi i tanishëm i Kumbaros, Edi Rama, aso kohe Ministër i Kulturës.

Nuk futem dot në hollësitë e këtyre goditjeve dhe kundërgoditjeve, por për ta thënë me një proverb të italishtes, chi di spada ferisce, di spada perisce. E kaluara është në gjendje t’u japë argumente të gjitha palëve; aq më tepër kur vjen puna për klasën politike aq gjak-përzier (anglisht: inbred) të Shqipërisë së sotme.[2]

Kjo është edhe e keqja e madhe e retrologjisë – orientimi i gënjeshtërt i komunikimit dhe i debatit ndaj diçkaje të kapërcyer, të vdekur, të ngrënë nga krimbat; ose pikërisht ai orientim që i bën të neveritshme shfaqjet e vetëkënaqësisë së pushtetarëve të sotëm, madje edhe kur këta janë në të drejtën e tyre të ndihen të kënaqur, për ndonjë arritje të rastit.

Për fat të keq, këmbëngulja në këtë teknikë argumentative në thelb qesharake dhe stërhollimi i saj nga një status Facebook-u në tjetrin, po krijon model; dhe brezi i ri i politikanëve shkallë-shkallë po mësohet që të mos konceptojë dot lloj tjetër debati, përtej atij që rrëmon në të kaluarën e oponentit dhe në përqasjet kinse shkencore (faktike) me periudhat e së shkuarës të qeverisura nga “armiku”.

Shto këtu edhe prirjen e pashmangshme për t’i personalizuar të gjitha këto lloj zhbirimesh dhe e ke gati recetën për komprometim të komunikimit vetë. Por nuk e vë dot dorën në zjarr e të them se nuk ka gjasa që pikërisht ky të jetë edhe synimi i retrologëve.

© 2018, Peizazhe të fjalës. Ndalohet çdo lloj riprodhimi në mediat.


[1] Në italishte, retrologia shënjon – në mënyrë ironike – interesimin për rryma artistike a kulturore të kapërcyera. Megjithatë, në përshtatjen që ia kam bërë termit në shqip, kam marrë për model një fjalë tjetër të politikishtes italiane, dietrologia, e cila shënjon një prirje për t’i shpjeguar ngjarjet me çfarë qëndron pas tyre (“sta dietro”), ose me një teori komploti.

[2] Jo vetëm ngaqë palët sot në opozitë dje mund të kenë qenë në aleancë mes tyre, por edhe se, brenda këtyre 30 vjetëve, të gjithë e kanë pasur mundësinë madje shansin për të bërë dëme të mëdha, kur kanë qenë në krye të punëve.

1 Koment

  1. E megjithate, (megjithse para nja 3-4 ditesh u “informova” edhe nga shtypi i dites per punen e teatrit, dhe degjova/pashe intervisten e Robert Ndrenikes), akoma nuk po kuptoj se perse po diskutohet! Duan ta prishin godinen e teatrit (dhe ate paralele aty prane) dhe do ngrene nje tjeter shume me te larte? Apo duan ta rikonstruktojne godinen ekzistuese? Apo duan ta zhvendosin teatrin diku vend tjeter? Apo, apo, apo…? Apo ,me e rendesishme eshte cfar tha ky e nuk tha ai?!..

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin